Të flasësh për xhaminë Aksa dhe për qytetin e Kudsit, është një privilegj dhe kënaqësi e madhe. Si xhamia Aksa ashtu dhe Kudsi (Jeruzalemi) duhet të përjetësohen në memorien e çdo myslimani, ato duhet të bëhen objekt bisedash mes prindërve dhe fëmijëve. Kudsi dhe xhamia Aksa janë vende të shenjta për çdo mysliman. Në kohën e Omerit u morën shumë territore, Persia, Iraku, vendet e Shamit etj… megjithatë, ai nuk pati udhëtuar për të marrë në dorë çelësat e ndonjërit prej këtyre vendeve. Kudsi (Jeruzalemi) ishte vendi dhe qyteti i vetëm, ku Omeri vajti personalisht për të marrë çelësat e qytetit në dorëzim. Me të drejtë lind pyetja:”Përse e bëri këtë Omeri?”
Për një lëvizje kaq të madhe, Omeri kujtoi udhëtimin e profetit Muhamed a.s në Isra dhe Miraxh. Meqë banorët e tokës ishin sjellë mjaft keq me Profetin a.s, Zoti e ngushëlloi me një udhëtim nga Meka në xhaminë Aksa dhe mandej në shtatë kate qiell. Destinacioni përfundimtar i udhëtimit, ishte qielli, por Zoti deshi që më parë të kalojë nga qyteti Kuds dhe xhamia Aksa. Ndoshta, po të pyetej ndonjëri prej nesh, do të donte që udhëtimi i Profetit a.s drejt qiellit, të bëhej nga Qabeja, nga Meka. Por jo, Zoti deshi diçka tjetër. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë kthimit, ku Profeti a.s fillimisht zbriti në xhaminë Aksa, pastaj u nis për në Mekë.
Me të shkelur këmbën në xhaminë Aksa, profeti Muhamed a.s përballet me një surprizë të këndshme. Aty ishin mbledhur si asnjëherë më parë, të gjithë profetët dhe të dërguarit e Zotit. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë më parë takim dhe mbledhje më madhështore se kjo. Pasi ishin rreshtuar të gjithë, Xhibrili i thotë profetit Muhamed a.s:”O Muhamed! Parapriju si imam të gjithë profetëve të tjerë!” Kështu, imami i të gjithë profetëve, gjatë dy rekateve ishte vetë profeti Muhamed a.s. Në ato rreshta ishte profeti Daud a.s, profeti Sulejman a.s, profeti Musa a.s, profeti Isa a.s, profeti Adem a.s, profeti Ibrahim a.s…
Në një hadith lidhur me dispozitat e vizitës, profeti Muhamed a.s thotë:”Askush mos të bëhet imam në shtëpinë e dikujt tjetër.” Si imam duhet të falet i zoti i shtëpisë, përveç nëse ai vetë i kërkon mikut të falet si imam.
Meqë profeti Muhamed a.s u fal si imam në xhaminë Aksa, i bie që ai është i zoti i shtëpisë atje, pra xhamia Aksa dhe Kudsi (Jeruzalemi), janë të myslimanëve. Kjo do të thoshte që të gjithë profetët, edhe Daudi, Sulejmani, Isai a.s që kishin jetuar në Kuds, por dhe të tjerë, i dorëzuan profetit tonë Muhamed a.s, çelësat e liderit të njerëzimit dhe kjo pikërisht në xhaminë Aksa.
A e kuptoni tani përse hazreti Omeri u nis nga Medina për në Kuds për ta marrë në dorëzim këtë qytet të shenjtë vetë personalisht?
Para se të niset, ai i kishte urdhëruar të gjithë komandantët e ushtrive myslimane të shpërndara lart e poshtë, që të mblidheshin në xhaminë Aksa.
Islami, madhështia e myslimanëve
Omeri Zoti qoftë i kënaqur me të, bashkë me shumë njerëz të tjerë, niset drejt Kudsit, qytetit të shenjtë. Gjatë rrugës, herë hipte ai në deve dhe herë shërbëtori i tij. Omeri i pati thënë shërbëtorit të tij:”Nëse hipi vetëm unë në deve dhe të lë ty të ecësh në këmbë, do të bëja padrejtësi. Nëse do të hipje ti e të më lije në këmbë, do të më bëje padrejtësi. Nëse do të hipnim të dy, do i bënin padrejtësi devesë. Prandaj, le të hipim me radhë.”
