Pasuria e lejuar dhe e ndaluar

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për vulën e provetëve, Muhamedin (a.s), për familjen dhe shokët e tij.

Allahu i Madhëruar na drejtohet me këtë thirrje në Kuranin Fisnik: “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.”[1]

Më pëlqen thirrja e Allahut  që i drejtohet të gjithë njerëzve, që të shfrytëzojnë dhe të hanë të mirat që dalin nga toka. Kërkesa (që u bëhet njerëzve) për t’u ushqyer me hallall, mbart disa pika:

1 – Që ajo që del nga toka duhet të jetë e lejuar.

2 – Ky hallall të klasifikohet tek të mirat.

3 – Të përdoret për mirësi (të përdoret hallall).

4 – Mjeti që është përdorur për të arritur deri te ajo pasuri, po ashtu të jetë i lejuar (hallall.)

Nuk ka dyshim se nëse njerëzit – muslimanët e jo muslimanët –  do të adhuronin Allahun dhe në jetën e tyre do të përdornin vetëm hallallin, ata do të ishin të lumtur.

Mirëpo..

Nëse në mesin e njerëzve do të përhapej konsumimi i pijeve narkotike, alkolike, duhani..etj, padyshim që pasojat negative do të ishin të shumta; njerëzit do të humbnin pasurinë, shëndetin, moralin, pasardhësit e tyre do të trashëgonin një edukatë të keqe nga prindërit e tyre..etj.

Nëse në mesin e njerëzve do të përhapej korrupsioni, cili do të ishte përfundimi? Dështim profesional, dështim në udhëheqje, prishje të moralit, dobësim të ekonomisë së vendit, humbja e besimit tek njerëzit, neglizhenca e meritokracisë, përhapja e rryshfetit..etj.

Prandaj edhe Allahu i Madhëruar në mënyrë alegorike thotë: “e mos shkoni hapave të djallit”, i cili ua zbukuron të ndaluarën, ndërsa faktikisht ai (shejtani) në anën tjetër i frikëson. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija e Allahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; Allahu është Dhurues i madh, i Dijshëm.”[2] “O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, pse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për vepra të shëmtuara e të irituara, e sikur mos të ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të pastrohej kurrë (prej mëkateve), por Allahu e pastron atë që do Ai. Allahu dëgjon e di.”[3]

Prandaj, shpenzimi i tepërt, hedhja e tepricave në koshin e mbeturinave, mashtrimi, kamata, prostuticioni, betimi i rrejshëm, të gjitha këto janë nga kurthet e shejtanit, që e frikëson njeriun me varfëri apo që ia zbukuron atij të shëmtuarën. Në lidhje me shejtanin Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ai (shejtani) është armik i përbetuar i juaji.”

Problemi rritet edhe më shumë, atëherë kur njeriu tenton të ndërhyjë në atë se çfarë është e lejuar dhe se çfarë është e ndaluar. E këtë të drejtë e ka vetëm Allahu i Madhëruar, i Cili ka vendosur rregulla se çfarë është e lejuar dhe çfarë jo. Detyrë e njeriut është që të studiojë ajetet e Kuranit të cilat flasin për çështjet e hallallit dhe haramit e  të kuptojë se çfarë konkretisht kërkon Allahu i Madhëruar prej tyre. Mirëpo nëse ai ndërhyn (me mendjen e tij) duke përcaktuar se çfarë është hallall dhe çfarë jo, padyshim që në këtë rast ai e ka tejkaluar kufirin. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i thuani asaj rrenës së gjuhëve tuaja: Kjo është hallall, e kjo është haram. E të shpifni ndaj Allahut rrenën. Vërtet ata që shpifin rrenën ndaj Allahut nuk kanë shpëtim.”[4]

Kështu që çështja e lejimit dhe e ndalimit është çështje që i takon vetëm Allahut të Madhëruar dhe askujt tjetër. Këtë, Ai e ka shpjeguar nëpërmjet Kuranit Fisnik dhe Profetit Muhamed (a.s). Kurse detyrë e dijetarëve është që me anë të studimit të kuptojnë qëllimin  e Zotit në Kuran. E nëse njerëzit arrijnë ta kuptojnë më së miri këtë çështje, padyshim që ata do të jetojnë të lumtur, në paqe e harmoni.

[1] – Sure El Bekare: 168.

[2] – Sure El Bekare: 268.

[3] – Sure En Nur; 21.

[4] – Sure En Nahl: 116.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.