Pakicat myslimane dhe pjesmarrja në politikë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Prezenca islame në Perëndim:

Ky kapitull trajton çfarë duhet të bëjnë pakicat myslimane që jetojnë në shoqëri joislame. Pikërisht këto pakica përfaqësojnë praninë islame në vendet joislame, e sidomos në vendet perëndimore.

E them që në fillim: është në të mirë të myslimanëve dhe po ashtu në të mirë të perëndimorëve që të ketë një prezencë islame në Perëndim, ku perëndimorët të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me Islamin pa ndërmjetës. Kjo bie ndesh me mendimin e disa të ashtuquajtur “të rreptë” nga radhët e myslimanëve, të cilët thonë se nuk lejohet të jetosh në këto vende (të cilat ata i quajnë “vende të kufrit”), madje as të marrësh shtetësinë e tyre, të cilën ata e konsiderojnë si mëkat të madh.

Para disa vitesh, në Francë u mbajt një simpozium shkencor dhe juridik, ku morën pjesë një numër dijetarësh të mëdhenj, dhe pata nderin të jem pjesë e tij. Aty diskutuam çështje të tilla si: lejohet apo jo të qëndrosh në vendet perëndimore dhe a lejohet të marrësh shtetësinë e tyre. Shumica e dijetarëve dhanë mendimin se kjo lejohet me disa kushte. Ky qëndrim përputhet me universalizmin e mesazhit islam, përputhet me realitetin e botës së sotme që është bërë si një “fshat global”, dhe përputhet me përpjekjet e të urtëve – qoftë myslimanë apo perëndimorë – për t’u afruar, për të hequr ndasitë dhe pasojat historike, dhe për të ndërtuar bashkëjetesë të përbashkët, të mbështetur në tolerancë e jo fanatizëm, në njohje e jo përçarje, në dialog e jo përplasje, në bashkëpunim e jo urrejtje.

Falënderimi i takon Allahut që prezenca islame në Perëndim është pjesë e  caktimit hyjnor si pasojë e disa shkaqeve natyrore, të cilat e lehtësuan këtë prezencë – pa planifikim e pa organizim nga ana jonë si myslimanë. Prandaj, është detyrë për ne të punojmë që kjo prezencë islame të shërbejë si një urë lidhëse mes nesh dhe perëndimorëve, që ndihmon në komunikimin e myslimanëve me të tjerët, largon mendimet e gabuara që kanë mbetur në mendjet e disa prej tyre, dhe jep përgjigje ndaj dyshimeve që mund t’u paraqiten.

Kjo është pikërisht ajo që bën Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime që nga themelimi i tij e deri më sot, përmes fetvave që nxjerr, rekomandimeve që jep dhe deklaratave që shpall në çdo sesion të tij, ku këshillon myslimanët në Perëndim që të jenë një pakicë aktive, e angazhuar, që përmbush detyrimet e saj dhe u shërben shoqërive ku jeton – pa u izoluar e pa u tërhequr prej tyre. Ai që i lexon fetvatë, vendimet, rekomandimet dhe deklaratat e Këshillit nëpër sesionet që janë mbajtur, do ta kuptojë qartë saktësinë e asaj që po themi.

Unë u kam kthyer përgjigje disa prej dijetarëve dhe thirrësve “të ashpër” që e refuzojnë prezencën islame në Perëndim dhe në vende të tjera ku jetojnë jo-muslimanët, qoftë në Lindje apo në Perëndim, qofshin ata ithtarë të Librit si të krishterët, apo paganë. Kam tërhequr vëmendjen këtu për një çështje të rëndësishme: se prezenca islame e shumë pakicave nuk është e rastësishme apo e importuar, por është prezencë origjinale – domethënë: ata janë banorë autoktonë të atyre vendeve, dhe jo të ardhur më vonë. Kjo vlen për pakicat islame në Indi, Kinë, Tajlandë, Burma dhe vende të tjera të Azisë, si dhe për shumë pakica islame në disa vende të Afrikës.

Unë besoj se është e domosdoshme për Islamin në këtë epokë që të ketë një prezencë të vërtetë në ato shoqëri që kanë ndikim në politikën globale.

Prezenca islame është e domosdoshme në Evropë, Amerikë dhe Australi për disa arsye:

– Është e domosdoshme për përcjelljen e Islamit, për ta bërë të dëgjohet zëri i tij dhe për t’i ftuar jo-muslimanët në Islam – përmes fjalës, dialogut dhe shembullit të mirë.

