Lejohet pastrimi me ujin e pusit, nëse në të vdes ndonjë njeri apo ngordh ndonjë kafshë, nëse njeriu apo kafsha nxirren shpejt që aty, mirëpo pasi të jetë derdhur një sasi uji. Muhamed Ibn Sirin tregon,se një zezak ra në pusin Zemzem dhe vdiq. Ibn Abasi (r.a) urdhëroi të nxirret trupi dhe të derdhet uji i pusit.
Nëse macja apo ndonjë shpend bien në pus, ato nxirren nga pusi, para se të dekompozohen (qelben). Më pas derdhen 40 kova me ujë nga pusi. Sha’abij thotë për shpendët dhe të ngjashmet që bien në pus: “Të nxirren nga pusi dhe pastaj të derdhen 40 kova ujë prej tij”.
Nëse ndonjë pulë bie në pus dhe ngordh, ajo nxirret nga pusi dhe pastaj derdhen 40-70 kova ujë. Hammad Ibn Sulejman thotë për pulën që bie nëpus dhe ngordh: “Të nxirret dhe pastaj të derdhen 40-50 kova ujë nga pusi.Më pas ky ujë vlen për abdes”. Kur Shabiu u pyet për pulën që bie në pus, ai tha: “Të derdhen nga pusi 70 kova ujë”.
Nëse miu bie në pus dhe ngordh, ai nxirret nga pusi dhe pastaj derdhen 20 kova me ujë.Ata`u thotë: “Nëse miu bie në pus dhe ngordh, por nxirret menjëherë nga pusi,duhet të derdhen 20 kova me ujë. Nëse ai fillon dhe dekompozohet, atëherë derdhen 40 kova me ujë. Nëse delja bie në pus dhe ngordh, por nxirret menjëherë nga pusi, duhet të derdhen 40 kova me ujë. Nëse ajo fillon dhe dekompozohet, atëherë derdhet komplet uji, apo 100 kova me ujë”.
Ebu Hanife mendon, se nëse personi ka marrë abdes me ujin e pusit, pa e ditur se në të ka diçka të ngordhur, duhet t`i përsërisë namazet që ka falurme këtë abdes. Përsa i përket kafshëve që dekompozohen në ujë, nuk lejohet pastrimi me ujin e atij pusi, përderisa të nxirret komplet uji i pusit. Aliu (r.a) thotë: “Nëse miu ka rënë në pus dhe është dekompozuar, atëherë duhet
të nxirret i gjithë uji i pusit”. Pusi nuk mund të pastrohet komplet, del për detyrë derdhja e 200 kovave me ujë nga pusi. Uji i pusit nuk ndotet, nëse në të bien barishte, bajga apo gjëra të tilla, me kusht që të mos jenë shumë. Në rast se pusi trajtohet me kimikate pastruese, atëherë themi se merret për bazë fjala e ekspertit të kësaj fushe. Nëse ai thotë se duhet të derdhet një sasi e caktuar uji (aq sa e shikon ai të arsyeshme), atëherë ai derdhet, përndryshe kjo gjë nuk është e nevojshme.
Ali ibn Bekr Marginani thotë: “Dijetarët kompetentë të fesë, juristët apo të tjerët, për çdo ngjarje u referohen ekspertëve të fushës përkatëse dhe atyreqë e njohin hollësisht atë”.Në këtë rast vlen parimi: “Kur lënda e pisët tjetërsohet, atëherë ajo pastrohet”.
Autor: Rushit Musallari