Prijësit e falenderimit në Kuran

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kush vështron me kujdes ajetet e Kuranit, do të gjejë se Allahu i Lartësuar ka lavdëruar elitat e krijesave të Tij, të dërguarit me vendosmëri nga profetët (a.s), duke i përshkruar se ishin falënderues. Ai e përshkroi profetin e Tij, Nuhun (a.s), si: “Ishte vërtet një rob shumë mirënjohës”[1]. Ndërsa për mikun e Tij, Ibrahimin (a.s), tha: “Ishte mirënjohës ndaj begative të Tij”[2]. Për Musain (a.s) dhe Muhamedin (a.s), Ai tha: “Dhe bëhu prej falënderuesve”[3], dhe vërtet ashtu ishin.

Një shembull i spikatur është edhe ai i profetit Sulejman (a.s), i cili në shumë raste ka shprehur falënderimin e tij për begatitë e Zotit. Kur dëgjoi milingonën që paralajmëroi popullin e saj: “Hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, pa e ditur ata”, ai  buzëqeshi dhe tha: “Zoti im, më frymëzo që të të falënderoj për mirësitë që m’i ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe të bëj vepra të mira që Ti i pëlqen, dhe më fut me mëshirën Tënde në mesin e robërve të Tu të mirë”[4]

Kështu, ai nuk u mashtrua nga begatia e madhe, por iu drejtua Atij që ia kishte dhuruar. E njëjta gjë ndodhi edhe kur pa fronin e Belkisës të sjellë përpara tij në një moment: “Kjo është nga mirësia e Zotit tim për të më sprovuar: a do të jem falënderues apo mosmirënjohës? Kush falënderon, vetëm për të mirën e vet falënderon; kush mohon, Zoti im është i Pasur dhe Bujar”[5]

Ky është qëndrimi i falënderuesve të vërtetë. Edhe një mrekulli e madhe nuk e bëri Sulejmanin (a.s) të harrojë të falënderojë. Po kështu, nëse ky ishte qëndrimi i të dërguarve të Allahut, atëherë të tjerët janë edhe më shumë të detyruar ta bëjnë falënderimin mënyrë të jetës së tyre.

Në krye të falënderuesve, qëndron vetë i Dërguari i Zotit, Muhamedi (a.s). Ai ishte më i devotshmi dhe më mirënjohësi ndër krijesa. Transmetohet se gjatë namazit, ai qëndronte në këmbë natën në lutje, derisa i enjteshin këmbët, dhe kur u pyet: “O i Dërguar i Allahut, pse bën kaq shumë, kur Allahu tashmë të ka falur?”, ai u përgjigj: “A të mos jem unë një rob mirënjohës?”

Duke qenë se të gjithë profetët, kanë qenë prijës të falenderimit ndaj Allahut, atëherë edhe të gjithë besimtarët duhet të ndjekin rrugën e tyre.  Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është shpërblimi juaj, dhe përpjekja juaj është pranuar me falënderim”[6] dhe besimtarët do ta falenderojnë Atë kur të hyjnë në Xhenet duke  thënë: “Falënderuar qoftë Allahu që na largoi trishtimin; Zoti ynë është Falës dhe shumë Mirënjohës”[7]

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Isra: 3.

[2] – Sure Nahl: 121.

[3] – Sure A’raf: 144.

[4] – Sure Neml: 18 – 19.

[5] – Sure Neml: 40.

[6] – Sure Insan: 22.

[7] – Sure Fatir: 34 – 35.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.