Përgëzime profetike: Si mbolli Profeti (a.s) shpresën dhe bindjen e sigurtë te myslimanët

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sa e bukur është fjala “përgëzim” kur zbret në zemrën e etur, që pret çlirimin dhe kapet pas shpresës. Sa të bukura janë mësimet e Islamit, kur e dimë se Allahu i Lartësuar ia ngarkoi të Dërguarit të Tij të nderuar detyrën e përgëzimit me të mira, siç thotë Allahu i Madhëruar: “O Pejgamber! Ne të kemi dërguar ty dëshmitar, përgëzues dhe paralajmërues. Dhe thirrës tek Allahu, me lejen e Tij, dhe një llambë ndriçuese. Dhe përgëzoji besimtarët se për ta ka nga Allahu një shpërblim të madh”[1]

Përgëzimet profetike nuk ishin thjesht fjalë kalimtare, por ishin një mënyrë jetese që mbillte optimizëm dhe nxiste drejt veprave të mira.

Përgëzime profetike në fillim të thirrjes: Themeli i mbretërisë dhe i shpëtimit

Përgëzimi me të mira e shoqëroi Profetin (a.s) qysh me  fillimin i thirrjes së tij, kur ai i përgëzoi ata që besuan Allahun e Lartësuar, si Zot me një mbretëri të gjerë dhe me të mira të shumta. Ai i tha farefisit të tij më të afërt: “Unë nuk kam në dorë për ju as pjesë nga Allahu e as ndonjë shpërblim nga bota tjetër, përveçse nëse thoni: La ilahe il-lAllah (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut). Atëherë unë do të dëshmoj për ju me këtë para Zotit tuaj, dhe arabët do t’ju binden me të, kurse joarabët do të përulen para jush.”[2]

Dhe kur ai (a.s) takohej me fiset e ndryshme arabe i thërriste ata tek Allahu i Madhëruar, i përgëzonte me shpëtim në dynja dhe në ahiret, duke thënë: “O ju njerëz! Thoni La ilahe il-lAllah dhe do të shpëtoni, do të sundoni me të arabët dhe joarabët do të përulen para jush, e nëse besoni, do të jeni mbretër në Xhenet.”[3]

Përgëzim për ithtarët e teuhidit: Çelësi i Xhenetit

Përgëzimi me të mira vazhdoi për ata që e njësojnë Zotin e tyre me sinqeritet dhe bindje. Transmetohet nga Enesi (r.a) se Profeti (a.s)  i tha Muadhit: “Dije se kushdo që vdes duke dëshmuar se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, me sinqeritet nga zemra e tij, do të hyjë në Xhenet.”[4] Kështu pra, Profeti (a.s)  i përgëzon me Xhenet ata që gjuha e tyre shpreh atë që gjendet në zemër, besimin dhe teuhidin.

Përgëzim për punëmirët me shpërblim të madh

Profeti (a.s) i përgëzon me shpërblim të madh dhe me shpërblime të bollshme ata që përpiqen të arrijnë robërinë e plotë ndaj Allahut të Madhëruar. Ai (a.s)  ka thënë: “Vërtet feja është e lehtë, dhe askush që e vështirëson fenë nuk do të mund ta përballojë. Prandaj qëlloni (që të jeni në shenjë), afrohuni (tek e vërteta), gëzohuni (me lajme të mira) dhe kërkoni ndihmë tek adhurimet e mëngjesit, të mbrëmjes dhe pak gjatë natës.”[5]

Profeti (a.s)  i përgëzon ata që janë të përkushtuar në veprat e tyre, që kanë sinqeritet në qëllimet e tyre dhe që përpiqen të ndjekin rrugën e udhëzimit: herë lëkunden, herë qëndrojnë të palëkundur, herë e arrijnë synimin, herë u mungon forca. Por në çdo gjendje janë të sinqertë; ndonjëherë e mposhtin veten e tyre, ndonjëherë ajo i mposht ata. Përveç përkushtimit në bindje, ata janë të kujdesshëm të ruajnë vazhdimësinë. Për këta, Allahu i Madhëruar ka përgatitur një shpërblim të madh dhe të jashtëzakonshëm, gjë të cilën Pejgamberi (a.s) nuk e ka përcaktuar se sa është.