– Është e domosdoshme për përkujdesjen ndaj atyre që hyjnë në Islam, për t’i ndjekur ata në rrugëtimin e tyre, për të forcuar besimin e tyre dhe për të krijuar një mjedis islam që ndihmon në jetën e shëndetshme islame.

– Është e domosdoshme për të pritur të ardhurit dhe migrantët, në mënyrë që të gjejnë njerëz mikpritës që i duan ata që kanë emigruar tek ata, dhe t’u ofrojnë një ambient ku mund të marrin frymë lirisht me Islamin.

– Është e domosdoshme për të mbrojtur çështjet e umetit islam dhe të tokave islame, përballë forcave dhe rrymave armiqësore apo dezinformuese.

Duhet gjithashtu që myslimanët të kenë komunitetet e tyre në shtete dhe qytete të caktuara, si dhe të kenë institucionet e tyre fetare, arsimore madje edhe ato argëtuese.

Gjithashtu, duhet të kenë dijetarët dhe ulematë e tyre, që t’u përgjigjen kur ata pyesin, t’i udhëzojnë kur nuk dinë dhe t’i pajtojnë mes vete kur ndahen.

Ruajtje pa izolim dhe hapje pa shkrirje:

U kam thënë vëllezërve që jetojnë në vendet e huaja: përpiquni të keni shoqërinë tuaj të vogël brenda shoqërisë së madhe, përndryshe do të shkriheni në të, ashtu siç shkrihet kripa në ujë.

Mundohuni të keni institucionet tuaja fetare, edukative, kulturore, shoqërore dhe argëtuese. Kjo nuk mund të arrihet veçse me dashuri dhe bashkëpunim, sepse njeriu është i dobët kur është vetëm, por i fuqishëm me vëllezërit e tij, dhe dora e Allahut është me bashkësinë.

Ajo që ka ruajtur identitetin e hebrenjve gjatë gjithë historisë ka qenë komuniteti i tyre i vogël me mendimet dhe ritet e tij të veçanta – i njohur si “lagjja e hebrenjve”. Prandaj, punoni për të krijuar “lagjen e myslimanëve”.

Nuk po bëj thirrje për izolim nga shoqëria dhe mbyllje në vetvete – kjo është njësoj si vdekja. Por qëllimi është një hapje pa shkrirje, një hapje e atij që thërret (në fe), që dëshiron të ndikojë dhe të veprojë, e jo një hapje e të dorëzuarit që thjesht përpiqet të përshtatet dhe të ndjekë të tjerët, hap pas hapi, pëllëmbë pas pëllëmbe!

Ne prej kohësh po ankohemi për “gjakderdhjen” e mendjeve arabe dhe islame – për rrjedhjen e trurit – të talenteve dhe gjenive në fusha të ndryshme të rëndësishme, të cilët kanë gjetur vend në mërgim, por jo në vendin e tyre.

Nëse kjo është një realitet, nuk na lejohet në asnjë mënyrë që t’i lëmë këto mendje të mëdha të harrojnë fenë e tyre, umetin, trashëgiminë dhe atdheun. Nuk kemi tjetër rrugë veçse të punojmë fort që zemrat dhe mendjet e tyre të qëndrojnë me popujt dhe vendet e tyre, me familjet dhe vëllezërit e motrat e tyre – pa harruar të drejtat e vendit ku jetojnë dhe me të cilin janë të lidhur.

Kjo mund të arrihet vetëm nëse besnikëria e tyre mbetet për Allahun, për të Dërguarin e Tij dhe për besimtarët, dhe nëse çështjet e umetit të tyre vazhdojnë t’i shqetësojnë, pa i lënë interesat personale t’i largojnë nga përgjegjësitë e mëdha – ashtu siç bëjnë hebrenjtë në mbarë botën për Izraelin.

Dhe kjo është detyra e lëvizjes islame: të mos i lërë këta njerëz që të përthithen nga ideolgji materialiste dhe interesaxhije që mbizotëron në Perëndim, por t’ua kujtojë gjithnjë origjinën e tyre, për të cilën zemra e tyre ndien mall gjithmonë.

Dhe nëse prezenca islame në vendet perëndimore është tashmë e pranishme, dhe ajo ka prezencën e saj fetare, kulturore, shoqërore, e ndonjëherë edhe ekonomike, atëherë është e natyrshme dhe logjike që të synojë të plotësojë këtë prezencë me pjesëmarrje politike. Pasiqë politika – sot –  ndërhyn në çdo aspekt të jetës, dhe nëse ne e lëmë politikën, politika nuk na lë neve.

Për këtë arsye, është e domosdoshme t’u përgjigjemi disa pyetjeve që i parashtrojnë pakicat myslimane që jetojnë në Perëndim – disa prej tyre janë vendas, e disa të tjerë janë emigrantë që janë vendosur atje dhe kanë marrë shtetësinë e atyre vendeve, dhe tashmë janë bërë pjesë e atij vendi.

A duhet të mjaftohen me fenë dhe të izolohen nga politika? Apo të mbahen fort pas fesë dhe njëkohësisht të marrin pjesë në politikë? Nëse marrin pjesë në politikë, a duhet ta bëjnë këtë nëpërmjet bashkëpunimit me parti të tjera, apo përmes një partie të tyre të pavarur? A lejohet të marrin pjesë në partitë laike? A lejohet të themelohet një parti që detyrohet të veprojë sipas kushtetutës së vendit? A lejohet që një mysliman të kandidojë për të marrë pjesë në parlament bazuar në këto rrethana? Dhe nëse një mysliman hyn në politikë, a do të thotë kjo se ai duhet të pranojë kushtetutat tokësore të vendeve perëndimore dhe të tjera?

Dhe nëse myslimani fiton në zgjedhje dhe hyn në parlament, ai duhet të betohet se do ta respektojë rendin kushtetues dhe se do të punojë sipas kushtetutës. A përputhet kjo me besimin islam dhe me dispozitat e sheriatit?

Këto janë pyetje që shtrohen nga pakicat myslimane kudo në Europë e gjetiu.

Madje, po them se këto pyetje i parashtrojnë edhe disa grupe islame në shumë vende islame.

Disa nga këto grupe e konsiderojnë të ndaluar formimin e partive politike dhe i quajnë ato si një risi e shpikur, një devijim në fe.

Disa të tjerë e konsiderojnë të ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kandidimin për në parlament, madje disa prej tyre e quajnë këtë në kundërshtim me akiden (besimin islam), dhe i quajnë parlamentet “këshilla politeiste”! Njëri madje ka shkruar një traktat me titull: “Fjala e drejtë se hyrja në parlament bie ndesh me teuhidin!”

Disa kanë kundërshtuar edhe formulën e betimit që deputetët bëjnë për të respektuar kushtetutën dhe për t’iu bindur saj. Disa myslimanë e kanë zgjidhur këtë problem duke shtuar pas fjalës “bindje” në betim shprehjen: “në atë që nuk është mëkat”, duke e thënë me zë të lartë. Nëse kjo ndodh brenda vendeve tona islame, çfarë mund të thuhet për jashtë tyre?

Prandaj, nuk është e drejtë që pakicat myslimane të marrin kuadrin e tyre juridik-politik nga këto grupe që janë devijuar nga rruga e drejtë për shkak të ekstremizmit të tyre. Këto grupe e konsiderojnë prezencën islame në këto vende si të ndaluar, përveçse në raste të domosdoshme. Ata e konsiderojnë jetesën në këto vende si një akt të imponuar, ashtu siç njeriu detyrohet të përdorë tualetin, edhe pse ai është i papastër – siç ka thënë dikush prej tyre!

Disa prej tyre e ndalojnë për myslimanin të marrë shtetësinë e këtyre vendeve dhe madje e konsiderojnë jobesimtar atë që e merr, sepse e shohin si një formë të aleancës me jobesimtarët. Allahu ka thënë: “Kushdo që bën aleancë me ta prej jush, ai është prej tyre.”[1]

Disa të tjerë ndalojnë edhe thjesht qëndrimin në këto vende përveçse në rast nevoje, dhe këtë nevojë e përcaktojnë sipas mendimit të tyre. Ata kanë argumente të dyshimta, ndaj të cilëve kanë dhënë përgjigje dijetarët që hulumtojnë me drejtësi.

Veçoria e sheriatit islam është se ai është një sheriat realist, që merr parasysh nevojat dhe kërkesat e njeriut, qofshin ato shpirtërore apo materiale, fetare apo politike, kulturore apo ekonomike – qoftë ai që jeton brenda një shoqërie myslimane apo jashtë saj. Dhe në të gjitha dispozitat që ka përcaktuar, sheriati lehtëson dhe nuk vështirëson, largon barrën dhe shmang dëmin dhe shkaktimin e dëmit, veçanërisht për ata që jetojnë jashtë shoqërisë myslimane, sepse ata kanë më shumë nevojë për lehtësime dhe për kujdes ndaj nevojave të tyre.