Kur u afruan shumë afër qytetit të shenjtë Kuds, radha për të hipur në deve ishte e shërbëtorit, i cili i tha:”Jo o Prijës i Besimtarëve. Unë do të eci në këmbë, kurse ti do të hipësh në deve.” Omeri ia ktheu:”Jo pasha Zotin. Është radha jote të hipësh, kurse unë do e mbaj devenë për litari.”
Pranë Kudsit, Omeri vëren se toka ishte e njomë dhe me gropa uji, prandaj dhe përvesh këmbët. Kur e pa Ebu Ubejde ibnul Xherrah, i tha:”Jo o Prijës i Besimtarëve! Çfarë përshtypje do të lëmë kur të të shohin njerëzit kështu?”
Omeri ia ktheu:”Mos pash Zotin o Ebu Ubejde! Ta kishte thënë dikush tjetër, nuk do ia merrja seriozisht.” Mandej thotë fjalën e tij e cila u përjetësua:”Ne jemi një popull të cilin Zoti e fisnikëroi nëpërmjet islamit. Nëse do e kërkojmë fisnikërinë tek diçka tjetër përveç islamit, do të na poshtërojë Zoti.”
Madhështia jonë si myslimanë, qëndron tek respektimi i vlerave islame. Kurdo që të heqim dorë prej tyre, kemi poshtëruar veten.
Kur banorët e Kudsit e panë Omerin, priftërinjtë dhe murgjërit e krishterë të cilët i njihnin mirë shkrimet e vjetra, thanë:”Po, ai është. Shtat i lartë dhe rroba të grisura.”
Omeri në Kuds
Kudsi, Jeruzalemi, është termometri i besimit dhe sigurisë në tokë. Nëse Kudsi është i stabilizuar dhe i qetë, e gjithë bota është e tillë. E nëse është i trazuar, e gjithë bota përfshihet nga trazirat.
Omeri u prit nga të gjithë banorët e Kudsit me nderime. Ata kishin dalë ta shohin Omer ibnul Hattabin, kalifin e drejtë.
Patriarku i Kudsit, kur pa Omerin që po bëhej gati për tu falur, u afrua dhe i propozoi të falej në kishën e Ringjalljes. Por Omeri iu përgjigj me fjalë që u përjetësuan në histori:”Jo pasha Zotin, nuk falem në kishë, sepse kam frikë se myslimanët që do të vijnë pas meje, do të thonë:”Këtu është falur Omer ibnul Hattabi!” dhe do e prishin kishën për të ndërtuar xhami.”
Këto fjalë e prekën patriarkun, të cilit i rrodhën lot. Vallë çfarë lotësh ishin ato? Lot që qanin civilizimin e tyre të humbur? Lot për drejtësinë dhe madhështinë e kalifit Omer? Lot që Kudsin po ia dorëzonin një burri të drejtë, siç ishte parashikuar në librat e tyre?
Qau patriarku i krishterë dhe ai që e ngushëlloi dhe qetësoi ishte po Omeri, i cili më pas e pyeti:”Ku është xhamia Aksa?”
Ata u ngjitën në një kodër aty pranë dhe ia treguan me gisht xhaminë Aksa. Me ta parë me sy, Omeri thirri:”Zoti është më i madhi!” Që atëherë, kodra mori emrin:”Kodra e atij që bëri tekbir”.
Gjatë rrugës për në xhaminë Aksa, Omeri filloi të recitojë vargje Kurani. Me të mbërritur, ra në sexhde si falënderim për Zotin, pastaj u ngrit dhe pyeti:”Ku është Bilali?” Kur erdhi Bilali, i tha:”Thirr ezanin o Bilal!” Por Bilali ia ktheu:”O Prijës i Besimtarëve! Jam betuar se nuk do të thërras ezan pas vdekjes së profetit Muhamed a.s.” Kurse Omeri ia ktheu:”O Bilal! Thirre ezanin se kjo është një ditë që e lumturon të dërguarin e Zotit a.s.”
