Me emrin e Allahut, Falënderimi i takon Allahut dhe paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (a.s)
Vëllezër të nderuar!
Një pyetje që të bën të mendosh thellë dhe një qortim hyjnor i rëndë:
“O ju që keni besuar! Çfarë keni që, kur ju thuhet: Dilni në rrugë të Allahut, rëndoheni në vend? A jeni kënaqur me jetën e kësaj bote në vend të botës tjetër? Por kënaqësia e jetës së kësaj bote, krahasuar me botën tjetër, është veçse e pakët.”[1]
Kush prej jush nuk shpreson të lirohet nga prangat e tij dhe të shpëtojë veten e vet?
Kush prej jush është pa mëkate?
Kush prej jush nuk ka nevojë për pendim?
Kush prej jush nuk druhet nga mëkatet, që po të dilte para Allahut me to e të mos i faleshin, cili do të ishte përfundimi i tij?
Ju keni nevojë për doza më të mëdha gjallërimi, për energji shtytëse të vazhdueshme. Dhe energjia më e madhe shtytëse e ripërtëritshme është: falënderimi (mirënjohja).
Po, sepse:
“Nëse falënderoni, Unë do t’jua shtoj (mirësitë).”[2]
Dhe po ashtu:
“Ne e udhëzuam atë në rrugë, ose do të jetë falënderues, ose mohues.”[3]
Në rrugën e Allahut, ai që ecën drejt e vazhdimisht e ruan falënderimin ndaj Allahut; ndërsa ai që ecën i përmbysur mbi fytyrë është mohues i mirësive të Allahut.
Le ta meditojmë këtë kuptim të bukur. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është që e bëri natën dhe ditën që të pasojnë njëra-tjetrën, për atë që dëshiron të marrë mësim ose dëshiron të jetë mirënjohës. Dhe robërit e Mëshiruesit janë ata që ecin mbi tokë me përulësi, dhe kur të paditurit u drejtohen, ata thonë: ‘Paqe!’”[4]
Allahu, në ndërrimin e natës dhe ditës, ka vendosur një shenjë për këdo që reflekton: asgjë nuk është e përhershme dhe qëndrueshmëria e gjendjes është e pamundur. Jeta jote do të kalojë mes ndryshimesh: kohë si nata me errësirën e saj dhe kohë si dita me ndriçimin e saj. Merr mësim dhe falëndero Zotin tënd për mirësitë e shumta që të ka dhënë.
Dijetarët e tefsirit e kanë konsideruar këtë ajet si bazë për të plotësuar atë që humbet: nëse të ka shpëtuar adhurimi i natës, plotësoje ditën; dhe anasjelltas. Por mos e vono më shumë, sepse rasti mund të mos përsëritet. Prandaj, nxito ta plotësosh atë që të ka kaluar.
Nëse merr mësim nga ajo që ndodh përreth teje, nga vdekja e papritur që tashmë po i merr edhe të rinjtë para të moshuarve, atëherë kjo është:
“për atë që dëshiron të marrë mësim” dhe falëndero Zotin tënd për shëndetin: “ose për atë që dëshiron të jetë mirënjohës.”
Shiko gjendjen e atij që është larg Zotit të tij: ai është si në errësirën e natës, prandaj merr mësim.
Dhe shiko durimin (afatdhënien) që Allahu po të jep ty, prandaj falëndero.
Pyete veten: ku je ti në raport me Zotin tënd? A është gjendja jote me Allahun si ajo e dikujt që jeton në errësirën e natës dhe përkujtohet? Apo si ajo e dikujt që jeton në dritën e ditës dhe falënderon?
Shikoje atë që lëviz mes falënderimit dhe përkujtimit, se si Allahu e ka veçuar dhe e ka bërë prej: “robërve të Mëshiruesit.”
Detyrë praktike:
Ta shtosh falënderimin ndaj Allahut të Lartësuar. Falënderimi e mbush peshoren e veprave, prandaj bëje peshoren tënde të rëndë.
Falendero të paktën 100 herë në ditë, sepse Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kush thotë ‘Elhamdulilah’ njëqind herë para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, është më i mirë se ai që jep njëqind kuaj të ngarkuar në rrugën e Allahut.”[5]
Po ashtu, transmetohet nga Mus‘ab ibn Sa‘di, nga babai i tij (r.a), se një beduin i tha Pejgamberit (a.s): “Më mëso një lutje, që Allahu të më bëjë dobi me të.” Ai (a.s) tha: “O Allah, Ty të takon i gjithë falënderimi dhe tek Ti kthehet e gjithë çështja.”[6]
Kush do të shkruhet sot mes elitës së krijesave të Allahut? Kush do të arrijë të jetë prej atyre për të cilët thuhet: “E pakët janë robërit e Mi mirënjohës.”[7]
Autor: Hani Hilmi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Teube: 38.
[2] – Sure Ibrahim: 7.
[3] – Sure Insan: 3.
[4] – Sure Furkan: 62.
[5] – Nesaiu. Hadithi është Hasen.
[6] – Bejhakiu. Hadithi është Hasen.
[7] – Sure Sebe: 13.



















