Autor: Behar Kaçeli
Gjeografi i famshëm musliman Al-Idrisi[1], i cili ka shërbyer në oborrin e mbretit Roxheri II, në librin e tij të gjeografisë ka përshkruar edhe trojet shqiptare, ose thënë ndryshe bregun lindor të Adriatikut. Në veprën e tij “Nuz’hat el-Mushtak / Tabula Rogeriana” të cilën ia paraqiti mbretit Roxheri II, ai përshkroi gjeografinë që njihej në atë kohë, të ndarë në shtatë zona klimaterike dhe pasqyron në to njohuritë gjeografike rreth atyre zonave si dhe distancat ndërmjet tyre.
Në zonën klimatike të katërt ai ka përshkruar brigjet e Detit Jon, në të dy anët, Siçilinë dhe Jugun e Italisë, si dhe ngushticën e Otrantos (Adranto) po në të dy krahët. Detin Adriatik ai e quan Deti i Venedikut (bahru’l-bundukije) dhe kur vjen nga Jugu i Italisë i përshkruan të gjithë vendet me radhë sipas distancës. Ai përshkruan Otranton si një qytet madhështor dhe me tregje të shumta pastaj kalon në Brindizi dhe thotë se qyteti i Otrantos është kufiri i Detit Mesdhe (bahru’sh-sham) dhe Detit Adriatik, ndërsa në krahun tjetër përkon me qytetin e Durrësit (Adrast), distanca në det ndërmjet dy qyteteve është 70 milje, thekson ai.
Distnacën ndërmjet Otrantos dhe Durrësit e përshkruan 70 milje,[2] pastaj nga Durrësi ai fillon e përshkruan bregun lindorë të Adriatikut dhe Jonit dhe zbret deri në Korfuz dhe Peloponez. Idrisi e përshkruan pozitivisht Durrësin, Durrësi është qytet madhështor, i zhvilluar, me begati dhe tregje të shumta (mendoj se bëhet fjalë për periudhën para tërmetit të 1273). Durrësi është qytet port dhe bën tregti me të gjtha anët, nga Durrësi në Vlorë (Abluna) qytet në breg të Adriatikut ka një distancë prej 125 milje, duke llogaritur edhe harkun e gjirit të detit, thekson ai.[3] Nga Vlora në një distancë 100 milje ndodhet Himara, emri i himarës në gjuhën e rumëve (Bizantit) është (Barento)[4], nga Himara për në Butrino (Butrinti) janë 40 milje për tu kaluar. Butrinti është qytet i vogël i zhvilluar mirë dhe me treg të pasur.
Himara është qytet i madh, i zhvilluar, po të ndjekësh bregun nga Himara shkon në qytetin e Fasikjo që është një qytezë mesatare, nga ana lindore ka një ngushticë që futen anijet në të (ndoshta bëhet fjalë për Ksamilin). Nga Fasikjo (Ksamili) me një distancë 30 milje shkohet në qytetin Bendesa (Preveza). Nga Bendesa 20 milje ndodhet një qytet mesatar e rrethuar me mure dhe me treg të zhvilluar Nabakta (Le pante). Nga Himara 150 milje distancë ndodhet ishulli Theno (It’haka-Ithaque) në të ndodhet një port, pas 30 miljesh ndodhet ishulli i Korfuzit, ai është ishull i madh me gjatësi 100 milje dhe në të ndodhet një qytet madhështor i rrethuar me mure. Nga ishulli i Korfuzit në Otranto distanca është 90 milje po ashtu nga Korfuzi shkohet edhe në Vlorë, që përmendëm më lart, qartëson ai.[5]
Në pjesën e katërt të Klimës së katër fillon e tregon për ishullin gjigand të Peloponezit dhe ishujve përrreth gjer në Kretë.[6] Ai pasi përshkruan krahinat e Kalabrisë e të Lombardisë, fillon dhe i merr qytetet dhe portet e anës perëndimore të Adriatikut me radhë si; Brindizi, Bari, Lesina, Lovrana, vjen deri në Venecia, past kthehet anës lindore të Adriatikut duke filluar me bregun Dalmat, Zara, Raguza, Tivari e me radhë deri sa vjen përsëri në Durrës aty ky filloi edhe përshkrimin e bërë në pjesën e kaluar.
Pas gjirit të Venecias shtrihet një territor i madh bregdetar dhe me male të larta, këtu ndodhen qytetet e Lovrana (Vrana) dhe Bukari (Buccari), këto janë tokat e kroatëve pjesë e Dalmatija (Dalmacisë). Nga Lovrana për 30 milje shkohet në Souna (Segna), që është një qytet i zhvilluar dhe banorët e tij janë të gjithë sllavë, nga aty 15 milje shkohet në Kostilaska, kështjellë e vogël dhe banorët janë sllavë, 20 milje nga aty shkohet në Maskala që ndodhet në dorë të Dalmatëve. Nga aty 15 milje shkohet në Arnas, qytet mesatarë në dorë të dalmatëve. Pas 30 milje shkohet në Sato (Satva), në të ka shumë anije dhe nga aty organizohen sulme, qyteti është në dorë të dalmatëve. Nga Satva shkohet në Nona i thonë edhe (Ninos) 20 milje, Ninos është qytet i madh dhe fortifikuar mirë, nga aty 20 milje shkohet në Zarë. Zara është qytet madhështor në breg të detit me banesa të ngjitura, dallgët rrahin muret e tij, banorët e tij janë të gjithë dalmatë. Nga Zara (Zadar) 30 mil në Dograda (Novigrad). Novigradi është bazë e Rumëve (Bizantit), popullsia është e përzier sllavë edhe dalmatë. Nga aty 20 milje shkohet në Sabnaci (Sebenice-Sibenik), Sebenica është qytet madhështor, qendër e tregëtisë si nga toka dhe deti. Nga Sibenica 50 milje ndodhet Vaogri (Vrapolje-Vodicë) quhet edhe Lugaro, banohet nga dalmatët dhe është i mirë e i zhvilluar. Nga aty 6 milje shkohet në Tor-Goris (Tribunjë), banorët janë dalmatë, luftarakë dhe detarë të fuqishëm. [7]
Nga qyteti Tor-Goris shkohet në Sabalto (Spalatro) 12 milje, banorët janë dalmatë, qyteti është madhështor me shumë pallate dhe tregje dhe sokaqet janë të shturara me pllaka guri, kanë edhe një flotë luftarake. Nga qyteti Sbalato 25 milje ndodhet qyteti Sigono, qyteti është i zhvilluar dhe me shumë banesa të ngjitura, me shumë anije dhe detarë, banorët janë sllavë. Nga aty 30 milje vjen Rogos (Raguza – Dubrovnik), aty ka një flotë detare, banorët janë dalmatë dhe qyteti konsiderohet si kufiri i popullsisë dalmate.
Nga Ragusa për 20 milj vjen Katura (Kotori), është qytet i mirë me flotë dhe banohet nga dalmatë që janë luftarakë dhe detarë. Nga Kotori në Antivari 30 milje, banorët janë sllavë qytet i zhvilluar dhe një bazë e njohur detare. Nga Ragusa në Deluxhia (Dulxhinjo-Ulqin) 70 milje, banorët janë Ladhikijun (Laodice) ajo është bazë e rëndësishme e Eskloavonëve (në arabisht Esklavon janë emërtuar sllavët dhe në veçanti sllovenët).[8] Nga aty 80 milje ndodhet qyteti i Durrësit (Adrast) që është në dorë të frankëve (ndoshta e ka fjalën për kryqëzatat). Qyteti i Durrësit është qyteti më i afërt me Otranton afërsisht 70 milje, nga Durrësi po të ndjekësh bregun 225 milje ndodhet Himara (Xhimara), në të kaluarën Himara quhesh (Butrinto)[9] dhe e gjithë kjo shtrihet në Gjirin e Venedikut (deti Adriatik). Ajo që kemi shpjeguar deri më tani mjafton për studiuesit dhe të interesuarit, dhe falenderojmë Allahun për këtë, thekson në mbyllje të përshkrimit autori. Më pas autori fillon të përshkruaj ishtuj e Adriatikut, ato dalmat dhe ato që janë në afërsi të Venecias, i merr të gjithë me radhë, një nga një duke përshkruar distancat dhe madhësinë e tyre[10] ne për arsye kohe dhe që është jashtë interesit të studimit tonë po i anashkalojmë. Ndër ishujt ai përmend edhe Sazanin, ai thekson një ishull i vogël i pabanuar në afërsi të Vlorës, ai këtë ishull e emërton Gushita (Goushta).[11]