Bilali filloi të thërrasë ezanin dhe me të mbërritur tek fjalët:”Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit” filloi të qajë me lot, e bashkë me Bilalin, të gjithë njerëzit përreth. Ata qanin ngaqë kujtuan të dërguarin e Zotit, profetin Muhamed a.s dhe udhëtimin e tij në tokën e shenjtë.
Qaj edhe ti o vëlla dhe oj motër! Qaj se nuk kemi ndërtuar civilizimin tonë! Qaj se xhamia Aksa akoma është e pushtuar! Qaj për civilizimin islam! Omeri nuk e mori Kudsin dhe territoret e tjera me ushtri, por me civilizim. Ata që e pritën Omerin në qytetin e Kudsit, ishin vetë banorët dhe kreu i kishës. Ushtarët e bizantit kishin marrë arratinë, përballë civilizimit të myslimanëve. Nuk ishte ushtri që kishte triumfuar përballë një ushtrie, por një civilizim përballë një civilizimi tjetër.
Prijësi i Besimtarëve, kalifi Omer ibnul Hattab, bashkë me myslimanët e tjerë, u falën në të njëjtin vend ku ishte falur profeti Muhamed a.s me profetët e tjerë.
Traktati historik
Para se të largohej, Omeri nënshkroi me banorët e Kudsit (Jeruzalemit) një traktat dhe marrëveshje historike. Kushdo që viziton muzetë e Parisit, Londrës, Nju Jorkut etj… do e gjejë këtë traktat të varur dhe të ekspozuar. Ai gjendet dhe studiohet në të gjitha institucionet që interesohet për të drejtat e njeriut, bashkëjetesën dhe demokracinë. Mua më është dhënë rasti që këtë traktat ta shoh edhe në universitetet më të shquara të botës.
Traktati i Omerit, është marrëveshje e nënshkruar mes Omerit dhe banorëve të Kudsit në veçanti dhe të Shamit në përgjithësi.
Ka disa traktate dhe marrëveshje, të cilat nuk kalojnë dhjetë apo njëzet vite dhe harrohen. Por ka të tjera të cilat përjetësohen, për shkak të përmbajtjes humane dhe civilizuese. Kushdo që nuk e ka të qartë çfarë përmban një traktat human dhe civilizues, le të lexojë traktatin e Omerit me banorët e Kudsit. Ai është dhurata më e mirë që mund tu bëhet organizatave të drejtave të njeriut, demokracisë dhe traktatit të OKB-së.
Traktati i Omerit me banorët e Kudsit, u nënshkrua në vitin e pesëmbëdhjetë hixhri. Të drejtat e përmendura në traktat, Omeri ua njihte atyre që kishin humbur betejën me të, atyre që ishin dorëzuar.
Teksti i traktatit të Omerit
Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirplotit
Kjo është marrëveshje me të cilën robi i Zotit, Omer ibnul Hattab, Prijës i Besimtarëve u garanton banorëve të Kudsit, të cilëve u garanton jetën, pasuritë, kishat, kryqet, si dhe gjithçka tjetër fetare të tyre. Ai u garanton që kishat e tyre nuk do të përdoren si banesa nga myslimanët, as nuk do të prishen dhe as nuk do të cenohen sado pak. Nuk do u cenohen as kryqet dhe asgjë nga pasuritë e kishave. Ata nuk do të detyrohen të braktisin fenë e tyre dhe as nuk do të dëmtohen.”
Me anë të kësaj marrëveshjeje, banorët e Kudsit do të jetonin si njerëz të lirë dhe jo si skllevër. Tani është e qartë përse i rrodhën lot patriarkut të Kudsit. Omeri ofroi një model bashkëjetese të paprecedent. Kushdo tjetër që ka hyrë në qytetin e shenjtë me ushtri, ka vrarë e ka prerë, siç ndodhi me mongolët dhe me kryqëzatat, të cilët nuk mëshiruan askënd.
Në këtë traktat, Omeri u garantoi banorëve të Palestinës të gjitha të drejtat e tyre, të jetës, pasurisë, besimit fetar etj… Kjo, edhe pse ata e kishin humbur betejën me myslimanët dhe qenë dorëzuar. Omeri nuk ua konfiskoi pronat dhe pasuritë, për t’ua shpërndarë ushtarëve si plaçkë lufte.
“Në Kuds, nuk lejohet të banojnë çifutët” ishte një nga nenet e traktatit të Omerit, pasi çifutët kishin bërë disa tentativa për ta shtënë qytetin nën kontrollin e tyre. Kjo ishte kërkesa e vetë të krishterëve të Kudsit (asokohe njihej me emrin Ilija).
Lidhur me detyrimet e banorëve të Kudsit, që ceken në traktat mund të citojmë:
“Banorët e Ilijas janë të detyruar të paguajnë taksën e xhizjes, njëlloj siç paguajnë qytetet e tjera. Ata janë të detyruar t’i nxjerrin nga qyteti bizantët dhe hajdutët. Nëse në qytet ka akoma bizantë, ata kanë garancinë tonë që të largohen të sigurtë bashkë me pasuritë e tyre, derisa të mbërrijnë në destinacionin e tyre. Kushdo që dëshiron të jetojë në Kuds nga bizantët, do të ketë besën tonë dhe të njëjtat të drejta dhe detyrime si banorët e tjerë. Nëse ka banorë të Kudsit që duan të largohen bashkë me pasuritë e tyre drejt Bizantit, e kanë këtë të drejtë, do u garantohet jeta, pasuritë dhe kryqet e tyre.
Gjithçka e shkruar në këtë traktat, është në besën e Allahut, të dërguarit të Tij, të kalifëve dhe të gjithë besimtarëve.
Dëshmitarët e këtij traktati
Halid ibnul Velid
Abdurrahman ibnu Auf
Amru Ibnul As
Muavije ibnu Ebi Sufjan
Kjo ishte marrëveshje historike mes Omerit dhe banorëve të Ilias, Kudsit. Vetëm një civilizim madhështor si ai islam, një civilizim human si ai që ndërtoi Omeri, mund të nënshkruajë marrëveshje të tilla.
Vallë kush është sjellë me myslimanët me të njëjtën mënyrë? Kush ua ka kthyer me të njëjtën monedhë? Kudsi (Jeruzalemi) është dëshmitar, se ky traktat i firmosur nga hazreti Omeri është respektuar gjer në ditët e sotme. Myslimanët janë humanistë dhe parimorë, ata besojnë tek vlera e tolerancës dhe bashkëjetesës. Vallë kur do i rikthehen myslimanët civilizimit të tyre sërish?
Omeri e mori postin e kalifit në moshën 52 vjeçare dhe në moshën 59 vjeçare mori në dorëzim qytetin e shenjtë të Kudsit. Vetëm për shtatë vite ai shënoi gjithë këto arritje madhështore. Po ti o vëlla dhe oj motër, çfarë keni bërë për islamin dhe për vendin tuaj? Çfarë keni bërë për ndërtimin e civilizimit islam? Çfarë do i thuash Zotit, kur të të pyesë se çfarë ke bërë për islamin? Mos do i thuash se je falur dhe ke agjëruar? Këto i ke bërë për veten tënde. Ato janë ushqime shpirtërore që ti të kontribuosh për islamin dhe njerëzimin. Sot është dita dhe koha e kontributit. Me çfarë po merresh ti o vëlla dhe oj motër?
Në këto kohë, njerëzit ndahen në tre kategori: Njerëz që i ndjekin ngjarjet, njerëz që i prodhojnë ngjarjet dhe njerëz që marrin pjesë në këto ngjarje. Ti vëlla dhe motër, cilës kategori i përkisni?
Xhamia Aksa hyri nën pushtetin e myslimanëve, jo falë një ushtrie që triumfoi ndaj një ushtrie tjetër, por falë një civilizimi që triumfoi ndaj një civilizimi tjetër.
Autor: Amer Halid
Përktheu: Elmaz Fida