Palestina, e drejta e pavdekshme

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falenderimi i takon Allahut, Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe paqe kërkojmë. Dëshmojmë se atë të cilin e ka drejtuar Allahu i Madhëruar nuk ka qënie në botë që ta humbë dhe ai i cili ka humbur për shkak të mëkateve të veta nuk ka qënie në botë që ta drejtojë veç Allahut të Madhëruar. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi, i biri i Abdullahut, nipi i Abdul Mutalibit është rob dhe i dërguar i Allahut, e ka përzgjedhur atë për të përcjellë mesazhin më të lartë hyjnor, Islamin dhe e ka përcjellë ate ashtu siç ka dashur Zoti i Gjithësisë.

Allahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë në Kuran: “Dhe Ne ja kemi bërë obligim Vetes përkrahjen dhe ndihmën e besimtarëve.” Rum 47. E veçanta në këtë ajet kuranor është se Allahu i ka përmendur myslimanët me cilësinë “besimtarë”, të cilëve u ka hyrë besimi në gjakun e tyre dhe marrëdhënia e tyre me të Vërtetën është kthyer në jetë dhe reflekton në çdo sekondë dhe çdo minutë të ekzistencës së tyre. Gjithashtu, Allahu urdhëron dhe thotë në Kuran: Dhe  Faraoni i fortifikuar me tenda (ushtarake)! Të cilët e tepruan me krime në tokë. Dhe në të shtuan shkatërrimin. E All-llahu kundër tyre lëshoi lloj-lloj dënimesh”. Fexhr 10-13. Pra “Faraoni me atë civilizimnin e tij të veçantë, me piramidat e veta, të cilët e tepruan në Tokë me zullume, dhe kapërcyen kufinjtë në zullum”. Por kur njeriu e kalon dhe e kapërcen me zullum “Allahu ua derdhi zemërimin e Tij, Me të vërtetë Allahu është që përcjell (u rri në pritë)d.m.th. i ka gjërat totalisht në fokus dhe e di shumë mirë se çfarë ndodh në faqe të dheut, si për mirë edhe për keq dhe e di shumë mirë se në çfarë niveli është e mira dhe në çfarë niveli është e keqja, deri ku shkon e mira dhe deri ku shkon e keqja. Gjithashtu Allahu na tregon se prej natyrës së zullumit është se njeriu harron se ka një Zot që e mbikqyr. Kur Allahu i çon njeriut një herë, dy herë, tre herë selam dhe ai nuk merr vesh, kjo lloj harrese e bën të kapërcejë kufinjtë e zullumit, e tani Allahu ndërhyn, por jo për ta kthyer në rrugën e drejtë, por për shkak të kapërcimit të limiteve. Allahu ndërhyn dhe zullumit i tregon Veten. Këto ajete, Allahu na i sjell në kuadër të Faraonit, i cili në civilizim kishte arritur kulmin, por edhe në zullum kishte arritur kulmin. E arsyeja kryesore përse kishte arritur kulmin në zullum ishte sepse ai i kishte ndërprerë marrëdhëniet me të Vërtetën përfundimisht. Madje kishte arritur deri atje – i mashtruar nga pushteti, pasuria dhe fuqia e tij – sa t’i thotë vetes së tij “Unë jam Zoti juaj më i lartë”. Naziat 24. Jo vetëm kaq, por ai tha: “Unë nuk njoh për ju zot tjetër përveç meje”. Kasas 38. E kur ai bëri këtë ndërprerje me burimin e të Vërtetës, pushteti i tij e bëri atë që të kapërcente kufinjtë ekstrem të zullumit. E në këtë rast, Allahu ndërhyri.

Allahu na i tregon këto histori apo na i sjell këto stacione për të na thënë: “O robërit e Mi! Nuk janë disa momente që kanë ndodhur në histori, por janë ngjarje ku reflektohet marrëdhënia e Allahut me jetën e robërve, me të gjitha gjendjet dhe zhvillimet e jetës së tyre. E kemi përmendur në hytbe apo në ligjërata të tjera se ajo që më së shumti duhet të kërkojmë në Kuran, janë metodat dhe metodologjitë kuranore me të cilat Allahu nëpërmjet Kuranit i kuron gjendjet e njerëzore. Dhe për fatin e keq, ndër muslimanët, kjo është një nga dijet kryesore që është braktisur sot, ose më drejt, shumë pak ka vëmendje ndaj saj. Një nga fenomenet kryesore të cilat i përjeton njeriu bashkëkohor nën hijen e këtij civilizimi, është se për shkak se ky civilizim ka ndërprerë marrdhëniet ekstremisht me burimin e të Vërtetës, d.m.th. me Zotin, standartet hyjnore për ta matur të Vërtetën, për rrjedhojë për të kuruar pozicionin njerëzor ndaj të Vërtetës, i ka zëvendësuar me standartin material, d.m.th. të mirën dhe të keqen, të drejtën dhe të padrejtën, të Vërtetën dhe të Pavërtetën, e vendos forca dhe i forti. Andaj ky është një problem madhor, ndaj të cilët ne si myslimanë duhet të jemi të vëmendshëm, sepse sprova kryesore për të cilën jemi dërguar në dynja është pozicionimi ndaj të Vërtetës. Qysh në momentin e parë, kur ne themi “La ilahe il lallah, Muhammedun Resulullah”,do të thotë se jemi pozicionuar përfundimisht me të Vërtetën dhe ti duhet t’i gjykosh pozicionet e tua nëpërmjet të Vërtetës, ta ndjekësh Atë kudo që është dhe të mos e devijosh këtë rrugë asnjëherë. Të thuash “La ilahe il lallah” do të thotë të pranosh përfundimisht se nuk ka zot tjetër që ekziston në dynja dhe se askush tjeter nuk e meriton të adhurohet përveç Allahut të Madhëruar, që do të thotë se i Vetmi për hir të të Cilit ne duhet të pozicionohemi në sekondat, minutat, orët, javët dhe në jetën tonë është Allahu i Madhëruar, Ai i Vetmi dhe I pashoq.

E për t’u kthyer atje ku e nisëm, problemi madhor i këtij civilizimi është se fenomeni i lart permendur është bërë standart, pra te verteten e percakton forca, dhe se nuk konsiderohet problem se mediat, politika, institucionet e ndryshme të rangjeve edhe më të larta, në momente të caktuara të sprovave të mëdhaja me të Vërtetën, nuk ka problem edhe nëse gënjejnë, mashtrojnë apo edhe shkelin shenjtëritë më të mëdhaja të njeriut: gjakun, jetën, nderin, familjen, ekzistencën e tij e të tjera me rradhë. Mirëpo Allahu i Madhëruar sikur i thotë Profetit (a.s), O Profet i Zotit! Ti do të ngresh një model (brezin e sahabëve), që një nga cilësitë e tij është qëndrimi me të Vërtetën kudo dhe kurdoherë. Këtë qëndrim do ta kenë në të gjitha rastet dhe me të gjitha format. Në shërbim të saj do të sakrafikojnë edhe gjërat më të shenjta që kanë në Dynja. Prandaj edhe Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Thuaj: Nëse baballarët tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, familjet tuaja, pasuritë tuaja, tregitë tuaja, shtëpitë tuaja janë më të dashura për ju se Allahu dhe Pejgamberi i Tij, atëherë priteni vendimin e Allahut të Madhëruar, Zotit të Gjithësisë”. Teube 24.

Për t’i thënë atij brezi edhe neve, se ajo që ka rëndësi në Dynja është pozicionimi me të Vërtetën. Gjithcka qe Poseidon njeriu janë dhuratë prej Allahut të Madhëruar dhe se te gjitha duhet te vihen ne sherbim te së vërtetës. Ajo për të cilën do të kërkohet llogari te Allahu i Madhëruar dhe ajo me të cilën Allahu të lartëson në Dynja dhe Ahiret është pikërisht aftësia se sa i ke vënë në shërbim të Vërtetës këto të mira që t’i ka dhënë Allahu i Madhëruar, për të cilat në momente të caktuara, njeriu që është larg Zotit është në gjendje të shesë jetën, nderin dhe burrërinë e tij. Mirëpo modeli që ndërtoi Profeti (a.s) ishte prej atyre modeleve që jo thjesht pretendonte se ishte me të Vërtetën, por ishte me të me jetën, pasurinë, familjet, fëmijët, shëndetin dhe me kohën e tyre. E ata qëndruan me të Vërtetën në të gjitha situatat.

Prandaj, po të shikosh të gjitha ngjarjet e mëdhaja që kanë ndodhur në kohën e Pejgamberit (a.s) kanë ardhur për të vërtetuar, faktuar dhe konfirmuar këtë cilësi madhore të brezit që edukoi Pejgamberi (a.s). Kur vinte momenti për t’u pozicionuar ndaj të Vërtetës, nuk ishte në llogari gjë tjetër përveçse e Vërteta. Prandaj edhe ngjarjet e mëdhaja i kategorizonin njerëzit në marrdhënie me të Vërtetën. Erdhi beteja e Uhudit, u ndanë njerëzit nga e Vërteta dhe nga e Shtrembërta. Nisën rrugën për t’u përballë me politeistët, në mes të rrugës 300 hipokritë u kthyen dhe e lanë Pejgamberin (a.s) vetë. Që do të thotë se nga 1000 vetë, ngelën 700. Përfytyroni se çfarë ndikimi të madh pati në aspektin psikologjik te sahabët. E megjithatë, edhe pse ishin pak ata vazhduan rrugën. Erdhi beteja e Hendekut, edhe aty u ndanë rrjeshtat. Edhe në betejën e Tebukut, rrjeshtat u ndanë, e gjërat u qartësuan. Erdhën këto ngjarje për të konfirmuar këto cilësi të sahabëve. Mirëpo si model ka mbetur dhe ka për të mbetur në faqe të dheut deri në Ditën e Kijametit. Përse? Sepse vazhdimisht njerëzia ka nevojë për modele të tilla që t’ia kujtojë njeriut bashkëkohor dhe atyre që do të vijnë pas nesh se sado e bukur të jetë Dynjaja, sado e zhvilluar të jetë ajo dhe sado larg Zotit ta ketë ndërtuar veten Dynjaja, ajo që ka rëndësi është e Vërteta dhe pozicionimi me të. Prandaj edhe Allahu i Madhëruar na e sjell shembullin e Faraonit dhe na e sqaron se ata arritën kulmin, mirëpo duke qenë se këtë kulm ata e arritën duke qenë larg Zotit, u mashtruan me fuqinë dhe pasurinë e tyre, filluan të bëjnë zullume të mëdhaja në dynja e Allahu i Madhëruar ndërhyri dhe i shfarosi nga faqja e dheut. Për këtë Pejgameberi (a.s) ka thënë: “Do të vazhdojë një grup prej Umetit tim, gjithmonë në përkrahje të Vërtetës, të tillë kanë për të qenë deri në Ditën e Kijametit” Dhe një nga cilësitë e tyre është se komplotistët, tradhtarët, hileqarët dhe hipokritët kurrë nuk do ta dobësojnë qëndrueshmërinë e tyre ndaj të Vërtetës. E pyetën Pejgamberin (a.s): “Ku janë këta njerëz? Ai tha: Ata janë në Kuds dhe përreth tij”, e transmeton Imam Tabaraniju. Ajo që është e çuditshme është fakti se kjo kategori njerëzish që janë në Kuds edhe rreth tij vazhdimisht kanë qëndruar me të Vërtetën, edhe përse në momente të caktuara të historisë dhe në epokën tonë, ku e gjithë bota, bashkë edhe me qeveritë arabe edhe me median dhe botën arabe janë bërë kundër tyre dhe jo vetëm kaq, por po përpiqen me i shfaros nga faqja e dheut. Ajo që duhet patur parasysh, se ajo ç’ka e bën këtë lloj kategorie të qëndrojë gjithmonë me të Vërtetën, edhe pse e gjithë bota është bërë kundra tyre është se këta e dinë mirë se e Vërteta e tyre ka mbështetës Allahun e Madhëruar, e Allahu i Madhëruar nuk e braktis asnjëherë. Një nga cilësitë e këtyre njerëzve është se i besojnë fort premtimit të Zotit dhe në ligjet që Ai ka vendosur Allahu në marrëdhëniet e të Vërtetës me të Pavërtetën. Ata e dinë mirë se kur shterojnë ushtarët e tokës dhe sebepet e Dynjasë, Allahu i Madhëruar dërgon ushtarët e Tij me format që i di Vetë Ai. Një nga cilësitë e këtyre njerëzve është se e njohin mirë historinë e njerëzimit, historinë e Pejgamberit (a.s) dhe kanë kuptuar thellë urtësinë e Zotit në historitë që ka përmendur Allahu i Madhëruar në Kuran.

A nuk e themi herë pas here, kujdes me historitë kuranore, nuk janë thjesht narracion për t’ua treguar fëmijëve apo që xhemati të thotë sa mirë foli hoxha. Historitë kuranore përbëjnë 1/3 e Kuranit, në to tregohet se si Allahu i Madhëruar i ka lartësuar popujt kur kanë qëndruar me të Vërtetën edhe përse kanë qenë pak dhe se si i ka poshtëruar popujt e padrejtë edhe nëse kanë qenë të fortë?! Kjo sepse ata që kanë qenë me të kotën e kanë tepruar në zullum. E Allahu i Madhëruar thotë: “Sa e sa prej grupeve të vogla kanë mposhtur prej grupeve të mëdhaja me lejen e Allahut të Madhëruar”. Bekare 249. Benu Israilët kërkuan luftë, ndërsa Pejgamberi i tyre u tha: Mos kërkoni luftë! Por ata thanë: Ne duam të luftojmë. E ky Pejgamber u urdhërua nga Allahu që të luftonin babilonët apo pushtuesit që kishin ardhur nga Persia në Kuds. Në krye vendosi një mbret që ishte më i ri sesa ata, mirëpo ai ishte besimtar. Kur Pejgamberi e përcaktoi këtë drejtues ata thanë: ne jemi më të dijshëm dhe me të fuqishëm sesa ti. Ai u tha: Ky është përcaktimi i Zotit. Që do të thotë se Allahu i Madhëruar përdor në mbështetje të së Vërtetës kë të dojë Vetë. Gjëja me të cilën jemi sprovuar të gjithë ne nuk është të gjykosh se kush janë ata, por me kë janë ata, janë apo nuk janë me të Vërtetën dhe ku është e Vërteta. Kjo është pyetja e madhe. E rëndësishme është se kur shkuan dhe u përballën me armikun, doli një ushtar i vogël, një djalë i ri përballë një trupi shumë të madh, një ushtari të frikshëm dhe e rrëzoi në tokë. Kështu veproi dhe Aliu (r.a) në betejën e Hendekut, kur doli një nga ushtarët më të fuqishëm të Mekasve, Amër ibn Abdi Vud i cili thirri dikënd për dyluftim. Pejgamberi (a.s) tha: Kush del dhe përballet me të? Unë – tha Aliu, e asokohe Aliu ishte djalë i ri. Dy vite më parë Profetit a.s i kishin vrarë dhe xhaxhain, prandaj i tha Aliut: Rri o Ali se nuk më ka ngelur prej gjakut tim askush përveç teje. Pejgamberi thërriti për së dyti: Kush del dhe përballet me të? Askush nuk e përgjigj sepse kishin frikë të përballeshin me të. Unë – tha Aliu. Pejgamberi (a.s) i tha: Rri o Ali. E Pejgamberi thërriti për së treti; E përsëri për herë e tretë: Aliu tha: Unë. Aliu doli në dyluftim. U bë pluhur Dynjaja nga dyluftimi dhe muslimanët vunë re Aliun sipër trupit të këtij politeisti që e kishte vrarë. Atëherë muslimanët brohoritën duke thënë: Allahu Ekber, Allahu Ekber.

Një betejë shumë e çuditshme ka qenë beteja e Hendekut. 10 mijë ushtarë kanë qenë në rradhët e armiqve dhe 2500 në rradhët e myslimanëve. Kjo betejë zgjati përafërsisht një muaj. E nuk kishte asnjë lloj simetrie në numër midis forcës së armiqve dhe muslimanëve. Madje përtej kësaj, uria dhe frika kishin arritur kulmin saqë nga frika zemrat erdhën deri në fyt. Mirëpo Allahu i Madhëruar ka ushtarët eTij. Ardhja e frikës deri në fyt ishte simbol i shterimit të energjive të muslimanëve, kishte ardhur kulmi i sprovës, mirëpo Allahu i Madhëruar ndërhyri me lodhjen e politeistëve, që do të thotë se euforia e armikut ra, sepse ajo që i jep qëndrueshmëri dhe durim njeriut për të shkuar përpara është e Vërteta, besimi për tek e Vërteta, lidhja me Allahun e Madhëruar, dhe jo euphoria e forcës.

Pejgamberi (a.s) nuk e kishte ndërmend të dorëzohet edhe pse sprova kishte arritur skajet. Allahu ndërhyri me ushtarët e Tij, që ishin: 1- demoralizimi i armikut, 2 – frika që futi në zemrat e armikut, 3- era dhe i ftohti, 4- Allahu dërgoi engjëjt e Tij. Ebu Sufjani tha: Unë e kam vendosur me u larguar, prandaj kushdo që dëshiron të vijë me mua le të vijë. Pas një muaj përballje, myslimanët dolën triumfator nga kjo betejë. Pra një nga cilësitë e njerëzve që qëndrojnë me të Vërtetën është se e njohin mirë natyrën e të Vërtetës, e njohin mirë rrugën të cilën përshkon Ajo, e dinë mirë se një ditë e gjithë bota ka për t’i braktisur, e dinë mirë se në momente të caktuara të historisë së tyre edhe ata që pretendojnë se janë myslimanë kanë për t’i tallur, paragjykuar dhe akuzuar.

A nuk ndodhi kështu me sahabët në betejën e Tebukut që ndryshe është quajtur dhe beteja e “Usres” apo vështirësisë. A e dini se si kanë filluar përgatitjet për këtë ushtri: me një grusht hurma. Pejgamberi (a.s) i thirri sahabët që të kontribuojnë për këtë betejë të madhe, mirëpo asokohe ishte periudhë fukarallëku. Pati prej atyre sahabëve që shkuan me një grusht hurma tek Pejgamberi (a.s). Çfarë thanë hipokritët, ata të cilët nuk e njohin fytyrën e të Vërtetës dhe nuk e dinë se e Vërteta e merr fuqinë prej Atij nga ku buron fuqia. Ata u tallën dhe thanë: A me një grusht hurma do të luftoni Bizantinët. Mirëpo ky grusht hurmash u bë sebep që të vinte Othmani (r.a) i cili dha 600 apo 800 deve me mall. Gjithsesi ajo përsëri u quajt beteja e “Vështirësisë” sepse një deve e shfrytëzonin dhjetë persona duke ditur se rruga ishte një muaj e gjysëm për të shkuar dhe një muaj e gjysëm për t’u kthyer. Mirëpo kjo betejë bëri dallimin midis atyre që dinë të qëndrojnë me të Vërtetën dhe me ata të cilët qysh në momentin e parë të sprovës me të Vërtetën u tërhoqën dhe e braktisën atë. Kjo është e Vërteta. Ky është edhe tipari i atyre të cilët qëndrojnë me të Vërtetën. E këtë model e ka krijuar Allahu i Madhëruar dhe kështu ka për të qenë deri në Ditën e Kijametit.  Një nga gjërat që dinë mirë ata persona të cilët qëndrojnë me të Vërtetën deri në fund është se Allahu i Madhëruar zullumit i ka vënë kufi. Po ashtu ata e dinë se kur zullumqarit i hip vetja në qejf dhe mendon se nëpërmjet forcës është në gjendje që t’i japë fund çdo gjëje që ai mendon, aty Allahu i Madhëruar ndërhyn me fuqinë e Tij dhe e spastron të kotën nga e faqja e dheut. Ajo që është e çuditshme është se këto ngjarje përsëriten vazhdimisht në historinë njerëzore, për të konfirmuar kështu Allahu të Vërtetën dhe për t’iu thënë robërve të Tij: Mos u mashtroni nga e Kota sado e fortë dhe e fuqishme të jetë ajo. Ajo për të cilën jemi sjellë në Dynja është e Vërteta, besimi në të, jeta me të, marrëdhëniet me të, qëndrimi me të dhe sakrifica me të deri në sekondën e fundit të jetës. Është prej mirësisë së Allahut të Madhëruar që i përzgjedh disa robër sepse jo të gjithë ia kanë takatin të qëndrojnë me të Vërtetën deri në fund. Allahu i Madhëruar i përzgjedh disa rob për të qenë model deri në Ditën e Kijametit dhe për t’i motivuar të tjerët. Nëse në një moment të caktuar ju dobësoheni ndaj të Vërtetës, atëherë ja ku e keni modelin, të cilët bëjnë sakrifica shumë herë më të mëdhaja sesa ju.. Prandaj qëndroni me të Vërtetën deri në fund sepse ai që është me të Vërtetën ka Allahun e Madhëruar me vete.

Të sprovuar me këtë të Vërtetë të madhe që e ka emrin Palestinë nuk janë vetëm palestinezët, por të gjithë muslimanët kudo që janë, edhe ne jemi të sprovuar. Ata janë sprovuar për t’u përballur me zullumqarin, me mosbesimtarin, mohuesin, katilin, gjakatarin në mënyrë të drejtpërdrejtë, kurse ne jemi të sprovuar me duatë, lutjet, sadakatë, përgjërimet, namazet tona e me kunutin tonë. Por mbi të gjitha jemi sprovuar me qëndrimin tonë ndaj të vërtetës dhe me sqarimin e njerëzisë në lidhje me të Vërtetën. Më kujtojhet, gjatë periudhës që kam qenë student në universitetin e Medinës, vizita që bëri në Universitetin tonë një përfaqësues i njërit prej shteteve të sprovuara nga pushtimi dhe zullumi. Ky person po shpjegonte situatën e vendit të tij, për çfarë kishte ndodhur. Mirëpo shumë prej vetë muslimanëve kishin folur keq për mundin dhe sakrificën e tyre. E pyetëm: Si mund të kontribuojmë ne? Ai tha: Më e pakta, mos e përbaltni mundin tonë.

Ajo që po ndodh atje, ka për të pasur ndikime me nivele të larta globale që do të thotë se efektet e asaj ngjarje atje kanë për të ardhur deri tek ne, madje kanë për të kaluar edhe oqeanin, sepse ato turbulenca të mëdha që kanë ndodhur në Kuds kanë qenë me natyrë globale dhe siç e kemi thënë edhe më parë: Dynjaja ka qenë në paqe vetëm kur Kudsin e kanë pasë në dorë muslimanët. Kurse në momentin kur Kudsi ka qenë në dorën e jomuslimanëve ka pasë gjakderdhje, trazira e destabilitet. Prandaj ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj këtyre ngjarjeve. Nga ky minber, i bëj thirrje atyre që janë sprovuar për të drejtuar këtë vend e këtë popull, po ashtu edhe mediave, të jenë të kujdesshëm në pozicionimin, deklaratat dhe prononcimet e tyre. Ne jemi një nga popujt që më së shumti jemi sprovuar me liri dhe është e çuditshme e paradoks i madh se për 45 vjet Shqipëria ka qenë me Palestinën, kundër Sionizmit dhe kundër pushtuesve mirëpo në ditët e sotme pa ditur se çfarë ka ndodhur atje, menjëherë prononcohemi?! Ne jemi të vetëdijshëm edhe për faktin e aforizmit të dërrasës me gozhdën: “Dërrasa i tha gozhdës: Përse po më shpon? Ta dish ti se çfarë kam mbi krye nuk do të ma kishe bërë këtë pyetje – iu përgjigj gozhda” E ne e dimë shumë mirë këtë parim. Por ata që i besojnë të Vërtetës, nxjerrin mësim nga e kaluara e tyre po ashtu edhe nga e tashmja e tyre, nga Kosova nxjerrin mësim, nga fakti se para dy apo tri javësh ndodhi një përplasje shumë e madhe me serbët, dhe nga fakti se Kosova ka qenë e pushtuar nga Serbia për kaq dekada.

Ata që janë të sprovuar për të qenë në krye të ketij vendi, po ashtu dhe mediat, duhet të marrin në konsideratë edhe faktin se për çfarë rreh zemra e shumicës së këtij populli shqiptar. Po ashtu është shumë e rëndësishme të merrët parasysh historia e atij vendi, Palestinës, dhe se i kujt ka qenë ai vend, si iu është marrë, si iu është plaçkitur, gjaku që iu është derdhur. Prej njëzet vitesh, Gaza është në burg. E në këto momente po ndodh një genocid i plotë, prandaj e pakta gjë që duhet të bësh është të jesh i matur në prononcime, sepse njerëzit nuk janë të paditur, ata dinë t’i vlerësojnë gjërat, dinë të vlerësojnë fjalën, prononcimin dhe pozicionimin që mban.

Ky brez që është rritur pas viteve 90 – të – që e ka shijuar besimin dhe të Vërtetën – e kupton shumë mirë se ku qëndron e vërteta. Pra nuk ke të bësh me njerëz të paditur. E pakta gjë që duhet të bësh, nëse nuk ke guxim të qëndrosh me të Vërtetën, është të mos dalësh kundër saj e të mos bëhesh me zullumin. Kjo është e vlefshme për të gjithë, sepse duhet të jemi të kujdesshëm kur diskutojmë këtë çështje. E para gjë që duhet ditur është se kemi të bëjmë me një gjak që është derdhur për 75 vjet resht, pra është një sakrificë shumë e madhe 75 vjecare. Le të jemi të përgjegjshëm kur i qasemi kësaj çështje duke qenë të vetëdijshëm se efektet e kësaj ngjarje do të jenë me efekt global e ndërkombëtar.

I lutemi Allahut që kjo çështje të mbyllet me hajër. I lutemi Allahut të dimë të pozicionohemi me të vërtetën e madhe të Palestinës, me padrejtësisnë e madhe që i është bërë këtij populli nga cionistët, për 75 vjet resht, dhe me sakrificën e madhe 75 vjeçare të popullit palestinez. E lusim Allahun të pranojë si dëshmorë të vrarët palestinezë dhe po ashtu t`i tregojë vendin zullumit dhe zullumqarëve.

Imam-Hatib: Sabaudin Jashari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.