Myslimanët dhe hilafeti i drejtë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Periudha e hilafetit të drejtë është një nga periudhat më të rëndësishme të gjithë historisë islame. Ajo ka veçori të përcaktuara, tipare të dallueshme, dhe  është zgjatim natyral i periudhës së madhe të profetësisë. I Dërguari i Allahut (a.s) u kujdes që ta lidhte këtë periudhë me periudhën profetike në disa mënyra, gjë që pati një ndikim të madh në jurisprudencën islame, si dhe në kuptimin e legjislacionit dhe mënyrën e zbatimit të tij. Nuk ka rrugë për ata që duan të kuptojnë Islamin dhe historinë e tij, përveçse me një studim të vetëdijshëm dhe të thelluar të kësaj periudhe të pasur të historisë së tij.

I Dërguari i Allahut (a.s) dëshmoi për këtë periudhë duke thënë se ajo do të jetë sipas rrugës së tij. Kjo dëshmi është e mjaftueshme për të shuar çdo përpjekje për të hedhur dyshime ndaj ndonjërit prej kalifëve të drejtë, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Hudhejfe ibn Jemani (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (r.a) ka thënë: “Do të jetë mes jush profecia për aq kohë sa të dojë Allahu që të jetë, pastaj Ai do ta largojë kur të dojë që ta largojë. Pastaj do të ketë kalifat sipas rrugës së profecisë, dhe do të zgjasë për aq kohë sa të dojë Allahu që të zgjasë, pastaj Ai do ta largojë kur të dojë ta largojë. Pastaj do të ketë mbretëri përtypëse (despotike), dhe do të jetë për aq kohë sa të dojë Allahu që të jetë, pastaj Ai do ta largojë kur të dojë ta largojë. Pastaj do të ketë mbretëri shtypëse (diktatoriale), dhe do të jetë për aq kohë sa të dojë Allahu që të jetë, pastaj Ai do ta largojë kur të dojë ta largojë. Pastaj do të ketë sërish kalifat sipas metodës së profecisë. Pastaj ai (i Dërguari i Allahut) heshti.”[1]

Nga teksti i mëparshëm kuptohet pa asnjë dyshim se kalifët e drejtë do të ndjekin me përkushtim gjurmët e të Dërguarit të Allahut (sipas rrugës së profetësisë), dhe do të ndjekin me rigorizitet Sunetin tij, duke e ruajtur atë dhe se njëkohësisht do ta përmbushin misionin e të Dërguarit (a.s), që është përcjellja e mesazhit për tërë botën. Kjo përcjellje përfshin ruajtjen e plotë dhe të sigurtë të Librit dhe sqarimin e tij; domethënë, të Kuranit Fisnik dhe të Sunetit, në mënyrë që argumenti i Allahut të mbetet i qartë për mbarë botën dhe të arrihet qëllimi i përmbushjes së misionit të profetit (a.s)

Madje, më shumë se kaq, i Dërguari i Allahut (a.s) ka treguar në një hadith tjetër se kjo periudhë e bekuar nga historia e umetit do të përmbajë edhe përpjekje interpretimi (ixhtihad) në zbatimin e sheriatit për çështje që nuk kanë ekzistuar në kohën profetike. Këta kalifë të mëdhenj do të bëjnë përpjekje të mëdha (ixhtihad), e Allahu i Lartësuar do t’u japë atyre udhëzim dhe sukses, në mënyrë që ata të zgjedhin atë që Allahu dëshiron për robërit e Tij. Kështu, përpjekjet e tyre do të bëhen Sunet (obligativ) për myslimanët dhe i domosdoshëm për t’u ndjekur. Nuk është e drejtë që një mysliman të thotë: “Ata ishin burra, edhe ne jemi burra, dhe se ne kemi të drejtë të  kundërshtojmë mendimin e tyre.” Një mendim i tillë është i gabuar, sepse mendimi i këtyre kalifëve nuk është si mendimi ynë; përkundrazi, është Sunet ndaj të cilit jemi urdhëruar t’i përmbahemi.