Përgëzim në kohë krizash: Dritë që shndrit në errësirë

Rëndësia e përgëzimit shfaqet sidomos në kohë vështirësish, kur ngushtohen rrethanat dhe shtohen sprovat. Pikërisht në ato çaste kur atmosfera bëhet e errët dhe barra e mundimeve rëndon tek njerëzit, atëherë shfaqen rrezet e përgëzimit që japin mbështetje shpirtërore, energji pozitive dhe aftësi për të vazhduar përpjekjen. Sahabët (r.a) iu ankuan Profetit (a.s) për dëmet dhe vështirësitë që po kalonin, atëherë ai (a.s) i përgëzoi me largimin e frikës dhe ardhjen e sigurisë, duke thënë: “Pasha Allahun, kjo çështje (feja islame) do të plotësohet, derisa kalorësi të udhëtojë nga Sana’ja deri në Hadramaut pa pasur frikë përveç Allahut, ose përveç ujkut për kopenë e tij. Por ju po nguteni.”[6]

Përgëzim për njerëzit e urtësisë dhe mendjes së shëndoshë

Një nga mirësitë më të mëdha që Allahu i jep njeriut është urtësia, me të cilën ai dallon mes të mirës dhe të keqes, si dhe mes të mirës dhe asaj që është edhe më e mirë. Për të tillë njerët, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përgëzoji robërit e Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët dhe ndjekin më të mirën prej tyre. Ata janë ata që i ka udhëzuar Allahu, dhe ata janë të mençurit.”[7] Dijetarët kanë thënë: “Allahu i lavdëroi ata sepse janë njerëz që dallojnë mes udhëzimit dhe humbjes, mes urtësisë dhe iluzioneve; ata shikojnë tek argumentet e vërteta.”

Ata dëgjojnë shumë fjalë, mes të cilave ka të vërteta dhe të kota, si dhe në të vërtetën ka të mira dhe më të mira. Ata zgjedhin gjithnjë më të mirën dhe e vënë në praktikë. Ndërsa disa njerëz kërkojnë gjykimin e Allahut për një çështje, por pranojnë vetëm atë që u përshtatet dëshirave të tyre. Ndërsa robërit e Allahut, të cilët Ai i përgëzon, e dëgjojnë fjalën me përqendrim dhe mendim, kërkojnë nga Allahu udhëzim drejt së vërtetës dhe, kur e gjejnë, e pranojnë me zemër dhe e zbatojnë me gjymtyrët e tyre.

Përgëzim për të sëmurët dhe të sprovuarit: Shlyerja e mëkateve

Sprova e sëmundjes është e rëndë për çdokënd, sepse njeriu ndjen dobësi dhe nevojë për të tjerët. Udhëzimi i Profetit (a.s) në përballimin e sprovave ishte gjithmonë me përgëzim: përgëzim për afrimin e lehtësimit nga Allahu dhe për shpërblimin e madh për ata që bëjnë durim e kërkojnë shpëtim. Transmeton Umul Ala’ (r.a): “Profeti (a.s) erdhi të më vizitonte kur isha e sëmurë dhe më tha: Përgëzohu, o Umul Ala’, sepse Allahu ia shlyen mëkatet myslimanit kur ai sëmuret, ashtu siç shkrin zjarri papastërtinë e arit dhe argjendit.”[8]

Përgëzim për umetin islam: Fitorja dhe fuqizimi i myslimanëve

Profeti (a.s) ka thënë: “Përgëzoje këtë ummet me lavdi, ngritje, fitore dhe fuqizim në tokë. Por kush vepron punë që janë për Ahiret, por të përfituar vetëm për dunjanë, nuk do të ketë pjesë në ahiret.”[9] Umeti mysliman po përjeton sprova të rënda, dobësi dhe rraskapitje, por ringritja është e afërt dhe rruga është e shënuar në Kuran dhe Sunet. Sa herë që ummeti goditet, zgjohen në të burimet e forcës dhe qëndrueshmërisë. Dhe kur i vdes ndonjë prej udhëheqësve që e udhëzonin në të mirë, Allahu i Madhëruar ngre pasues të tjerë që  do ta vazhdojnë misionin.

Përgëzoni dhe mos largoni njerëzit”: një metodë profetike në thirrje

Profeti (a.s) e donte përgëzimin me të mira dhe i urdhëronte shokët e tij me të, kur i dërgonte në ndonjë mision, duke u thënë: “Përgëzoni dhe mos largoni (njerëzit), lehtësoni dhe mos vështirësoni.”[10] Ky udhëzim përfshin: përgëzimin me mirësinë e Allahut, me shpërblimin e Tij të madh dhe me mëshirën e Tij të gjerë; ndalimin nga frikësimi vetëm me dënime pa i bashkangjitur përgëzimit. Në këtë mënyrë afroheshin ata që ishin më afër pranimit të Islamit, duke mos u rënduar me vështirësi të panevojshme. Po kështu trajtoheshin edhe fëmijët që ishin afër moshës së pjekurisë, të rriturit, si dhe ata që pendoheshin nga mëkatet, të gjithë trajtoheshin me butësi dhe gradualisht hap pas hapi.

Besimi i sahabëve në vërtetësinë e përgëzimeve profetike

Zemrat e sahabëve (r.a) u mbushën me besim të plotë në përgëzimet profetike. Kur Profeti (a.s)  e ftoi Adij ibn Hatimin në Islam, e përgëzoi me të mira të mëdha dhe i tha: “O Adij ibn Hatim, prano Islamin dhe do të shpëtosh. Unë mendoj – ose e shoh – se ajo që të pengon të pranosh Islamin është varfëria që sheh përreth meje. Së shpejti gruaja udhëtare do të niset nga Hira pa pasur nevojë për mbrojtje derisa të bëjë tavaf rreth Qabes. Thesaret e Kisras, birit të Hurmuzit, do të hapen për ne. Pasuria do të derdhet aq shumë, saqë njeriu do të shqetësohet se kujt do t’ia japë sadakanë e tij.”

Adij ibn Hatim thotë: “E kam parë gruan udhëtare të niset nga Hira pa mbrojtje derisa bëri tavaf rreth Qabes. Kam qenë në mesin e kalorësve të parë që sulmuan në Medain për thesaret e Kisras, birit të Hurmuzit. Dhe, pasha Allahun, edhe e treta do të ndodhë patjetër, sepse është fjalë e Profetit (a.s)”[11]

Ky betim mbi përmbushjen e përgëzimit profetik – megjithëse ende nuk kishte ardhur koha e tij – buronte nga besimi i thellë në fjalët e Profetit (a.s), pavarësisht se këto përgëzime mund të dukeshin të pamundura apo të largëta. Ky besim nuk erdhi rastësisht, por pasoi një mendim të hollë dhe një reflektim të madh mbi shpalljen hyjnore dhe vërtetësinë e saj.

Përgëzimi dhe mendimi i mirë për Allahun: çelësi i punës dhe i shpresës

Vetëm ata që kanë bindje të fortë dhe që e njohin Zotin e tyre përmes leximit të Librit të Tij dhe studimit të Sunetit të Profetit (a.s) , si dhe duke reflektuar mbi historinë njerëzore, mund të gëzohen me përgëzimet. Vetëm ata që janë të bindur se gjithë e mira është në dorën e Allahut dhe se njerëzit, pavarësisht fuqisë së tyre, nuk posedojnë as dhënie as ndalim për veten e tyre – sepse ata janë të varfër ndaj Zotit të tyre – mund të gëzohen. Këtë varfëri e kupton besimtari në çdo kohë, ndërsa jobesimtari vetëm në orët e vështirësisë.

Ky është vetëm një shembull nga shumë përgëzime profetike. Sa herë që shohim në Sunetin Profetik, gjejmë përgëzime të shumta që mbushin zemrën e besimtarit me shpresë për një të ardhme më të mirë, që i japin shpirtit të tij gjallëri përmes mendimit të mirë për Allahun dhe e shtyjnë drejt punës, duke qenë i bindur se Allahu nuk e humb shpërblimin e atyre që bëjnë vepra të mira. Në këtë mënyrë, përgëzimi nuk mbetet thjesht një premtim i bukur ose një iluzion që e mban mendjen të qetë përballë krizave, por shndërrohet në një realitet të sigurt që e shtyn njeriun të punojë pa pushim, ditë e natë, me sinqeritet dhe me bashkëpunim për vepra të mira dhe devotshmëri, duke kuptuar realitetin dhe duke shikuar me shpresë të ardhmen.

Sot ne kemi nevojë për përgëzime të vërteta që të na ndihmojnë të përballojmë barrët e jetës dhe të kalojmë krizat që na bluajnë dhe na shuajnë çdo shpresë për një të ardhme më të mirë. Besimtarët, pavarësisht sprova që kalojnë, vështirësive që përjetojnë apo mangësive që kanë në adhurim, për shkak të sinqeritetit të nijetit të tyre dhe shpresës së madhe tek Zoti i tyre, gjithnjë gëzohen me një mirësi dhe mëshirë nga Allahu dhe janë të bindur se Ai nuk e humb shpërblimin e besimtarëve.

Autor: Muhamed Atije

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Ahzab: 45 – 47.

[2] – Nesaiu. Hadithi është Sahih.

[3] – Ibn Sa’di në Tabekat. Hadithi është Sahih.

[4] – Buhariu dhe Muslimi.

[5] – Muslimi.

[6] – Buhariu dhe Muslimi.

[7] – Sure Zumer: 17 – 18.

[8] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[9] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

[10] – Buhariu dhe Muslimi.

[11] – Tabaraniju.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *