Ne, në Lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane, shokët e Sejjid Kutubit, vëllezërit dhe nxënësit e tij, nuk e shohim atë as të shenjtë, as të pagabueshëm – ashtu siç nuk i kemi parë as këto cilësi tek imami ynë Hasan el-Benna, e as tek ata që erdhën pas tij. Megjithatë, ne i lutemi Allahut të Lartësuar me mirësinë dhe mëshirën e Tij që t’u japë atyre shpërblimin e dëshmorëve dhe të na bashkojë edhe neve me ta ndër të mirët. Ne dëshmojmë me një dëshmi me të cilën do të dalim para Allahut – të Lartësuarit – sipas asaj që dimë për ta: se ata e përcollën, e përmbushën, u përpoqën dhe dhanë nga kjo botë në rrugën e thirrjes së tyre dhe në rrugën e asaj që besonin se ishte e vërteta. Askush prej njerëzve nuk mund të përmbushë shpërblimin që meritojnë këta robër të Allahut, atë shpërblim që vetëm Allahu i Lartësuar mund t’ua japë atyre të pastër.
Dhe kur shkruajmë për ta, ne shkruajmë për brezat që do të vijnë pas nesh, që nuk i përjetuan. Kështu u kujtojmë njerëzve se ata ishin njerëz si ne, jo profetë e as të dërguar, por që luftuan, qenë besnikë ndaj fesë së tyre dhe pastaj u nisën për në botën tjetër që Allahu ua kishte caktuar – ashtu siç do të ndodhë me çdo bir të Ademit: “Ti do të vdesësh dhe ata do të vdesin gjithashtu”[1] Dhe që të mbetet gjithmonë për njerëzit krahasimi mes atyre që tashmë janë nën dhe, por ende aktiv me veprën e tyre, dhe atyre që janë mbi dhe, por të shkujdesur, me shpresë që kjo të bëhet shtysë dhe nxitje për këdo që ka zemër e dritë në sy, që të zgjedhë rrugën e drejtë, duke menduar për atë që vjen pas kësaj jete kalimtare: botën e përjetshme ku nuk ka më vdekje, gotën e Xhenetit që nuk sjell as dehje e as lodhje, dhe më e madhe se çdo gjë tjetër: kënaqësia e Allahut, Zotit të madhështisë dhe bujarisë, pa zemërim kurrë më pas.
Gjashtëdhjetë vite i kaloi në këtë botë që nga çasti kur bëri britmën e tij të parë duke dalë nga barku i nënës, ndërsa trupi i tij mbështillej me copëza të thjeshta – mbulesa e tij e parë në jetë – e deri kur shqiptoi shehadetin, ndërsa xhelatët i lidhën litarin e varjejes rreth qafës, për të takuar Zotin e tij si dëshmor, nëse Allahu do. Ai e la këtë botë ashtu siç erdhi në të, pa asgjë nga kjo dynja mbi trupin e tij të lodhur nga sëmundja, burgu dhe torturat, veçse me rrobat e thjeshta e të ashpra të dënimit me vdekje, në çastet e fundit të jetës së tij. Një jetë e çuditshme dhe e rrallë, siç ishte edhe rruga e pazakontë e tij në këtë botë.
Ai jetoi rreth dyzet e pesë vite të para si kritik letrar i shquar dhe shkrimtar me vlerë të njohur nga të gjithë, pa pasur ndonjë përballje që ta çonte drejt litarit, përveç polemikave e mospajtimeve të zakonshme, herë të ashpra e herë të buta. Por, pasi arriti pjekurinë, u rrit dhe fitoi përvojë të plotë, filloi një lindje të re me hyrjen e tij në Lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane në vitin 1951 (1371 hixhri). Ai ia dhuroi Allahut pjesën e mbetur të jetës së tij, tërësisht për këtë kauzë – që përbënin “pesëmbëdhjetë vjet” (1951–1966), prej të cilave njëmbëdhjetë i kaloi në burg, ndërsa vetëm katër vite i jetoi jashtë mureve të tij.
Të shumtë ishin armiqtë e tij … Në këtë armiqësi u bashkuan Lindja dhe Perëndimi dhe regjimet që ishin larguar nga Ligji i Allahut, bashkë me forcat politike të cilat i tronditi fakti që idetë dhe metodat e tyre u zhveshën nga maska për shkak të fjalëve të tij, metodës së tij, sjelljes së tij dhe ngritjes së tij me anë të besimit mbi gjithçka që ishte i bindur se ishte e pavërtetë. Madje e armiqësuan apo e sulmuan edhe disa prej njerëzve të mendimit dhe dijes, të cilët u nxitën në këtë armiqësi ose kundërshti – për shkak të valës së ashpër që shpërtheu kundër tij dhe mendimit të tij – pa një bindje të qartë dhe pa shqyrtim të drejtë.
Çudia e jetës së dëshmorit tonë, Sejjid Kutbit, është se ai lindi në një ambient fetar, ashtu siç lindën shumë njerëz, dhe u rrit pranë Kuranit Famëlartë si gjithë brezi i tij, ku kujdesi i prindërve në atë kohë ishte i veçantë që djemtë dhe vajzat të mësonin përmendësh sa më shumë sure të Kuranit. Pastaj edhe jeta e tij vazhdoi si ajo e shumë kërkuesve të diturisë, në përpjekje për të fituar një rizk të lejuar dhe për të dhënë një kontribut serioz në jetë. Por ai nuk ia ktheu shpinën rrënjëve të tij të para, përkundrazi qëndroi afër tyre dhe i përqafoi ato. Kur u poq dhe u forcua trungu i tij dhe u dallua në dituri e mendim, njerëzit e panë, dhe gjithashtu e panë “sytë vëzhgues”, si një model të ri të muslimanëve.
Këta “sy vëzhgues” menduan se, duke qenë se ai ishte diplomuar në Fakultetin “Dar el-Ulum”, ishte më afër “liberalizmit” sipas kuptimit të tyre, sesa islamit tradicional që përfaqësonin të diplomuarit e Universitetit të Al-Az’harit, siç e kuptonin ata. Prandaj e llogaritën atë si disa të tjerë para tij, të cilët kishin lindur e ishin rritur si ai, por më pas brenda tyre ishin ndryshuar prioritetet dhe, nën ndikimin dhe mahnitjen me botën e re, ishin bërë diçka tjetër nga fillimet e tyre. Dhe shpresuan se me pak përpjekje ai do të bëhej më afër kampit tjetër, sesa vendit të vet, popullit të vet, vlerave dhe fesë së tij.
Kështu erdhi edhe interesimi i veçantë për dëshmorin tonë – Allahu e mëshiroftë – dhe “sytë vëzhgues” e zgjodhën atë në atë kohë që të dërgohej në botën e re, e cila doli nga Lufta e Dytë Botërore me një aureolë legjendash dhe shkëlqimi që kishte nënshtruar qindra miliona njerëz, duke u shfaqur si (Amerika) flakë drite, udhëzimi, qytetërimi dhe parajsa e premtuar mbi tokë.
Kështu, Sejjid Kutbi udhëtoi atje dhe iu dha kujdes i veçantë, në bindjen se do të kthehej me një “Islam të ri”, të cilin ai më pas e quajti: “Islami Amerikan”.
Mirëpo Allahu i Madhëruar deshi që t’i tregonte atij gjatë këtij udhëtimi, me dritën e vizionit të brendshëm dhe zemrën e besimtarit që e kishte përmbytur mirësia e Kuranit dhe nuk ishte tharë kurrë, gjëra që nuk i kishte parë askush tjetër. Ai kuptoi rrugën e kurtheve të shejtanit dhe mënyrat e zbukurimit të të pavërtetës, dhe u kthye në vendin e tij i pastër e i dëlirë, pa u ndotur e pa u zhytur në mëkat, që ta largonte gabimin nga rruga e drejtë, siç ndodhi me të tjerë. Pastaj vuri në shërbim të fesë së tij diturinë, përvojën dhe eksperiencën, pasi kishte kaluar të dyzetat dhe kishte arritur pjekurinë. Askush nuk mund ta akuzonte në mendje, pasi të gjithë ia pranonin mençurinë, e as në dituri, pasi edhe ata që e dërguan në mision e bënë këtë ngaqë e dallonin nga të tjerët.
Kulmi i habisë ishte se “sytë vëzhgues” e deshën atë për një qëllim tjetër nga Allahu, por i Lartësuari, nuk pranoi veçse të ishte për Të dhe për fenë e Tij. Ai fitoi përvojë të re, dije të re dhe pa me sytë e tij se legjenda ishte e kotë dhe shkëlqimi mashtrues. Sikur këta të dinin atë që i thanë popullit të Salihut (a.s) kur Allahu e dërgoi te ata dhe solli të vërtetën në vend të së pavërtetës: “Ata thanë: “O Salih, deri tani kishe vend në shpresat tona, a po na ndalon të adhurojmë atë që e adhuruan etërit tanë? Ne jemi në dyshim të madh e shqetësues rreth asaj që na thërret ti”)[2]
Dëshmori ynë filloi jetën e tij të re – atë që Allahu ia caktoi të fillonte me gjakun që u derdh nga trupi i imamit Hasan el-Benna – duke e ditur mirë se ajo ishte jetë sakrifice, mundimi dhe gjaku. Dhe sprova nuk ishte tundim epshi apo material, sepse ai tashmë kishte kaluar të dyzetat i pjekur e i qëndrueshëm me mirësinë e Allahut, por ishte sprova e pushtetit dhe ndikimit. Ia ofruan këtë dhe e shantazhuan me të: ose ta pranonte, ose do të përballej me burg ose dëbim; sprova që pak njerëz e durojnë.