Ndër nevojat e pakicës myslimane është që ajo të jetojë duke u mbajtur fort pas fesë së saj, besimit të saj, riteve të saj, vlerave dhe etikës së saj, për sa kohë që kjo nuk u shkakton dëm të tjerëve. Njëkohësisht, ajo duhet të integrohet në shoqërinë ku jeton, të prodhojë dhe krijojë, të ndërtojë dhe përparojë, të marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e saj, të bëjë mirë, të përhapë udhëzimin, të thërrasë në virtyt dhe të luftojë vesin, duke ndikuar në shoqëri përmes shembullit dhe thirrjes, aq sa të mundet, pa u tretur në atë shoqëri në atë mënyrë që të humbasë përbërësit dhe veçoritë e saj besimore e fetare.

Jo të gjitha pakicat myslimane janë emigrante; disa prej tyre janë vendase, të gjithë ose një pjesë e tyre. E megjithatë, disa njerëz thonë: “Duhet të kthehen në vendet e tyre.”

Për këtë arsye, pakicat myslimane në çdo vend kanë nevojë për zëra që i përfaqësojnë ato në parlamentet ligjvënëse, dhe që mbrojnë të drejtat e tyre, që të mos miratohen ligje që u bëjnë padrejtësi, që ndalojnë atë që Allahu e ka lejuar, apo që i pengojnë ata të zbatojnë atë që Allahu ka bërë obligim, ose që i detyrojnë të pranojnë gjëra që feja i kundërshton.

Është në të mirë që të ketë myslimanë të zgjedhur në këto parlamente – qofshin të pavarur apo pjesë e ndonjë partie – të cilët punojnë për të mbrojtur nderin dhe të drejtat e myslimanëve, duke i konsideruar ata si pakicë që ka të drejtë të jetojë sipas fesë së saj, dhe të praktikojë ritet fetare në mënyrë që nuk dëmton të tjerët. Ata gjithashtu do të tërheqin me vete dhe në anën e tyre njerëz të lirë e të drejtë, që e mbështesin drejtësinë dhe lirinë në çdo kohë e vend.

Ne kemi këtu një sërë rregullash juridike islame (sheriatike) që na udhëzojnë në këtë rrugëtim:

1 – Rregulli: “Ajo që nuk mund të plotësohet një obligim veçse përmes diçkaje tjetër, atëherë edhe ajo bëhet obligim.” Pra, nëse marrja e të drejtave fetare, kulturore e të tjera nga myslimanët nuk mund të realizohet veçse nëpërmjet pjesëmarrjes në politikë dhe futjes në zgjedhje, atëherë kjo pjesëmarrje bëhet detyrim për ta.

2 – Rregulli: “Çështjet vlerësohen sipas qëllimeve të tyre.” Ky është një rregull i pranuar gjerësisht dhe bazohet në hadithin e famshëm: “Vërtet veprat vlejnë sipas qëllimeve, dhe çdo njeri do ta ketë atë që ka pasur për qëllim.” Kështu, nëse qëllimi i pjesëmarrjes politike është mbrojtja e të drejtave të myslimanëve, lirisë së tyre fetare dhe identitetit të tyre kulturor, atëherë kjo vlerësohet si një vepër e shpërblyer tek Allahu dhe e lavdëruar tek myslimanët.

3 – Rregulli: “Mbyllja e shkaqeve që çojnë në të keqe (sedd edh-dherai).” Nëse tërheqja e pakicës myslimane nga politika dhe mosangazhimi i saj sjell rrezik për ekzistencën e saj fetare dhe shoqërore, e bën atë të neglizhohet, i privon nga përfitime të shumta dhe e ekspozon ndaj vështirësive e dëmeve që nuk dihet ku do të përfundojnë – atëherë është e domosdoshme që ata të mbyllin rrugët që çojnë drejt këtyre rreziqeve dhe të ruhen nga këto pasoja të këqija. Në një hadith thuhet: “Kush ruhet nga e keqja, ajo nuk e godet.”

4 – Rregulli: “Nevojat e domosdoshme e bëjnë të lejueshme të ndaluarën; dhe nevoja (edhe nëse nuk është emergjente) trajtohet si domosdoshmëri, qoftë ajo e përgjithshme apo e veçantë.” Nëse një komunitet mysliman që jeton jashtë një shoqërie islame ka nevojë të ngutshme për dikë që të mbrojë të drejtat e tyre në vendet demokratike – dhe për këtë mund të jetë e nevojshme të pranohet diçka që zakonisht konsiderohet e ndaluar, siç është betimi për respektimin e kushtetutës (që ndoshta përmban gjëra në kundërshtim me fenë) – atëherë ky ndalim bie për shkak të domosdoshmërisë apo nevojës. Allahu thotë: “E kush është i detyruar (të bëjë diçka të ndaluar), pa e kaluar kufirin dhe pa qëllim të keq, atëherë nuk ka gjynah për të. Vërtet Allahu është Falës, Mëshirues.”[2]

5 – Rregulli: “Interesat e pacaktuara (el-mesâlih el-murselah)” Këto janë interesa që nuk janë përmendur shprehimisht në tekstet e sheriatit për t’u pranuar apo për t’u refuzuar, por kur i paraqiten mendjes, ajo i pranon dhe ato sjellin dobi reale, materiale apo shpirtërore, për komunitetin mysliman. Sahabët (shokët e Profetit) i kanë marrë parasysh këto interesa në shumë raste. E rëndësishme është që ato të mos jenë në kundërshtim me ndonjë tekst të prerë të sheriatit apo me ndonjë rregull themelor të tij. Gjithashtu, duhet që këto interesa të sjellin dobi të vërtetë për myslimanët, jo vetëm të imagjinuar.

Në dritën e këtyre rregullave, ne shohim se më e përshtatshme për myslimanët është që të marrin pjesë në politikë, për të realizuar interesat e tyre fetare dhe kolektive, si dhe për të shmangur rreziqet dhe dëmet që mund t’u vijnë. Sidomos kur dihet se nëse ata e lënë politikën, politika nuk i lë ata rehat.

Myslimanët mund të krijojnë një parti që kërkon të drejtat e tyre dhe të të tjerëve, nëse kanë numrin, forcën dhe kapacitetet e nevojshme për të ngritur një parti të pavarur, dhe nëse kushtetuta dhe ligji i lejojnë ata ta bëjnë këtë.

Myslimanët mund të paraqesin një program reformues dhe udhëzues, i cili buron nga parimet e tyre islame dhe është i pasuruar me përvojën dhe vizionin perëndimor, duke përfituar nga horizontet e reja që përputhen me synimet e sheriatit dhe me frymën e Islamit.

Nuk ka asnjë pengesë që në këtë parti të anëtarësohen edhe jo-myslimanë, pasi kjo parti i drejtohet në radhë të parë myslimanëve, por gjithashtu edhe qytetarëve në përgjithësi. Në fakt, supozimi themelor në sistemin islam është se ai sjell të mirë dhe dobi të vërtetë për të gjithë njerëzit, myslimanë apo jo.

Myslimanët gjithashtu mund të anëtarësohen në një nga partitë politike që veprojnë në skenën publike, duke zgjedhur atë që është më afër parimeve islame nga njëra anë, dhe më e afërt me myslimanët dhe interesat e tyre nga ana tjetër. Çështjet brenda partisë që janë në kundërshtim me Islamin, ata mund t’i shmangin apo të shprehin rezervat e tyre ndaj tyre.

Kjo duhet të bëhet pas një studimi shkencor dhe praktik objektiv, që të realizohet nga ekspertë dhe profesionistë, dhe të diskutohet në mesin e atyre që konsiderohen autoritete (të dijes dhe të vendimmarrjes) brenda pakicës myslimane në vend. Pas këtij studimi, diskutimi dhe krahasimi, myslimanët do të vendosin: cila rrugë është më e mirë për ta – në aspektin fetar dhe jetësor – të krijojnë një parti apo të hyjnë në një parti ekzistuese? Dhe cilat parti janë më afër me ta dhe më të përshtatshme për ta?

Ata madje mund të shohin se më e përshtatshme është që të mos krijojnë parti e as të anëtarësohen në ndonjë parti, por të mbeten një grup i lirë dhe me ndikim në zgjedhje, që mbështet këtë ose atë, dhe që jep votat për këtë ose atë kandidat.

Në këtë rast, kandidatët do të kërkojnë mbështetjen e tyre dhe do të përpiqen t’ua fitojnë zemrat, sepse kjo pakicë shumë herë ka një ndikim të madh në përcaktimin e fitores së një kandidati ndaj një tjetri – sidomos kur diferenca mes tyre nuk është e madhe – dhe votat e kësaj pakice e peshojnë kandarin në favor të njërës palë, duke i siguruar fitoren kundrejt kundërshtarit të saj.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Maide: 51.

[2] – Sure Bekare: 173.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *