Palestinezët e Kudsit mes gëzimit të Ramazanit dhe vështirësive të situatës ekonomike

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, shumë palestinezë që jetojnë në Kudsin Lindor përpiqen të festojnë këtë muaj të shenjtë. Teksa disa prej tyre shkojnë në xhaminë Al-Aksa për t’u falur, të tjerët preferojnë ta festojnë në lagjet e tyre.

Tregjet lokale të Ramazanit organizohen në mbarë qytetin, së bashku me aktivitete të veçanta për fëmijët, duke shtuar kështu atmosferën festive dhe duke sjellë gëzim e hare në zemrat e njerëzve për këtë muaj të shenjtë, të cilin e presim dhe e festojmë çdo vit me përkushtim.

Për banorët e Kudsit, muaji i Ramazanit është një kohë për t’u lidhur me veten dhe komunitetin e tyre. Qyteti mbushet me një atmosferë unike festimi, besimi dhe kulture. Pavarësisht agresionit të pushtimit dhe fushatave të vazhdueshme të arrestimeve, ata këmbëngulin të festojnë këtë muaj të shenjtë.

Një atmosferë pozitive ka mbizotëruar në rrugët e Kudsit, ku shumë njerëz janë kujdesur të vendosin dekorime festive për arrdhjen e muajit të  Ramazanit dhe të sigurojnë mallrat e nevojshme për iftar me mundësi të kufizuara financiare. Megjithatë, përkeqësimi i situatës ekonomike të palestinezëve ka ndikuar në mënyrë të pashmangshme edhe në atmosferën e Ramazanit këtë vit.

Namazi i teravisë në xhaminë Al-Aksa konsiderohet një nga ritet më të rëndësishme për banorët e Kudsit gjatë Ramazanit. Pavarësisht masave të rrepta të Izraelit mbi xhaminë Al-Aksa dhe pranisë së shtuar të policisë izraelite nëpër qytet dhe në hyrjet e xhamisë, banorët kanë ruajtur qetësinë, të përkushtuar ndaj faljes dhe riteve fetare.

Ata gjithashtu kanë vazhduar të çojnë salivate për Profetin (a.s), të këndojnë ilahi dhe këngë tradicionale të Ramazanit, duke i dhënë qytetit një atmosferë shpirtërore dhe festive.

Sa i përket gjendjes ekonomike në Kuds, disa dyqane ende shesin fenerë, turshi, erëza, ëmbëlsira tradicionale, fruta të thata dhe lodra për fëmijë. Megjithatë, lëvizja tregtare ka rënë ndjeshëm për shkak të kufizimeve të vendosura nga okupimi dhe bllokadës ekonomike mbi Bregun Perëndimor. Banorët vazhdojnë të përballen me mungesë mallrash dhe rritje të çmimeve, por pavarësisht kësaj, përpiqen të bëjnë blerje me mundësitë e tyre të kufizuara.

Prej vitesh, në xhaminë Al-Aksa organizohej iftari për vizitorët, ku ushqimi dhe pijet shpërndaheshin nga vullnetarët për të gjithë të pranishmit. Megjithatë, situata e rëndë ekonomike këtë vit mund të pengojë zhvillimin e këtij rituali të rëndësishëm, i cili ka qenë një burim gëzimi për të gjithë palestinezët, duke bashkuar të rinj e të moshuar.

Përkeqësimi i gjendjes ekonomike ka pasur një ndikim të veçantë te banorët e Bregut Perëndimor në përgjithësi dhe veçanërisht në Kudsin Lindor. Kjo situatë reflektohet qartë në rënien e madhe të lëvizjes tregtare, ku shumë dyqane në Bregun Perëndimor kanë pësuar një ulje të ndjeshme të numrit të klientëve për shkak të vështirësive ekonomike me të cilat përballen qytetarët. Para luftës, punishtet funksiononin, dyqanet hapeshin dhe mundësitë për të siguruar të ardhura rinovoheshin çdo ditë. Por, lufta ka lënë pasoja të mëdha në gjendjen ekonomike të banorëve, duke ndikuar në aftësinë e tyre për të përmbushur nevojat gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, si blerja e mallrave dhe përgatitja e ushqimeve për iftar dhe syfyr, apo edhe organizimi i tryezave të solidaritetit për familjarët dhe fqinjët.

Vështirësitë ekonomike vazhdojnë të rëndojnë mbi familjet që mbështeten kryesisht në pagat e tyre të përditshme. Tregtarët janë prekur rëndë dhe shumë fabrika në Hebron janë detyruar të mbyllen, duke krijuar një pengesë të madhe për familjet gjatë Ramazanit. Pavarësisht këtyre sfidave, banorët vazhdojnë të festojnë Ramazanin me qëndresë dhe vendosmëri, duke ruajtur shpresën se një ditë okupimi do të marrë fund.

Vendet e botës, veçanërisht ato që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të ushtrojnë presion mbi Izraelin që t’i japë fund shtypjes ndaj palestinezëve, ose të paktën t’u lejojë atyre të kryejnë ritet e tyre fetare gjatë Ramazanit pa dhunë apo kufizime. Po ashtu, duhet të ndalojë bllokadën ekonomike të imponuar mbi ta, e cila synon të shuajë gëzimin e tyre. Por, kush do të dëgjojë dhe do të veprojë?

Burimi: Aljazeera.net

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *