Pendimi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një faktor për ndryshimin e vetes, është edhe pendimi, për veprat e liga të vepruara më parë. Gjendja e vështirë në të cilën umeti ndodhet, ka nevojë që ne të pendohemi dhe të kërkojmë falje. Një situatë e tillë, mund të jetë për shkak të gjynaheve tona.

Një djalë i ri, më shkruante në një email se kishte shumë frikë se ajo që po u ndodh vëllezërve tanë në Irak dhe Palestinë, mund të jetë për shkak të gjynaheve të tij dhe të shumë të rinjve të tjerë myslimanë. Imagjino për një çast, nëse i gjithë umeti pendohet për gjynahet që vepron secili! Imagjino për një çast që çdo mysliman dhe besimtar, largohet nga gjynahet që ka vepruar gjer dje! Imagjino për një çast, të gjithë duart e besimtarëve të ngritura drejt qiellit, kurse gjuhët e tyre përsërisin: O Zot i Plotfuqishëm! Ne pendohemi për gjithçka kemi vepruar! Na fal o Zot! Ne distancohemi në këtë çast nga veprat e liga dhe kërkojmë faljen Tënde!

Të gjithë ne kemi gabime, të gjithë ne kemi bërë dhe bëjmë gjynahe. Disa prej nesh pendohen dhe distancohen menjëherë, ka të tjerë që e kanë të vështirë të pendohen.

Përse të mos kemi një ditë, ose më mirë një orë çdo ditë ku të pendohemi dhe t’i kërkojmë Zotit të madhëruar falje? Përse të mos caktojmë një natë, të cilën do e quajmë nata e pendimit? A e imagjinoni dot sa do të kënaqej vetë Zoti i madhëruar? Sa do të kënaqeshin melekët!

Pendimi i një besimtari që është zhytur në gjynahe dhe punë të liga, mund të bëhet shkas që Zoti ta mëshirojë këtë umet dhe ta nxjerrë nga bataku ku është zhytur.

Çfarëdo të kesh bërë o njeri, sado të shumta qofshin gjynahet, sado të rënda qofshin veprat e liga, nëse pendohesh dhe kërkon faljen e Zotit, Ai të pranon dhe të fal.

Përse të mos pendohesh në këtë çast o vëlla dhe oj motër? Përse të mos pendohesh tani për të gjithë gjynahet e mëdha, të vogla dhe për çdo shkelje që ke bërë gjatë jetës? Ne kemi nevojë të pendohemi jo vetëm për gjynahet që kemi bërë, por edhe për indiferentizmin tonë në lidhje me thirrjen islame. Unë u bëj thirrje të gjithë njerëzve të ditur, hoxhallarëve, ftuesve, dashamirësve të fesë, atyre që u djeg zemra për islamin dhe Kuranin … le të pendohemi në këto çaste, për neglizhencën tonë për thirrjen e njerëzve në islam.

Vëllezërit tanë që vuajnë në Irak dhe Palestinë, do na kërkojnë llogari Ditën e Kiametit, për atë që u ndodhi. Nëse nuk kemi mundësi t’i ndihmojmë dhe t’ua largojmë të keqen, të paktën të distancohemi nga gjynahet tona dhe të pendohemi tek Zoti, të paktën të jemi pozitivë dhe çështjet t’i marrim me seriozitetin e duhur.

Ajo që i ka ndodhur Irakut dhe Palestinës, nuk është përgjegjësi e disa personave dhe individëve të caktuar. Jo. Ajo është përgjegjësi e një umeti të tërë, i cili është treguar indiferent dhe i pavëmendshëm. Ajo është përgjegjësi e atyre hoxhallarëve dhe ftuesve, të cilët nuk e kryen misionin që pritej prej tyre. Ajo është përgjegjësi e të gjithë atyre të rinjve që e kanë kuptuar fenë së prapthi. Ajo është përgjegjësi e atyre studentëve fetarë, të cilët ishin me rezultate të dobëta në universitet dhe mbetës në shumë lëndë. Ajo është përgjegjësi e atyre besimtarëve të papërgjegjshëm, të cilët me veprat e tyre i largonin njerëzit nga feja.

Le të deklarojmë pendimin tonë sot, për gjithë indiferentizmin dhe neglizhencën tonë, për gjynahet e rënda që kemi vepruar gjatë jetës, për gjynahet e vogla, për një gjynah dhe vepër të ligë që vazhdojmë ta veprojmë dhe që na duket diçka e vogël.

Vetë Zoti i madhëruar u bën thirrje të gjithë gjynahqarëve që të pendohen. Thotë Zoti në Kuran: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.”[1] Thonë shokët e Profetit (a.s):”I dërguari i Zotit a.s, nuk është gëzuar me asnjë ajet tjetër, siç është gëzuar kur iu shpall ky ajet.”

O vëlla dhe oj motër! O ti që ke vite të tëra që vepron gjynahe dhe punë të liga! Pendohu në këto çaste, që të shpëtosh myslimanë nga fatkeqësitë dhe një umet nga prapambetja. Umeti mysliman është si një trup i vetëm, për të cilin Profeti ynë thotë “Nëse organi i sëmurë qetësohet, i gjithë organizmi qetësohet” Në çastin që ti o vëlla pendohesh dhe largohesh nga një gjynah. Nëse pendohesh në këto çaste për gjynahet dhe veprat e liga që ke vepruar gjer tani, menjëherë hyn tek ata që i do Zotin. Që të pastrohesh, duhet të pendohehesh. Gjynahet e shumta e ndotin zemrën dhe shpirtin e njeriut. Është pendimi ai që të pastron dhe i largon këto papastërti. “A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?”[2] “Falës i gjynahut dhe Pranues i pendimit.”[3]

Që ta largosh nga vetja këtë pafuqi dhe dobësi, duhet të pendohesh dhe t’i kthehesh Zotit tënd.

A vazhdon ta ndjesh gjynahun më të ëmbël se pendimi dhe pastrimi shpirtëror? A vazhdon të preferosh nënshtrimin në vend të fisshmërisë dhe krenarisë? “Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.”[4] Me këtë, sikur Zoti i ka klasifikuar njerëzit në dy grupe: Në grupin e parë hyjnë ata që pendohen, kurse në grupin e dytë hyjnë keqbërësit, zullumqarët, ata që nuk pendohen. Një njeri që nuk pendohet, i bën padrejtësi vetes së tij.

Mos vallë nuk ke nevojë të pendohesh o vëlla dhe oj motër? Mos vallë pretendoni se nuk keni gjynahe? Mos vallë jeni të gatshëm të dilni para Zotit, të ngarkuar me këto gjynahe? Përse nuk pendohesh dhe të pastrohesh? Mos vallë nuk e di sa e madhe dhe e pakufi është mëshira dhe falja e Zotit tënd?

Përse nuk pendohesh për indiferentizmin në ftesën islame? Përse nuk pendohesh për gjynahet e vogla që bën çdo ditë? Përse nuk pendohesh për begatitë që të ka dhënë Zoti, për të cilët nuk e falënderon? Përse nuk pendohesh për shkujdesjen me të cilën je mësuar që prej dhjetëra vitesh?

Më shumë se gjynahet dhe veprat e liga, ka nevojë për pendim pikërisht shkujdesja vrasëse e shumë myslimanëve.  Zoti i Madhëruar, u drejtohet myslimanëve dhe shokëve të Profetit a.s me fjalët: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”[5]

Nëse këto fjalë i drejtohen brezit më të mirë dhe më të ndershëm, shokëve të Profetit (a.s) ç’mund të themi për neve? Ç’mund të themi për neve, ndërkohë që vetë Profeti (a.s) thoshte: “O njerëz, i kërkoni falje Zotit dhe pendohuni, pasi unë i kërkoj falje dhe pendohem njëqind herë në ditë”. Tregojnë sahabët: “Në një të ulur, i numëronim Profeti (a.s )deri në shtatëdhjetë istigfare.” Ndërkohë që fliste dhe diskutonte me shokët e tij, Profeti a.s heshtte për disa sekonda dhe thoshte: “I kërkoj falje Zotit dhe pendohem.” Edhe pse Zoti e mbronte nga gabimet, Profeti (a.s) i kërkonte Zotit falje dhe pendohej. Imagjinoni nëse i gjithë umeti mysliman do të pendoheshin brenda një nate.

Pendimi është një adhurim që ka të bëjë me zemrën e besimtarit, por që efekti i tij është aq i madh, saqë ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e umetit. Thotë Profeti (a.s): “Allahu shtrin dorën e Tij ditën që të pendohet gjynahqari i natës dhe shtrin dorën natën që të pendohet gjynahqari i ditës”. Zoti i Madhëruar ofron faljen dhe mëshirën e Tij për të gjithë gjynahqarët. Ai djalë që është lidhur me një vajzë dhe nuk ndahet dot prej saj, ai i ri që është frekuentues i faqeve pornografike në internet, ajo vajzë që shoqërohet me djem, ai familjar që është mësuar të përfitojë nga posti i tij dhe ushqehet me haram etj… është mirë të pendohen në këtë çast dhe t’i thonë jo gjynaheve.