Gjeografi i njohur el-Idrisi në veprën e tij, në klima e pestë pjesa e katërt, përshkruan edhe pjesën e brendshme të Ballkanit, ose prapatokën e Adriatikut, thënë ndryshe trojet shqiptare. Ai sjell emrat e qyteteve, lumenjve, maleve si dhe përshkruan distancat ndërmjet tyre. Në të njëjtën kohë përshkruan edhe gjurmën e rrugëve tregtare që fillojnë nga Durrësi dhe Vlora e që përfundojnë në Danub, Selanik e Adrianopojë. Në pjesën lindore të Adriatikut pas zotërimeve sllave dhe të Venedikut shtrihet një vargmal 30 milje në lindje të qytetit Adrianopolit, që quhet mali i Lezhës (Lesso) dhe kalon mbi qytetin me të njëjtin emër Lesso. Nga Lezha (Lesso) vargmali shtrihet drejt veriut deri sa përfundon në Kastorina (mund të jetë Kruja ose Kepi Rodonit) që një ndarje me Durrësin, nga aty kalon rruga për në Durrës (Adrast) dhe vende të tjera.[12]
Aty ndodhet edhe një mal që quhet Tamora (al-tamora), prej tij lumenj janë tre lumenjë që vërshojnë në drejtim të Vlorës (Avlona). Lumenjt që derdhen në Vlorë njëri quhet Biosa (Vjosa), tjetri quhet Deboli (Devolli), i treti quhet Istrine (Semani ose Shkumbini). Mbi malin e përmendur kalon rruga që fillon nga Durrësi që pas 40 milje kalon në Xhadra ndërsa ana tjetër është afër Adrianopolit që është afër me (Janja) Janinën (Janja, mund të jetë edhe Kanina), nga aty ka një zgjatim që shkon deri afër me gjirin e Peloponezit (kjo na jep të kuptojmë se bëhet fjalë për Janinën), vazhdon 80 milje derisa pëfundon në Astifinis (Teba), nga aty vazhdon për në Nikobo (Nikopolis).[13] Autori vazhdon, kthehemi prap te mali i Lezhës (Lisso) të larpërmendur, ndërmjet tij dhe qytetit të Durrësit 15 milje, ndërmjet qytetit Lisso dhe qytetit të Dulxhini (Ulqini) të lartpërmendur në breg të detit Adriatik 30 milje, nga Ulqini e te vargmali i Lezhës 12 milje. Nga aty vargmali vazhdon deri te qytetit i Antibarit (Tivarit) që ndodhet 3 milje nga deti, qyteti i Tivarit është i zhvilluar në rrënxë të malit. Mali vazhdon e shtrihet deri në qytetin e Katora (Kotorit) 3 milje larg, vazhdon e shtrihet deri sa arrin në qytetin e Ragusës, e cila shtrihet në skaj të malit. Përballë qytetit të Kotorit të larpërmendur ndodhet qyteti i Kamijos, rreth qytetit të Kamijos shtrihet në formën e shkronjës “kef” një mal dhe te ai qytet arrihet vetëm nëpërmjet një rruge.[14] Autori fillon e i përshkruan malet dhe vargamlet e bregut dalmat me radhë, duke përmendur edhe rrugët e emrat e qyteteve, ashtu siç i përmendëm më lart vetëm se kësaj radhe jo nga Venediku në Lezhë por e kundërta nga Lezha deri në Venecia me disa sqarime shtesë për rrugët që ndiqen, ku e cilëson se janë rrugë të vështira dhe shtigje që nuk kalohen lehtë.
Më pas fillon përshkrimin e rrugëve, stacioneve të ndalimit dhe qyteteve ndërmjet Durrësit dhe Kostandinopojës. Idrisi në veprën e tij sqaron dhe thotë: Kthehemi përsëri, nga deti Adriatik deri në gjirin e Kostandinopojës ka shumë vende, qytete dhe stacione pushimi shumë të njohura, do fillojmë tani t’i përmendim me hollësi me lejen e Zotit.[15] Rruga nga Durrësi deri në Ahkristopolis (Christopolis- afër Selanikut) del nga Durrësi që është në breg të Adriatikut në rrugë tokësore në drejtim të Kostandinopojës duke kaluar nga Betrela (Petrela) që përshkruhet për dy ditë,[16]qyteti i Petrelës ndodhet mbi një mal të lartë,[17] ndërmjet saj dhe qytetit Uhridi (Ohri) ka katër ditë rrugë.
Qyteti i Ohrit është qytet madhështor, me shumë ndërtesa, me tregti të zhvilluar, kështjellë e vendosur mbi një kodër të begatë dhe në afërsi të tij gjendet një liqen madhështor. Në këtë liqen bëhet shumë peshkim, perimetri i tij përshkruhet për tre ditë dhe ka shumë vendbanime rreth e rrotull. Ndërmjet Ohrit të larpërmendur dhe qytetit të Pollogut ka dy ditë rrugë. Qyteti i Pollogut është i zhvilluar e i vendosur mbi një mal madhështor ndërmjet tij dhe qytetit të Uskonia (Shkup) një ditë rrugë në drejtim të verilindjes. Qyteti i Shkupit është madhështor me godina të ngjitura, me shumë vreshta dhe fusha të kultivuara. Nga Shkupi në qytetin e Kurtasa (Kortosa) një ditë rrugë në drejtim të verilindjes, ndërmejt tyre ndodhet lumi Vardar i cili është madhështor.
