Përkufizimi gjuhësor dhe terminologjik i fjalës “Kuran”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Fjala “Kurân – الْقُرْآنُ ” rrjedh nga fjala “Kara`e – قرأ ”, që do të thotë: “lexoj, mbledh, bashkoj”. Fjala “Kuran” është emër foljor dhe ka kuptimin: “lexim, I mbledhur, i bashkuar”, etj.

Termi Kuran përkufizohet me fjalët: Fjala e Allahut dhe mrekullia e Tij e paimitueshme, që i është shpallur Muhamedit (Paqja qoftë mbi të) nëpërmjet Xhibrilit (Paqja qoftë mbi të) në gjuhën arabe, i transmetuar sipas formës më të besueshme dhe më të saktë – Tevatur. Ai është i shkruar në Mus`haf (fletë), fillon me suren Fatiha, mbaron me suren Nas dhe leximi i tij është adhurim.

Shpjegim i përkufizimit

Fjala e Allahut: Ajetet e Kuranit janë fjalë të thëna nga Allahu i Madhëruar, pasi “të folurit” është nga cilësitë e Allahut. Termi “Fjalë e Allahut” përjashton të gjitha llojet e fjalëve të tjera, qofshin ato fjalë të njerëzve, engjëjve, xhindëve apo të ndonjë krijese tjetër.

dhe mrekullia e Tij e paimitueshme: Një nga veçoritë e Kuranit është sfida, me të cilën sfidohet i gjithë njerëzimi, në aspektin e formulimit të një libri të tillë nga ana e njerëzve. Kurani është mrekulli, qoftë edhe në ajetin më të shkurtër. Një veçori të tillë nuk e kanë fjalët e Allahut, të cilat janë interpretuar apo formuluar nga i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të), që ndryshe njihen me termin “Hadith Kudsij – fjalë hyjnore”.

që i është shpallur Muhamedit (Paqja qoftë mbi të): Kurani i është shpallur vetëm Muhamedit (Paqja qoftë mbi të), ndërsa shpalljet e tjera si Teurati, Zeburi, Ungjilli, Fletët, apo ato që Allahu ua shpall engjëjve, nuk konsiderohen Kuran.

nëpërmjet Xhibrilit: Allahu ia shpalli Kuranin fisnik të Dërguarit të Tij

Muhamedit (Paqja qoftë mbi të) : – nëpërmjet engjëllit Xhibril (Paqja qoftë mbi të). Këtu përjashtohen format e tjera të zbulesës/shpalljes si: ëndrra, inspirimi etj.

në gjuhën arabe: Kurani është shpallur në arabisht, ndërsa çdo shpallje në një gjuhë tjetër – siç është Teurati, Zeburi dhe Ungjilli – nuk konsiderohet Kuran, megjithëse në parim konsiderohet “Fjalë e Allahut”. Ky term përjashton edhe përkthimet e Kuranit në gjuhë të tjera. Këto përkthime nuk konsiderohen Kuran, por thjesht interpretim i asaj që përkthyesi apo përshtatësi ka kuptuar nga Kurani.

i transmetuar sipas formës më të besueshme dhe më të saktë – Tevatur: Kurani nuk është transmetuar sipas formës “na ka treguar filani, i cili tregon nga filani”, por është transmetuar gjeneratë pas gjenerate, është ruajtur që në kohën kur është shpallur, nëpërmjet mësimit përmendësh dhe shkrimit të tij. Prandaj ato lexime (Kira`ete) të ajeteve, të cilat nuk plotësojnë këtë kriter ruajtje, nuk

konsiderohen pjesë të Kuranit.

i shkruar në Mus`haf: Këtu përjashtohen shkrimet e tjera si: hadithet kudsij apo fjalët e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të).

fillon me suren Fatiha, mbaron me suren Nas: Kurani ka 114 sure të përcaktuara, fillon me suren Fatiha dhe mbaron me suren Nas.

dhe leximi i tij është adhurim: Leximi i Kuranit është adhurim I drejtpërdrejtë, ku leximi i një gërme shpëblehet me të paktën 10 sevape. Ky shpërblim specifik nuk përcaktohet për leximin e haditheve kudsij, haditheve profetike apo librave të tjerë.

Ky është përkufizimi që kanë dhënë dijetarët e Islamit për Kuranin dhe me këtë përkufizim pajtohen edhe ithtarët e tjerë të fraksioneve të ndryshme, si: shi`itët, khavarixhët dhe mutezilët, vetëm se këta të fundit thonë, se Kurani është vepër e krijuar nga Allahu.

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *