Përkushtimi në namaz

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Duhet ta dini – Zoti ju mbuloftë me mëshirën e Tij -, se kur një rob i Allahut del nga shtëpia për të shkuar në xhami, ai shkon për të dalë para Allahut, të Vetmit, të Gjithëfuqishmit, të Lartësuarit, Falësit- me dije dhe bindje se asgjë nuk mund t’i fshihet Allahut, kudo e ngado qoftë robi i tij, madje Atij nuk mund t’i fshihet dhe grimca më e vogël- në shtatë toka apo në shtatë qiej, në shtatë dete a shtatë male të larta. Vërtet shtëpia, drejt së cilës ai po vjen, është një nga Shtëpitë e Allahut. Ai do vetëm Allahun dhe ulet në njërën prej shtëpive të Tij.

(ajo dritë) Eshtë në shtëpitë (xhamitë), që All-llahu lejoi të ngrihen e që në to të përmendet emri i Tij, t’i bëhet lutje Atij mëngjes e mbrëmje. Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.”[1]

Prandaj kur dikush del nga shtëpia (për të shkuar në xhami), le ta përkujtojë Allahun me zë të ulët, le të thotë disa fjalë që nuk kanë të bëjnë me çështjet apo punët e kësaj bote. Ashtu i qetë dhe serioz të zërë një vend, pasi kështu na ka urdhëruar të veprojmë profeti ynë i dashur (a.s); ai duhet të vijë me zemrën plot mall dhe dëshirë (për të arritur kënaqësinë e Allahut), me frikë dhe droje (nga dënimi i Allahut) dhe me përulësi e butësi ndaj Allahut, pasi sa më i virtytshëm dhe i përkushtuar të jetë në namaz, aq më të madh do ta ketë shpërblimin e aq më shumë do të fisnikërohet e do t’i afrohet Allahut. Por nëse mbushet me fodullëk, Allahu do ta shkatërrojë e do t’ia mohojë veprat, sepse veprat e fodullëve nuk pranohen kurrsesi. Në një hadith, që flet për profetin Ibrahim (a.s), të dashurin e Allahut, transmetohet se pasi e kaloi natën në adhurim dhe duke përkujtuar Allahun, në mëngjes, i kënaqur me adhurimin e natës tha: “Sa i mirë është Zoti dhe sa i mirë është robi, Ibrahimi (a.s)”. Ditën tjetër, pasi nuk gjeti dikë me të cilin ta ndante ushqimin, mori ushqimin dhe doli jashtë në rrugë, duke pritur për ndonjë kalimtar që të hante me të. Atëherë dy engjëj zbritën nga qiejt dhe iu afruan. Ai i ftoi ata për të ngrënë dhe ata e pranuan ftesën. Më pas Ibrahimi (a.s) u sugjeroi qe t’i afroheshin një kopshti, ku gjendej një burim me ujë të freskët. Ata pranuan dhe iu afruan kopshtit, por panë se uji i tij kishte shteruar. Kjo ishte një goditje e rëndë për Ibrahimin (a.s) dhe ajo që kishte thënë e vuri shumë në siklet. Duke parë situatën, engjëjt i thanë: “Lute Zotin që ta kthejë burimin”. Ai u lut, por nuk u duk burim gjëkundi dhe kjo ishte një tjetër goditje e rëndë për Ibrahimin (a.s), prandaj u tha engjëjve: “Lutuni ju tek Zoti”. Njëri prej tyre iu lut Allahut dhe në çast ia behu uji. Tjetri u lut dhe uji rrodhi pranë tyre. Më pas i thanë, se gjithë kjo ndodhi, pra atij nuk iu pranua lutja, ngaqë u kënaq me namazin e tij natën e kaluar. Kujdes nga krenaria, pasi nuk ka vepër që pranohet, nëse përkrah saj është krenaria. Jini të përulur në namazin tuaj. Nëse dikush qëndron në namaz para Allahut, duhet ta njohë Atë dhe mirësitë që Ai i ka dhënë, sepse Allahu e ka nderuar me një begati të madhe e ai vazhdon ta përlyejë veten me mëkate. Prandaj është detyrë e tij, që ta shtojë përulësinë dhe drojën ndaj Allahut.

Transmetohet, se Ebu Darda ka thënë: “M’u mbuloftë fytyra me dhè për Zotin tim (gjëja më e dashur për mua), sepse kjo është forma më e bukur e adhurimit”. Le të mos i frikësohet askush dheut dhe le të gjejë kënaqësi në sexhden e tij, pasi nuk ka dyshim se të gjithë andej e kemi origjinën. Askush s’duhet të druhet se mos po e tepron, sepse ajo është rruga më e mirë për t’i shpëtuar skllavërisë dhe zjarrit të Xhehenemit, një zjarr të cilit nuk do t’i rezistonin as malet e larta e të qëndrueshëm, që janë shtylla për tokën e as shtatë qiejt e fuqishëm njëri mbi tjetrin, që qëndrojnë si tendë mbi ne, as toka që është vendbanim për ne, as shtatë dete thellësinë dhe madhësinë e të cilëve nuk e di askush përveç Atij që i krijoi. Po për ne si i bëhet vallë, me trupat tanë të dobët, me eshtrat delikate dhe lëkurën e hollë.

Tek Allahu kërkojmë mbrojtje prej zjarrit!

Pra nëse qëndron në namaz- Allahu të mëshiroftë- qëndro sikur po e sheh Allahun para teje, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty. Në një hadith transmetohet, se i Dërguari i Allahut (a.s) e këshilloi një burrë duke i thënë: “Frikësoju Allahut sikur po e sheh Atë, sepse dhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.”[2] Dhe kjo është këshilla e Profetit (a.s) karshi robit, në të gjitha punët e tij. Po për namazin ku ai qëndron në një vend të veçantë, në një vend të shenjtë, duke kërkuar Allahun dhe duke u kthyer drejt Tij? A nuk meriton dhe namazi i tij të njëjtin ihsan si të gjitha punët e tij? Në një hadith thuhet: “Vërtet, kur robi nis namazin, duhet ta kthejë fytyrën drejt Allahut dhe jo ta kthejë fytyrën prej Tij deri sa të kthehet djathtas e majtas.(kur jep selam në fund të namazit)”[3]

Gjithashtu në një hadith tjetër thuhet: “Për aq kohë sa qëndron në namaz, robi gëzon tri cilësi: mbi kokën e tij vërshojnë begati nga qielli, engjëjt ulen rreth tij nga këmba deri në qiell dhe një thirrës thërret: “Nëse robi do ta njihte Atë që dëgjon pëshpëritjet e tij, nuk do ta linte asnjëherë namazin”.[4] Allahu hedh Mëshirën e Tij mbi atë, që hyn në namaz me përulësi dhe drojë ndaj Allahut, duke u frikësuar dhe duke iu lutur Atij me gjithë forcën e shpirtit (për të arritur kënaqësinë e Tij), duke shpresuar tek (Mëshira e Tij) duke e bërë namazin për Zotin, çështjen e tij më të rëndësishme, duke ia kushtuar Atij pëshpëritjet, rukunë, sexhden, duke u zhytur në meditim dhe duke u përpjekur të përsosë veprat e tij të adhurimit, sepse nuk e di nëse do t’i jepet mundësia të falë dhe një namaz tjetër, apo do t’i merret jeta, para se t’i jepet një mundësi e tillë. Ai qëndron para Zotit të tij me trup e shpirt, duke shpresuar që namazi t’i pranohet dhe duke u frikësuar se mos i refuzohet, pasi pranimi i tij është burim kënaqësie, ndërsa refuzimi i tij burim fatkeqësie e mllefi. Vëlla i dashur! Ç`gjë do të kishte më shumë rëndësi për ty në këtë namaz, apo në çdo vepër tjetër përveç vlerës së pranimit tek Allahu? Ç`gjë e meriton më shumë shqetësimin apo frikën tënde kur nuk e di nëse namazi apo çdo vepër e mirë, do të pranohet apo jo tek Allahu i Lartësuar? Mbi të gjitha kush të siguron prej zjarrit të Xhehenemit? Kësisoj, kush e meriton më shumë trishtimin dhe lotët e tu – që Ai të t’i pranojë ty (veprat e tua)? Përveç kësaj, ti nuk e di nëse do të zgjohesh apo jo në mëngjes, nëse do ta arrish apo jo mbrëmjen, nëse do të jesh prej fatlumëve apo prej fatzinjve! I dashur vëlla! Dua thjesht të të paralajmëroj për këtë rrezik të pashmangshëm. Nuk të ka hije që t’i lumturohesh familjes e pasurisë tënde. Të çudit fakti, se si mund të vazhdosh të jesh kaq i shkujdesur, duke e humbur kohën pas dëshirave boshe dhe pas çështjeve jo të rëndësishme, kur me shpejtësi, ditë e natë, ore pas ore, po shkon drejt fundit të pashmangshëm, i cili vjen pa hetuar, sa një mbyllje qepallash. Duhet të mendosh i dashur vëlla se edhe koha jote mund të vijë nga çasti në çast, ndaj mos u trego i shkujdesur ndaj këtij rreziku. Vdekja është e pashmangshme, ndaj si shumë të tjerë edhe ti do ta shijosh. Çasti yt mund të vijë papritur nga mëngjesi në mbrëmje. Do të ndahesh nga gjithçka zotëron e më pas ose shpërblim me (Xhenet) ose dëmin me (Xhehenem). Nuk numërohen thëniet e tregimet, që i përshkruajnë ato.

Vëlla i dashur! A nuk i ke dëgjuar fjalët e një robi të devotshëm: “Çuditem kur mendoj se si mund të flejë ai, që dëshiron t’i shpëtojë Zjarrit? Çuditem kur mendoj se si mund të flejë ai, që e dëshiron Xhenetin? Pasha Allahun! Nëse nuk dëshiron Xhenetin e nëse nuk ke frikë Xhehenemin, do të shkatërrohesh e do të shijosh një dhimbje të hidhur, trishtim të pafund dhe lot të pashtershëm; do të mbetesh me të shkatërruarit dhe me të dënuarit. Nëse pohon se kërkon të shpëtosh prej zjarrit dhe të hysh në Xhenet, atëherë përpiqu për atë që kërkon dhe mos u mashtro pas dëshirave të kësaj bote.

[1] – Sure Nur: 36-37.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Kitabu Es Salat i imam Mirzauit. Hadithi është Mursel.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.