Kur përmendet historia islame, dalin në pah figura të mëdha sundimtarësh të cilët janë mishërim i drejtësisë, devotshmërisë dhe aftësisë për të udhëhequr Umetin në kohët më të vështira. Teksa shumica e sulltanëve, pas halifëve të drejtë shihen si ata persona që rendën pas pushtetit dhe luksit, Nuredin Mahmud Zinki mbetet një shembull i jashtëzakonshëm përkushtimit dhe thjeshtësisë, duke pasqyruar shpirtin e udhëheqjes islame ideale, e cila i afrohet shumë modelit të halifëve të drejtë.
Nuredin Mahmudi: Lindja dhe rrënosja e parimeve të larta
Nuredin Mahmud Zinki lindi në vitin 511 hixhri (1118) në Halep. Ai ishte i biri i Imadudin Zinkit, themeluesit të shtetit Zinkij, udhëheqësit të xhihadit kundër kryqtarëve. Nuredini u rrit nën kujdesin e babait të tij, me frymën e xhihadit dhe përgjegjësisë. Që në fëmijëri, ai mësoi parimet e drejtësisë dhe bamirësisë, duke u bërë një figurë që mishëronte vlerat islame në udhëheqjen dhe jetën e tij të përditshme.
Përkushtimi fetar dhe thjeshtësia e Nuredinit
Përkushtimi ndaj fesë dhe thjeshtësia ishin tipare kryesore në personalitetin e Nuredin Mahmudit. Atë nuk e tundonin shkëlqimi i pushtetit apo luksi i kësaj bote. Ai jetonte në një pallat modest, pa madhështi të tepruar, dhe vishte rroba të zakonshme që nuk e dallonin nga populli i tij, aq sa ndonjëherë disa njerëz kujtonin se ai ishte një njeri i thjeshtë. Edhe pse ishte sulltan, ai një pjesë të kohës së tij ia kushtonte namazit, leximit të Kuranit dhe meditimit mbi çështjet e fesë dhe botës.
Drejtësia e Nuredinit: Modeli i halifes së drejtë
Nuredini dallohej për drejtësinë e tij absolute, pasi e shihte qeverisjen si një përgjegjësi të madhe para Allahut, dhe jo thjesht si një pushtet tokësor. Ai kujdesej vetë për gjendjen e popullit të tij, duke u përpjekur pandërprerë për të siguruar drejtësi dhe për të larguar padrejtësinë. Ka plot histori e ngjarje të cilat dëshmojnë rreth drejtësisë së tij, ndër to edhe qëndrimi i tij në mbështetje të të shtypurve, madje edhe kur i padrejti ishte dikush nga të afërmit e tij. Kjo bëri që njerëzit të kishin besim tek ai dhe ta donin me sinqeritet.
Për shembull, thuhet se ai refuzoi me vendosmëri të pranonte para me burim të dyshimtë të cilat ishin destinuar për arkën e shtetit, duke vënë theksin në atë se fitorja nuk vjen veçse me pasuri të pastër dhe vepra të mira. Ai ngriti gjykata që vepronin sipas sheriatit islam pa favorizime dhe vendosi mbikqyrje mbi guvernatorët për të siguruar respektimin e ligjit nga ana e tyre.
Ibn Ethiri ka thënë: “Kam studiuar historitë e mbretërve të mëparshëm, para dhe pas Islamit, deri në kohën tonë, dhe nuk kam parë, pas halifëve të drejtë dhe Omer bin Abdulazizit, një sundimtar me sjellje më të mirë se mbreti i drejtë Nuredini, as dikë më të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe ndershmërisë se ai.
Ai e kalonte ditën dhe natën e tij duke përhapur drejtësinë, duke u përgatitur për xhihad, duke larguar padrejtësitë, duke kryer adhurime, duke bërë mirësi dhe duke dhënë ndihma. Nuredni ( r.h) nuk i kushtoi rëndësi madhështisë së pushtetit dhe nuk merrte rrogë nga thesari i myslimanëve, por ushqehej dhe vishej, ai dhe familja e tij, vetëm nga pasuria e tij personale. Ai nuk kishte një shtëpi për të jetuar, por qëndronte në një dhomë brenda një kalaje që e kishte blerë me paratë e veta, ku vendosej sa herë që kthehej nga xhihadi.”
Devotshmëria dhe përkushtimi i tij
Nuredini tregoi një nivel të lartë devotshmërie dhe përkushtimi ndaj fesë, duke e afruar shumë me modelin e halifëve të drejtë. Ai agjëronte dhe falej shpesh dhe nuk pranonte të merrte pjesë në shpenzime të tepërta, madje as në raste festash dhe gëzimesh.
Përpjekjet e tij për ndërtimin e xhamive, medreseve dhe spitaleve pasqyronin një shpirt të thellë besimi, që nuk kufizohej vetëm në formën e jashtme të fesë, por shndërrohej në vepra konkrete për mirëqenien e shoqërisë. Ai ishte njeriu i cili urdhëroi ndërtimin e minberit të Xhamisë Aksa, të cilin më vonë e solli Salahudin Ejubi pas çlirimit të Jerusalemit.
Në këtë kontekst, në librin “Er-Raudatejn fi Ahbari’d-Devletejn en-Nurijje ue’s-Salahijje” të historianit Ebu Shameh thuhet: “Kur ushtria e Nuredinit u përball në Harim me kryqtarët, të cilët ishin më të shumtë në numër dhe në pajime, ai u largua vetëm nën kodrën e Harimit, u përul në sexhde para Zotit, e fërkoi fytyrën në tokë dhe u lut me përulësi duke thënë: (O Zot, këta janë robërit e Tu dhe janë të dashurit e Tu, ndërsa këta të tjerët janë gjithashtu robërit e Tu, por janë armiqtë e Tu. Ndihmoji të dashurit e Tu kundër armiqve të Tu. Çfarë rëndësie ka Mahmudi në këtë mes?).
Ebu Shameh shpjegon: “Përmes kësaj lutje Nuredini nënkupton se, o Zot, nëse i ndihmon myslimanët, atëherë është feja Jote që triumfon, prandaj mos i privo ata nga fitorja për shkak të Mahmudit, nëse ai nuk është i denjë për fitoren.”
Nuredini dhe shteti i islamit
Fakti që Nuredini ishte i përkushtuar në adhurim dhe i thjeshtë nuk nënkuptonte se ai ishte i dobët në administrimin dhe qeverisjen e shtetit. Përkundrazi, ai themeloi një shtet të fortë, të bazuar në një sistem të rregullt administrativ dhe ushtarak, duke e bërë të aftë të udhëhiqte xhihadin kundër kryqtarëve. Ndër arritjet e tij më të shquara ishte bashkimi i myslimanëve në Sham dhe Irak, si dhe fitoret e mëdha kundër ushtrive kryqtare, të cilat hapën rrugën për çlirimin e Kudsit nga Salahudin Ejubi.
Çfarë duhet të mësojmë neve sot nga jeta e Nuredinit?
Në kohën e sotme, ku shpesh është krijuar ideja se jeta e lidershipit është e lidhur me luksin dhe pushtetin absolut, jeta e Nuredin Mahmudit na jep një mësim të madh mbi mënyrën se si mund të jetojmë duke qenë të drejtë, të përkushtuar dhe të pushtetshëm. Ai është një shembull që na kujton se udhëheqja e vërtetë islame nuk është thjesht një pushtet tokësor, por një amanet dhe përgjegjësi që synon të vendosë drejtësinë dhe të përmirësojë shoqërinë.
Nuredin Mahmud Zinki, njeriu që jetoi si sulltan, por që u soll si një adhurues i devotshëm, mbetet një model i veçantë në historinë islame. Drejtësia, thjeshtësia dhe devotshmëria e tij nuk ishin vetëm cilësi personale, por edhe shtylla mbi të cilat u bazua qeverisja e tij, duke e afruar atë me halifët e drejtë në sjelljet dhe veprat e tij.
Nuredini ishte mishërimi i parimeve të larta islame dhe dëshmoi se drejtësia dhe përkushtimi mund të jenë themelet e një qeverisjeje të suksesshme, edhe në kohët më të vështira.
Burimi: aljazeera.net
Përktheu: Elton Harxhi