Ngutja apo nxitimi është një lëngatë, e cila ka prekur disa aktivistë të punës islame. Aktivistët muslimanë duhet të ruhen dhe të kenë kujdes nga kjo lëngatë dhe, nëse janë prekur prej saj, duhet të heqin dorë njëherë e mirë. Në mënyrë që të kemi një perceptim sa më të saktë për këtë lëngatë, do ta trajtojmë si vijon.
I – Kuptimi gjuhësor dhe terminologjik i fjalës “El-Isti`xhâl – Ngutje”.
A – Kuptimi gjuhësor i fjalës “El-Isti`xhâl – Ngutje”
Në arabisht, fjala “الاستعجال – El-Isti`xhâl” mbart disa kuptime si: 1. Nxitim. 2. Ngutje. 3. Shpejtim. Nxitimi është përpjekja për ta bërë diçka sa më shpejt, apo ngutja që dikush të bën për ta bërë një punë sa më shpejt. Në lidhje me këtë kuptim të ngutjes, Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur Allahu, t`ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin”. Kuptimi i ajetit është: “Nëse Allahu do t`ua shpejtonte njerëzve të keqen, siç ata e kërkojnë në raste zemërimi – kur luten kundër vetes apo kundër bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre – ashtu siç e kërkojnë të mirën në raste gëzimi – kur dëshirojnë përfitimin e begatisë apo mëshirën e Allahut -, atëherë ata do të kishin vdekur të gjithë”.
B – Kuptimi terminologjik i fjalës “Ngutje”
Në kontekst të temës që do të trajtohet, me termin “Ngutje” apo “Nxitim” nënkuptohet: “Vullneti për të ndryshuar realitetin e jetës së muslimanëve brenda një çasti, apo më shpejt se lëvizja e një qepalle, pa marrë në konsideratë pasojat, pa kuptuar shkaqet dhe rrethanat e realitetit, pa pasur përgatitjen e duhur për të ofruar zgjidhjet, apo pa zotëruar teknikat dhe instrumentat e duhura për të bërë këtë ndryshim”.
Ata që nguten, mendojnë se çdo gjë mund të kthehet në vendin e saj për një kohë të shkurtër. Ata mendojnë, se gjërat mund të rregullohen sa hap e mbyll sytë. Sipas tyre, pasi njerëzit të bien në gjumë dhe zgjohen në mëngjes, gjithçka do të jetë kthyer në vendin e vet të natyrshëm: injoranca do të jetë zhdukur, flamuri islam do të jetë lartësuar, çdo njeri do i jetë rikthyer natyrshmërisë së vet dhe shpirti njerëzor do të jetë dëlirësuar nga çdo gjë që e ndot apo e njollos atë…
II – Gjykimi sheriatik për ngutjen
Dimë se nxitimi dhe ngutja janë pjesë e natyrës njerëzore, madje për këtë ka dëshmuar Krijuesi,
Formësuesi dhe Drejtuesi i çështjes së njeriut, i Cili thotë: “Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë; vërtet që njeriu është i ngutur” “Njeriu është krijuar i ngutshëm”(175).
Për këtë arsye, pikëpamja islame për ngutjen është i drejtë dhe i matur: ngutja nuk është e lavdëruar në tërësinë e saj dhe as nuk është e përçmuar në tërësinë e saj. Në disa raste, ngutja apo nxitimi është i lavdëruar dhe në disa raste të tjera, ai është i përçmuar.
A – Ngutja e lavdëruar
Ngutja apo nxitimi është i lavdëruar, atëherë kur buron nga vlerësimi i saktë i rezultateve dhe pasojave të veprimeve dhe sjelljeve, duke pasur një perceptim të plotë për rrethanat e situatës, si dhe një përgatitje të mirë dhe punë të strukturuar. Ndosha ky lloj nxitimi dhe ngutje synohet nga fjalët e Allahut të Madhëruar, i Cili na tregon për Musain (a.s): “Përse nxitove para popullit tënd, o Musa”? (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”
Rrethanat ishin të përshtatshme, rasti ishte i volitshëm, rezultatet ishin pozitive, ndërsa shpirti i Musait (Paqja qoftë mbi të) ishte i kulluar dhe rrezatues. A mos vallë kishte ndonjë gjë, që ta bënte Musain (Paqja qoftë mbi të) të vonohej dhe ta merrte me ngadalë?!
B – Ngutja e përçmuar
Ngutja apo nxitimi është i përçmuar, atëherë kur është një shpërthim emocional i zbrazët nga vlerësimi i pasojave, apo marrja në konsideratë e kushteve dhe rrethanave, si dhe kur neglizhohet përgatitja dhe mobilizimi i duhur.
Këtë lloj nxitimi ka pasur si qëllim i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) në shumë prej fjalëve të tij. Khabab ibn Ereti (r.a) shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe iu ankua për dhunën dhe përndjekjen, që sahabët po përjetonin nga idhujtarët e Mekës. Ai tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ishte mbështetur në një shilte nën hijen e Qabes, kur iu ankuam për gjendjen tonë. Ne i thamë atij: “A nuk po lutesh, që të na mbrojë Allahu? A nuk po i lutesh Allahut për ne?!” I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) tha: “Në popujt para jush, merrej një person, i bëhej një gropë dhe e fusnin në të. Pastaj merrnin një sharrë, ia vendosnin atë në majë të kokës dhe e ndanin në dysh, mirëpo kjo nuk e bënte atë, që të tradhëtonte besimin e tij. I zhvishej mishi me krehër hekuri, duke e shkëputur mishin nga kockat dhe damarët, mirëpo as kjo nuk e bënte atë, që të tradhëtonte besimin e tij. Betohem në Allahun, se Ai do ta plotësojë këtë fe, aq sa një person do të udhëtojë mbi kafshë nga Sana`aja deri në Hadrameut, duke mos pasur frikë askënd përveç Allahut dhe frikën nga ujku, se mos i ha bagëtitë e tij, mirëpo nuk ka dyshim se ju nguteni shumë (dhe nuk duroni)”. Pikërisht këtë lloj nxitimi po trajtojmë në këtë temë.
III – Simptomat e ngutjes
Bashkangjitja e individëve të pakualifikuar dhe të pakontrolluar në karvanin e ftuesve, duke mos u siguruar paraprakisht për aftësitë, kapacitetet dhe përgatitjen e tyre.
Ngjitja e disa ftuesve në pozita të larta, para se të piqet karakteri dhe personaliteti i tyre.
Kryerja e disa veprimeve të papjekura, që dëmtojnë ftesën islame.
Shkaqet e ngutjes
Për të pasur një perceptim sa më të drejtë për këtë lëngatë është e domosdoshme të njohim edhe shkaqet që çojnë në një fenomen të tillë, në mënyrë që të hidhen hapa konkretë në rrugën e kurimit nga kjo lëngatë.
1 – Natyra e karakterit
Natyra e karakterit është një nga shkaqet që çon në nxitimin e njeriut, pasi ngutja është shprehi e natyrshme njerëzore dhe e mbjellur në të. Allahu i Madhëruar thotë:
“Njeriu është krijuar i ngutur”
“Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë; vërtet që njeriu është i ngutur”
“Sikur Allahu, t`ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin”
Nëse ftuesi musliman nuk punon për të kontrolluar egon e tij, nëse nuk e prangos me prangat e arsyes, nëse nuk ia shuan zjarrin egos, nuk ka dyshim se do të rrëshqasë drejt ngutjes dhe nxitimit.
2 – Entuziazmi apo vrulli imanor
Entuziazmi apo vrulli imanor mund të çojë në ngutje. Nga forcimi dhe konsolidimi i besimit lind një energji të fortë, e cila nëse nuk kontrollohet dhe orientohet, mund të çojë në veprime që sjellin më shumë dëm sesa dobi dhe më shumë prishin sesa rregullojnë.
Ndoshta ky është edhe sekreti, se përse Allahu i Madhëruar e ka orientuar të Dërguarin e Tij (Paqja qoftë mbi të) dhe besimtarët – në periudhën e Mekës – që të jenë të durueshëm, të fortë dhe të qëndrueshëm. Allahu i Madhëruar thotë:
“Duroji llomotitjet e atyre dhe largohu nga ata në mënyrë të hijshme”
“Duro (o Muhamed), se – me siguri – premtimi i Allahut është i vërtetë dhe s`ke pse të humbasësh durimin kurrsesi nga ata që nuk besojnë”
“Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha”
3 – Natyra e epokës
Natyra e epokës mund të çojë në ngutje dhe nxitim. Ne jetojmë në një kohë që kalon shumë shpejt dhe ka një dinamikë të paparashikueshme. Njeriu udhëton nga një skaj i botës në tjetrin brenda disa orësh, pasi mjetet e transportit janë në kulmin e zhvillimit të tyre. Njeriu sot hedh themelet për ndërtimin e shtëpisë së tij, ndërsa nesër merr në dorë çelësat e shtëpisë dhe banon në të, pasi këtë ia mundëson teknologjia e ndërtimit bashkëkohor. Sipas këtij standardi mund të krahasosh edhe shumë aspekte të jetës njerëzore. Ngjashëm me këtë që thamë më sipër, disa aktivistë muslimanë – të ndikuar nga dinamika e kësaj kohe – nguten së tepërmi, duke dashur të ecin në një hap me kohën, madje t`i paraprijnë asaj.
4 – Realiteti i armiqve
Realiteti dhe gjendja aktuale e armiqve të muslimanëve mund të çojë në nxitim. Çdo ditë që kalon, na tregon se armiqtë qeverisin me dorë të hekurt botën islame, duke e kontrolluar atë dhe duke përndjekur veprimtarinë islame në të katër anët e botës. Kështu ata përpiqen t`i mbyllin gojën çdo zëri të lirë dhe të dëlirë. Mjafton të dimë, se deri dje formimi i shtetit të Izraelit ishte një ide në mendje, ndërsa sot është një realitet, që qeveris me grusht të hekurt në një pjesë tepër të shtrenjtë dhe të çmuar të atdheut islam – që është Palestina -, ashtu siç synon të gllabërojë edhe
Libanin dhe shumë toka të tjera islame, në mënyrë që të realizojë ëndrrën: “Izraeli i madh nga Nili në Eufrat”.
Ky realitet i armiqve ndikon tek disa muslimanë aktivistë dhe i nxit ata të nguten në veprime, duke mos marrë në konsideratë përshkallëzimin e rrezikut, që sjell një nxitim i tillë.
5 – Mosnjohja e taktikave të armiqve
Një shkak tjetër që çon në nxitim dhe ngutje, është mosnjohja e taktikave që përdorin armiqtë e Islamit. Dihet se armiqtë e fesë islame përdorin taktika të pista dhe të shumëllojshme, për të arritur në zemrën e botës islame dhe për ta kontrolluar totalisht atë. Një nga teknikat apo metodat më të rrezikshme, dinake dhe djallëzore është përdorimi dhe promovimi i një grupi njerëzish nga mesi i muslimanëve, të cilët publikisht shfaqen si muslimanë, por në zemër mbajnë të fshehur kufrin (mohimin), si dhe janë të mbushur me urrejtje dhe dëshirë për të devijuar muslimanët.
Metoda të tilla dinakërie e pengojnë mobilizimin e përgjithshëm të Umetit, që të përballet me të keqen, apo të kotën, për ta eliminuar përfundimisht atë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ka rrezik që një pjesë e madhe e popullit të rreshtohet përkrah atyre që hiqen si muslimanë. Armiqtë e Allahut po i përdorin këto teknika të reja djallëzore, pasi provuan për shumë kohë teknikat e përballjes së drejtpërdrejtë. Ata e kuptuan, se nuk mund t`iu dilnin përballë muslimanëve, madje nuk mund të përdornin as ata muslimanë, që tregoheshin neglizhentë në fenë e tyre, apo që ishin të lodhur, pasi edhe këta (neglizhentët) në raste përballjesh jepnin çdo gjë, vetëm që të mos kishte trazira dhe feja e Allahut të mbizotëronte në tokë.
6 – Përhapja e të keqes dhe mosnjohja e mekanizmave që e ndryshojnë atë
Një shkak tjetër që i shtyn aktivistët muslimanë të nguten, është përhapja në masë e të keqes dhe mosnjohja e mekanzimave që e ndryshojnë atë. Sot, e keqja e rrethon njeriun nga të katër anët, duke ia marrë mendjen. Për këtë arsye, aktivisti musliman e ka për detyrë, që kur të shikojë një situatë të tillë, të përpiqet dhe të punojë për ndryshimin dhe shkuljen e të keqes – madje për këtë nuk ka asnjë dyshim -, në mënyrë që toka të mos bëhet vatër dhe burim ligësie dhe korrupsioni. Allahu i Madhëruar thotë:
“Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta”
“Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t`u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm”
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë:
“Cilido prej jush që shikon se po bëhet një e keqe dhe ka mundësi ta ndryshojë me dorë, le ta ndryshojë me dorë. Nëse nuk ka mundësi ta ndryshojë me dorë, le ta ndryshojë me fjalë dhe nëse nuk ka mundësi ta ndryshojë me fjalë, le ta ndryshojë me zemër (duke e urryer këtë të keqe), mirëpo ky është treguesi më i pakët, se personi ka besim në zemër (apo ky është besimi më i dobët)”
“Shembulli i atij që qëndron vigjilent, duke i mbrojtur kufijtë e Allahut dhe atij që i shkel këto kufij, është si shembulli i disa njerëzve, të cilët kishin hipur në një anije. Disa qëndronin në pjesën e sipërme të anijes, ndërsa disa të tjerë qëndronin në pjesën e poshtme të saj. Kur këta që qëndronin poshtë kishin nevojë për ujë, ngjiteshin lart dhe e merrnin ujin nga ata që gjendeshin sipër. Ata që gjendeshin poshtë në anije, i thanë njëri – tjetrit: “Më mirë po hapim një vrimë këtu poshtë (për të marrë ujë), sesa të shqetësojmë ata që gjenden sipër nesh (në anije)”. Nëse ata që gjenden lart, i lënë të bëjnë çfarë të duan ata që gjenden poshtë, do të mbyten të gjithë, por nëse i ndalojnë nga ky veprim, atëherë do të shpëtojnë veten dhe ata që gjenden poshtë”
Dihet se jo çdo e keqe obligohet të shkulet dhe të ndryshohet menjëherë, pasi eliminimi dhe ndryshimi është i kushtëzuar nga rrethanat, në mënyrë që të mos sjellë një të keqe edhe më të madhe. Në rastin kur eliminimi i të keqes sjell një të keqe më të madhe, duhet hequr dorë përkohësisht prej ndryshimit, duke e urryer me zemër, apo duke u distancuar prej saj, por duke kërkuar gjithmonë teknikat më të sukseshme për eliminimin e saj. Vetëm pasi të piqen kushtet, muslimani e hedh hapin me vendosmëri, duke qëndruar në rreshtin e parë, i gatshëm për ta shkulur këtë të keqe.
Në Sunetin profetik dhe në biografinë e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) kemi shembujt më të gjallë të trajtimit të këtyre çështjeve. Dihet se kur Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin (Paqja qoftë mbi të) si profet, Qabja ishte e mbushur plot me idhuj. Ajo rrethohej nga të gjitha anët me një numër të madh idhujsh. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për t`i shembur apo thyer këta idhuj. Ai (Paqja qoftë mbi të) i theu idhujt vetëm në ditën kur u çlirua Meka, në vitin e 8 Hixhri/630. Idhujt mbetën të paprekur nga dita që Muhamedi (Paqja qoftë mbi të) u dërgua si profet dhe deri në çlirmin e Mekës, pra për një periudhë 21 vjeçare.
Idhujt nuk u prekën, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) kishte bindjen, se nëse do t`i thyente ata qysh në ditën e parë të ftesës islame – para se t`i thyente nga zemrat e njerëzve – ata do t`i ribënin më të mëdhenj dhe më të fortë. Jo vetëm kaq, por ky veprim do t`ua nguliste edhe më shumë idhujtarinë në zemrat e tyre, mirëpo kështu do të shtohej gjëma e mëkatit dhe dëmi i pa rikuperueshëm.
Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk i preku aspak. Ai (Paqja qoftë mbi të) u mor me edukimin dhe përgatitjen e burrave, me dëlirësimin e shpirtrave dhe me pastrimin e zemrave. Kur mbaroi këtë proces edukativ, ai bashkë me këta burra çliruan Meken dhe zhdukën idhujt, duke përsëritur ajetin kuranor: “Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket”
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) iu drejtua Aishes (r.a), duke i thënë: “Kur populli yt ndërtoi Qaben nuk i përfshiu plotësisht themelet e Ibrahimit”. Aishja (r.a) i tha: “O i Dërguari i Allahut! Përse nuk e ndërton ti mbi themelet e Ibrahimit (a.s)”? Ai (Paqja qoftë mbi të) i tha; “Sikur ata të mos ishin kaq afër nga koha e braktisjes së kufrit (mosbesimit, idhujtarisë), do ta ndërtoja edhe atë pjesë që e kanë lënë (jashtë themeleve)”
I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk ndërmori asnjë veprim për ta rindërtuar Qaben mbi themelet, ku e kishte ndërtuar Ibrahimi (a.s), nga frika se një veprim i tillë do të sillte një të keqe më të madhe, e cila mund të ishte përçarja dhe grindja. Argument për këtë është edhe një transmetim tjetër, ku i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Sikur ata të mos ishin kaq afër nga koha e braktisjes së Xhahilijetit (mënyrës së jetesës para Islamit) dhe sikur të mos kisha frikë, se në zemrat e tyre do të futet urrejtja për shkak të këtij veprimi, do ta përfshija murin si pjesë të Qabes dhe derën e saj do të bëja në një nivel me tokën”
Jo vetëm kaq, por muslimani nuk konsiderohet mëkatar, nëse hesht para një të keqeje, nga frika e pasojave të rënda që mund të sjellë ndryshimi i kësaj të keqeje, por në zemrën e tij duhet të ketë urrejtje ndaj të keqes dhe të distancohet sa të mundet prej saj. Nga ana tjetër, ai duhet të kërkojë me ngulm mekanizmat më efikasë për çrrënjosjen e të keqes, duke qenë mëse i vendosur në këtë gjë dhe në momentin e volitshëm të jetë nga të parët, që e ndryshojnë gjendjen për mirë, pa treguar asnjë hezitim apo ngurrim. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej kapacitetit të tij” “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit”
Nëse aktivisti musliman – apo ftuesi në rrugë të Allahut – nuk e njeh “Fikhun e ndryshimit dhe çrrënjosjes së të keqes”, pa dyshim do të bjerë në kurthin e nxitimit, pasi do të mendojë apo hamendësojë se e keqja duhet të ndryshohet menjëherë dhe nëse nuk e bën, atëherë ai është mëkatar dhe gjyhnaqar.
7 – Paaftësia për të përballuar vështirësitë e rrugës
Një shkak tjetër që çon në nxitim apo ngutje, është paaftësia për të përballuar vështirësitë dhe peripecitë e rrugës. Ka disa muslimanë aktivistë, të cilët zotërojnë guxim, trimëri dhe entuziazëm për të bërë një punë të mirë në çast – apo për një periudhë të shkurtër kohore -, madje edhe kur kjo gjë i çon ata drejt vdekjes së sigurtë. Mirëpo ata nuk zotërojnë aftësinë për të përballuar vështirësitë dhe peripecitë e rrugës për një kohë të gjatë, duke harruar kështu se burrëria e vërtetë kalitet dhe shoqërohet nga durimi, qëndrueshmëria, vendosmëria, këmbëngulja, serioziteti dhe përpjekja e vazhdueshme deri në fund të jetës.
Kështu, disa individë të tillë nguten dhe nxitojnë në veprimet e tyre, në mënyrë që të shmangin nga vetja vështirësitë dhe lodhjet, megjithëse mund t`i jusftifikojnë veprimet e tyre. Në ditët e sotme, Lëvizja Islame ka brenda gjirit të saj individë të caktuar, të cilëve u mungon durimi për të vazhduar rrugën e thirrjes, prandaj kanë rënë pre e ngutjes dhe nxitimit, duke rrezikuar të largohen përfundimisht nga skena e ftesës islame.
Nga ana tjetër, brenda Lëvizjes islame ka pasur një kategori aktivistësh, të cilët janë ndëshkuar dhe dënuar për vite me rradhë për shkak të fesë së Allahut, mirëpo ata kanë duruar, kanë shpresuar në shpërblimin e Allahut dhe i kanë përballuar sfidat, me të cilat janë përballur. Ata kanë duruar dhe nuk janë nxituar në veprimet e tyre, pasi e kanë ditur se rrethanat nuk kanë qenë të përshtashme, rastet nuk kanë qenë të volitshme, pasojat e ndryshimit do të kishin qenë të rënda, ndërsa përgatitja nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Allahu u ka dhënë sukses për shkak të maturisë së tyre, i ka mbrojtur dhe i ka bërë të qëndrueshëm. Për këtë arsye, kjo kategori ftuesish jo vetëm që nuk është zhdukur nga skena e thirrjes islame, por vazhdon të jetë aktive dhe të ketë produktivitet.
8 – Shpërfillja e pasojave të nxitimit
Një tjetër shkak që çon në nxitim apo ngutje, është sigurimi i disa mekanizmave – si burimet njerëzore apo mjetet e volitshme -, por pa marrë në konsideratë pasojat që mund të sjellë një hap i pamenduar mirë, si: fuqizimi i armiqve të Allahut, krijimi i një vatre trazirash, reagimi nga masat e gjëra të popullit, etj.
Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami ka urdhëruar të durohet padrejtësia dhe dhuna që ushtron prijësi, përderisa kjo padrejtësi nuk arrin në mosbesim të qartë dhe braktisje të Islamit. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush nuk pëlqen ndonjë gjë (veprim) nga udhëheqësi i tij, le të durojë, sepse kush largohet (kundërshton) një pëllëmbë nga udhëheqësi i tij (dhe vdes në këtë gjendje), do të vdesë me vdekje injoranti (të kohës para Islamit)”
Ubade ibn Samit (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na ftoi që t`i jepnim besën dhe ne ia dhamë atë. Ne ia kemi dhënë atij (Paqja qoftë mbi të) besën për dëgjim dhe bindje, si kur jemi aktivë, ashtu edhe kur jemi të plogësht, si në raste vështirësie, ashtu edhe në raste rehatie. Ia kemi dhënë besën, se do t`i japim përparësi (atij) para veteve tona. Ia kemi dhënë besën, se nuk do të dalim kundër udhëheqësit, përveç rastit kur shikohet se ai bën kufër haptas, pasi në këtë rast kemi argument para Allahut (për mosbindje ndaj udhëheqësit)”
Sidoqoftë, edhe në rastet kur udhëheqësi bën kufër publikisht, përsëri nuk lejohet të rebelohesh kundër tij, nëse kjo gjë shoqërohet me sprova dhe trazira. Ama, nëse reagimi ndaj tij nuk sjell pasoja më të rënda dhe trazira, ndërkohë që kapacitetet njerëzore janë të mjaftueshme dhe mundësitë janë të volitshme, atëherë duhet të dilet kundër një pushtetari që mohon (bën kufër) publikisht. Nëse as kjo nuk është e mundur, atëherë kundërshtimi bëhet vetëm me fjalë dhe me zemër.
Duke shpjeguar hadithin e Ubades (r.a), imam Neveviu thotë: “Kuptimi i hadithit është: mos iu kundërvini pushtetarëve, për t`i rrëzuar nga pushteti dhe as mos i kundërshtoni ata, përderisa nuk konstatoni shkelje të asaj që është me siguri e keqe e qartë. Në këtë konkluzion dilet, vetëm duke u bazuar në rregullat e Islamit. Kur e konstatoni diçka të tillë, kundërshtojini ata dhe thoni të vërtetën nga pozicioni apo statusi shoqëror që keni, mirëpo është e ndaluar të dilni kundër tyre dhe të organizoni revolta – dhe për këtë kemi mendim unanim të dijetarëve muslimanë – madje edhe kur udhëheqësit/pushtetarët janë të shthurur dhe despotë”.
Ibn Tini transmeton, se Davud Dhahiriu ka thënë: “Në lidhje me pushtetarët despotë, dijetarët kanë thënë: “Nëse është e mundur të hiqen nga pushteti pa trazira dhe dhunë, atëherë është detyrë rrëzimi i tyre. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë është detyrë të durohet (kjo gjendje)”
9 – Mungesa e një programi efikas
Një shkak tjetër që çon në nxitim apo ngutje, është mungesa e një programi apo metodologjie, që përthith energjitë e tepërta të aktivistit musliman, për të kanalizuar forcën dhe furinë e tij. Dihet, se kur njeriu nuk e angazhon veten e tij me të vërtetën, atëherë egoja e tij do ta angazhojë me të pavërtetën.
Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami i ka përcaktuar muslimanit një program aktiv gjatë ditës dhe natës, gjatë javës, muajit dhe vitit, madje gjatë gjithë jetës së tij. Nëse ai i përmbahet këtij programi dhe e zbaton atë, atëherë hapat që hedh do të jenë të mirëmenduara dhe mundi i tij do të sjellë produktivitet.
Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami ka përdorur gjuhë shumë të ashpër ndaj udhëheqësve dhe dijetarëve muslimanë, në mënyrë që ata të përpiqen me të gjitha forcat, për të nxjerrë dispozita që e mbushin jetën e muslimanëve me punë aktive, serioze dhe të frytshme, larg nga dëmi dhe e keqja, përndryshe këta prijës nuk do ta shohin Xhenetin. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur një sundimtar merr nën kontroll punët e muslimanëve, mirëpo nuk përpiqet për ta dhe nuk u shërben atyre me sinqeritet apo transparencë, ai nuk do të hyjë në Xhenet”
10 – Mungesa e eksperiencës
Një shkak tjetër që çon në nxitim apo ngutje, është angazhimi në fushën e ftesës islame e atij aktivisti që i mungon përvoja. Veç kësaj, ai nuk konsultohet me ata aktivistë, që kanë përvojë dhe eksperiencë pune në terren. Askush nuk lind i ditur, por mëson, ashtu siç na tregon edhe Allahu i Madhëruar: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë” Njeriu fillon të mësojë nëpërmjet shqisave që i ka dhuruar Allahu i Madhëruar: dëgjimi, shikimi dhe perceptimi.
Njeriu nuk mëson vetëm nga librat, pasi të nxënit plotësohet, atëherë kur merret edhe nëpërmjet përvojës dhe praktikës së vazhdueshme. Muslimani aktivist është i ndërgjegjshëm për këtë fakt, prandaj përfiton nga përvojat dhe eksperiencat e atyre, që i kanë paraprirë në këtë rrugë, në mënyrë që të kursejë sa më shumë mund, kohë dhe shpenzime. Përsa i përket atij që mban hundën përpjetë, që i pëlqen ajo që bën vetë dhe punon më vete – pa u konsultuar me aktivistët që kanë përvojë dhe eksperiencë – nuk ka dyshim se do të bëjë shumë gabime dhe një prej tyre do të jetë nxitimi apo ngutja.
Ky mund të jetë sekreti, se përse Islami ka porositur, që të respektohen dijetarët, të moshuarit e përkushtuar dhe me virtyte të larta. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Imam për njerëzit del ai, i cili di më shumë nga Libri i Allahut. Nëse (imamët) janë të barabartë në leximin e Kuranit, imam del ai që di më shumë nga Suneti. Nëse janë të barabartë në diturinë për Sunetin, imam del ai që ka bërë më parë Hixhretin dhe nëse janë të barabartë edhe në këtë gjë, imam del ai që ka pranuar më parë Islamin/apo më i moshuari. Askush nuk duhet të dalë imam para atij që ka pushtetin në atë vend dhe askush nuk duhet të ulet në shilten (apo kryet e vendit) e të zotit të shtëpisë pa lejen e tij”
Ndoshta sekreti i kësaj porosie është që aktivisti musliman të përfitojë nga përvojat e dijetarëve dhe pleqve të përkushtuarve, si dhe nga eksperienca e tyre në rrugën e gjatë të jetës. Në përgjithësi, njeriu i bën një dhuratë dikujt, i cili ia di vlerën asaj dhurate, në të kundërt, njeriu tregohet shumë i rezervuar që t`i japë diçka dikujt që shpërdoron.
11 – Neglizhimi i ligjeve të Allahut të Madhëruar
Një shkak tjetër që çon në nxitim apo ngutje, është neglizhimi apo mos marrja në konsideratë e ligjeve kozmike, fizike dhe shoqërore – të përcaktuara nga Allahu i Madhëruar për mbarëvajtjen e jetës mbi tokë -, apo mosmarrja në konsideratë e ligjit të gradualitetit në çështjet e ligjësimit të normave sheriatike.
Një nga ligjet kozmike të Allahut të Madhëruar është: krjimi i qiejve dhe tokës për gjashtë ditë, krijimi i njerëzve, kafshëve dhe bimëve sipas fazave të përcaktura, duke mos harruar kurrë, se Allahu është i Gjithëpushtetshëm dhe të gjitha këto apo shumë gjëra të tjera mund t`i krijonte vetëm me fjalën: “Bëhu”. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t`i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo menjëherë bëhet”
Nga ligjet shoqërore që Allahu i Madhëruar ka përcaktuar për njeriun është, se: ai sakrifikon, shpenzon dhe jep – kur dëlirësohet nga brenda -, duke i hequr të gjitha prirjet egoiste. Vetëm atëherë shpirti njerëzor e kupton vlerën reale dhe dobinë e sakrifikimit, kontributit dhe shpenzimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë” Ky proces është shumë i vështirë dhe nuk përmbushet me lehtësi, prandaj kërkon përpjekje, kohë dhe përgjegjshmëri.
Nga ligjet e Allahut të Madhëruar në ligjësimin e dispozitave është edhe gradualiteti. Ndalimi i alkoolit ka kaluar nëpër faza, po ashtu edhe ndalimi i kamatës. Nëse muslimani aktivist apo ftuesi i neglizhon apo nuk i di këto ligje, do të veprojë ngutshëm dhe me nxitim, mirëpo kur i ka paraysh këto dhe nuk i shkëput nga mendja e zemra, nuk ka dyshim se ato do t`i shërbejnë si katalizator qetësimi, lëvizjet e tij do të jenë të kordinuara dhe ai do ta dijë shumë mirë, se ku po e hedh hapin e rradhës.
12- Harrimi i objektivit
Një tjetër shkak që çon në nxitim apo ngutje, është harrimi i objektivit për të cilin punon aktivisti apo ftuesi musliman. Në parim, muslimani përpiqet të arrijë dhe të fitojë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, mirëpo ky objektiv mishërohet, duke zbatuar rrugën e Tij, duke mos toleruar në këtë rrugë dhe duke qëndruar me vendosmëri dhe sinqeritet të plotë në të, deri në ditën e takimit me Të, gjithmonë sipas mundësisë që ka.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet”
“Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni”.
Në ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar do ta pyesë muslimanin, se sa është përgatitur për të përmbushur detyrën e tij, pasi shpëtimi apo dështimi i muslimanit do të jetë në varësi të përgatitjes së tij. Muslimani nuk do të pyetet për rezultatet e punës së tij – pra nëse ato kanë siguruar fuqizimin e Islamit apo jo – pasi rezultatet janë në Dorë të Allahut të Madhëruar, i Cili i mundëson ato si të dojë dhe kur të dojë. Nëse aktivisti apo ftuesi musliman e harron këtë të vërtetë, do të bjerë pa dyshim në kurthin e nxitimit apo ngutjes.
13 – Neglizhimi i ligjit të Allahut në trajtimin e mëkatarëve
Një shkak tjetër që çon në nxitim apo ngutje, është neglizhimi i ligjit të Allahut në lidhje me mëkatarët dhe përgënjeshtruesit. Dihet se një nga ligjet e Allahut të Madhëruar është: dhënia afat mëkatarëve dhe mosngutja në dënimin e tyre. Në lidhje me këtë, Allahu i Madhëruar thotë:
“E do t`u japim afat. Me të vërtetë, plani Ynë është i fortë”
“Por Zoti yt është Falësi plot mëshirë. Sikur t`i dënonte ata për çfarë kanë bërë, Ai do t`ua shpejtonte dënimin. Por ata i pret një çast i caktuar, nga i cili kurrë nuk do të shpëtojnë”
Nga ligjet e Allahut të Madhëruar në lidhje me mëkatarët dhe përgënjeshtruesit është, se kur i ndëshkon, asnjë prej tyre nuk shpëton. Allahu i Madhëruar thotë:
“I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër”
“Le të mos mendojnë kurrsesi ata që nuk besojnë, se do të fitojnë, sepse nuk mund të Na pengojnë”
Nga ligjet e Allahut të Madhëruar në lidhje me mëkatarët dhe përgënjeshtruesit është, se Allahu nuk i llogarit ditët ashtu siç i llogarisin njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata të kërkojnë që t`u shpejtohet dënimi, por Allahu kurrsesi nuk e thyen premtimin e Vet. Një ditë te Zoti yt është sa njëmijë vjet sipas llogarisë suaj”
Nëse një aktivist apo ftues musliman i neglizhon këto ligje, do të ngutet në veprimet e tij. Ai mund të thotë: “T`i zhdukim këta mëkatarë, para se të marrin forcë, apo para se të marrin frerët dhe çështjet në dorë”. Mirëpo sipas kësaj metode, nuk kurohen problemet e tyre dhe ata nuk mënjanohen nga rruga e njerëzve.
14 – Shoqërimi me njerëz të ngutshëm
Një shkak tjetër që çon në nxitim apo ngutje, është shoqërimi i aktivistit apo ftuesit musliman me ata njerëz, të cilët shquhen për nxitim në sjellje e veprime dhe për mungesë maturie. Njeriu pajiset me cilësitë e atij, me të cilin qëndron. Nëse muslimani nuk tregohet i kujdesshëm në përzgjedhjen e shokut të tij, nuk ka dyshim se do ta ndjekë shokun në veprime dhe do të përqafojë ato mendime që ka shoku i tij. Një nga cilësitë që mund të përvetësojë nga shoku i tij – sidomos kur ky shok ka një karakter dhe personalitet të fortë -, është edhe nxitimi apo ngutja.
Ndoshta nga këtu kuptohet sekreti, se përse Islami i ka kushtuar rëndësi dhe i ka mëshuar me forcë domosdoshmërisë për të qenë sa më i kujdesshëm në përzgjedhjen e shokut apo mikut. Në trajtimin e lëngatës së plogështisë kemi përmendur një mori hadithesh, të cilat na nxisin në përzgjedhjen e shokut dhe mikut të mirë.
IV – Pasojat e ngutjes
Pasojat e ngutjes janë shumë të rënda dhe sjellin rezultate negative si për individin ashtu edhe për shoqërinë.
a) Pasojat për aktivistët muslimanë
Plogështia dhe demoralizimi
Ngutja çon në plogështi dhe demoralizim, siç e shpjeguam edhe tek lëngata e parë (plogështia). Dihet se një punë e paktë – por e vazhdueshme – është më e mirë, se sa një punë e madhe që kryhet njëherë dhe pastaj braktiset plotësisht. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Dijeni, se puna më e dashur tek Allahu është ajo që kryhet vazhdimisht, edhe nëse është e paktë”
Përfundimi i keq
Ngutja mund ta çojë njeriun në një vdekje poshtëruese dhe jo të fisme. Kjo mund të ndodhë, kur bëhet një punë e nxituar, nga e cila nuk ka përfitime apo nuk jep fryte. Në raste të tilla, njeriu do të japë llogari dhe do të mbajë përgjegjësi para të Gjithëpushtetshmit, më të Lartit në Ditën e Gjykimit: “Ajo është Dita, kur askush nuk do të ketë fuqi për të bërë gjë për ndonjë tjetër dhe kur pushteti do të jetë vetëm i Allahut”
Në vijim do të përmendim një ngjarje, e cila dëshmon për këtë që po themi.
Në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar, Lëvizja Islame në Egjipt përjetonte kohët më të arta. Ajo kishte depërtuar në të gjitha ambientet dhe rrethet shoqërore, njësoj si një anije që lundron e qetë në një det të patrazuar dhe me një erë në favor të saj. Zëri i Lëvizjes Islame tashmë dëgjohej për çdo çështje, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në këtë kohë, një nga pjestarët e Lëvizjes Islame – i quajtur Ahmed Rifati – u ngrit dhe kundërshtoi të gjitha mekanizmat që përdorte në atë kohë Lëvizja Islame, duke ftuar për mekanizma dhe taktika të tjera.
