Shkenca e Usul Fikhut është laboratori i dijeve islame dhe elementi bazë i mbrojtjes të bazuar në argumente sheriatike shteruese. Kjo dije burimore dhe origjinale islame e mbron dijetarin, myftiun, hoxhën, hoxheshën, nxënesin e dijes dhe studiuesin objektiv të Sheriatit nga devijimi, lajthitjet, rrëshqitjet dhe emocinalizmat dhe nga trillimi i hipotezave të paqena. Të gjitha hipotezat e pabaza që serviren dhe përhapen nëpër rrjetet e komunikimit si të vërteta dhe kundërreagimet ofensive kanë si burim mosnjohjen e kësaj dije. Kështu, disa nga poli liberal i treshit dhe poli ekstremist i ofensivës thonë me ironi: Usul, pasul. Harrojnë qyqarët e të dy poleve se Usul Fikhu është çelësi i vetëm për njohjen e burimeve sheratike (rreth dyzet Kurani, Suneti, Ixhmaja etj).
Në librat e Fikhut Islam, kur përmendet një dispozitë sheriatike, përmendet argumenti që e vërteton atë. P.sh. Kur trajtohet namazi, pasi jepet përkufizimi gjuhësor dhe terminologjik, dijetarët thonë: “Falja e pesë (pesë jo tre) namazeve ditore është detyrë kategorike e vërtetuar me argumente shteruese nga Kurani, Suneti dhe Ixhmaja (unanimiteti i të gjithë muslimanëve, dijetarëve dhe muslimanëve të thjeshtë pasi janë çështje aksiomatike sheriatike), madje në disa libra shtohet edhe analogjia sheriatike dhe logjika. Përse është përmendur ixhmaja ku mjafton Kurani dhe Suneti? Është përmendur Ixhmaja që të mos u lihet shteg keqinterpretimeve të teksteve sheriatike.
Sa për info, ka unanimitet mes të gjithë ithtarëve të Islamit, të të gjithave grupimeve dhe sekteve se Allahu i Madhëruar ka obliguar për Umetin Islam pesë namaze në ditë. Tek dijetarët e Usul Fikhut, pesë namazet ditore, mënyra e faljes së tyre është transmetuar njësoj si Kurani dhe si Suneti në tërësinë e tyre, pra sipas formës absolute të transmetimit, prandaj mohimi i pesë namazeve ditore është devijim dhe lajthitje, madje mund të konsiderohet mohim i teksteve sheriatike.
Prandaj, Usul, Usul, Usul!
Autor: Rushit Musallari