Tregohet se një mbret, i trajtonte shumë mirë të gjithë nëpunësit e tij dhe skllevërit. Asnjë mbret tjetër nuk i trajtonte vartësit, skllevërit dhe shërbëtorët si ai. Përveç trajtimit të mirë dhe privilegjeve, skllevërit ishin të obliguar me disa përgjegjësi të cilat i shkojnë për shtat statusit të tyre. Agjentët e një mbretërie tjetër armike, kontaktuan me njërin nga skllevërit dhe e mashtruan duke i thënë se punët e tij të përditshme ishin mbi kapacitetin e tij dhe se po t’i ndihmonte, do e nderonin dhe shpërblenin më së miri. Skllavi i gjorë i besoi, u arratis dhe u radhit në anën e armiqve të mbretit të tij. Armiku i mbretit të drejtë është shejtani. Në fund, skllavi dhe robi i gjorë pa që ishte mashtruar. Asnjë nga premtimet që iu bënë nuk u mbajt. I zhgënjyer dhe kokulur, ai u afrua tek porta e mbretit të tij të dashur dhe trokiti. Vallë a do ia hapte portën mbreti i tij, pas gjithë atyre që kishin ndodhur? A do e pranonte pas tradhtisë? Të gjithë këto pyetje dhe mëdyshje iu larguan, kur dëgjoi zërin e mbretit t’i thotë: “Kush më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një krah. Kush më afrohet një krah i afrohem një pash dhe kush ecën drejt Meje, do të vrapoj drejt tij” “O biri i Ademit, përderisa më lutesh dhe shpreson tek Unë, do ti fal gjithçka që ke bërë pa problem. O biri Ademit, nëse gjynahet e tua arrijnë deri në kulimin e qiellit, dhe ti më kërkon falje Unë do të ti fal. O biri i Ademit, nëse gjynahet e tua do të jenë sa vetë toka, do të të sjell sa vetë toka mëshirë, nëse nuk më ke vënë shok”. “Një njeri bëri një gjynah dhe tha: O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj ma fal mua atë. Zoti i thotë: E kuptoi robi Im që ka një Zot i cili I fal gjynahet dhe ndëshkon për ta, ia kam falur robit Tim. Më pas bëri një gjynah tjetër dhe tha: O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal. Zoti i thotë përsëri: E kuptoi robi Im që ka një Zot i cili i fal gjynahet dhe ndëshkon për ta, ia kam falur robit Tim. Më pas bëri një gjynah tjetër dhe tha: O Zot, unë bëra një gjynah, prandaj më fal. Zoti përseri tha: E kuptoi robi Im që ka një Zot i cili i fal gjynahet dhe ndëshkon për ta, ia kam falur robit Tim, le të veprojë ç’të dojë robi Im përderisa më kërkon falje”

Një fëmijë i prapë dhe i papërmbajtur, u nxor jashtë nga e ëma, pasi ishte i padurueshëm në shtëpi.  Pasi brodhi gjithë ditën rrugëve duke mos gjetur ku të strehohet, ai u kthye sërish në shtëpi dhe u mbështet tek porta, ku e zuri gjumi. Vallë çfarë do bëjë nëna kur ta vërejë djalin e saj ashtu të drobitur dhe të rraskapitur? A do e marrë në krahë dhe ta fusë brenda, apo do e lërë përjashta, në atë gjendje të mjerueshme? A ka shpirt nëne që mund ta lërë jashtë djalin e saj? Padyshim që nëna do e marrë në krahë dhe do e fusë brenda.

Në kohën e Musait (a.s) ndodh një thatësirë e madhe që nuk ish parë më parë. Të mbjellat u thanë, bagëtia filloi të ngordhë,  dhe njerëzit filloi ti kërcënojë uria dhe etja. Populli i Musait u mblodh një ditë dhe vajtën tek Musai dhe i thanë: “O Musa, lute Zotin që të lëshojë shi nga qielli, pasi mund të vdesim.” Atëherë Musai i mblodhi popullin, rreth 70 mijë çifutë dhe filloi të lutej, kurse populli thonin Amin, pas çdo lutje. Megjithatë shiu nuk po binte. Atëherë Musai u drejtua nga qielli dhe tha: “O Zot, përse nuk po na lëshon shi, megjithëse u lutëm?” Zoti i thotë: “O Musa, nuk do të bie shi, pasi në mesin tuaj është një burrë i cili ka 40 vjet që bën gjynahe pa iu skuqur fytyra një herë prej Meje. Nuk do të bjerë shi deri sa ai të dalë nga mesi juaj. Vetëm kur të dalë do të bjerë shiu.” Atëherë Musai i mblodhi të gjithë njerëzit dhe u tha: Nuk do të bjerë shi deri sa të largohet prej nesh ai që ka dyzet vjet që bën gjynahe. Personi që kish dyzet vjet që bënte gjynahe, shikon njëherë majtas dhe djathtas se mos del dikush tjetër, por kur pa që nuk lëvizi kush, e kuptoi që për të flitej. Në ato çaste të vështira për të, fillon të thotë me vete:”O Zot, ka dyzet vite që nuk të bindem dhe kam vazhduar me gjynahe dhe Ti më ke mbuluar dhe nuk e kanë marrë vesh njerëzit. O Zot, po të dal tani do të dal i poshtëruar, nëse nuk dal do të vdesim nga etja. O Zot, unë në këto momente pendohem për ato që kam vepruar, prandaj më fal dhe mi mbulo të metat.” Në atë çast filloi të bjerë shiu. Musai i habitur e pyeti Zotin: “O Zot, si ka mundësi që ra shiu, megjithëse nuk doli kush?” “O Musa – ia ktheu Zoti, – robi im që veproi gjynahe për dyzet vjet, u pendua me sinqeritet në ato çaste dhe Unë ia pranova pendimin, prandaj filloi të bjerë shiu.” Musai a.s iu lut:”O Zot, të lutem ma trego, kush është ai njeri!” Por Zoti ia ktheu: O Musa, ka dyzet vite që bën gjynahe dhe Unë ia kam mbuluar, kurse tani që u pendua dhe i la gjynahet unë ta zbuloj dhe ta poshtëroj para njerëzve?!” Ky është Zoti ynë, i Dhembshur dhe Bujar.

Tregon Ibn Kajjim se kur Ademi (a.s) nuk iu bind urdhrit të Zotit dhe hëngri nga pema e ndaluar, filloi të vrapojë në xhenet. Zoti i thirri dhe i tha:”O Adem, a po ikën prej meje?! ” “Jo o Zot, por më vjen turp prej Teje” – i tha Ademi.  Atëherë i tha Zoti: “O Adem, mos u mërzit që të nxora nga xheneti, pasi për ty e kam krijuar atë, por zbrit në tokë, përulu ndaj Meje, dhe kur të shtohet dashuria për Mua dhe për xhenetin, eja të çoj atje përsëri. O Adem, a do të dëshirojë që të mbroja nga gjynahet?” “Po o Zot” – i tha Ademi. Por Zoti i tha: “O Adem, nëse do të mbroja ty dhe fëmijët e tu nga gjynahet, kujt do ia falja mëshirën Time? Dhe kujt do ia tregoja bujarinë Time? O Adem, një gjynah me të cilin të thyhet zemra dhe nënshtrohesh ndaj Meje, është me i dashur se një punë e mirë që nuk e bën për hatrin Tim. O Adem, rënkimi i gjynahqarëve që pendohen për ato që kanë bërë, është më i dashur për Mua, se adhurimet e atyre që e bëjnë për syfaqësi.”

Vallë cila është dita më e lumtur e jetës tuaj? Mos është dita që keni lindur, apo dita që jeni martuar, apo dita që jeni bërë prind? Dita më e lumtur e jetës tënde, është ajo ditë kur Zoti ta pranon pendimin. Bëje këtë ditë, ditën më të lumtur të jetës, duke u penduar për gjithçka ke vepruar.

Pendimi ka tre kushte që të pranohet tek Zoti:

1-Të pendohesh dhe të bëhesh pishman për ato gjynahe që ke bërë.

2-Të largohesh nga ato gjynahe që bëje më parë.

3-Të jesh i vendosur që nuk do i veprosh më.

E lusim Zotin që të na e lehtësojë pendimin dhe ta pranojë atë!

Autor: Amer Halidi

[1] – Sure Zumer: 53.

[2] – Sure Teube: 104.

[3] – Sure Gafir: 3.

[4] – Sure Huxhurat: 11.

[5] – Sure Nur: 31.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.