Kjo domethënie – e cila mund t’i duket e çuditshme disa njerëzve – është përmendur në hadithin e Irbad ibn Sarijes (r.a), i cili ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut (a.s) u fal bashkë me ne, pastaj u kthye nga ne dhe na mbajti një hutbe prekëse nga e cila lotët rrodhën dhe zemrat u dridhën. Dikush tha: O i Dërguari i Allahut! Kjo duket si një këshillë lamtumire. Për çfarë na porosit? Ai tha: Ju këshilloj të keni frikë Allahun, dhe të dëgjoni dhe të bindeni, edhe sikur të udhëheqë një rob abisinian. Vërtet, kushdo që do të jetojë pas meje do të shohë shumë përçarje. Prandaj, përmbajuni Sunetit tim dhe Sunetit të kalifëve të udhëzuar të drejtë, kapuni fort pas tij dhe përthitheni me dhëmballë! Dhe ruajuni risive në fe, sepse çdo risi është bidat, dhe çdo bidat është humbje.”[2]

Nga hadithi i mësipërm nxirren shumë çështje të rëndësishme; ndër më të rëndësishmet janë katër, që kanë lidhje me temën e Sunetit:

Së pari: Myslimanët duhet të “kapen me dhëmballë” pas Sunetit të kalifëve të drejtë, domethënë t’i përmbahen fort atij. Kjo tregon qartë se Suneti i tyre do të përmbajë disa çështje të reja që nuk kanë shembull të drejtpërdrejtë e të ngjashëm në Sunetin profetik. Përndryshe, do të kishte mjaftuar që i Dërguari (a.s) të urdhëronte vetëm ndjekjen e Sunetit të tij personal. Këto çështje në të vërtetë janë të shumta dhe të rëndësishme, si: mbledhja e Kuranit, luftërat kundër atyre që braktisën Islamin pas vdekjes së Profetit, lëvizja e zgjerimeve (fetare dhe politike), përballja me havarixhët (sektin e dalë nga mesi i myslimanëve), trazirat e brendshme, e të tjera ngjarje të ngjashme.

Së dyti: Është e kuptueshme në mënyrë të natyrshme se nëse i Dërguari (a.s) na ka urdhëruar që t’i përmbahemi Sunetit të tij, dhe menjëherë pas kësaj ka urdhëruar për ndjekjen e Sunetit të kalifëve të drejtë, atëherë Suneti i këtyre kalifëve nuk mund të jetë në asnjë mënyrë në kundërshtim me Sunetin e tij (a.s). Përndryshe do të kishte kontradiktë mes dy urdhrave. Kështu që, kalifët e drejtë janë plotësisht zbatues të Sunetit të të Dërguarit (a.s).

Së treti: I Dërguari (a.s) i përshkroi këta kalifë si “të drejtë” (rāshidīn), por gjithashtu edhe si “të udhëzuar” (mehdijiīn). Përshkrimi i parë u jep atyre virtytin e “drejtësisë” (rushd), që është një fjalë që përdoret për çdo vepër dhe fjalë të lavdëruar, dhe është e kundërta e devijimit. Allahu thotë: “Tani është qartësuar rruga e drejtë nga ajo e shtrembër.”[3] Kjo fjalë në thelb përmban kuptimin e qëndrueshmërisë në rrugën e së vërtetës me vendosmëri. Allahu ka thënë duke shpjeguar se çfarë është drejtësia: “Por Allahu jua bëri të dashur besimin dhe e zbukuroi në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, prishjen dhe mëkatin ua bëri të urryer, të tillë janë të drejtët.”[4] Pra, i drejti është ai që “dashuron” besimin dhe të mirën, dhe “urren” mosbesimin dhe të keqen. Ndërsa përshkrimi i dytë (të udhëzuar) tregon se Allahu është Ai që i ka udhëzuar në këtë sjellje, prandaj përpjekjet e tyre janë të suksesshme me ndihmën e Allahut, janë të mbikëqyrura prej Tij, dhe nëpërmjet tyre do të ruhet feja dhe do të qëndrojë umeti. Kjo i jep qetësi zemrës së myslimanit në pastërtinë e metodës së këtyre kalifëve dhe në besueshmërinë e tyre në udhëzim.

Së katërti: I Dërguari i Allahut (a.s) e përfundon hadithin duke sqaruar se çdo risi (e shpikur në fe) është bidat (risi e qortuar), kështu që, po ta marrim këtë deklaratë në dritën e urdhrit të mëparshëm për ndjekjen e Sunetit të kalifëve të drejtë, kuptojmë se ajo që ata kanë shtuar nga përpjekjet e tyre nuk llogaritet si bidat, por përkundrazi, ndjekja e Sunetit të tyre është mbrojtje ndaj bidateve. Kjo është një nxitje shumë më e fortë për myslimanët që të ecin në gjurmët e tyre.

Për shkak se kjo periudhë është shumë e rëndësishme në legjislacionin islam, i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e la përcaktimin e kohëzgjatjes së saj për interpretimet e myslimanëve; përkundrazi, ai e përcaktoi atë me saktësi të madhe. Nga Sefina (r.a.) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kalifati në umetin tim do të zgjasë tridhjetë vjet, pastaj do të vijë mbretërimi pas tij.”[5] Hadithi përcakton se periudha e kalifatit të drejtë do të zgjasë tridhjetë vjet, dhe kjo përfshin periudhën e udhëheqjes së Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me ta), si dhe periudhën prej gjashtë muajsh që e udhëhoqi Hasan ibn Aliu (r.a.). Konkretisht kjo periudhë fillon nga Ramazani i vitit të katërt dhe vazhdon deri në muajin Rebi’ el-Euel të vitit të 41 të hixhretit. Kështu, tridhjetë vjet u përmbushën ashtu siç e përshkroi i Dërguari (a.s) Ky hadith është një nga dëshmitë e profetësisë së tij (a.s).

Ibn Kethiri thotë: “Përfundimi i tridhjetë vjetëve ishte me kalifatin e Hasan ibn Aliut (r.a.), sepse ai dorëzoi kalifatin Muavijes në Rebi’ el-Euel të vitit 41-të. Kjo përbën përfundimin e tridhjetë vjetëve nga vdekja e të Dërguarit të Allahut (a.s), pasi ai (i Dërguari) vdiq në Rebi’ el-Euel të vitit 11 të hixhretit. Kjo është një nga dëshmitë më të mëdha të profetësisë.”[6]

Një nga gjërat e bukura që duhet të dimë është se kalifët e drejtë e kuptonin se suneti i tyre do të ndiqej dhe se çdo gjykim i tyre do të ishte i detyrueshëm për muslimanët pas tyre. Një histori që tregon këtë është rrahja e një personi që pinte alkool gjatë kohës së kalifatit të Othman ibn Affanit (r.a.). Ky person u godit 40 herë (me kamzhik) në prani të Othmanit (r.a.), dhe ai që numëronte goditjet ishte Ali ibn Ebi Talib (r.a.). Ai i kërkoi xhelatit të ndalonte pas 40 goditjeve dhe pastaj tha: “Në kohën e të dërguarit të Allahut (a.s) ai që pinte alkool goditej 40 herë, po kështu edhe në kohën e Ebu Bekrit, kurse  Omeri ka goditur 80 herë, dhe të gjitha këto janë sunete, dhe ky është më i preferuari për mua.” Aliu (r.a.) e tha këtë në praninë e Othmanit (r.a.), që do të thotë se ai e miratoi këtë. Kjo tregon se rrahja e një personi që pi alkool me 40 kamzhikë është sunet, po ashtu edhe rrahja me 80 kamzhikë, megjithëse i Dërguari (a.s) nuk e bëri këtë, por ai që e bëri ishte Omeri (r.a.). Kështu që çështja është midis këtyre dy mundësive, dhe gjykatësi është i lirë të zgjedhë njërin prej tyre. Sa e bukur është fjala që Ali ibn Abi Talibi (r.a.) tha, kur thotë se “Të gjitha janë sunete!” Ky kuptim nga kalifët e drejtë (r.a.) ishte një barrë e rëndë mbi shpatullat e tyre, një përgjegjësi e madhe që nuk mund të krahasohet me asnjë përgjegjësi tjetër. Kjo i shtyu ata, të kenë kujdes të madh për çdo mendim që kishin, për çdo fjalë apo veprim që zgjidhnin. Mendimi i tyre nuk ishte një përgjegjësi individuale; ata e dinin që e gjithë umeti, deri në Ditën e Kijametit, do të ndjekë zgjedhjet e tyre.

Për mos t’i lënë shkas myslimanëve që të  hezitojnë në ndjekjen e katër kalifëve, i Dërguari i Allahut (a.s) i ka lëvduar në shumë prej fjalëve të tij. Hadithet dhe ngjarjet në këtë kuadër janë më shumë se që mund të numërohen, dhe unë do të përmend disa prej tyre që kanë rëndësi për temën tonë, veçanërisht ato që përmendin renditjen[7] e udhëheqjes së këtyre kalifëve pas Profetit (a.s).

Nga Ibn Omeri (r.a.) transmetohet se ai tha: “I Dërguari i Allahut (a.s) doli para nesh një mëngjes pas lindjes së diellit dhe tha: Pashë para agimit se mu dhanë depot dhe peshoret. Sa i përket depove, ato janë çelësat, dhe sa i përket peshoreve, ato janë ato me të cilat ju peshoni. Unë u vendosa në një krah të peshores dhe në krahun tjetër u vendos umeti im. U peshuam dhe unë peshova më shumë se ata. Pastaj erdhi Ebu Bekri dhe u peshua me ta dhe ishte i barabartë. Pastaj erdhi Omeri dhe u peshua me ta dhe ishte i barabartë. Pastaj erdhi Othmani dhe u peshua me ta dhe u ngrit.”[8]

Në këtë hadith, vërejmë se i Dërguari i Allahut ka përmendur tre kalifët e parë sipas renditjes dhe kjo tregon se ata do të merrnin drejtimin sipas saj. Po ashtu, i Dërguari (r.a) tha se çdo njëri prej këtyre tre kalifëve ishte peshonin në peshore më rëndë se i gjithë umeti, gjë që dëshmon në mënyrë të qartë se Allahu i ka përzgjedhur ata për të qenë pasues të Profetit (a.s) sipas kësaj renditje.

Dhe ky nuk është i vetmi vegim që Profeti (a.s) ka parë në lidhje me këtë renditje. Xhabir ibn Abdullahu (r.a.) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na tregoi se një njeri i mirë pa se Ebu Bekri ishte i lidhur me Profetin (a.s), Omeri ishte i lidhur me Ebu Bekrin dhe Othmani ishte i lidhur me Omerin.” Xhabiri (r.a.) tha: “Kur u ngritëm nga kuvendi i Profetit (a.s), thamë: Njeriu i mirë ishte i Dërguari i Allahut (a.s), dhe lidhja mes tyre tregon se ata janë udhëheqësit e këtij udhëzimi me të cilin Allahu e dërgoi Profetin e Tij.”[9]

Po ashtu, nga Semure ibn Xhundubi (r.a.) transmetohet se një njeri i tha: “O i Dërguar i Allahut, kam parë sikur një kovë po vinte nga qielli, dhe erdhi Ebu Bekri, i cili mori fillin e saj dhe piu një pije të dobët, pastaj erdhi Omeri, i cili mori fillin e saj dhe piu derisa u ngop, pastaj erdhi Othmani, i cili mori fillin e saj dhe piu derisa u ngop, pastaj erdhi Aliu, i cili mori fillin e saj dhe u ngop, dhe disa prej saj u derdh mbi të.”[10]

Ndër momentet e tjera ku shfaqet kjo renditje është ajo që transmeton Ebu Musa el-Esh’ari (r.a.): Ai kishte marrë abdes në shtëpinë e tij, pastaj doli dhe tha: “Do ta ndjek patjetër të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe do të jem me të gjatë gjithë ditës sime.” Ai shkoi në xhami dhe pyeti për Profetin (a.s), e ata i thanë: “Ka dalë dhe është nisur në këtë drejtim.” Ai u nis pas tij duke pyetur derisa Profeti hyri në pusin e Erisit. Ebu Musa u ul te dera (e pusit), e dera ishte prej degë palmash. Kur Profeti (a.s) e kreu nevojën e tij dhe mori abdes, Ebu Musa u afrua dhe e pa Profetin të ulur buzë pusit të Erisit, i cili kishte vendosur këmbët në ujë dhe kishte zbuluar pjesën e poshtme të këmbëve. Ai e përshëndeti dhe u largua, pastaj u ul sërish te dera dhe tha: Sot do të bëhem rojtari i derës së të Dërguarit të Allahut.

Pastaj erdhi Ebu Bekri (r.a.) dhe shtyu derën. Ebu Musa i tha: Kush është? Ai tha: Ebu Bekri. I tha: Qëndro pak. Pastaj shkoi te Profeti dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Ebu Bekri kërkon leje për të hyrë. Ai tha: Lejoje dhe pëgëzoje me Xhenet. U kthye dhe i tha Ebu Bekrit: Hyr, i Dërguari i Allahut të përgëzon me Xhenet.” Ai hyri dhe u ul në të djathtën e Profetit në buzë të pusit, e vendosi këmbët në ujë dhe i zbuloi, ashtu siç kishte bërë Profeti.

Ebu Musa tha: U ktheva dhe u ula, duke e lënë vëllain tim që të merrte abdes dhe të më bashkohej. Thashë: Nëse Allahu dëshiron të mirën për filanin (duke nënkuptuar vëllain e tij), do ta sjellë. Papritur dikush lëvizi derën. Pyeta: Kush është? Tha: Omer ibn Hattabi. I thashë: Qëndro pak! Shkova te Profeti dhe i thashë: “Ky është Omeri ibn Hattabi që kërkon leje për të hyrë. Ai tha: Lejoje dhe pëgëzoje me Xhenet! Shkova dhe i thashë: “Hyr, i Dërguari i Allahut të përgëzon me Xhenet.” Ai hyri dhe u ul në të majtën e Profetit, vendosi këmbët në pus si Profeti dhe i zbuloi.

Pastaj u ktheva dhe u ula, dhe thashë: Nëse Allahu dëshiron të mirën për filanin, do ta sjellë. Erdhi dikush dhe lëvizi derën. I thashë: Kush është? Tha: Othman ibn Affani. I thashë: Qëndro pak! Shkova te Profeti dhe e informova. Ai tha: Lejoje dhe pëgëzoje me Xhenet, por (do të jetë) pas një sprove që do ta godasë.” Shkova dhe i thashë: “Hyr, i Dërguari i Allahut të përgëzon me Xhenet, pas një sprove që do të të godasë.” Ai hyri dhe e gjeti buzën e pusit të mbushur, kështu që u ul përballë Profetit nga ana tjetër e pusit.

Shurejh ibn Abdullah tha: Seid ibn Musejjebi ka thënë: Unë e interpretova këtë si vendet e tyre të varrimit.”[11]

Nga Enes ibn Malik (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) u ngjit në malin e Uhudit bashkë me Ebu Bekrin, Omerin dhe Othmanin. Mali u drodh prej tyre, e Profeti (a.s) tha: “Qëndro i palëkundur, o Uhud! Sepse mbi ty është një Profet, një Siddik (i sinqertë i lartë) dhe dy dëshmorë.”[12]

Hadithi i dhjetë të përgëzuarve me Xhenet gjithashtu e tregon qartë renditjen. Nga Abdurrahman ibn Auf (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ebu Bekri është në Xhenet, Omeri është në Xhenet, Othmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejri është në Xhenet, Abdurrahman ibn Aufi është në Xhenet, Sa’di është në Xhenet, Seidi është në Xhenet, dhe Ebu Ubejde ibn el-Xherrah është në Xhenet.”[13]

Kjo renditje  si në çështjet e qeverisjes ashtu edhe në status ishte e qartë për shumë nga sahabët. Prandaj, Ibn Omeri (r.a) ka thënë haptazi: “Në kohën e Profetit (a.s) nuk e barazonim askënd me Ebu Bekrin, pastaj vinte Omeri, pastaj Othmani, pastaj i linim sahabët e tjerë të Profetit dhe nuk bënim krahasime mes tyre.”[14]

Gjithashtu, nga Muhammed ibn Hanefijje (bir i Aliut), thuhet: “I thashë babait tim (Aliut): Kush është njeriu më i mirë pas të Dërguarit të Allahut (a.s)? Ai tha: Ebu Bekri. I thashë: Pastaj kush? Tha: Pastaj Omeri. Kisha frikë se mos thoshte Othmani, kështu që i thashë: Pastaj ti? Ai tha: Unë nuk jam gjë tjetër veçse një burrë nga myslimanët.”[15]

Edhe pse hadithet për renditjen në udhëheqje dhe status janë më të shumta për tre kalifët e parë, në hadithe të tjera është përmendur edhe statusi i Aliut. Hadithet e sakta që flasin për lavdërimin e tij janë të shumta. Si për shembull: “A nuk të kënaq që të kesh ndaj meje pozitën e Harunit ndaj Musait, përveçse se nuk ka profet pas meje?”[16]

Ky përjashtim (se nuk ka profet pas tij) tregon se pozita e përmendur nuk është thjesht familjare, por është një pozitë e lartë në vlerë dhe virtyt, sepse ai e ka krahasuar atë me një profet të madh si Haruni (a.s), për udhëzimin e tij, bindjen ndaj Allahut dhe ndihmën që i ka dhënë Musait (a.s).

Sa i përket Hasanit, birit të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të dy), Profeti (a.s) e përshkroi me një fjalë gjithëpërfshirëse, kur tha: “Ky biri im është një prijës…”[17]

Autor: Ragib Serxhani

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Ahmedi (18430), Tabaraniu (368) në “El Kebir”, Ebu Daud et Tajalisi (439) dhe Bezzar (2796). Hafiz El Iraki ka thënë: Hadithi është Sahih.

[2] – Ebu Daudi (4607), Tirmidhiu (2676), Ibn Maxheh (42), Ahmedi (17184) dhe Ibn Hibani (5). Hadithi është Sahih.

[3] – Buhariu (286).

[4] – Sure Huxhurat: 7.

[5] – Ebu Daudi (4646), Tirmidhiu (2226), Nesaiu (8155) dhe Hakimi (4438). Hadithi është Hasen.

[6] – “El Bidaje uen Nihaje”: 11/134.

[7] – Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu.

[8] – Ahmedi (5469). Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.

[9] – Ebu Daudi (4636), Ahmedi (14863) dhe Ibn Hibani (6913). Hadithi është Hasen.

[10] – Ebu Daudi (4637) dhe Ahmedi (20255). Hadithi është Hasen.

[11] – Buhariu (3471) dhe Muslimi (2403).

[12] – Buhariu (3472).

[13] – Tirmidhiu (3747), Nesaiu (8194) dhe Ahmedi (1675). Zinxhiri i transmetimit është i fortë sipas kushtit të Muslimit.

[14] – Buhariu (3494).

[15] – Buhariu (3468).

[16] – Buhariu (4154) dhe Muslimi (2404).

[17] – Buhariu (2557).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *