Një botë ku nuk ekziston Islami

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Çfarë do të ndodhte sikur Islami të mos ekzistonte?  Disa qetësohen nga kjo ide, pasi nuk do të kishte përplasje civilizimesh, as luftëra të shenjta dhe as terrorizëm. A do të fitonte krishterimi në të gjithë botën? A do të kthehej paqja në Lindjen e Mesme? A do të kishte ndodhur 11 Shtatori? Në fakt, nëse e zhdukni Islamin nga rrjedha e historisë, a do të kishte arritur bota ekzaktësisht aty ku është sot?

Imagjinoni, nëse do të kemi një botë pa Islamin. Padyshim që kjo është e pa imagjinueshme, sidomos kur shohim se përgjegjësia kryesore në lajme i mvishet kësaj feje. Islami mesa duket qëndron pas një varg shqetësimesh botërore si: sulme vetëvrasëse, shpërthime makinash, pushtime ushtarake, luftëra rezistence, protesta, fetua, xhihadi,  luftë guerile, video kërcënuese si  dhe vetë 11 shtatori. Pse po ndodhin këto ngjarje? “Islami” mesa duket na jep një kriter analitik të pa ndërlikuar dhe aktual që na mundëson të kuptojmë botën e sotme të turbulluar. Në të vërtetë, për disa neokonservatorë, “Islamofashizmi” është tashmë një armik yni i përbetuar i “Luftës së III Botërore” që pritet të shfaqet.

Por më ndiqni për një moment: Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte fenomene si Islami? Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte ekzistuar kurrë një i dërguar si profeti Muhamed dhe po të mos kishte ekzistuar as saga e përhapjes së Islamit në masë në zonat e Lindjes së Mesme, Azisë dhe Afrikës?

Duke pasur parasysh çështjen e terrorizmit, luftës dhe ndjenjën antiamerikane si dhe duke ia kushtuar vëmendjen tonë të vazhdueshme këtyre çështjeve – të cilat janë disa nga çështjet ndërkombëtare më të ndjeshme të ditës – është  shumë e rëndësishme që të kuptohet burimi i vërtetë i këtyre krizave. A është Islami, në fakt, burim i problemit apo ai qëndron përkrah faktorëve të thellë që janë më pak të dukshëm? Për të kuptuar këtë, le të imagjinojmë një panoramë të Lindjes së Mesme ku nuk ka ekzistuar kurrë Islami. A do të kishim ne në një rast të tillë shumë nga sfidat me të cilat përballemi sot? A do të kishte më shumë paqe në Lindjen e Mesme? Sa të ndryshme do të ishin marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit? Pa diskutim që pa Islamin rendi botëror do të na paraqiste një pamje shumë të ndryshme nga kjo e sotmja. Si do të ishte ajo?

Çfarë do të kishte në vend të Islamit?

Që në ditët e para kur Lindja e Mesme shtrihej në një zonë akoma më të gjerë, Islami i formësoi normat kulturore dhe madje dhe preferencat politike të ndjekësve të tij. Atëherë si mundemi ta ndajmë Islamin nga Lindja e Mesme? Pra,  siç e shihni nuk është shume e vështirë për t’u imagjinuar.

Le t’a nisim me çështjen e etnisë. Pa Islamin, pamja e asaj zone mbetet komplekse dhe plot konflikte. Grupet etnike që dominojnë në Lindjen e Mesme si arabët, persët, turqit, kurdët, çifutët, berberët si dhe pashtunët edhe në këtë situatë imagjinare, do të vazhdonin të dominonin politikisht aty.

Merrni për shembull persët: Shumë kohë përpara Islamit,  perandori të njëpasnjëshme perse arritën në dyert e Athinës dhe ishin rivalët e përhershëm të banorëve të Anadollit. Edhe popujt semit pjesëtarë në luftë gjithashtu i luftuan persianët përgjatë zonës së njohur si Gjysmëhëna Pjellore e deri në Irak. Po ashtu, kemi dhe forcat e fuqishme të fiseve të ndryshme arabe dhe tregtarëve që zgjeruan territoret e tyre dhe emigruan në zona të tjera semite të Lindjes së Mesme përpara ardhjes së Islamit. Në këtë situatë, ku nuk është i përfshirë Islami, mongolët do të kishin mësyer dhe shkatërruar civilizimet e Azisë Qendrore dhe pjesës së madhe të Lindjes së Mesme në shek. XIII. Turqit do të kishin shtënë në dorë Anadollin dhe zonën e Ballkanit duke arritur deri në Vjenë si dhe do të kishin në dorë pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme. Këto luftëra – për pushtet, territore, influencë dhe tregti – ekzistonin shumë kohë përpara se të vinte Islami.

Por, është shumë arbitrare ta përjashtosh fenë tërësisht nga ky ekuacion. Në fakt, nëse Islami nuk do të ishte shfaqur kurrë, pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme do të ishte ndjekëse e fesë kristiane dhe sekteve të ndryshme të saj, ashtu siç ishte në periudhën e lindjes të Islamit. Përveç disa zoroastrianëve dhe një numri të vogël çifutësh asnjë fe tjetër e madhe nuk ekzistonte.

Por a do të mbretëronte harmonia me Perëndimin nëse e gjithë Lindja e Mesme do të kishte qëndruar në fenë kristiane? Kjo është të pretendosh shumë. A mos duhet të supozojmë se një botë evropiane mesjetare në përpjekje të vazhdueshme për zgjerim, nuk do të kishte synimet e saj për të projektuar pushtetin dhe hegjemoninë e saj në Lindjen fqinje në kërkim të posedimeve ekonomike dhe gjeopolitike?! Në fund të fundit çfarë ishin Kryqëzatat vetëm se një aventurë perëndimore e shtyrë kryesisht nga nevoja politike, sociale dhe ekonomike? Në fakt, feja e veçantë e vendasve nuk kishte shumë rëndësi për ta shtyrë perandorinë perëndimore drejt sundimit të globit. Në fjalimet e saj, Evropa mund të ketë përmendur vazhdimisht faktin që po përpiqej të “sillte vlerat kristiane tek vendasit” por qëllimi kryesor ishte të themeloheshin pika koloniale si burime të pasurisë për metropolin dhe si baza për vendosjen e fuqisë perëndimore.

Kështu pra do të ishte e vështirë që banorët e krishterë të mirëprisnin fluksin e  flotave evropiane dhe tregtarët e tyre të përforcuar me armë që vinin nga perëndimi. Në këtë mozaik të ndërlikuar etnish në këtë rajon, imperializmi do të përparonte duke përdorur teorinë e famshme “përça dhe sundo”. Përveç kësaj, evropianët përsëri do të vendosnin në këto zona po ata lloj sundimtarësh që u shërbenin dhe komandoheshin nga ata.

Rrotulloje akrepin e orës pas në kohë, në epokën e naftës në zonën e Lindjes së  Mesme. A do ta kishin mirëpritur shtetet e Lindjes së Mesme edhe sikur të ishin të krishterë, themelimin e protektorateve evropiane në rajonin e tyre? E vështirë. Perëndimi përsëri do të ndërtonte dhe kontrollonte pikat e njëjta kyçe si Kanalin e Suezit. Nuk ishte Islami ai që i shtyu shtetet e Lindjes se Mesme t’i rezistonin fuqishëm kolonializmit i cili ripërcaktoi në mënyrë drastike kufijtë në përputhje me preferencat gjeopolitike evropiane. Po ashtu, as të krishterët e Lindjes së Mesme nuk do t’i kishin mirëpritur më shumë se myslimanët kompanitë perëndimore të naftës që mbështeteshin nga diplomatë, agjentë sekretë dhe ushtri evropiane. Hidhini një vështrim historisë së gjatë të latino-amerikanëve ndaj dominimit amerikan mbi naftën, ekonominë dhe politikat e tyre. Lindja e Mesme do të kishte qenë po aq e interesuar sa ata të krijonte lëvizje nacionaliste antikolonialiste për ti dhënë fund kontrollit që ushtohej mbi tokat e tyre, mbi tregjet, mbi pushtetin dhe për ta shpëtuar fatin e tyre nga kthetrat e të huajve. E njëjta gjë ndodhi dhe me luftërat antikolonialiste në pjesën hindu të Indisë, në pjesën konfu të Kinës, në Vietnamin budist dhe tek kristianët e animistët në Afrikë.

S’ka ka dyshim që dhe francezët do ta kishin zgjeruar pushtimin e tyre edhe në pjesën kristiane të Algjerisë për të marrë nën kontroll tokat e begata, fermat dhe për të ndërtuar atje koloni. Italianët, gjithashtu nuk do të lejonin kurrë që etiopianët e krishterë t’i ndalonin ata që ta kthenin Etiopinë në një koloni që administrohet me forcë. Shkurtimisht, nuk ka arsye për të mos besuar se një reagim i Lindjes se Mesme ndaj kolonializmit evropian në një situatë historike ku nuk ekziston Islami do të ishte ndryshe nga mënyra se si po reagon kjo popullsi e kësaj zone tani që është ndikuar nga Islami.

Por lind pyetja a do të kishte qenë Lindja e  Mesme më demokratike pa Islamin? Vetë historia diktatoriale në Evropë nuk është fort e favorshme në këtë pikë. Spanja dhe Portugalia i dhanë fund diktaturave të egra vetëm në mesin të vite 1970. Greqia vetëm disa dekada më parë doli nga diktatura që lidhej me kishën. Rusia e krishtere është ende në këto ujëra. Deri vonë, Amerika Latine kishte ngecur në sundimin e diktatorëve që në të shumtën e rasteve sundonin me pëlqimin e Shteteve të Bashkuara dhe në partneritet me kishën katolike. Pjesa më e madhe e kombeve afrikanë të krishterë nuk kanë një panoramë më të mirë se kjo. Pse duhet të jetë ndryshe një i krishterë i Lindjes së Mesme sa i përket kësaj pike?

Kemi rastin e Palestinës. Pa dyshim se ata që i persekutuan çifutët paturpësisht për më shumë se një mijëvjeçar ishin të krishterët. Ky persekutim arriti kulmin me Holokausin. Këto shembuj të tmerrshëm të anti-Semitizmit u ngulitën fort në kulturën dhe kokat e të krishterëve perëndimorë. Megjithatë, çifutët ende kërkonin një atdhe jashtë Evropës; lëvizja sioniste nisi të hynte në funksion dhe kërkoi që kjo bazë e tyre të ngrihej në Palestinë. Kështu, shteti i ri çifut që do të ngrihej pas dëbimit nga toka dhe atdheu i tyre nis me dëbimin e 750.000 palestinezëve pavarësisht se në mesin e tyre kishte dhe të krishterë. A nuk do të kishin luftuar këta Palestinezë arabë për të mbrojtur tokën e tyre? Çështja palestineze-izraelite në thelb mbetet një konflikt kombëtar, etnik dhe territorial që vetëm kohët e fundit është fryrë nga slogane fetare. Nuk duhet të harrojmë se të krishterët arabë luajtën një rol të rëndësishëm në krijimin e lëvizjes kombëtare të gjithë arabëve që shpërtheu në Lindjen e Mesme; në të vërtetë themeluesi ideologjik i partisë së parë pan-arabe ‘Bath’, Michel Aflaq, ishte një i krishterë sirian i arsimuar në Sorbonë.

Por është e sigurt se të krishterët e Lindjes së Mesme të paktën nga ana fetare kanë anuar kah Perëndimi. A nuk mund ta shmangnim ne gjithë atë mosmarrëveshje fetare? Në fakt, vetë bota e  krishterë u bë copë nga herezitë që në shekujt e parë të sundimit kristian, herezi këto që u bënë një vegël politike kundra sundimit romak apo bizantin. Në vend që të shërbenin për bashkimin e këtij rajoni, luftërat fetare te Perëndimit vazhdimisht shtynë edhe më thellë luftërat etnike, strategjike, politike, ekonomike dhe kulturore për të dominuar.

Madje dhe vetë referencat që i bëhen “Lindjes së Mesme të krishterë” fshehin një armiqësi të shëmtuar. Pa Islamin, popullsia Lindjes së Mesme do të qëndronte në atë gjendje që  ishte në periudhën e lindjes së Islamit – pjesa më e madhe ishin pjesëtarë të Krishterimit Ortodoks Lindor. Por është e lehtë të harrohet se mosmarrëveshja fetare më e përgjakshme e historisë, më e hidhura dhe më shkatërrimtarja ishte ajo midis Kishës Katolike të Romës dhe Krishterimit Ortodoks të Lindjes në Kostandinopojë – një urrejtje që vazhdon ende dhe sot. Të krishterët ortodoks të Lindjes kurrë nuk e harruan dhe nuk e falën shkatërrimin që kryqtarët perëndimorë i shkaktuan Kostandinopojës së krishterë  në vitin 1204. Afërsisht 800 vjet më vonë, në vitin 1999, Papa Gjon Pali i II kërkoi që të hedhë disa hapa për të shëruar këtë mosmarrëveshje në vizitën e parë që bëri si i pari Papë katolik në botën ortodokse gjatë këtyre një mijë vjetëve. Ky ishte një fillim, por fërkimi midis Lindjes dhe Perëndim në Lindjen e Mesme të krishterë do të qëndronte në të njëjtat përmasa ashtu siç është edhe sot. Le të marrim si shembull Greqinë:

Çështja ortodokse ka qenë një shtysë e fortë që qëndronte pas ndjenjës së nacionalizmit dhe asaj anti – perëndimore në këtë vend. Po ashtu edhe ndjenjat e forta  anti-perëndimore të politikave greke jo më larg se një dekadë më parë tregonin për të njëjtat pikëpamje destruktive dhe dyshuese ndaj perëndimit të cilat i dëgjojmë sot nga shumë liderë myslimanë.

Kultura e Kishës Ortodokse ndryshon shumë nga karakteri (ethos) perëndimor post –Iluminist i cili e vë theksin tek shekullarizimi, kapitalizmi dhe prioriteti i individit. Kjo kulturë ka ndjenja të mbartura frike ndaj Perëndimit i cili paralelisht në shumë mënyra paraqet pasiguri për myslimanët. Kështu në këtë linjë janë dhe ndjenjat e frikës për misionarët perëndimorë konvertues që kanë tendencë për ta marrë fenë si mjet kyç për mbrojtjen dhe ruajtjen e komuniteteve dhe kulturës së tyre. Po ashtu dyshojnë në lidhje me karakterin perandorak dhe “të korruptuar” të perëndimit. Në të vërtetë, në Lindjen e Mesme Ortodokse, Moska do të kishte pasur një ndikim të veçantë, madje dhe sot kur është qendra e fundit më e madhe e Ortodoksisë Lindore. Bota ortodokse ka mbetur si një arenë gjeopolitike kyçe e rivalitetit Lindje – Perëndim gjatë Luftës së Ftohtë. Samuel Huntington, pas këtyre  e përfshiu  botën e krishterë ortodokse në mesin e civilizimeve të ndryshme ku përfshihen kultura që përplasen me Perëndimin.

Sot, pushtimi amerikan i Irakut nuk do të ishte më shumë i mirëpritur nga irakianët nëse ata do të ishin kristianë. Shtetet e Bashkuara nuk e përmbysën regjimin e Sadam Huseinit, një lider nacionalist dhe shekullarist, për faktin se ai ishte mysliman.

Popujt e tjerë arabë do t’i kishin mbështetur irakianët arabë në traumën e tyre të pushtimit. Në asnjë vend të botës populli nuk do e mirëpriste pushtimin dhe vrasjen e qytetarëve të tij nga trupat e huaja. Në të vërtetë, grupe të ndryshme që kërcënohen nga forca të jashtme të këtij lloji, krijojnë ideologji të përshtatshme për të justifikuar dhe madhëruar luftën e tyre rezistente. Feja është një prej këtyre ideologjive.

Ky pra është një portret i supozuar i një “bote pa Islamin”. Një Lindje e Mesme e dominuar nga Krishterimi ortodoks lindor – një kishë historikisht dhe psikologjikisht  dyshuese dhe madje dhe armiqësore ndaj Perëndimit.

Ende e shkatërruar nga dallime të mëdha etnike dhe sektesh, ajo (Lindja e Mesme) ka një sens të fortë ndërgjegjeje historike dhe urrejtjeje kundra perëndimit. Ajo është pushtuar në mënyrë të vazhdueshme nga ushtritë perëndimore; burimet e saj janë të komanduara nga të tjerët; kufijtë janë ripërcaktuar sipas urdhrave të perëndimit në përputhje me interesat e ndryshme që perëndimi ka; dhe regjimet që janë vendosur janë nën urdhrat e diktateve perëndimore. Palestina do të vazhdojë të digjet. Irani do të vazhdojë të jetë i ndezur nga ndjenja e nacionalizmit. Ne do të vazhdojmë të shohim palestinezë që kundërshtojnë pushtimin çifut, çeçenë që u bëjnë rezistencë rusëve, iranianë që u bëjnë rezistencë amerikanëve dhe britanikëve, banorë të Kashmirit që i bëjnë rezistencë indianëve, tamilas që u bëjnë rezistencë Singalezëve në Sri Lanka dhe ujgurë e tibetianë që i bëjnë rezistencë kinezëve. Lindja e Mesme do të vazhdojë të ketë një model historik madhështor – Perandoria e madhe Bizantine që qëndron në këmbë pas 2.000 vjetësh – me të cilën identifikohet si një simbol fetar dhe kulturor. Ajo do të vazhdojë të mbajë gjallë në shumë aspekte një ndarje midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në tërësi kjo nuk është një panoramë paqeje dhe ngushëllimi.

Nën flamurin e profetit

Sigurisht që është absurde të argumentosh se Islami ka pasur pavarësi të ndikojë në Lindjen e Mesme apo në mardhëniet Lindje – Perëndim. Vërtet Islami ishte një forcë unifikuese që ndikoi shumë në viset e mëdha. Duke qenë se është një besim i plotë universal ai krijoi një qytetërim të gjerë që ka parime të përbashkëta në filozofi, art dhe shoqëri; që ndan një vizion të përbashkët rreth çështjeve morale të jetës, idetë rreth të drejtës ligjore, jurisprudencës, mirëqeverisjes etj – të gjitha këto në një kulturë me rrënjë të thella. Si forcë kulturore dhe morale, Islami ka ndihmuar kapërcimin e dallimeve etnike mes popujve të ndryshëm mysliman dhe i ka shtyrë ata ta ndjejnë veten si pjesë e një projekti të madh civilizues Islam. Vetëm ky aspekt i marrë në veçanti ka një peshë dhe rëndësi të madhe. Islami ka ndikuar gjithashtu edhe në gjeografinë politike. Nëse nuk do të kishte ekzistuar Islami, popujt myslimanë në jug dhe juglindje të Azisë së sotme, veçanërisht Pakistani, Bangladeshi, Malajzia dhe Indonezia do të ishin zhytur në botën hinduse.

Qytetërimi Islam ka ruajtur një ideal të përbashkët kundër plaçkitjeve të Perëndimit për të cilin ngrenë zërin të gjithë myslimanët. Pavarësisht se kjo thirrje nuk ja doli të çrrënjosë perandorinë perëndimore, vërtet ajo krijoi një kujtese kulturore fatesh të  përbashkëta, kujtesë e cila nuk u fshi. Evropianët kanë qenë të aftë të ndajnë dhe pushtojnë popujt në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine të cilët ranë një nga një në duart e fuqisë perëndimore. Ishte e vështirë për vendin që të ngrihej menjëherë qëndrueshmëria e popullsisë sepse mungonte një simbol qoftë kulturor ose racor për ti ngritur kundra pushtuesit.

Në një botë ku nuk ka ekzistuar Islami madhështia perëndimore do të gjente çdo çarje për të luftuar Lindjen e Mesme dhe Azinë sepse do i dominonte ato me shumë lehtësi. Nuk do të mbetej në një zonë kaq të madhe asnjë kujtim kulturor i përbashkët ndaj poshtërsive. Ky është shkaku kryesor përse Shtetet e Bashkuara e gjejnë veten tani përballë një vështirësie kaq të madhe në botën myslimane. Komunikimi ndërkombëtar global sot, së bashku me imazhet e satelitëve kanë krijuar një vetëndërgjegje të fortë në mesin e myslimanëve dhe një sens bllokade të imperializmit perëndimor kundra kulturës së përbashkët Islame. Ky bojkot nuk ka lidhje me modernizmin; ajo ka të bëjë me kërkesën e vazhdueshme të perëndimit për të dominuar hapësirat strategjike, burimet, resurset dhe madje dhe vetë kulturën e botës myslimane – nxitja për të krijuar një Lindje të Mesme “pro amerikane”. Fatkeqësisht, Shtetet e Bashkuara në mënyrë naive pranojnë se Islami është gjëja e vetme që i pengon ata për të arritur qëllimin e tyre.

Po sa i takon terrorizmit – çështjes më emergjente – të cilën perëndimi ia bashkëngjit në mënyrë direkte Islamit sot?

Në terma të trasha, lind pyetja se a do të kishte pasur 11 Shtator nëse nuk do të  ekzistonte Islami? Nëse gjendja e rëndë e krijuar në Lindjen e Mesme, e rrënjësor gjatë vitesh urrejtjeje politike dhe emocionale kundra politikave dhe veprimeve të ndërmarra nga Shtet e Bashkuara, të ishin mbledhur nën një flamur tjetër, gjërat do të ishin tërësisht ndryshe? Këtu, është përsëri e rëndësishme të kujtojmë faktin se sa lehtë mund të përfshihet feja edhe atëherë kur arsyet kanë lidhje me një padrejtësi që vazhdon prej kohësh. 11 Shtatori nuk ishte fillimi i historisë. Rrëmbimeve të Al-Kaedës Islami i ka shërbyer si një xham në diell i cili mbledh rrezet dhe i fokuson në një pikë. Në të njëjtën formë ndjenja të përbashkëta urrejtjeje ndaj pushtuesit të përhapura gjerësisht u mblodhën dhe u fokusuan në një rreze të fortë dhe ky ishte një moment qartësie veprimi kundra pushtuesit të huaj.

Në fokusin perëndimor terrorrizmi që i është mveshur fesë Islame ka kujtime të shkurtra. Guerrilasit cifut e përdorën terrorrizmin kundra britanikëve që ishin në Palestinë. “Tigrat” hindu tamilas nga Sri Lanka shpikën një art vetëvrasjesh dhe për më shumë se një dekadë e çuan botën në përdorimin e bombardimeve vetëvrasëse- duke përfshirë këtu dhe vrasjen e kryeministrit Indian Rajiv Gandhi. Terrorristët grek kryen operacione vrasëse kundra zyrtarëve amerikan në Athinë. Terrorizmi i organizuar Sikh vrau Indira Gandhin, përhapi shkatërrim në Indi, ngriti një bazë përtej detit në Kanada dhe po ashtu rrëzoi një aeroplan të “Air India” që fluturonte mbi Atlantik.

Terrorristët maqedonas kanë qenë të tillë që njerëzit në zonën e Ballkanit  në prag të Luftës së Parë Botërore u frikësoheshin gjerësisht. Një numër i madh vrasjesh në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shek. 20-të u kryen nga “anarkistët” evropianë dhe amerikanë që donin të përhapin frikë në masë. Ushtria republikane irlandeze organizoi një terrorizëm brutal kundra britanikëve për dekada me radhë, ashtu siç bënë dhe guerrilasit komunistë dhe terroristët në Vietnam kundra amerikanëve, malajanët komunistë kundra ushtarëve britanikë në vitet 1950, terroristët Mau Mau kundra ushtarakëve britanik në Kenja – lista është e gjatë. Por kjo nuk i ka shtyrë myslimanët të kryejnë akte terroriste në këtë periudhë. Madje dhe historia e kohëve të fundit e aktiviteteve terroriste nuk duket se është më e ndryshme. Sipas Europolit në Bashkimin Evropian kanë ndodhur 498 sulme terroriste. Nga këto 424 u kryen nga grupe separatiste, 55 nga ekstremistet e majte dhe 18 ishin sulme të kryera nga terroriste të tjerë. Vetëm në një sulm ishin përfshirë myslimanët. Për të qënë më të sigurt u ndërmorën një sërë përpjekjesh në një komunitet mysliman tejet të mbikëqyrur. Por këto shifra tregojnë për larminë e gjerë të ideologjisë që përkrah terrorrizmin potencial në botë.

Po ashtu, a është kaq e vështirë të imagjinohet se arabët – qoftë myslimanë ose kristianë – të shfaqnin një zemërim të tillë ndaj Izraelit, pushtimeve të vazhdueshme imperialiste, sulmeve dhe ndërhyrjeve duke ndërmarrë sulme guerrialse apo akte terroriste? Por pyetja me vend mbase do të ishte se pse nuk ndodhi kjo më herët? Përderisa një grup radikal artikulon urrejtje në epokën e globalizimit, pse duhet të ishte e papritur që ata ta transportojnë luftën e tyre në zemër të perëndimit?
Nëse Islami e urren modernizmin, pse priti deri më 11 Shtator për të lëshuar sulmin e tij? Përse mendimtarët myslimanë kyç të fillim shekullit flasin për nevojën e përqafimit të modernizmit duke ruajtur njëkohësisht kulturën Islame? Çështja e Osama bin Ladenit në fillimet e saj nuk kishte të bënte aspak me modernitetin – ai fliste për Palestinën, çizmen amerikane që kishte shkelur në tokën e Arabisë Saudite, udhëheqësit saudit që ishin nën urdhrat e Shteteve të Bashkuara dhe “Kryqëzatat” moderne.

Është befasuese se si duhej të prisnim deri në vitin 2001 për të parë shpërthimin e zemërimit të myslimanëve kundra vetë tokës amerikane, si një reagim ndaj ngjarjeve historike dhe ngjarjeve të fundit si rezultat i politikave amerikane. Nëse nuk do të ndodhte 11 Shtatori atëherë ngjarje të ngjashme ishin destinuar të ndodhnin.
Edhe nëse nuk do të kishte ekzistuar Islami si një mjet rezistence, marksizmi ka ekzistuar. Marksizmi është një ideologji që ka përhapur një numër të pafund lëvizjesh terroriste, guerrilase dhe lëvizje kombëtare për çlirim. Përmendim këtu disa nga lëvizjet që janë nxitur nga kjo ideologji në Perëndim si grupin Bask ETA, FARC-in në Kolumbi, RRUGËN E NDRITUR në Peru dhe Brigadat e Kuqe në Evropë. Xhorxh Habash, themeluesi i Frontit Popullor për çlirimin e Palestinës ishte një ortodoks grek kristian dhe marksist i cili kishte studiuar në Universitetin Amerikan të Beirutit. Palestinezët e krishterë në një zonë ku nacionalizmi i egër arab u ndërthur me marksizmin e dhunshëm, mbështetën Habashin.

 Popujt që i rezistojnë pushtuesit kërkojnë një flamur për të propaganduar dhe madhëruar çështjen e luftës së tyre. Një pikë referimi shumë e mirë për këtë çështje është lufta ndërkombëtare e klasave për drejtësi. Nacionalizmi është akoma dhe më i mirë për tu marrë si shembull. Por ama feja është shembulli më i mirë pasi i bën thirrje forcave më të mëdha  për ta ndjekur çështjen  e saj. Po ashtu, feja kudo mund të shërbejë për të përkrahur etninë dhe nacionalizmin, e veçanërisht kur armiku është i një feje tjetër. Në raste të tilla feja resht së qënuri një burim kryesor i përplasjes dhe konfrontimeve dhe kthehet në një mjet të tyre. Flamuri i momentit mund të flaket tutje por urrejtja mbetet.

Ne jetojmë në një epokë ku terrorizmi shpesh përdoret si mjet nga të dobëtit. Terrorizmi tashmë prish sulmet e pa precedent të ushtrive amerikane në Irak, Afganistan dhe gjetkë. Kështu, Bin Ladeni në shumë shoqëri jo myslimane është etiketuar si “Ce Guevara i ardhshëm”. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një apel i rezistencës së suksesshme kundra fuqisë amerikane, pala e dobët që kundërpërgjigjet me një apel që shkon përtej Islamit dhe kulturës së Lindjes së Mesme.

E njëjta panoramë

Por pyetja mbetet se nëse nuk do të ekzistonte Islami a do të kishte bota më shumë paqe? Përballë këtyre tensioneve midis Lindjes dhe Perëndimit, Islami pa dyshim shton dhe një element më shumë nga ana emotive, një shtresë më shumë që i shtohet ndërlikimeve për të shkuar drejt zgjidhjeve.

Islami nuk është shkak i problemeve të tilla. Duket e ndërlikuar të gjesh pasazhe nga Kurani që tregojnë se “përse na urrejnë ata ne”. Por kjo në mënyrë të verbër largohet nga  natyra e vërtetë  e fenomenit. Sa e lehtë është që të identifikohet Islami si burimi i “problemit”; padyshim që duhet të jetë shumë më e lehtë se të zbulohet impakti i gjurmëve masive globale të superfuqisë së vetme botërore.

Në një botë në të cilën nuk do të ekzistonte Islami do të përballej gjithsesi me rivalitete të përgjakshme luftërash dhe shkatërrimet e të cilëve dominojnë panoramën gjeopolitike. Nëse nuk do të ekzistonte feja, të gjithë këto grupe do të kishin gjetur flamuj të tjerë nën të cilët të shprehnin nacionalizmin dhe kërkesën për pavarësi. Padyshim që udha e historisë nuk do të ishte saktësisht kjo që ne njohim sot, por përfundimisht konflikti midis Lindje dhe Perëndimit mbetet një nga çështjet më të mëdha historike dhe politike të historisë së njerëzimit: përleshen etnitë, ndjenjat e nacionalizmit, ambiciet, lakmia, liderët lokalë, synohen resurset, terreni, përfitimet financiare, pushteti, ndikojnë ndërhyrjet dhe ndjenja e urrejtjes ndaj të huajve, pushtuesve dhe imperialistëve. Duke u përballur me çështje të pafund si këto, si  mund të mos bëhet pjesë dhe pushteti i çështjes së fesë?

Po ashtu duhet mbajtur mend dhe fakti që në të vërtetë çdo parim që ka të bëjë me horrorrin e shek. XX ka ardhur pothuajse vetëm nga regjimet e rrepta sekulariste si regjimi i: Leopold II të Belgjikës në Kongo, Hitlerit, Musolinit, Leninit dhe Stalinit, Maos dhe Pol Potit. Në pjesën tjetër të botës ishin evropianët që u bënë pjesë e “luftërave botërore” dy herë – dy luftëra globale shkatërruese që nuk kanë asnjë rast paralel në historinë e Islamit.

Disa njerëz sot mund të shprehin dëshirën e një “bote pa Islamin” në të cilën me sa duket problemet nuk do të shfaqeshin kurrë. Por në të vërtetë, konfliktet, rivalitetet dhe krizat e një bote të tillë nuk do të ishin shumë ndryshe nga ato që ne njohim sot.

Autor:  Graham E. Fuller

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.