Në kohën e imam Malikut ka pasë jetuar një njeri i quajtur El Umerij, i njohur për devotshëmrinë dhe asketezmin e tij. Për shkak të kësaj, ai e kishte zakon që të kritikonte – ashpër – dijetarët që kanë pasë jetuar në kohën e tij. Tregohet se ai i kritikoi ashpër dijetarë si Ibn Ebu Dhi’bin, Sufjan ibn Ujejnen dhe imam Malikun. Ai i shkroi atyre një letër ku i kritikonte ashpër. Në letrën që ai u dërgoi atyre shkruhej: “Ju jeni dijetarë që prireni për t’u dhënë pas Dynjasë, vishni rroba të buta dhe keni hequr dorë nga asketizmi.”
Përgjigja që Ibn Dhi’bi i dha El Umerij-ut ishte më e ashpër, kurse imam Maliku kur mori vesh se El Umerij kishte shkuar në shkretëtirë, i shkroi: “Ti ke dalë jashtë qytetit. Por sikur të qëndroje pranë xhamisë së të Dërguarit i Allahut (a.s)?!” Mirëpo reagimi i El Umerij-ut ishte shumë i ashpër, i cili i shkruajti: “Nuk më pëlqen të jem komshi me dikënd si puna jote. Allahu nuk të ka parë kurrë me fytyrë të ndryshuar për shkak të përkushtimit ndaj Tij, qoftë edhe për një çast.” A thua vallë a e meritonte imam Maliku një trajtim të tillë?!
Sufjan ibn Ujejne tregon: Njëherë hyra tek El Umerij-u dhe ai më tha: “Më pëlqen se kushdo tjetër që ti të vish tek unë, por ke një të metë.” “Çfarë të mete – pyeta unë?” Ai tha: “E do shumë hadithin, por dija nuk është ushqim për vdekjen.”
Në një rast tjetër tregohet se El Umerij i shkruan imam Malikut: “Ti duhet të bëhesh asket dhe lëre përhapjen e dijes!” Me këtë rast, imam Maliku u përgjigj: “Allahu i Madhëruar e ka ndarë punën mes njerëzve ashtu siç e ka ndarë riskun. Disa njerëzve u është hapur rruga për të falë sa më shumë namaz (vullnetar), por jo që të agjërojnë; disa të tjerëve u është hapur rruga për të bërë sa më shumë bamirësi, por jo që të agjërojnë; disa të tjerëve u është hapur rruga për të marrë pjesë në xhihad, por jo për të falur sa më shumë namaz. Përhapja dhe mësimdhënia e dijes është një nga veprat më të mira të mirësisë, dhe unë jam i kënaqur me atë që Allahu më ka mundësuar në këtë fushë. Nuk mendoj se ajo që unë bëj është më pak e vlefshme se ajo që ti bën, dhe shpresoj që të dy të jemi në të mirë. Çdokush duhet të jetë i kënaqur me atë që i është ndarë. Paqja qoftë mbi ty.”
Me këtë përgjigje madhështore, imam Maliku sqaroi se Allahu i ka ndarë veprat e mira mes njerëzve, ashtu siç ka ndarë riskun. Ai vuri theksin tek fakti se përhapja dhe mësimdhënia e dijes është një nga veprat më të mira dhe se çdo njeri duhet të kënaqet me atë që i është dhënë.Top of FormBottom of Form
Përktheu: Elton Harxhi
 
				 
															


