Mbetet një dëshmi për Allahun, që autori i këtyre rreshtave e sheh si detyrë ta japë, posaçërisht për mendimin e profesor Sejjid Kutbit (r.h). Në vitin 1963, mësova nga një vëlla Ahmed Teufik Ahmed Kenzi (r.h), nga dega e Abidinit në Kajro, gjatë një vizite që bëmë në sanatoriumin e burgut Leman Tura. Këtë rast na e lehtësoi Allahu për të parë një vëlla të dashur që e kishim shoqëruar vite pas hekurave, Esat Garib Ibrahim nga Imbaba, Giza, i cili kishte rënë rëndë nga tuberkulozi në burg dhe administrata e burgut e kishte lënë pa mjekim. U tha se nuk kishte më shpresë shërimi dhe se ditët e tij në këtë botë ishin të numëruara.
Mësuam se profesor Sejjidi po përgatiste një libër të miratuar nga grupi, që ishte “Shenjat në rrugë (Ma‘alim fi-t-Tariq)”, dhe se u ishte kërkuar të gjithë vëllezërve jashtë burgjeve që ta lexonin. Me vullnetin e Allahut, edhe vetë profesor Sejjidi u transferua në spitalin universitar “Kasr el-Aini”, pasi sëmundja e tij u rëndua. Ne (unë dhe Ahmed Teufiku) gjetëm mundësinë ta vizitonim pothuajse çdo të premte për disa muaj, të dëgjonim prej tij dhe ta pyesnim.
Dhe dëshmoj para Allahut se kurrë nuk e dëgjova ta nënkuptonte me “xhahilijah” (injorancë) akuzimin e njerëzve si jobesimtarë. Kurrë nuk e dëgjova të shpallte jobesimtarë sundimtarët. Kurrë nuk e dëgjova të thoshte se “izolimi ndjenjësor” nga shoqëria do të thotë shkëputje prej njerëzve, jetesë në shpella e male dhe shmangie nga puna në shoqëri. Ai gjithmonë theksonte ringjalljen e besimit në zemrat e umetit. Dhe kur fliste për xhahilijen, nënkuptonte injorancën e sjelljes, jo të besimit.
Pastaj erdhi lirimi dhe pjesëmarrja e tij në varrimin e vëllait Esat Garib, e më pas arrestimi, dhe pamjet e fundit të lamtumirës me të në burgun ushtarak, ditën e shpalljes së vendimeve, pa ndonjë shenjë me dorë apo fjalë. Dhe kjo është dëshmia që ia paraqes Allahut të Madhëruar: nuk dëgjova prej tij asgjë ndryshe nga ajo që përmenda.
Dhe kur shpirti i tij u ngrit te Krijuesi i vet në një qeli të lagësht e të ngushtë, kriminelët e atij kohe menduan se i kishin dhënë fund jetës së “Sejjid Kutbit”, në emër të gjithë të pavërtetës së kësaj bote. Por ata nuk e kuptuan se momenti i ekzekutimit të tij mes katër mureve të ftohta ishte në fakt shenjë nga Allahu i Madhëruar për lindjen e një jete të re për dëshmorin, dhe shpërthimi i një energjie hyjnore të fuqishme për mendimin dhe librat e tij. Jeta e tij u përhap në mbarë botën, nga lindja në perëndim, në gjuhë të ndryshme, duke i shtyrë njerëzit të lexonin dhe të merrnin nga to.
Kështu “Sejjid Kutbi” mbetet i gjallë, i dobishëm dhe aktiv mes njerëzve, deri sa të dojë Allahu. Dhe po ashtu edhe xhemati i i tij, të cilit ai ia dha mendimin, veprën dhe jetën e tij, si dëshmi për madhështinë e sakrificës. Që njerëzit të kujtojnë – kush dëshiron të kujtojë – se Allahu e çon çështjen e Tij deri në fund. Dhe që të përmbushet fjala e tij, që e kishte thënë në jetë pa e ditur çfarë kishte caktuar Allahu për të:
“Fjalët tona janë kukulla prej dylli, derisa të vdesim për to, atëherë ato marrin shpirt dhe u shkruhet jeta.”
O Allah, dërgo paqen dhe bekimin mbi zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
Dhe fundi i lutjeve tona është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Autor: Ibrahim Muniri
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Zumer: 30.
[2] – Sure Hud: 62.



















