Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirplotit! Falënderimi i përket vetëm Allahut, paqja, begatia dhe mirësia e Allahut qoftë mbi imamin tonë, shëmbëlltyrën tonë, të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij: “O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë”; “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh”.
O Allah! Na mëso atë që është e dobishme dhe na bëj dobi me atë që na mëson dhe na shto diturinë! Zoti ynë! Qofsh i lavdëruar. Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.
Namazi i xhumasë është detyrë për çdo musliman që plotëson kushtet e përcaktuara dhe zëvendëson namazin e ylesë. Ky detyrim bazohet në Kuran, Sunet dhe në Ixhmanë e dijetarëve.
Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju”. (Kurani: Xhuma, ajeti: 9).
Ebu Musa (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Xhumaja është farz, detyrim i madh për çdo musliman dhe falet me xhemat. Xhumaja nuk është farz për katër persona: të robëruarin, gruan, fëmijën dhe të sëmurin”.(Hadith i vërtetë. Ebu Daudi (1067); Darakutni (1577); Hakimi (1062).
Abdullah ibn Amri (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Xhumaja është detyrë për atë që dëgjon ezanin”. (Hadith i pranuar. Ebu Daudi (1056); Darakutni (1590).
Xhabiri (r.a.) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s.) na mbajti një hutbe ku tha: “O ju njerëz! Pendohuni tek Allahu para se të vidsni. Nxitoni të bëni punë të mira para se të angazhoheni me gjëra që ju pengojnë nga puna e mirë. Mbajeni lidhjen mes jush dhe Zotit duke e përmendur sa më shumë Atë dhe duke dhënë sadaka në fshehtësi dhe hapatzai, pasi do t`iu jepet furnizim, do të keni ndihmën hyjnore dhe gjendja juaj do të përmisohet. Dijeni se Allahu ua ka bërë detyrë faljen e namazit të xhumasë në këtë vend, në këtë ditë, në këtë muaj të këtij viti dhe do të vazhdojë deri në Ditën e Kijametit. Kush e lë pa falur përderisa unë jam gjallë, apo e pasi unë të vdes dhe ka një prijës, qoftë i drejtë apo mizor, duke e shpërfilluar apo duke e mohuar atë si detyrë, Allahu ia shpërndaftë çështjet, mos i dhëntë begati në asnjë prej tyre. Dijeni se kush lë qëllimisht pa falur xhumanë, nuk i bën hajr as namazi, as zekati, as haxhi, as agjërimi, as bamirësia që bën, derisa të pendohet. Nëse pendohet, Allahu ia pranon pendimin”. (Vargu i hadithit është me dobësi të lehtë. Ibn Maxheh (1081); Taberaniu, “El-Muxhemu`l-Eusat”, (7246); Ebu Ja`la (1856).
Xhabiri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kush beson Allahun dhe në Ditën e Fundit duhet të falë patjetër namazin e Xhumasë në ditën e Xhumë. Nga ky detyrim përjashtohet vetëm i sëmuri, udhëtari, femra, fëmija dhe i robëruari. Kush e shpërfill xhumanë për shkak të një kotësie apo tregtie, le ta dijë se Allahu do ta shpërfillë dhe nuk ka nevojë për të. Me të vërtetë Allahu është i Pasuri dhe i Lavdëruar”. (Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Darakutni, v. 2, f. 3; Bejhakiu, v. 3, f. 184.
Namazi i xhumasë është bërë detyrë në vitin e parë hixhri (viti 622) në Medine. Të gjithë dijetarët e Umetit janë të mendimit, se falja e namazit të xhumasë është farz dhe është detyrë që nuk shfuqizohet.
Dispozita sheriatike për namazin e bajrameve.
Sipas imam Ebu Hanifes, namazi i bajrameve është vaxhib (detyrë), por jo farz (detyrë e domosdoshme). Sipas imam Ebu Jusufit, imam Muhamedit, imam Malikut dhe imam Shafiut, namazi i bajrameve është sunet i fortë. Sipas imam Ahmedi namazi i bajrameve është farz kifaje.
Përsa më sipër, nuk shfuqizohet falja e xhumasë për shkak të namazit të bajrameve.
Imam Zejaliu (hanefi) ka thënë: “Kanë rënë dy festa në një ditë, e para është Sunet, ndërsa e dyta është Farz, nuk lihet asnjëri prej tyre”. (Kenzu`d-Dakaik, v. 1, f. 224).
Kadiu Abdulvehab (maliki) ka thënë: “Nëse bajrami dhe xhumaja bien në të njëjtën ditë, asnjëri nuk e rrëzon tjetrin, ndryshe nga ata që kanë thënë se nëse fal bajramin bie xhumaja. Argument për mosrrëzimin e xhumasë është ajeti: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur” dhe hadithi “Xhumaja është farz, detyrim i madh”. Kushtet e xhumasë janë ekzistente, prandaj obligohet falja e xhumasë. Poashtu, namazi i bajrameve është sunet, prandaj nuk mund të pezullojë një farz. Xhumaja është shumë më e fortë sesa bajrami, pasi është farz. Përdersa ai që është më i dobët nuk pezullohet (bajrami), është apriori e kuptueshme që i dobti (bajrami) nuk mund ta rrëzojë atë që është më e fortë (xhumaja)”. (El-Maune ala medhheb alimil medine”, f. 331).
Imam Neveviu (shafii) ka thënë: “Ka thënë Shafiu dhe dijetarët e medhhebit tonë: nëse rastis dita e xhuma bashkë me bajramin dhe marrin pjesë në namaz edhe ata që jetojnë në fshatra të largët dhe që nuk e kanë detyrë xhumanë, banorët e vendit e kanë të domodoshme faljen e xhumasë dhe për këtë nuk ka asnjë mospajtim mes dijetarëve. Përsa i përket atyre që banojnë në fshatra të largët, nga Shafiu ka dy transmetime: mendimi i parë më i saktë është se bie xhumaja për ta, ndërsa mendimi i dytë: nuk bie xhumaja për ta”. (El-Mexhmu, v. 4, f. 491).
Në lidhje me hadithin ku tregohet se Muavija (r.a.) e pyeti Zejd ibn Erkami (r.a.): “A ke marrë pjesë me të Dërguarin e Allahut (a.s.) në ditën kur rastisën dy festa”?! Ai tha: “Po! Ai (a.s.) fali namazin e bajramit në fillim të ditës dhe ua lehtësoi atyre faljen e namazit të xhumasë (ua bëri vullnetare) duke thënë: “Kush të dojë të falë xhumanë, le ta falë”. (Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese. Ebu Daudi (1070); Nesaiu, “Es-Sunenu`l-Muxhtebâ”, (1059); “Es-Sunenu`l-Kubrâ”, (1806); Ibn Maxheh (1310)), ai ka të bëjë vetëm me banorët e fshatrave dhe beduinët që nuk e kanë detyrë xhumanë. Argument që e përforcon këtë pohim është edhe veprimi i Uthman ibn Afanit, i cili tha në hutbe: “O njerëz! U janë bashkuar dy festa në një ditë. Kush dëshiron nga banorët e shkretëtirës (beduinët) të falë me ne namazin e xhuma, le ta falë dhe kush dëshiron të largohet, le të largohet”. (Maliku (491).
Në lidhje me ata, të cilët e kanë falur bajramin, – sipas mendimit të disa dijetarëve – bie obligimi për faljen e xhumasë, madje ata nuk kanë detyrë as faljen e namazit të ylesë së asaj dite. Uehb ibn Kejsani tregon: “Në kohën kur ishte kalif Ibn Zubejri, rastisi që dita e bajramit të ishte ditë xhumaje. Ai u vonua, derisa kishte kaluar një pjesë e paradites, mbajti hutben dhe fali namazin e bajramit. Ai nuk ua fali njerëzve më namazin e xhumasë. Kur unë ia përmenda këtë gjë Ibn Abasit (r.a.), ai tha: “Ka vepruar sipas sunetit”. Në një transmetim qëndron: “Fali dy rekate dhe nuk fali namaz tjetër, derisa fali namazin e ikindisë”. Ky mendim nuk gjen zbatim as në medhebin hanbeli, ku obligohet falja e ylesë.
Sipas medhhebi hanbeli, bie xhumaja për ata që e kanë falur namazin e bajramit me imam, por duhet të falin patjetër namazin e drekës. Imam Buhuti (hanbeli) ka thënë: “Nëse bie bajrami në një ditë me xhumanë dhe falin namazin e bajramit dhe të ylesë, një veprim i till lejohet dhe bie xhumaja për ata që kanë marrë pjesë në bajram dhe e kanë falur me imam. Për këtë arsye, bie xhumja, bie prezenca për xhuma dhe jo se bie gjykimi për obligueshmërinë e xhumasë. Një person i tillë gjykohet si i sëmuri apo si ata që kanë arsye apo angazhim që ua lejon të mos marrin pjesë në namaz të xhumasë. “Keshful Kina”, v. 2, f. 43.
Mendimi më i drejtë është se xhumaja nuk shfuqizohet dhe duhet të falet me patjetër nëse bie në një ditë me bajramin. Ibn Mundhiri thotë: “Dijetarët kanë mendimin unanim, se namazi i xhumasë është detyrë. Hadithet e vërteta të të Dërguarit të Allahut (a.s.) argumentojnë qartë, se namazet farze janë pesë, ndërsa namazi i bajrameve nuk është nga pesë farzet. Përderisa Kurani, Suneti dhe Ixhmaja argumentojnë, se namazi i xhumasë është farz, hadithet e të Dërguarit të Allahut (a.s.) argumentojnë se namazi i bajrameve është sunet dhe nuk lejohet të shfuqizohet farzi nga një sunet”. (Ibn Mundhiri, “El-Eusat”, v. 4, f. 334.)
Autor: Rushit Musallari