Në parim, një kërkesë e tillë nuk tërhiqte shumë vëmendje, pasi çdo anëtar në Lëvizjen Islame ka të drejtë të kritikojë atë që mendon se vërtet duhet kritikuar. Më pas kërkesat diskutoheshin mes grupeve dhe në fund arrihej në një përfundim sa më të drejtë dhe më të arsyeshëm. Mirëpo në këtë rast, kërkesat e tij kishin gjetur veshë për t`i dëgjuar, madje shumë prej të rinjve të Lëvizjes Islame reaguan pozitivisht ndaj kërkesave të tij.
Ne nuk na intereson të shpjegojmë se cilat ishin shkaqet që çuan në ndikimin e shpejtë të kërkesave të Ahmedit, por na intereson të nxjerrim në pah se çfarë ndodhi më pas dhe cilat ishin pasojat. Kështu u organizua një takim për të njohur kërkesat e Ahmedi, të cilat përmblidheshin në tre pika: E para: Ai mendonte, se Lëvizja Islame i servilosej qeverisë, duke ndjekur politikën e afrimit me të, apo siç thuhet “tërhiq e mos e këput”. Sipas tij, qeverisë duhet t`i kundërvihesh me të vërtetën, të cilën e ka konfirmuar Kurani Fisnik: “Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë”
E dyta: Ai mendonte, se Lëvizja Islame nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim praktik në lidhje me fenomenin e zhveshjes dhe lakuriqësisë së femrave, duke u mjaftuar vetëm me këshilla dhe fjalë. Sipas tij, ishte detyrë e Lëvizjes Islame, që të shpërndante anëtarët e saj në rrugët e Kajros, duke mbajtur me vete një shishe me bojë dhe kur të kalonte një femër e pambuluar apo e zhveshur, t`ia hidhnin bojën, që t`i bëheshin pis rrobat e saj. Kjo gjë do të ndikonte, që ato të ktheheshin në shtëpi dhe kjo gjë do t`i frenonte ato, që që të dilnin të pambuluara herë tjetër.
E treta: Ai mendonte, se kontributi i Lëvizjes Islame për Çështjen Palestineze – duke i ndihmuar vetëm nëpërmjet propagandës dhe ndihmave financiare – nuk ishte i mjaftueshëm, madje cenonte çështjen palestineze, tregonte neglizhencë ndaj Xhihadit dhe zmbrapsje nga beteja. Sipas tij, të gjithë anëtarët e Lëvizjes Islame duhet t`i linin punët e tyre dhe në mënyrë vullnetare të merrnin pjesë në luftën që zhvillohej në Palestinë, përndryshe do të konsideroheshin kundërshtarë të urdhërit të Zotit.
Një nga të pranishmit në mbledhje iu kundërpërgjigj kërkesave të Ahmedit me fjalët: “Ndaj qeverisë mund të reagosh, vetëm nëse faktorizohen dy elementë:
A)Ndërgjegjësimi i popullit me të vërtetat madhore të Islamit – të cilat deri tani nuk janë përthithur plotësisht nga njerëzit, sidomos disa çështje specifike si: lidhja e Islamit me qeverisjen dhe lidhja e Islamit me fushën e ligjvënies.
B)Mbështetja e madhe popullore për Lëvizjen Islame, në mënyrë që ajo të përballojë çdo sfidë apo situatë që mund t`i ekspozohet. Mirëpo Lëvizja Islame sot është si ajo foshnja, që ka akoma nevojë të forcohet, në mënyrë që të ngrihet në këmbë dhe të ecë.
Në lidhje me çështjen e femrës, kundërpërgjigja për kritikën ishte: “Nëse ne marrim në konsideratë propozimin e Ahmedit dhe ndjekim taktikat që ai propozon, atëherë do të kemi si rezultat të menjëhershëm arrestimin e të gjithë anëtarëve të Lëvizjes Islame – si prishës të rendit publik. Ata do të hetohen dhe do të përfundojnë në paraburgim, derisa gjykatat të marrin vendimet e formës së prerë, ndërsa më pas: ose në burg, ose do të gjobiten. Nëse pas mbarimit të dënimit, anëtarët do t`i rikthehen përsëri taktikave të tilla, atëherë ndëshkimi dhe gjoba do të dyfishohet.
Një veprim i tillë nuk sjell dobi, pasi përveç kësaj anëtarët e Lëvizjes Islame do të detyrohen të kompesojnë rrobat e ndotura nga boja, gjë që do të rëndojë xhepat e tyre. Gjithashtu, ai që ka ndotur rrobat, mund të përfundojë në burg, ndërsa femrën nuk e pengon asgjë, që nesër të dalë përsëri me veshjen që do. Për rrjedhojë, metoda dhe teknika të tilla nuk kanë asnjë vlerë dhe asnjë dobi për të penguar fenomenin e zhveshjes së femrave.
Përsa i përket çështjes së Palestinës, vetë muftiu i Palestinës – i nderuari Emin Husejni – i ka shkruar një letër Lëvizjes Islame në Egjipt, ku ndër të tjera thotë: “Mundi që derdh Lëvizja Islame në Egjipt në përkrahjen e çështjes së Palestinës, është në masën e duhur. Atë që Lëvizja Islame ka bërë për ne, nuk mund ta bëjnë të tjerët. Ju vëmë në dijeni, se ne nuk kemi nevojë për vullnetarë të huaj në rradhët tona”.
Megjithëse përgjigjet ishin shumë të qarta, Ahmedi këmbëngulte në qëndrimin e tij dhe mblodhi shumë njerëz rreth vetes. Jo vetëm kaq, por ata filluan të baltosnin krerët e Lëvizjes Islame, me një fjalor që nuk i përshtatej as njerëzve të rrugës.
Kur Lëvizja Islame mori vendimin, që të distancohej prej tij, të gjithë përkrahësit e Ahmedit e braktisën, kështu që ai mbeti fillikat i vetëm. Kjo gjë nuk e pengoi atë, që të vendoste të udhëtonte i vetëm për në Palestinë dhe t`iu bashkangjitej luftëtarëve, të cilët ishin në luftë me pushtuesit anglezë dhe zionistë.
Lëvizja Islame ndjeu dhembshuri për këtë njeri, prandaj kërkoi që të takohej me të, në mënyrë që të përgatitej siç duhet dhe të krijoheshin kontakte me luftëtarët palestinezë, në mënyrë që t`i sigurohej rruga dhe të pranohej në mesin e tyre, për arsye se Rezistenca Palestineze nuk i pranonte të panjohurit, pasi dyshonte për ndonjë spiun dhe mund të vritej. Ahmedi refuzoi ndihmën dhe këmbënguli të nisej i vetëm. Ai u nis dhe sapo ra në kontakt me Rezistencën Palestineze, ata e ekzekutuan, pasi kujtuan se është spiun apo ndonjë i infiltruar. Pra ndodhi pikërisht ashtu siç e kishte thënë Lëvizja Islame.
Kjo ngjarje nxjerr në pah fundin e një entuziazmi të shoqëruar me cektësi në kuptimin e Librit të Allahut, të historisë së thirrjes islame dhe të realitetit të jetës. Shkaku është nxitimi dhe pasojat e nxitimit mund të çojnë në një vdekje jo të hijshme, siç i ndodhi edhe Ahmed Rifatit. Ky individ, para se t`i bashkohej Lëvizjes Islame, nuk kishte as informacionet bazë rreth Islamit, Kuranit, biografisë së të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe historisë islame. Pasi u bind me idenë islame, atë e rrëmbeu entuziazmi i fortë, mirëpo kjo gjë ndodhi, para se ai të pajisej me furnizimin e duhur, para së të njihte mirë shenjat në rrugë. Ai nxitoi, e rrëmbeu entuziazmi, pa pasur vizionin e duhur, prandaj u përplas me realitetin dhe u shkërrmoq. Lëvizja Islame do të ishte shkërmoqur gjithashtu, nëse nuk do të ishte përkujdesja hyjnore, si dhe urtësia dhe sinqeriteti i elitës së Lëvizjes Islame.
b) Pasojat në punën islame
Dobësimi i punës islame
Nugtja bëhet shkak për pezullimi i punës islame, ose më e pakta rikthimi me dhjetëra vite mbrapa. Nëse puna islame pezullohet, pasojat do të jenë shumë të rënda, pasi nuk do të merret në konsideratë jeta, pasuria dhe nderi i njerëzve, ashtu siç do të shtohen vështirësitë dhe pengesat në rrugën e thirrjes islame.
Zgjatja e rrugëtimit dhe shtimi i përgjegjësive
Veprimet e ngutura janë një faturë e rëndë për punën islame, gjë që kërkon mund dhe përpjekje të mëdha për tu ringritur. Kështu shtohen detyrat dhe përgjegjësitë, ashtu siç bëhet më i gjatë rrugëtimi dhe përmbushja e objektivave.
V – Kurimi i ngutjes
Njohja e mirë e lëngatës së ngutjes dhe e gjykimit islam për të, evidentimi i simptomave të saj, njohja e shkaqeve dhe pasojave të rrezikshme të saj, si për aktivistët muslimanë ashtu edhe për punën islame, e bëjnë më të lehtë mënyrën e kurimit nga kjo lëngatë. Kurimi arrihet, duke ndjekur hapat e mëposhtëm.
Meditimi në pasojat e ngutjes
Meditimi i thellë dhe studimi i hollësishëm i pasojave, dëmeve dhe efekteve negative të kësaj lëngate, e bën aktivistin musliman të jetë më i matur në sjelljen e tij.
Studimi i vazhdueshëm në Kuran
Studimi dhe hulumtimi i vazhdueshëm në Librin e Allahut të Madhëruar na ndriçon rrugën dhe na hap horizontet për të njohur ligjet e Allahut të Madhëruar në gjithësi (ligjet kozmike) dhe në qenien njerëzore (ligjet shoqërore), për të njohur ligjet e Allahut në gradualitetin e ligjësimit, për të njohur ligjet e Allahut në lidhje me mëkatarët dhe përgënjeshtruesit.
Njohja e mirë e këtyre ligjeve e qetëson shpirtin dhe të ndihmon për të qenë sa më i matur në veprime. Allahu i Madhëruar thotë:
“Unë do t`jua tregoj shenjat e Mia, prandaj mos më kërkoni të ngutem”
“Ky është Libri, në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit”.
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira”.(214)
Studimi i vazhdueshëm në Sunetin profetik
Studimi dhe hulumtimi i vazhdueshëm në Sunetin profetik dhe në biografinë e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) na pasqyron masën e sprovave dhe vështirësive, që ka hasur i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të), si i ka përballuar ato, si ka duruar dhe përse nuk është ngutur në veprimet e tij, derisa në fund fitorja i takoi atij (Paqja qoftë mbi të).
Kjo na mundëson gjithashtu, që të njohim rrugën dhe metodologjinë e tij (Paqja qoftë mbi të). Ky studim i hollësishëm bën, që muslimani të kontrollojë lëvizjet e tij, duke pasur si model dhe shembull Muhamedin (Paqja qoftë mbi të). Allahu i Madhëruar: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.
Studimi i biografisë së dijetarëve
Studimi dhe hulumtimi i këtyre librave na njeh me metodogjinë që kanë ndjekur ftuesit nga brezi i selefëve në përballje me të pavërtetën, nxjerr në pah maturinë e tyre në sjellje dhe vepra, derisa Allahu i Madhëruar u dha sukses. Kur aktivisti apo ftuesi musliman lexon për ta, motivohet për t`i ndjekur dhe për t`i pasur si shembull, ose më e pakta përpiqet t`iu përngjasojë atyre, siç ka thënë edhe njëri prej të mençurve: “Mundohuni tu ngjani atyre. Megjithëse ju nuk jeni si ata, tu ngjash këtyre burrave është shpëtim”. Në pjesën ku trajtuam mënyrën e kurimit nga plogështia, kemi përmendur një tregim që përshtatet me këtë që po trajtojmë: tregimin e Umer ibn Abdulazizit me djalin e tij.
Puna në grup me njerëz me eksperiencë
Puna në grup dhe me njerëz që kanë përvojë dhe eksperiencë në rrugën e ftesës dhe punës islame, i bën aktivistët të hedhi hapa të kujdesshëm dhe të mirëllogaritura, duke kursyer shumë mund dhe kohë në përmbushjen e detyrimeve të tyre. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na ka tërhequr vëmendjen për këtë, duke thënë: “Besimtari nuk pickohet dy herë në të njëjtin vend”.(216)
Puna sipas një programi të qartë
Puna sipas një metode të qartë dhe programi të mirëstudiuar që përfshin të gjitha aspektet e jetës, e merr aktivistin musliman për dore dhe e kalon nga një stad në një tjetër, i përmbush pritshmëritë e tij dhe ia qartëson pyetjet që e mundojnë. Nuk ka dyshim, se këto do ta rrisnin nivelin e përgatitjes së tij.
Njohja e teknikave të armiqve
Aktivisti musliman duhet t`i kuptojë mirë teknikat, planifikimet dhe kurthet e armiqve të Islamit. Kjo gjë e ndihmon, që ta kuptojë siç duhet fundin e çështjeve dhe e bën të matur në sjellje. Kështu aktivisti musliman vepron me urtësi dhe qartësi.
Qëndrueshmëria ndaj armiqve dhe despotëve
Aktivisti musliman nuk duhet të ketë asnjë frikë nga pushteti që zotërojnë armiqtë, sepse pushteti i tyre mund të zhduket në çast, pasi asgjë nuk është e vështirë për Allahun e Madhëruar, i Cili thotë:
“Ti (o Muhamed) mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë! Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend”
“Allahu do t`ua zhvlerësojë veprat atyre që mohojnë dhe i pengojnë njerëzit nga rruga e
Tij”
“Në të vërtetë, jobesimtarët e shpenzojnë pasurinë e tyre për t`i penguar njerëzit nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë, por në fund ajo do jetë vetëm dëshpërim për ta, sepse do të jenë të mundur. Ata që nuk besojnë, në Xhehenem do të tubohen”
Mirëpo që kjo të realizohet, në duhet ta ndërtojmë Islamin fillimisht brenda shpirtit tonë dhe përreth nesh – sa të mundemi dhe me çfarë të mundemi. Allahu i Madhëruar thotë:
“O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t`ju ndihmojë”
“Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i
Plotfuqishëm”
“Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t`i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu siç i ka bërë ata para tyre dhe do t`ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur, ndërsa frikën do t`ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim)”
Disiplinimi i egos
Aktivisti musliman duhet ta luftojë vazhdimisht egon e tij dhe ta disiplinojë atë, duke ditur se pajisja me durim dhe maturi janë domosdoshmëri. Dihet se butësia fitohet me praktikë dhe kush përpiqet për durim, Allahu i Madhëruar do t`ia mundësojë patjetër atë (durimin). Burrëria e vërtetë arrihet me durim të vazhdueshëm e të kalitur nga sprovat.
Përkujtimi i objektivit
Aktivisti apo ftuesi muslimani duhet ta ketë parasysh gjithmonë objektivin/synimin, për të cilin jeton. Kjo gjë e mban atë të karikuar dhe e frenon nga ngutja. Ai merr parasysh të gjithë faktorët e suksesit, u qëndron rigoroz atyre dhe nuk nxiton për të korrur frytet e punës së tij.
Qëndrimi i duhur ndaj të keqes
Aktivisti musliman duhet të dijë mirë pozicionimin që duhet të mbajë ndaj të këqijave dhe të njohë mekanizmat për ndryshimin e tyre. Kjo gjë e bën atë më vizionar, ia qartëson shenjat në rrugë dhe e pengon nga ngutja dhe nxitimi.
Nxitimi dhe metodologjia e Lëvizjes Islame bashkëkohore
Është tepër e rëndësishme të theksohet se nxitimi apo ngutja – të cilën e përmendëm më lart – nuk bën pjesë aspak në metodologjinë e Lëvizjes Islame bashkëkohore dhe nuk ka si të ketë vend, pasi nxitimi është i refuzuar në mënyrë kategorike. Teksti që do të përmendim në vijim, që është pjesë e kësaj metodologjie, është vërtetues i kësaj që po themi:
“O ‘Vëllezër Muslimanë` e në veçanti ju që jeni entuziastë apo euforikë! Në këtë Konferencë dhe nga ky podium po ju them një fjalë me zë të lartë dhe kumbues: “Hapat e rrugës suaj janë të mirëpërcaktuara dhe kufijtë janë vendosur tashmë. Unë nuk do t`i ndryshoj ato, përderisa jam i bindur plotësisht, se kjo është rruga më e sigurtë për të arritur tek objektivi.
Po! Rruga mund të jetë e gjatë, mirëpo nuk ka rrugë tjetër përveç kësaj. Burrëria shfaqet me durim, qëndrueshmëri, seriozitet dhe punë të vazhdueshme. Kush prej jush dëshiron ta këpusë frutin pa u pjekur, apo lulen pa çelur akoma, ta dijë se unë nuk jam kurrë me të. Më e mira për njerëz të tillë është, që të largohen nga kjo ftesë dhe t`iu drejtohen ftesave të tjera. Kush duron bashkë me mua, derisa të mbijë fara, të forcohet bima, të piqet fruti dhe derisa të vijë koha për vjeljen e tij, ta dijë se shpërblimin për këto e ka tek Allahu i Madhëruar dhe çdonjëri prej nesh ka të garantuar njërin prej dy shpërblimeve: fitoren dhe udhëheqjen, ose rënien dëshmor dhe lumturinë.
O “Vëllezër Muslimanë”! Frenojini ndjenjat e ndezura me syrin e logjikës dhe ndriçojeni rrezatimin e mendjes me flakët e ndjenjave. Komandoni imagjinatën me vërtetësinë e realitetit ku jetoni dhe zbulojini të vërtetat e realitetit nën hijen e imagjinatës vezulluese dhe ndriçuese: “Prandaj, mos anoni krejtësisht vetëm nga njëra, duke e lënë tjetrën si të varur”. Mos u përplasni me ligjet e universit, pasi ato fitojnë gjithmonë, por përdorini ato dhe nënshtrojini, ndryshojuani atyre drejtimin, madje përdorini ato ndaj njëra-tjetrës, ndërsa më pas priteni çastin e fitores, pasi ai nuk është larg jush.
O “Vëllezër Muslimanë”! Ju synoni kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij. Dijeni se kjo është e garantuar për ju, përderisa jeni të sinqertë. Allahu i Madhëruar nuk ju ka ngarkuar me rezultatet e veprave, por u ka ngarkuar, që punën ta bëni siç duhet dhe të jeni të përgatitur. Pasi të bëjmë këtë, edhe mund të kemi gabuar, por për këtë marrim shpërblimin e aktivistëve që janë përpjekur dhe nëse ia kemi qëlluar, do të marrim shpërblimin e fitimtarëve, të cilët e kanë gjetur të vërtetën. Eksperienca në të shkuarën dhe në të tashmen ka vërtetuar, se rruga e vetme që ka mirësi, është vetëm rruga juaj, produkti i saktë vjen vetëm sipas planeve tuaja dhe e vërteta është vetëm ajo që ju praktikoni. Prandaj mos i çoni dëm përpjekjet tuaja dhe mos luani me frytet e suksesit tuaj. Dijeni se Allahu është me ju, asnjë punë nuk do t`ju shkojë kot dhe fitorja u jepet vetëm atyre që punojnë: “Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj. Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit”
Ftuesi musliman mes plogështisë dhe nxitimit
Trajtimi i duhur i këtyre dy lëngatave – pra plogështisë dhe ngutjes – përcakton qartë pozicionimin e ftuesit musliman. Ky pozicionim duhet të jetë i ekuilibruar. Kjo do të thotë, se ftuesi musliman që ka përgatitjen e duhur, është si zgjoi i bletës, ku puna vazhdon e gjallë dhe pa ndërprerje. Ftuesi musliman nuk tregohet neglizhent në punën e tij dhe as nuk tërhiqet për asnjë çast, ai është në punë ditë dhe natë, duke mos humbur asnjë shans të volitshëm që i vjen. Përsa i përket rezultateve, ai është i qetë, i durueshëm, i matur dhe nuk ngutet për të korrur para kohe, se përndryshe do të privohet prej tyre. Duke ditur këtë, themi me bindje se Lëvizja Islame është treguar e matur në pozicionimin e saj.
Fjalët e mëposhte janë më rrezatuese se drita dhe motivojnë vazhdimin në këtë rrugë fisnike: “Dijeni se fusha e fjalëve nuk është si fusha e imagjinatës, fusha e punës nuk është si fusha e fjalëve, fusha e xhihadit nuk është si fusha e punës, ndërsa fusha e Xhihadit të vërtetë nuk është si fusha e Xhihadit të gabuar. Pjesa më e madhe e njerëzve e kanë të thjeshtë që të imagjinojnë, mirëpo jo çdo imagjinatë që të vjen në mendje, mund të përshkruhet me fjalë.
Shumë njerëz mund të thonë shumë gjëra për punën, mirëpo vetëm një numër i vogël prej tyre mund të jenë të qëndrueshëm në punë. Pjesa më e madhe e këtyre të paktëve kanë mundësi të punojnë, mirëpo vetëm një pakicë prej tyre ka mundësi që t`i rezistojë peshës së Xhihadit dhe punës së vështirë. Këta luftëtarë që rezistojnë, janë ajka e të paktëve dhe përkrahësit e kësaj ftese, të cilët edhe mund të gabojnë gjatë rrugës dhe të mos e arrijnë objektivin, nëse nuk përfshihen nga përkujdesja e Allahut të Madhëruar. Këtë që thashë, e gjeni të sqaruar në tregimin e Talutit.
Prandaj, përgatiteni veten tuaj, edukojeni veten me sjelljen e duhur, testojeni atë deri në detaje, sprovojeni veten me punë të fortë, të vështirë dhe të urryer për nefsin, frenoni epshet, zakonet dhe sjelljet e papërshtatshme….mos humbisni as edhe një minutë nga puna”
Vetëm atëherë e keni të garantuar përkrahjen e Allahut, ndihmën e Tij dhe fitoren e sigurtë!
Autor: Muhamet Sejjid Nuh
Përktheu: Rushit Musallari