Qyteti i Kurtasa është qytet i ndërtuar mirë me fusha dhe vreshta pa ndërprerje, nga aty shkohet në qytetin e Astronista (Stranisa) një ditë në drejtim të Lindjes. Stranisa ndodhet mbi një kodër, me shumë ndërtesa dhe kopshte. Nga qyteti Astronista në qytetin Ragoria një ditë rrugë, qyteti Ragoria është qytet i zhvilluar nga vendbanimet e themeluara më të vjetra të Bizantit (bilad er-rum). Ajo është e rrethuar me shumë fshatra, fusha dhe vreshta, me shumë ndërtesa rreth saj në veri të Vardarit. Nga Ragoria me një ditë rrugë arrihet në Seres, qyteti i Seresit është një qyteti i mirë i vendosur në anë të një mali të vogël me shumë begati dhe të mira. Nga Seresi një ditë rrugë në drejtim të Lindjes arrihet në qytetin Rahna (Drama), që është një qytet i zhvilluar me pozitë strategjike, me shumë godina vreshta, pemishte dhe të mbjella. Nga Rahna në qytetin Ahkristopolis (Christopolis) ka një ditë rrugë. Ahkristopolis është qytet madhëshotr në breg të gjirit të Kostandinopojës (Deti Egje).[18]
Rruga Durrës-Selanik
Ajo fillon nga Durrësi në bregdet siç e cekëm më parë, nga aty në Petrelë për dy ditë, nga Petrela në Ohër katër ditë siç edhe e përmendëm më lart, nga Ohri në Buteli (Bitola-Manastir) kalohet për dy ditë në drejtim të Lindjes. Nga Buteli në Ahrilin (Folorinë) i vendosur mbi një mal të begatë për një gjysmë dite. Nga Ahrilini në Astrubu (Limni-Arnissa) ka një ditë e gjysmë rrugë. Astrubu (Limni-Arnissa) është një qytet i begatë i vendosur në breg të një liqeni të begatë me shumë peshk, nga Astrubu në Budijana (Edesa) përgjatë rrugës së njohur[19] arrihet për një ditë. Budijana është qytet i vendosur mbi një kodër dhe nga aty në Selanik arrihet për dy ditë.
Rruga Durrës-Beligradon (Beograd) dhe për në Danub
Rruga nga Durrësi për në Dano (Danub) kalon për në Petrelë (mund të jetë edhe Dibra “Teberle”) për dy ditë, pastaj në Ohër për katër ditë, pastaj në Pollog për dy ditë, pastaj në qyetin Uskupja (Shkup) për një ditë, siç i kemi spjeguar më parë. Nga Shkupi në qytetin Kartos (Kumanova?), nga aty e lëmë rrugën e Ahkristopolis në të djathtë dhe vazhdojmë në drejtim të Veriut për në qytetin e Furmizdos (Formedos) për dy ditë. Nga aty në Malisoua për një ditë e gjysmë, që ndodhet në shpat të një mali të lartë me pyllë të dendur. Nga aty në qytetin e Burmania (Vrana) për tre ditë, që është një qytet në një pllajë të madhe, me vreshta dhe të mbjella që mbajnë të gjitha llojet e mirësive. Nga aty në qytetin Istoboni për një ditë. Nga Istoboni në Atralsa për një ditë, Atralsa është qytet i shrirë në një pllajë me shumë vendbanime rreth e rrotull. Nga aty në qytetin Atrauni (Atraboni) për një ditë, ai është një qytet i vendosur mbi një mal, poshtë tij rrjedh një nga degët e lumit Morava. Në mes tij dhe qytetit të Nishit (Nisus) ka një ditë rrugë. Në afërsi të Nishit rrjedh lumi Morava i cili vjen nga malet Serbija (Serina).[20] Nga Nishi i lartpërmendur dhe qytetit Rena (Rebna) nga Rena për në Afransifa (Smederevo) një ditë e gjysmë. Qyteti i Smederevos është i shtrirë në një kodër mbi lumin Danub, nga aty në Beograd përgjat lumit shkohet për tre ditë.
Rruga Vlorë-Kostandinopojë
Rruga nga Vlora që ndodhet në breg të Adriatikut për në Armiron (Armyros) që ndodhet në breg të gjirit të Kostandinopojës. Nisesh nga qyteti i Vlorës për në Adrinopolis (Drinopoli) për dy ditë rrugë tokësore. Ndërmjet Drinopolit dhe qytetit të Janinës – nëse i mbahesh rrugës – arrin për një ditë. Janina është e vendosur mbi një kodër e zhvilluar me shumë ujë dhe pyje. Nga aty për në Kastoria arrin për dy ditë, ndërsa nga Drinopoli në Kastoria mban një ditë e gjysmë. Kastoria është një qytet shumë i zhvilluar, i bukur dhe me pasuri të shumta e vendosur mbi një kodër që është e rrethuar nga një liqen. Nga aty në Tarufinka (Trikalla) për tre ditë, Tarufinka është qytet i shtrirë në një pllajë me shumë vreshta dhe të mbjella nga të gjitha bimët dhe pemët. Nga aty arrin në Larisa për 120 milje, Larisa është qytet me shumë vreshta dhe pemë ulliri. Nga Larisa për në Armirion arrin për dy ditë, Armirion është një qytet në breg të Gjirit të Kostandinopojoës (Egjeut) do ta përshkruajmë me hollësi kur flasim për qytetet bregdetare me lejen e Zotit.[21]
Pastaj autori fillon e flet me radhë për të gjthë qytetet dhe stacionet rrugore, për malet e Pindit dhe të Maqedonisë, Adrianopolis, Filipopolis, Kostandinopojën, me të gjitha detajet dhe distancat ndërmjet tyre.[22] Aty flet edhe për rrugën detare nga Durrësi për në Kostandinopojë, duke filluar nga Durrësi, Vlorë, Poleponez, dhe të gjithë stacionet detare, qytetet dhe portet, duke i përshkruar me të gjitha cilësitë dhe veçoritë që kanë derisa arrin në Kostandinopojë. Ne nuk po zgjatemi për t”i përshkruar të gjitha një e nga një sepse nuk është qëllimi ynë sjellja e gjithë gjeografisë që ka shkruar el-Idrisi, por vetëm përshkrimi i bregut lindor të Adriatikut dhe prapatokës së tij, pra trojeve shqiptare.
[1] Muhamed el-Idrisi (Ebu Abdullah Muhamed el-Idrisi el-Kurtubi el-Hasani es-Sabti), në Europë i njohur thjeshtë si Al-Idrisi, ishte gjeograf, hartograf, filolog musliman, i cili jetoi në oborrin e mbretit Roger II pas rënies së Emiratit Islam të Siçilisë. Ai hartoi “Tabula Rogeriana”, një nga hartat më të përparuara të botës mesjetare.[1] Një ndër veprat kolosale të tij është libri “Nuz’hetul Mushtak”, ku bën përshrimin gjeografik të botës që njihej në atë kohë, duke filluar nga Gjibraltari (Andaluzia) e gjer në Lindjen e largët si Kina dhe Oqeani Indian.
[2] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, Klima 4, pjesa 3- 4, f. 632. Për saktësimin e toponime jemi mbështetur në përkthimin frëngjisht. “Géographie d’Édrisi”, Société de Geographie, Paris 1840, p. 286.
[3] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 633.
[4] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty,(emri latin për Korinthin, Corinthus, Tarentum)
[5] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak,po aty, f. 633-634.
[6] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 635-642.
[7] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 769.
[8] Sakalibe dhe Esklavon janë emërtimet që dijetarët arab kanë përdorur për sllavët, ndërsa esklavon Idrisi e ka për sllovenët.
[9] Këtu kemi një rrëfim ndryshe nga pjesa e parë, Himarën e paraqet të njëjtë me Butrintin.
[10] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 770-771.
[11] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 771.
[12] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 790.
[13] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, 791.
[14] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 791.
[15] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 792.
[16] Në fakt Petrela është më afër me Durrësin por mendoj se terreni moçalorë ka bërë që kjo rrugë të përshkruhet për dy ditë. (Mund të bëhet fjalë edhe për Dibrën ose Petralbën, rruga e vjetër e Dibrës).
[17] Ky përshkrim i përshtatet e Petrelës në Tiranë edhe Petralbës në Mat.
[18] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 792-793.
[19] “rruga e njohur”, besoj se e ka fjalën për rrugën Egnatia.
[20] Mund ta ketë fjalën edhe për Serbinë edhe për Serina vargmalet e Ballkanit.
[21] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 790-795.
[22] Al-Idrisi, Nuz’hatul-Mushtak, po aty, f. 795-798.