Ndalimi i teprimit (israf) dhe shkapërderdhjes (tebdhir) nën dritën e Kuranit dhe Sunetit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mesatarja në shpenzime konsiderohet një nga tiparet e mrekullisë ekonomike në Kuranin fisnik dhe në hadithet profetike. Po ashtu, sistemi i prioriteteve në shpenzime është nga themeloret e metodologjisë islame për zhvillimin ekonomik. Zhvillimi nis nga baza, që është njeriu, dhe njëkohësisht gjithë aspektet e jetës janë në shërbim të tij.

Për të rritur efikasitetin e individëve dhe shtetit në fushën e shpenzimeve të të ardhurave, shpenzimet i nënshtrohen një sërë rregullash, si p.sh.: plotësimi i një nevoje reale dhe jo të rreme, arritja e një dobie, shpenzimi sipas prioriteteve, dhe ndalimi i shpenzimeve në gjëra sekondare në kurriz të atyre të domosdoshme. Po ashtu, shpenzimi lidhet me të mirat dhe bëhet në rrugën e Allahut.

1 – Rendi i prioriteteve në shpenzime sipas Kuranit dhe Sunetit:

Efektiviteti i zhvillimit dhe arritja e qëllimeve të tij varen nga aftësia për të krijuar motivin e duhur që orienton sjelljen e individëve drejt realizimit të sa më shumë zhvillimit të gjithanshëm. Metodologjia islame në shpenzime bazohet në prioritete; paratë përdoren në një sistem prioritar shumë të qartë dhe të saktë.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Ata që besojnë në të panjohurën dhe falin namazin dhe shpenzojnë nga ajo që Ne u kemi dhënë atyre”[1]

“Ata që shpenzojnë pasurinë e tyre natën dhe ditën, fshehtas dhe hapur, do të kenë shpërblimin e tyre tek Zoti i tyre dhe nuk ka frikë për ta, as nuk do të mërziten”[2]

“O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë dhe falënderoni Allahun nëse vetëm Atë e adhuroni”[3]

“O ju që besuat, shpenzoni nga të mirat që fituat dhe nga ajo që Ne nxorëm për ju nga toka, dhe mos drejtoni shpenzimin nga e keqja që shpenzoni, nuk jeni të pranuar të merrni atë, përveçse nëse e fshehni; dhe dijeni se Allahu është i pasur dhe i lavdëruar”[4]

Këtu, shpenzimi i përmendur është sadaka.

Nga këto ajete dalim në përfundimin se:

Shpenzimi renditet menjëherë pas besimit dhe faljes së namazit.

Islami inkurajon shpenzimin në çdo kohë dhe çdo rrethanë.

Shpenzimi duhet të bëhet në të mirat që sjellin dobi për njeriun.

Fitimi i pasurisë duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme, që është baza e shpenzimit në të mirat.

Profeti (a.s) ka thënë: “O njerëz! Allahu është i pastër dhe nuk pranon gjë tjetër veç së mirës; dhe Allahu urdhëroi besimtarët me atë që urdhëroi pejgamberët. Ai tha: ‘O pejgamberë, hani nga të mirat dhe bëni vepra të mira, unë jam i dijshëm për atë që bëni’ dhe tha: ‘O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë’. Ai përmendi njeriun që udhëton gjatë, i rrembyer dhe i pluhurosur, duke shtrirë duart drejt qiellit: ‘O Zot, o Zot! Ushqimi i tij është i ndaluar, pija e tij është e ndaluar, veshja e tij është e ndaluar dhe është ushqyer me të ndaluarën; si mund të pranohet kjo?’”[5]

“Nuk do të shpenzosh asnjë shpenzim për hir të Allahut pa u shpërblyer për të”[6]

“Kushdo që nga ju zgjohet i sigurt në strehën e tij, i shëndetshëm në trupin e tij dhe me ushqim për ditën, është sikur i janë dhënë të gjitha pasuritë e botës”[7]

Nga këto hadithe dalim në përfundimin se:

Interesat e domosdoshme janë prej objektivave të sheriatit, ato janë: ruajtja e fesë, jetës, mendjes, nderit dhe pasurisë.

Nevojat e domosdoshme përfshijnë si ato materiale ashtu edhe ato shpirtërore, si ushqimi, uji, strehimi, transporti, arsimi, shëndeti, martesa, dhe aspekti shpirtëror që lidhet me sinqeritetin në lutje ndaj Allahut.

Aspekti shpirtëror përfshin edhe dinjitetin njerëzor dhe ndjenjën e përhapjen e lirisë dhe drejtësisë mes njerëzve.

Shpenzimi i sadakasë bëhet nga pasuritë e fituara në mënyrë të ligjshme; besimtarët nuk duhet të përdorin atë pasuri që është e ndaluar për shpenzime. Zekati dhe çdo lloj sadakaje duhet të jetë nga të mirat.

Duke plotësuar nevojat materiale dhe shpirtërore, njerëzit mund të përballojnë misionin e garantimit të vazhimsisë së jetës në tokë dhe lulëzimin e saj, duke arritur zhvillim ekonomik dhe social në mënyrë reale dhe praktike.

2 – Ndalimi i teprimit në shpenzime në Kuran dhe Sunet:

Rritja e shpenzimeve konsumatore përtej kufijve është një nga shkaqet kryesore të rënies së rritjes ekonomike, sepse shpërdorimi ul kursimet. Në nivel ekonomik, shtetet me zhvillim të mangët – siç përmendet në Kuran –  janë ato që u mohohet bereqeti i Allahuth për shkak  të keqpërdorimit të burimeve të tyre, duke mos i shfrytëzuar në mënyrë të mençur, duke rezultuar në një sistem prodhimi të ngurtë me produktivitet të ulët.

Allahu i Madhërishëm thotë:“Fjalët e tyre nuk ishin veçse: O Zoti ynë, na fal mëkatet tona dhe shpërdorimin tonë në punët tona, forco këmbët tona dhe ndihmo na kundër popullit të mosbesimtar”[8]

“Mos e mbaj dorën të lidhur tek qafa jote dhe mos e shtrij gjithë dorën e të mbetesh i qortuar dhe i mjerë.”[9]

“Dhe ata që kur shpenzojnë nuk shpërdorojnë dhe nuk kursejnë, por qëndrojnë në mes”[10]

“Hani dhe pini, dhe mos shpërdoroni; Ai nuk i do të shpërdoruesit”[11]

Nga këto ajete dalim në përfundimin se:

Shpërdorimi është tejkalim i kufijve në shpenzime; Islami e ndalon atë.

Sigurimi i interesave shoqërore duhet të bëhet pa humbje të burimeve.

Shpërdorimi shkakton probleme për individin dhe shtetin.

Shpenzimet e përgjithshme të shtetit, qofshin monetare apo të tjera, duhet të jenë reale dhe larg lukseve.

Profeti (a.s) ka thënë: “Hani, jepni sadaka dhe vishni të tjerët, përderisa (shpenzimi që bëni) nuk shoqërohet me shpërdorim apo kokëfortësi.”[12]

Në një hadith: “Profeti (a.s) e ka ndaluar marrjen e çmimit të qenit, paratë e përfituara nga prostitucioni dhe fitimin e falltarit (të gjitha këto janë haram.”[13]

“Asnjë njeri nuk do të largohet nga toka e Ditës së Gjykimit pa u pyetur për jetën e tij, dijen që posedoi, pasurinë që fitoi dhe si e shpenzoi, dhe për trupin si e  ka përdorur”[14]

Nga këto hadithe dalim në përfundimin se:

Shpenzimi duhet të bëhet për gjëra të domosdoshme, për gjëra të nevojshme dhe për gjëra komplementare, duke filluar nga ushqimi dhe veshja.

Prioritet duhet t’i jepet dhënies së sadakasë; kjo ndihmon të mos harrohet i varfëri dhe nevojtari.

Kursimi ekstrem dhe lakmia kanë gjithashtu pasoja negative; Islami kërkon balancë midis shpërdorimit dhe kursimit.

Rritja e konsumit luksoz, është e ndaluar në Islam, sepse ajo është shkak për uljen e kursimeve dhe investimeve, rrit papunësinë, ul të ardhurat reale, zvogëlon rritjen dhe standardin e jetesës.

Shpenzimi përtej kufijve rrit importet, zvogëlon vlerën e monedhës dhe përkeqëson produktivitetin dhe fleksibilitetin e sistemit prodhues.

3 – Mrekullia ekonomike në ndalimin e shkapërderdhjes sipas Kuranit dhe Sunetit:

Shkapërderdhja shthurrëse (tebdhir) konsiderohet më i rrezikshëm se sa teprimi (israf), sepse teprimi është përdorimi i një gjëje më shumë se sa duhet, ndërsa shpërdorimi është përdorimi i një gjëje në atë që nuk duhet.

Allahu i Madhërishëm thotë: “Jepuni të afërmëve, të varfërve dhe udhëtarit të drejtën e tyre, dhe mos shpërdoroni!” Shpërdoruesit janë vëllezërit e djajve, dhe djalli ishte mohues ndaj Zotit të tij.”[15]

“Hani nga të mirat që ju kemi dhënë dhe mos e teproni, që të mos zbresë mbi ju zemërimi im; e kush mbi të zbret zemërimi im, ai ka humbur”[16]

“Dhe doli para popullit të tij me stolitë e tij. Ata që duan jetën e kësaj bote thanë: ‘Ah sikur të kishim një të tillë si Karuni! Me të vërtetë, ai ka pasuri të madhe’. Po ata që  (Allahu) u kishte dhënë dijeni thanë: ‘Mjerë për ju! Shpërblimi i Allahut është më i mirë për atë që beson dhe bën vepra të mira, dhe vetëm të durueshmit do ta marrin atë’. Atëherë ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij ta gëlltiste toka, dhe nuk pati asnjë grup që ta ndihmonte përveç Allahut, dhe ai nuk pati mundësi ta ndihmonte veten”[17]

Nga këto ajete dalim në përfundimin se:

Shpenzimet luksoze që dalin jashtë dobive shoqërore dhe mund të kthehen në shpërdorim janë të ndaluara.

Shpenzimi duhet të kufizohet sipas cilësisë së produkteve.

Është detyrë e shtetit të ndërhyjë për të kufizuar shpenzimet provokuese, të cilat mbjellin urrejtje në zemra.

Pra, shkapërderdhja është më e rrezikshme se teprimi, sepse lidhet me cilësinë e produkteve. Shpenzimi i sadakasë është një faktor që e mban shpenzimin larg shkapërderdhjes. Ndërsa madhështia dhe krenaria në shpenzim mund të çojnë njeriun drejt shpërdorimit, gjë që është e ndaluar në Islam; kjo sjell pasoja ekonomike dhe mbjell urrejtje, duke sjellë efekte negative shoqërore.

Pa dyshim, shpenzimi sipas parimit të prioriteteve dhe ndalimi i teprimit parandalon individin nga rënia në shkapërderdhje, pasi ekziston një lidhje e ngushtë mes tyre.

4 – Perspektiva e ekonomisë pozitive mbi shpenzimin konsumator:

Shpenzimi konsumator është një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në ekonominë globale. Indeksi i çmimeve të konsumatorit (CPI) konsiderohet treguesi kryesor për matjen e inflacionit, sepse monitoron koston e një grupi mallrash si ushqimi, veshja, karburanti, dhe përfshin shërbime si transporti, arsimi dhe shëndetësia.

Indeksi i konsumit konsiderohet gjithashtu një tregues i gjendjes ekonomike dhe përdoret për të matur rritjen ekonomike dhe rimëkëmbjen, dhe matet vazhdimisht.

Teoria ekonomike e konsumit, pra interpretimi i sjelljes së konsumatorit, është pjesë e rëndësishme e teorisë ekonomike.

Megjithëse kjo teori ka dhënë kontribute të mëdha, ajo ka paraqitur një pamje jo reale të shpenzimit të konsumatorit, duke supozuar se ai gjithmonë vepron në mënyrë të arsyeshme duke krahasuar përfitimet dhe shpenzimet, ndërsa realiteti është ndryshe.

Ekonomia e konsumit përmban disa paragjykime:

1 – Përcaktimi i konceptit të konsumit.

2 – Përcaktimi i qëllimit të konsumatorit.

3 – Faktorët që përcaktojnë sjelljen e konsumatorit.

4 – Mundësia e suksesit të konsumatorit për të arritur qëllimin e tij.

Kur fokusohemi tek qëllimi i konsumatorit, ai përmbledhet në një qëllim: të arrijë sa më shumë përfitim ose sa më shumë kënaqësi.

Pra, kjo teori injoron shumë faktorë të tjerë. Për shembull, nuk bën dallim mes mallrave sipas interesit apo dëmit të tyre; njësoj vlerësohen ushqimi, veshja, strehimi, ose produkte të dëmshme, për sa kohë që sjellin “një përfitim” konsumatorit.

Nga pikëpamja e konsumatorit, ai arrin “kënaqësi maksimale”. Kjo supozon se nuk ka kufi për përfitimin nga mallrat dhe shërbimet, për sa kohë që ka mundësi blerëse. Në realitet, rritja e konsumit mbi një nivel të caktuar mund të ulë mirëqenien, madje për shkak të vetë rritjes së konsumit.

Faktorët që përcaktojnë sjelljen e konsumatorit, si niveli i të ardhurave, çmimi i produktit, çmimet e produkteve alternative ose komplementare, nuk përfshijnë faktorë të tjerë si mosha, gjinia, martesa, prindërimi, profesioni, feja, apo klasa sociale. Lista e faktorëve që ndikojnë në konsum është shumë e gjatë. Ekonomistët shpesh fokusohen vetëm tek akti i blerjes, duke e shkëputur shpenzimin nga aspekti social dhe nga lidhja me bindjet dhe instinktet e konsumatorit. Mallrat ose shërbimet konsiderohen thjesht me një çmim, dhe përfitimi i vetëm është “kënaqësia e konsumatorit”.

Pra, faktorët që përcaktojnë sjelljen e konsumatorit përmblidhen në: nivelin e të ardhurave, çmimin e produktit, çmimet e produkteve alternative ose komplementare dhe shijen e konsumatorit. “Shija e konsumatorit” përfshin të gjitha faktorët jo të përfshirë më lart: faktorët fetarë, kulturorë, historikë, gjinorë, kombëtarë etj. Sjellja e konsumatorit ndaj çdo produkti varet nga dëshira e tij dhe kapaciteti i të ardhurave. Në realitet, kjo teori është e përgjithshme dhe vlen për sjelljen njerëzore në përgjithësi.

Disa përmirësime janë bërë në nivel teorik dhe praktik. John Maynard Keynes në teorinë e tij të punësimit shtoi elemente si prirja për konsum, prirja për investim dhe prirja për kursim, të gjitha të ndikuara nga faktorë psikologjikë.

Konsumimi varet nga të ardhurat neto dhe prirja për konsum. Prirja për konsum tregohet me kurbën e prirjes së konsumit, e cila përfaqëson rrethanat e konsumit dhe është e ngjashme me kurbën e kërkesës. Kjo kurbë mund të quhet edhe funksion konsumimi, sepse tregon marrëdhënien mes dy variablave: konsum dhe të ardhura.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në prirjen për konsum janë: zakonet e shoqërisë për shpenzim dhe kursim, struktura e taksave, ndryshimet në normat e interesit, sasia e aseteve likuide që individët ruajnë, pritshmëritë për të ardhurat e ardhshme, dhe parashikimet për lëvizjen e çmimeve.

Në vendet kapitaliste, faktori kryesor për prirjen për konsum është struktura e shpërndarjes së të ardhurave kombëtare. Akumulimi i pasurive dhe pabarazia në shpërndarje ul prirjen kolektive për konsum; kur shpërndarja është më e drejtë, prirja për konsum rritet. Në afat të shkurtër, prirja për konsum varet nga të ardhurat.

Në sistemin kapitalist, konsumatori ka liri të shpenzojë të ardhurat sipas dëshirës dhe të zgjedhë mallrat konsumatorë. Por në Islam, kjo liri është e kufizuar.

Kur qëllimi i politikave ekonomike është rimëkëmbja dhe krijimi i vendeve të punës, besimi dhe shpenzimi i konsumatorit janë të rëndësishëm për arritjen e këtij qëllimi. Prandaj, vendet perëndimore vlerësojnë masën e besimit të konsumatorit si tregues të suksesit të politikave ekonomike. Sjellja dhe vendimet e konsumatorit kanë rëndësi të madhe në përshtatjen e aktivitetit ekonomik në sistemin kapitalist dhe në procesin e zhvillimit.

Autor: Mexhdi Muhamed Medenij

Përktheu: Elton Harxhi

Ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Bekare: 3.

[2] – Sure Bekare: 274.

[3] – Sure Bekare: 172.

[4] – Sure Bekare: 267.

[5] – Tirmidhiu. Hadithi është Hasen.

[6] – Buhariu.

[7] – Tirmidhiu.

[8] – Sure Ali Imran: 147.

[9] – Sure Isra: 29.

[10] – Sure Furkan: 67.

[11] – Sure Ali Imran: 147.

[12] – Ibn Maxheh.

[13] – Buhariu.

[14] – Tirmidhiu.

[15] – Sure Isra: 26 – 27.

[16] – Sure Taha; 81.

[17] – Sure Kasas: 79 – 81.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *