Nga thesaret e Urtësive Ataije

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ndoshta një mëkat që pasohet me nënshtrim e përulje është më i mirë se një adhurim që pasohet me fodullëk dhe mburrje.”

Ibn Ata Al Iskenderi (Allahu e mëshiroftë) nëpërmjet kësaj urtësie bën një lloj krahasimi midis gjurmës që lë – ngandonjëherë – secili prej adhurimit apo mëkatit. Ai thotë se ngadonjëherë ndodh që njeriu bën mëkat, por pastaj ai (njeriu) me bindje, nënshtrim, përulësi e përgjërim kthehet tek Zoti. Dhe në të kundërt, ngandonjëherë ndodh që njeriu kryen një vepër të mirë duke e shoqëruar me një ndjesi fodullëku dhe mburrjeje. Në një rast të tillë – sipas Ibn Atasë -,   ndjesia e njeriut që është penduar nga mëkati është më e mirë se ndjesia kur ka kryer një vepër të mirë. Ndoshta shumë njerëz teksa lexojnë këtë urtësi, gjëja e parë që ju vjen ndërmend është fakti se Ibn Ata’ ka kundërshtuar rregullat bazë të Sheriatit, por është krejt e kundërta.

Në fakt, domethënia e kësaj urtësie është prezantuar shumë qartë në Kuranin Fisnik tek  historia e Hazreti Ademit (a.s) me Iblisin. Iblisi ka pasë qenë një adhurues i Zotit derisa arriti në gradën e engjëjve në Xhenet. Kur Allahu i Madhëruar e krijoi Hazreti Ademin (a.s) e urdhëroi atë dhe engjëjt të binin në sexhde, Iblisi mendoi se adhurimi – i mëparshëm – dhe fakti që ai ishte nga zjarri kurse Hazreti Ademi (a.s) nga dheu e bënin atë më të mirë se ai. Si është e mundur që dikush që është më lartë në pozitë t’i bëjë sexhde dikujt që është në një pozitë më të ulët? Prandaj edhe refuzoi që të binte në sexhde duke thënë: “Unë jam më i mirë se ai”

Adhurimi që Iblisi kishte kryer e shtyu atë që të tregohej fodull, t’i pëlqente vetja dhe të tregohej mëndjemadh ndaj zbatimit të urdhrit të Allahut të Madhëruar. Këtu nuk bëhet fjalë se kush është më i mirë, sepse Allahu i Madhëruar nuk i tha Iblisit: Bëje sexhde për  Ademin sepse ai është më i mirë se ti. Ajo që Allahu i Madhëruar i tha atij ishte vetëm urdhri: “Bëj sexhde!” Në këtë rast, ai thjesht duhet t’i ishte bindur Atij me përulësi.

“Një mëkat që pasohet me nënshtrim e përulje”: Në lidhje me Hazreti Ademin (a.s), Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.”[1] Ky gabim e shtyu Hazreti Ademin (a.s) që të përulej para Allahut të Madhëruar dhe të kërkonte falje dhe, si rrjedhojë ai u ngrit në pozitë. Allahu i Madhëruar thotë: “Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e udhëzoi.”[2]

Nëpërmjet kësaj urtësie, Ibn Ata Al Iskenderi dëshiron të na tregojë (Allahu e di më mirë) se besimtari nuk ka përse të kryejë një adhurim të shoqëruar me fodullëk por as që të kryejë një mëkat. Megjithatë Allahu i Madhëruar e di se besimtari bie në mëkat dhe, dëshiron prej tij që ta ndjejë peshën e mëkatit dhe të ndjehet i përulur dhe i nënshtruar para Tij. A nuk e ke dëgjuar hadithin e Profetit (a.s) i cili thotë: “Pasha Atë në të cilin shpirti im është në dorën e Tij nëse ju nuk do të mëkatonit, Allahu do t’ju largonte juve dhe në vendin tuaj do të sillte njerëz të tjerë të cilët do të mëkatonin, e pas kësaj ata do t’i kërkonin falje Allahut e Ai do t’i falte ata.” Padyshim porta më e mirë për të depërtuar tek Allahu i Madhëruar është porta e nënshtrimit dhe përulësisë. Këtë fakt gnostikët[3] e dinë shumë mirë prandaj edhe përpiqen maksimalisht që ta përmbushin atë.

Më mirë se kjo (se mëkati që pasohet me përulje dhe nënshtrim) është kryerja e adhurimit që shoqërohet me përulje dhe nënshtrim. Prandaj edhe gnostikët gjatë kryerjes së adhurimit janë më të përulur dhe më të nënshtruar se sa mëkatarët kur mëkatojnë. Dhe jo vetëm kaq, por ata edhe kërkojnë falje për adhurimin e kryer me përulësi ngaqë nuk e kanë arritur statusin (pozitën) e lartë të adhurimit ashtu siç e meriton Allahu i Madhëruar. Argument i kësaj ndjesie është ç’ka është transmetuar se “Allahu ka krijuar një lloj engjëjsh të cilët kanë rënë në sexhde qysh kur janë krijuar dhe do të jenë ashtu deri në Ditën e Kijametit. Kur ata do të ngrehen nga sexhdja do të thonë: I Lartmadhëruar qofsh o Zot, ne nuk të kemi adhuruar ashtu siç Ti e meriton.”[4]

Kështu pra, gnostikët e dinë se njeriu ose do të kryejë një adhurim ose do të mëkatojë. Kur njeriu kryen një adhurim, atëherë ai është mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar e nëse mëkaton ai kërkon strehë, falje e kthehet tek Allahu i Madhëruar. Argument për këtë është hadithi i Handhales. Handhale tregon: “Ebu Bekri më takoi dhe më tha: Si je o Handhale? Handhale ka bërë hipokrizi – u përgjigja. Ebu Bekri tha: “Subhanallah! Çfarë po flet? Unë i thashë: Ne shkojmë te I Dërguari i Allahut (a.s) i cili na flet për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë, si t’i shihnim me sytë tanë, mirëpo kur dalim nga I Dërguari i Allahut jepemi pas dëfrimit me gratë, fëmijët dhe gjëra të tjera dhe harrojmë shumicën nga ajo që kemi dëgjuar. Ebu Bekri tha: Pasha Allahun, edhe ne  kështu veprojmë. Më pas unë dhe Ebu Bekri shkuam tek Profeti (a.s) dhe i thashë: O i Dërguar i Allahut! Handhale ka bërë hipokrizi. Si është puna – pyeti i Dërguari i Allahut? Unë thashë: O I Dërguar i Allahut! Kur jemi tek ti, ti na flet për Xhenetin dhe Xhehenemin aq qartë, sikur t’i shihnim me sytë tanë, por kur dalim prej teje, jepemi pas dëfrimit me gratë, fëmijët dhe gjërat e tjera të kësaj bote, saqë kemi harruar shumë nga ato që i kemi dëgjuar prej teje. I Dërguari i Allahut tha: Pasha Atë që e zotëron shpirtin tim, sikur të ishit të përherëshëm, ashtu siç jeni tek unë dhe sikur ta përkujtoni vazhdimisht këtë, juve do t’ju përqafonin dhe do t’jua kapnin duart engjëjt në shtrat dhe në rrugë, mirëpo o Handhale orë pas ore. Këtë të fundit, ai (a.s) e përsërti tre herë.”[5]

Padyshim në kontekstin e shprehjes së lartpërmendur[6] ajo që na vjen ndërmend është ngjarja e atij personit i cili kishte vrarë 99 – të persona dhe dëshironte të pendohej. Më pas ai vrau dhe një tjetër, duke plotësuar plot 100 – të persona të vrarë. Më pas ai ndoqi këshillën e njeriut të ditur që e këshilloi që ta braktiste vendin e mëkatit. Rrugës i erdhi vdekja. Në këtë moment, zbritën engjëjt e ndëshkimit dhe të mëshirës. Ngjarja përfundon se atë e morën engjëjt e mëshirës, për shkak se ai kishte trokitur tek dera e Allahut të Madhëruar me nënshtrim dhe përulje.

 

[1] – Sure Taha: 121.

[2] – Sure Taha: 122.

[3] – Gnostik (Arif bil lah): Personi që ka besim të fortë tek Allahu dhe ka njohuri shpirtërore.

[4] – Hakimi.

[5] – Muslimi.

[6] – Një mëkat që pasohet me nënshtrim e përulje.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.