Parimi i gjashtë:
Imam Hasan El Benna ka thënë: “Prej çdonjërit merret dhe lihet (fjala e tij), përveç të mbrojturit nga mëkatet, Muhamedit (a.s) dhe çdo gjë që vjen nga selefët që është në pajtim me Librin (Kuranin) e pranojmë. Përndryshe libri i Allahut dhe Suneti i pejgamberit të Tij, kanë përparësi në referim. Megjithatë ne nuk cenojmë personat dhe figurat e dijetarëve me ndonjë akuzë ose diskriminim – në rast divergjencash mes tyre – por i lëmë në qëllimet e tyre, ndërkohë që kanë ndërruar jetë e janë përballur me atë që kanë punuar.”
Pozicionimi emocional dhe fanatizmi ndaj personave
Ky këndvështrim trajton temat e mëposhtme:
1 – Askush nuk është i mbrojtur nga gabimet përveç të Dërguarit të Allahut (a.s)
2 – Respektimi i shkencës dhe dijetarëve dhe jo fanatizmi ndaj individëve.
3 – Qëndrimi ynë ndaj asaj që na vjen nga selefët.
Vetëm Pejgamberi (a.s) është i mbrojtur nga gabimet
Vetëm Profetit Muhamed (a.s) është i mbrojtur nga mëkatet. Allahu e ka bërë atë vetë udhëzues për tek rruga e drejtë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) është vetëm shpallje që i shpallet.”[1]
Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar që t’i bindemi Profetit Muhamed (a.s) dhe të ndjekim udhën e tij: “Merreni atë që ju jep Profeti dhe hiqni dorë prej asaj që ju ndalon.”[2]
Ndërsa dijetarët, pavarësisht pozitës dhe vlerës së tyre të lartë, në raste të caktuara edhe mund të gabojnë e ky fakt nuk cenon aspak pozitën dhe vlerën e tyre, sepse Allahu i Madhërishëm nuk i ka dhënë imunitet ndaj gabimeve tjetërkujt, veç Profetit Muhamed (a.s).
Imam Maliku (r.h) ka thënë: “Çdo njeriu i pranohet dhe i refuzohet fjala përveç të Dërguarit të Allahut.”
Qëndrimi i myslimanëve ndaj mendimit të selefëve
Mendimet e selefëve ballafaqohen me Kuranin dhe Sunetin, sepse ato janë burimet e vetme të pagabueshme. Nëse mendimet e tyre përputhen me burimet e mësipërme , i pranojmë me kënaqësi dhe respekt të madh. Në rast se dijetarët e selefëve, për shkak të moskontaktit me ndonjë argument, janë përpjekur dhe kanë gabuar e më pas del në pah dhe vërtetohet argumenti i Kuranit apo i Sunetit, myslimanit i del për detyrë të ndjekë Kuranin dhe Sunetin.
Ebu Hanife ka thënë: “Nëse konstatoni se fjala ime kundërshton Librin e Allahut, atëherë lini fjalën time dhe ndiqni Librin e Allahut. I thanë: Po nëse është thënia e Profetit (a.s)? Ai tha: “Lini thënien time dhe ndiqni fjalën e Profetit (a.s)!”
Kur i lejohet dijetarit të bëjë ixhtihad për një çështje të caktuar
Nuk i lejohet dijetarit të japë fetva në prani të argumentit të saktë e të prerë në domethënie. Nëse dijetarit nuk i ka arritur argumenti apo hadithi, që flet për atë çështje, apo nëse në këndvështrimin e tij, hadithi nuk është i saktë, apo argumenti mbart disa domethënie, atëherë dijetarit i kërkohet të bëjë ixhtihad.
Edukata me dijetarët
Dijetarët janë trashigmtarët e profetëve. Në çdo umet, dijetarët kanë qenë njerëzit më të këqinj, ndërsa tek Umeti i Muhamedit (a.s), dijetarët janë njerëzit më të mirë, prandaj Islami na urdhëron t’i nderojmë e t’i respektojmë ata.
Ndryshimi i këndvështrimeve në çështjet e debatueshme nuk lejohet të përdoret si pistë për të sharë dhe për të cenuar figurat e dijetarëve dhe të pasuesve të tyre, si dhe për të akuzuar nijetet e tyre.
Në rastë të tilla, nevojitet të sqarojmë thënien më të drejtë dhe më të goditur, me edukatën dhe respektin më të madh, pa cenuar figurën dhe personalitetin e askujt, për të ruajtur unitetin e zemrave dhe për të mbajtur shpirtin të pastër nga mllefet dhe urrejtjet. Nga ana tjetër, debatet fanatike, akuzat dhe sharjet çojnë në përçarje dhe acarime shpirtërore.
Autor: Sabaudin Jashari
[1] – Sure Nexhm: 3-4.
[2] – Sure Hashr: 7.



















