Para kufomës së Faraonit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Para pak ditësh vizitova muzeun kombëtar në Kajro dhe pashë të ashtuquajturin Faraon,  që shtypi, tiranizoi, mëkatoi dhe e kaloi cakun, u kundërvu dhe dhunoi, popullit të tij i bërtiti: “Unë jam zoti juaj më i lartë”, ndërsa masës i thirri: “Nuk di për ju tjetër hyjni veç meje”.

Pashë kufomën e tij të palëvizshme e të molepsur dhe sakaq kujtova fjalën e Allahut, të Vetmit, Triumfuesit: “Sot po të shpëtojmë ty (o Faraon), trupin tënd, që të mbetesh argument për atë që vjen pas teje”. Në mendje m`u vërtit fatkeqësia që e pret njeriun, atë ditë kur e harron Zotin e tij, i bën zullum vetes së tij, i kapërcen kufijtë e vet dhe del përtej etapës së tij, si është vdekja dhe përfundimi i tij?!

E pashë Faraonin, skeletin e tij kockë e lëkurë, fytyrën e tij të ngërdheshur, dhëmbët e tij të dalë, kafkën e tij të dëmtuar, të vetëm, fillikat, pa asnjë lloj dominimi, të zhveshur nga çdo lloj potence, të privuar nga çdo mirësi, të ekspozuar para syve të njerëzve, historisë, pashë jetëshkrimin dhe kufomën e tij; e pashë atë në një sënduk prej xhami, pa shtet, pa pushtet, pa fuqi e pa katandi, pa kurorë e pa purtekë, pa ushtar e pa ndihmëtar.

Musai i thoshte: “Thuaj ‘La ilahe il Allah-Nuk hyjni veç Allahut’”, por ky njeri i përçmuar thoshte: “Unë jam zoti”. Musai i thoshte: “Zoti im dhe i yti është i Vetmi i Pashoq, i Lartëmadhëruari”; e ai thoshte: “Nuk di për ju tjetër hyjni veç meje”.

I marri Faraon, sundoi një copë të tokës, të cilën e tiranizoi duke thënë: “A s’është sundimi i Egjiptit imi e edhe këto lumenj që vërshojnë përposhtë meje?!”; por Allahu ia vërshoi ujërat përsipër kokës.

Kujtova Faraonin, sesi mbytet në det dhe pastaj hidhet në rërë, si një bretkosë e ngordhur. Si nuk mendoi matufi rreth universit, si nuk i vështroi qiejt dhe tokën, si nuk i dëshmoi orbitat dhe trupat qiellorë, si nuk e shikoi diellin dhe hënën?! A nuk e gjeti përsosmërinë hyjnore të shkruar tek yjet e shndritshëm, malet e thepisur, detet vezullues, erërat trazuese, lumenjtë e vrullshëm dhe frutat e pjekura, a nuk e gjeti të shkruar në të gjitha këto?!

Ç’pati që e anuloi logjikën, fshiu vetëdijen dhe shkeli me të dy këmbët mbi mendjen e tij? Pse nuk u ul me unin e tij, të meditonte gjatë dhe të mësonte se ai s’është i denjë për zot, se ai kurrsesi nuk është i denjë për hyjni; pasi Zoti i Lavdishëm është i Gjallë e s’vdes, i Përhershëm e s’zhduket, i Panevojshëm e s’varfërohet, i Fuqishëm e s’dobësohet, s’fle dhe s’ha, nuk ia ka nevojën njerëzve dhe s’është nën efektin e kohës. Ndërsa ti o Faraon s’je veçse një njeri, një krijesë e ngratë, që vdes ashtu si çdo njeri, të kap uria sikurse i kap bagëtitë, kotesh dhe fle sikurse macja dhe miu, ha dhe shkon në VC. Nëse do ishte Faraoni që e krijoi universin, si e krijoi ai atë, kur dihet se universi ishte i krijuar miliona vite para ardhjes së Faraonit? Nëse ishte ai që e ngriti qiellin, ku qe fuqia e tij, ta mbronte nga deti i trazuar?

Shkatërruar qoftë ky dhunues, si e bëri dhe besoi gënjeshtrën e tij të madhe, se paska qenë ai që e ka krijuar dhe skicuar universin, krijuar krijesat dhe sunduar qiellin dhe tokën? Mjeran, si i inskenoi botës një teatër koti, të thatë, që shkurtazi obligonte që ai të adhurohej veç Allahut?

A bën të adhurohet njeriu që është vetëm një copë mishi, skelet kockor, krijesë që mund të mbytet me një kafshatë, që pa pirë ujë i humbet shkëlqimi, gripi e ngushton, pa ushqim s’bën dot, e përhumb gjumi, e mundon zhegu, e dëmton acari, e sulmon uria, e turbullon etja dhe e plogështon sëmundja?  Si qenka zot, si qenka hyjni, kush zanafillë të tij ka lëngun e athët gjenital, kush në barkun e tij mbart fekale dhe që përfundon në një kufomë që kutërbon?  Si të jetë Zot ai që qan, hidhërohet, brengoset, gogësin, teshtin, hutohet, harrohet, mërzitet, vreroset, xhelozon, qurroset, urinon, shkon në banjo dhe ejakulon? Jo, jo, i këtilli s’është veçse një njeri, krijesë e ngratë, mjerane, e brishtë, nevojtare, meskine. Ai nuk mund të jetë kurrsesi Zot, pasi Zoti është i Fuqishëm, i Panevojshëm, Triumfues, Mbikëqyrës i Përhershëm, i Përjetshëm, Bërës i gjithë sa dëshiron, i Vetmi, Samedi (Ai të cilit njeriu i drejtohet kur është në hall), as ka lindur kë, as nuk është i lindur dhe as nuk ka të ngjashëm.

E pashë Faraonin dhe zemra më jehoi: “‘La ilah il Allah-Nuk ka hyjni veç Allahut’, përjetësia, përhershmëria, madhështia, dominimet dhe fuqitë i takojnë Allahut”.

Shikova në fytyrën e rrudhur të Faraonit dhe zemra foli: Mjeran je o i tunduar, i shkatërruar je o smirëzi, i mallkuar je o i marrë. Shijoje pra fundin tënd të hidhur, kapërdije furjen e pikëllimit dhe shërbe si mësim për të gjithë ata, që dinë të marrin mësim!

O Faraon, ne erdhëm mijëra vite pas teje dhe e njohëm Allahun, Zotin e botëve, Hyjninë e të parëve dhe të fundmëve, ndërsa ti mbete një zero në këtë univers, një krijesë e padenjë në këtë univers. Kur e lexojmë historinë tënde, vetëm mllefin na shton për ty, Allahut i kërkojmë të na imunizojë nga ti dhe ecejaku yt, i kërkojmë mbrojtje Allahu të mos kemi një fund si fundi yt dhe një përfundimi si përfundimi yt.

Mjeran, vërtet mjeran është ai që imiton Faraonin, që pason ecejakun e tij dhe i admiron veprimet e tij.

 Autor: Aid El Karni

Përktheu: Altin Torba

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.