Profeti (a.s) dhe xhaxhallarët

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Tregohet se Abdul Mutalibi, gjyshi i Profetit (a.s), ka pasë 16 fëmijë, 10 djem dhe 6 vajza. Djemtë e tij ishin: Harithi, Zybejri, Ebu Talibi, Hamzai, Abasi, Mugire, Darari, Kithemi, Ebu Lehebi dhe Abdullahu, babai i Profetit (a.s). Dy prej tyre (Hamzai dhe Abasi) kanë besuar në profetësinë e Profetit (a.s), e dy të tjerë (Ebu Lehebi dhe Ebu Talibi) nuk kanë besuar. Kurse përsa i përket 6 djemve të tjerë kanë vdekur në moshë të vogël, ose përpara se Profetit (a.s) t’i shpallej profetësia. Vajzat e Abdul Mutalibit ishin: Atika, Umejetu, Er’ua, Bejda, Berretu dhe Safija. Nga këto të gjashta vetëm Safija ka besuar në profetësinë e Profetit (a.s),  kurse përsa i përket vajzave të tjera nuk dihet gjë me saktësi.

Profeti (a.s) dhe Ebu Talibi:

Emri i tij i vërtetë është Abdul Menaf, i biri i Abdul Mutalibit, vëllai i Abdullahut (babait të Profetit) nga baba dhe nëna. Ka qenë një njeri me personalitet të madh, ku si miqtë ashtu dhe armiqtë e respektonin dhe kishin admirim ndaj figurës së tij. Kur Profeti (a.s) lindi, ai ishte 35 vjeç. Kur Abdul Mutalibi vdiq, i la si amanet atij që të kujdesej për jetimin e vogël, Muhamedin (a.s).  E Ebu Talibi e mbajti amanetin që i la babai i tij, duke u kujdesur për nipin e tij në formën më të mirë. Ebu Talibi e donte shumë nipin e tij dhe gjithmonë e mbante pranë vetes.Kur Profeti (a.s) ishte 12 – të vjeç, Ebu Talibi e mori atë me vete në karvanin i cili udhëtonte për në në tokat e Shamit. Rrugës Ebu Talibi do të takohet me murgun Buhejra, i cili do ta këshillonte atë që ta ruante Muhamedin, Profetin e fundit nga hebrenjtë. E Ebu Talibi u kthye duke e marrë parasysh këshillën e tij.

Kur Profeti (a.s) vajti të banojë në shtëpinë e xhaxhait të tij Ebu Talibit, pas njëfarë kohe të qëndrimit, i tha atij se dëshironte të punonte me qëllim që t’ia lehtësonte atij sadopak barrën e varfërisë që mbizotëronte në shtëpinë e tij. Më vonë, kur Profeti (a.s) do të martohej do ta merrte Ali ibn Ebu Talibin që ta rriste në shtëpinë e tij duke ia kthyer të mirën me të mirë, xhaxhait të tij që ishte përkujdesur për të në vegjëli. Kur gruaja e Ebu Talibit, Fatime bintu Esed vdiq dhe u varros në varrezën e Medines, Profeti (a.s) e qefinosi me mantelin e tij, e vendosi në varr dhe filloi të qajë për të duke thënë se ajo është Fatimja e cila më rriti kur kam qenë i vogël. Kështu pra, Profeti (a.s) nuk mund ta harronte kurrë të mirën që i kishte bërë xhaxhai dhe nusja e tij.

Profeti (a.s) e thërret Ebu Talibin që të përqafojë Islamin:

Misioni i Profetit (a.s) ishte që t’i thërriste njerëzit të përqafonin Islamin, t’i përuleshin vetëm një Zoti e të largoheshin nga adhurimi i idhujve. Këtë mision ai e kreu në formën më të mirë me të gjithë njerëzit përgjatë gjithë jetës së tij, duke filluar me pjestarët e familjes dhe të afërmit e tij duke vepruar sipas urdhrit kuranor: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërt!”[1] Duke qenë se Ebu Talibi ishte kujdesur për nipin e tij qysh në vegjëli, padyshim që ai (a.s) do ta thërriste xhaxhain e tij të dashur që të përqafonte besimin islam.

Ebu Talibi në mbrojtje të nipit të tij:

Kur Profeti (a.s) i thirri banorët e Mekës që të braktisnin adhurimin e idhujve për të adhuruar vetëm Allahun e Madhëruar, kurejshët nuk besuan dhe i përgënjeshtruan fjalët e tij. Mirëpo Profeti (a.s) vazhdoi t’i thërriste njerëzit ngado në njësimin e Zotit. Kurejshët ndërmorën një sërë hapash për ta ndaluar dhe penguar thirrjen e tij. Një ndër këto hapa ishte përpjekja e tyre që ta ndalonin thirrjen e Profetit (a.s) duke përdorur si ndërmjetës xhaxhain e tij Ebu Talibin. Ata kishin dy qëllime; ose ta bindnin Ebu Talibin që ta ndalonte Profetin (a.s) nga misioni i tij, ose të kërkonin prej Ebu Talibit që të hiqnin dorë nga Profeti (a.s) dhe më pas ta vrisnin. Për këtë arsye ata dërguan tek Ebu Talibi një grup prej kurejshëve të cilët i thanë: “Djali i vëllait tënd i fyen zotat tanë, e përçmon fenë tonë, i mohon dhe i përbuz bindjet tona, e flet keq për të parët tanë. Prandaj ose pengoje nga ko gjë, ose na e jep neve sepse i qërojmë vetë hesapet me të.” Ebu Talibi u foli me fjalë të buta dhe i përcolli me të mirë. Kjo vizitë e kurejshëve nuk e pengoi Profetin (a.s) që të vazhdonte misionin e tij, gjë të cilën kurejshët nuk e duruan prandaj shkuan përsëri tek Ebu Talibi dhe i thanë se nipi i tij i kishte ofenduar ata. Ebu Talibi i tha dikujt që ta thërriste Profetin (a.s), të cilit kur erdhi i tha: “Kushërinjtë e tu thonë se ti i ke ofenduar ata në vendtakimet e tyre dhe në faltore (Qabe), prandaj hiq dorë!” Profeti (a.s) hodhi vështrimin nga qielli dhe tha: “A e shihini këtë diell? Ata thanë: Po. Ai tha: Ashtu sikurse ju nuk mund të ndezni prej tij një zjarr, ashtu edhe unë nuk do ta braktis misionin tim” Ebu Talibi tha: “Pasha Allahun, djali i vëllaut tim nuk ka gënjyer kurrë. Prandaj shkoni me të mira!”

Ky propozim është i ligë:

Profeti (a.s) vazhdoi t’i thërriste njerëzit tek besimi në një Zot, gjë kjo që i shqetësonte shumë Kurejshët. Ata nuk mund t’i bënin asgjë Profetit (a.s), sepse në krah të tij qëndronte Ebu Talibi. Më parë ata kishin shkuar tek Ebu Talibi dhe kishin kërkuar prej tij që ta pendonte nipin e tij së ofenduari zotrat e tyre, por Profeti (a.s) nuk kishte pranuar ta braktiste atë që kishte nisur. Kur kurejshët e panë se nga biseda që kishin zhvilluar me Ebu Talibin nuk kishin marrë rezultatin që dëshironin, vendosën që të zgjidhnin një taktikë tjetër. Ata shkuan tek Ebu Talibi dhe me vete kishin një djalosh të ri, bukur, të fuqishëm dhe të mençur, Amaren të birin e Uelid ibn Mugires. Ata i thanë Ebu Talibit: “O Ebu Talib, ky djalosh është ndër të rinjtë kurejshitë më përparimtar dhe më i bukuri. Ne ta dhurojmë ty. Merre atë dhe shfrytëzoje mendjen dhe fuqinë e tij, le të jetë si djali yt. Në këmbim të tij, ti na doërëzo nipin tënd, i cili e ka braktisur fenë tënde, të baballarëve të tu dhe të popullit të tij. Ne dëshirojmë që ta vrasim atë. Ne të dorëzojmë djalin tonë ti na dorëzo tëndin kështu që jemi të larë. Ebu Talibi u përgjigj: Pasha Allahun, askush nuk do të mund të kurdisë atë që ju po kurdisni. Ky propozim është i ligë. Ma jepni fëmijën tuaj që ta ushqej e ju të vrisni fëmijën tim?! Pasha Allahun, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Mut’im ibn Adij u çua dhe tha: O Ebu Talib, populli yt ka mbajtur qëndrim të drejtë ndaj teje, janë përpjekur të të çlirojnë edhe ty nga ajo që edhe ti e urren, por ti nuk ke pranuar asgjë prej tyre. Ebu Talibi u përgjigj: Pasha Zotin, nuk keni pasur qëndrim të drejtë ndaj meje, por jeni mbledhur me njëri-tjetrin që të më zhgënjeni dhe ta çoni popullin kundra meje. Vazhdoni ashtu siç keni filluar.”[2]

Siç shihet qartë nga ky debat midis Ebu Talibit dhe kurejshëve, kurejshët i kishin një qëllim të vetëm, Muhamedi (a.s) dhe thirrja e tij me çdo kusht duhej eleminuar. Ata e dinin se Ebu Talibi nuk do ta dorëzonte Muhamedin tek ta pa ndonjë shkëmbim, prandaj menduan se mënyra më e mirë ishte që Muhamedin ta shkëmbenin me Amaren. Në pamje të parë, ky shkëmbim ishte krejt i pakuptimtë, por për t’ia arritur qëllimit të tyre ata ishin të gatshëm të shfrytëzonin çdo mënyrë e taktitë pavarësisht faktit sesa e pabesueshme ishte ajo. Nga ana tjetër, Ebu Talibi nuk ishte aq mëndjelehtë sa ta pranonte propozimin e tyre. Ai e kuptoi se ky propozim ishte një ligësi e rradhës nga ana e kurejshëve prandaj në mënyrë kategorike refuzoi shkëmbimin midis nipit të tij dhe Amares. Ky qëndrim i Ebu Talbit dëshmon edhe njëherë se pavarësisht faktit që ai nuk besonte në fenë e nipit të tij, ai ishte i gatshëm që ta përkrahte nipin e tij dhe mos t’ia dorëzonte atë kurrësesi kurejshëve.

Ebu Talibi dhe Profeti (a.s) të izoluar:

Megjithatë kurejshët ishin të vendosur në bindjen e tyre për ta penguar Profetin (a.s) që të kryente misionin e tij, prandaj kur Ebu Talibi vuri re se kurejshët kishin vendosur që t’i bënin një të keqe Profetit (a.s) madje edhe që ta vrisnin atë, mblodhi Benu Hashimitët dhe Benu Mutalibët dhe kërkoi prej tyre që ta mbronin Profetin (a.s). Që të gjithë ranë dakord – muslimanë e jo muslimanë – që do ta mbronin Profetin (a.s) dhe u betuan për këtë në Qabe. Personi i vetëm i cili nuk ra dakord ishte vetëm Ebu Lehebi, i cili e kishte deklaruar me kohë armiqsinë e tij ndaj Profetit (a.s). Benu Hashimitët dhe Benu Mutalibët me në krye Ebu Talibin morën përsipër që ta mbonin Profetin (a.s) dhe kategorikisht nuk pranuan që Muhamedin (a.s) t’ia dorëzonin kurejshëve. Kur kurejshët e morën vesh një gjë të tillë u xhindosën dhe si rezultat i kësaj ndërmorën një vendim: bojkotin ndaj të gjithë atyre që i kishin dalë në mbrojte Profetit (a.s) duke këputur çdo lidhje me fisin e tij. Për Benu Hashimitët dhe Benu Mutalibët filloi një jetë e vështirë, sepse ushqimi u mbaroi, fëmijët qanin, gratë ankoheshin, kurse burrat me në krye Ebu Talibin nuk gjenin rrugëdalje sepse ishin të rrethuar nga të katër anët. Ky bojkot e rrethim zgjati rreth 3 vjet dhe Ebu Talibi as edhe njëherë të vetme nuk u lëkund ndaj vendimit që kishte marë për të mbrojtur nipin e tij.

Vdekja e Ebu Talibit:

Kur Ebu Talibit iu afrua vdekja, Profeti (a.s) shkoi tek ai ku gjeti parinë e Mekës. Profeti (a.s) i tha xhaxhait të tij: “ O xhaxha! Thuaj: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, me qëllim që të dëshmoj për ty në Ditën e Gjykimit.” Kurse Ebu Xhehli i tha: “O Ebu Talib! A dëshiron të braktisësh fenë e Abulmutalibit?!” Nga njëra anë Profeti (a.s) këmbëngulte në të tijën dhe Ebu Xhehli me shokë në të tijën derisa fjala e fundit që Ebu Talibi tha ishte: Nuk e ndërroj fenë e Abdulmutalibit duke refuzuat të thoshte “La ilahe il lallah”. Profeti (a.s) tha: “Pasha Allahun! Do të kërkoj falje për ty përderisa nuk ndalohem ta bëj këtë.” Në lidhje me këtë gjë, Allahu i Madhëruar do të shpallte ajetin kuranor: “Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.”[3] Profeti (a.s) u mërzit shumë për faktin që Ebu Talibi nuk u udhëzua në rrugën e drejtë. Por për këtë gjë, Allahu i Madhëruar do të shpallte ajetin kuranor: “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë. Ai i njeh më mirë ata që janë udhëzuar.”[4]

Për shkak të zgjedhjes që Ebu Talibi bëri në fund të jetës së tij do të ndëshkohet përjetësisht në Zjarrin e Xhehenemit, megjithëse me ndërmjetsimin që Profeti (a.s) ka bërë do të jetë në gradën më të ulët të Zjarrit.

Profeti dhe Ebu Lehebi

Emri i tij i vërtetë është Abdul Uza i biri i Abdulmutalibit, një prej xhajallarëve të Profetit (a.s) i cili jo vetëm që nuk e përqafoi fenë islame, por përkundrazi ai dhe e shoqja e tij, Umu Xhemili kanë qenë nga armiqtë më të ashpër ndaj Profetit (a.s) duke vdekur si idhujtarë.

Ka qenë trupmadh, nevrik, i pashëm me faqe të kuqe. Babai i tij, Abdulmutalibi i vuri nofkën Ebu Leheb për shkak se fytyra i shndërriste. Ai kishte 4 djem, ku 3 prej tyre u bënë musliman gjatë çlirimit të Mekës, kurse tjetri vdiq si jobesimtar.

Ai gëzonte një pozitë të lartë në mesin e kurejshëve. Ka qenë trim e i guximshëm si dhe zotëronte një pasuri shumë të madhe. Po ashtu në kohë lufte ai jepte mendimin e tij i cili dëgjohej me vëmendje nga paria e Mekës.

Tregohet se kur Profeti (a.s) lindi ai u gëzua aq shumë saqë nga gëzimi liroi skllaven e cila e lajmëroi për lindjen e Muhamedit (a.s). Mirëpo kjo lumturi dhe gëzim për nipin, pas shpalljes së revelatës hyjnore do të shndërrohej në një armiqësi të pashembullt.

Qëndrimi i Ebu Lehebit ndaj thirrjes islame:

Pas shpalljes së ajetit kuranor“Paralajmëroje farefisin tënd më të afërt!”[5] Profeti (a.s) i bëri thirrje fisit Benu Hashim të cilët erdhën dhe bashkë me ta edhe disa anëtarë të fisit Benu Abdul Menaf. Gjithsej ishin 45 njerëz. Prej njerëzve të cilët morën pjesë ishte edhe Ebu Lehebi i cili  e mori fjalën përpara Profetit (a.s) dhe tha: “Ja, këta janë xhaxhallarët dhe djemtë e tyre. Fol, por jo fjalë boshe. Dije se ti nuk asnjë të drejtë ndaj arabëve, ndryshe nga unë që kam të drejtë. Mjafton që këto fjalë ia the farefisit tënd dhe kaq, por po ia the atyre (arabëve) ata do të të braktisin madje do të nxisin dhe arabët që të dalin kundra teje. Nuk kam parë njeri që i ka shkaktuar më shumë të keqe farefisit të tij sesa ti. Profeti (a.s) heshti dhe nuk foli as edhe një fjalë.

Profeti (a.s) i thirri për së dyti dhe u tha se udhëheqësi nuk guxon të gënjejë. Unë jam i Dërguar i Zotit që më ka dërguar në mesin tuaj dhe tek të gjithë njerëzit. Pasha Allahun, të gjithë ju do të vdisni, sikurse që bini të fleni dhe do të ringjalleni sikurse zgjoheni nga gjumi. E pastaj do të jepni llogari për veprat e tuaja ku shpërblimi i përhershëm do të jetë Xheneti ose ndëshkimi i përhershëm Zjarri. Ebu Talibi tha: Jemi gati të pranojmë këshillën tënde, dhe të besojmë për këtë që po thua, ja këtu, së bashku është tërë farafesnia e babait tënd edhe unë jam njëri prej tyre, edhe pse nuk do të jem i pari që do të pranoj atë që dëshiron ti, por shko dhe bëj ashtu si je urdhëruar! Pasha Allahun, unë do të mbroj sikur të kam mbrojtur deri më tani. Vetëm se unë akoma nuk jam gati të braktisë besimin e Abdulmutalibit. Kurse Ebu Lehebi tha: Pasha Zotin. Kjo është turp, ndalojeni atë përpara se ta ndalojnë atë të tjerët. Ebu Talibi tha: Pasha Zotin, do ta mbrojmë sa të jemi gjallë.” Më pas tregohet se Ebu Lehebi ka shkuar tek secili prej anëtarëve të fisit Benu Hashim duke ju thënë që mos t’i dëgjonin fjalët e Muhamedit (a.s)

Në bregoren Safa

Pas zbritjes së ajetit kuranor: “Paralajmëroje fisin tënd më të afër” u ngjit në Safa dhe thirri fiset kurejshite:  O Benu Fihr, O Benu Adij, e ata erdhën. Madje nëse dikush nuk mund të vinte vetë, dërgoi dikënd në vend të tij me qëllim të merrve vesh se çfarë po ndodhte. Në mesin e atyre që erdhën ishte edhe Ebu Lehebi. Profeti (a.s) tha: Po sikur t’ju lajmëroj se në këtë luginë po afrohet një ushtri që dëshiron t’ju sulmojë, a do të më besonit? Ata thanë: Po do të të besonim sepse ti asnjëherë nuk na ke gënjyer. Profeti (a.s) tha: Unë jam dërguar që t’ju tërheq vërejtjen se ju pret ndëshkimi i rreptë nëse nuk besoni. Ebu Lehebi tha: Mallkuar qofsh  gjithë ditën e për këtë gjë na mblodhe?! Më pas, Allahu do të shpallte ajetet kuranore:“Mallkuar qoftë Ebu Lehebi. Atij nuk i bëri dobi pasuria e tij dhe as ajo që ka fituar.”[6]

Raste të armiqësisë së Ebu Lehebit ndaj Profetit (a.s)

Qysh nga kjo ditë e deri në fund të jetës së tij, Ebu Lehebi ndryshe nga vëllai i tij Ebu Talibi, jo vetëm që nuk do të besonte në profetësinë e Muhamedit (a.s) por edhe do ta urrente atë dhe do të shfaqte armiqësinë ndaj tij deri në fund të jetës së tij.

Menjëherë pas kësaj ndodhie ai i nxiti dhe i urdhëroi dy djemtë e tij që të divorconin dy vajzat e Profetit (a.s) gjë që ata e bënë menjëherë sepse edhe vetë ata ushqenin një urrejtje të madhe ndaj Profetit (a.s)

Një armiqësi të madhe ndaj Profetit (a.s) do të ushqente edhe gruaja e Ebu Lehebit, Ummu Xhemil, e cila nga urrejtja e madhe që kishte ndaj tij mblidhte dru e ferra dhe i vendoste natën në rrugën nga do të kalonte Profeti (a.s).

Në lidhje me armiqësinë dhe urrejtjen e Ebu Lehebit dhe Ummu Xhemilit ndaj Profetit (a.s), Allahu i Lartësuar do të shpallte një sure të tërë:“Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai tashmë është shkatërruar. Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo ç’ka fitoi. Ai do të hyjë në një zjarr të ndezur flakë. E edhe gruaja e tij, ajo që mbarti dru (ferra), Në qafën e saj ajo ka një litar të përdredhur.”[7] Në këto ajete kuranore Allahu i Madhëruar e lajmëron Profetin (a.s) se Ebu Lehebi dhe gruaja e tij nuk do të besojnë në profetësinë e tij, do të vdesin si mosbesimtarë dhe që të dy do të ndëshkohen në Zjarrin e Xhehenemit për shkak të mosbesimit dhe lëndimeve që i shkaktuan Profetit (a.s.)

Ebu Lehebi i largon njerëzit nga rruga e Allahut

Ebu Lehebi nuk u mjaftua vetëm me kaq, por kur fiset e ndryshme arabe zbrisnin në Mekë për të kryer Haxhin ose Umren, ai shkonte dhe takohej me të mëdhenjtë e atyre fiseve dhe u thoshte: Muhamedi është djali i vëllait tim. Ai ia ka kthyer shpinën fesë së baballarëve tanë. Ai është magjistar, poet e fallxhor, prandaj mos e dëgjoni atë! Unë jam xhaxhai i tij dhe e njoh atë më mirë se kushdo tjetër. Më pas këtyre fiseve ai ju organizonte festa me karakter degjenerues me qëllim për t’i shmanguar ata nga rruga e drejtë. Kjo ishte puna që Ebu Lehebi bënte gjatë gjithë kohës së Haxhit apo Umres: t’i shmangte njerëzit nga rruga e drejtë.

Njëherë Profeti (a.s) ishte në tregun Dhul Mexhaz dhe thërriste: “O ju njerëz! Thoni: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut që të shpëtoni.” Njerëzit u grumbulluan rreth tij. Mirëpo pas tij qëndronte Ebu Lehebi i cili u thoshte njerëzve: “Ky njeri ia ka kthyer shpinën fesë së baballarëve tanë. Ai është gënjeshtar.” Ebu Lehebi e ndiqte mbrapa Profetin (a.s) ngado që ai (a.s) shkonte. Kur Profeti (a.s) e përfundonte fjalën e tij,  Ebu Lehebi thoshte: Unë jam xhaxhai i këtij magjistari gënjeshtar. Mos e besoni! Unë jam xhaxhai i tij, Abduluza, Ebu Lehebi. Nëse ju e besoni atë ai do t’ju magjepsi.” Njerëzit kur dëgjonin fjalët e Ebu Lehebit thonin me vete: Nëse fjalët që thotë ky njeri (Muhamedi) do të ishin të mira, atëherë të parët që do ta ndiqnin do të ishte xhaxhai i tij dhe të afërmit e tij. E si rrjedhojë largoheshin. Ngandonjëherë tjetër, Ebu Lehebi thoshte: “Nëse ajo që nipi im thotë është e vërtetë, atëherë unë me pasurinë time kam për ta shmangur nga vetja ime ndëshkimin në Ditën e Kijametit.” E përgjigjen do ta merrte nga ajeti kuranor:“Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo ç’ka fitoi.”[8]

Dallimi midis Ebu Talibit dhe Ebu Lehebit:

Të dy xhaxhallarët e Profetit (a.s) si Ebu Talibi ashtu edhe Ebu Lehebi nuk besuan dhe nuk e përqafuan fenë e re që ftonte në adhurimin e një Zoti dhe në braktisjen e idhujve. Por Ebu Talibi ndryshe nga Ebu Lehebi as edhe njëherë të vetme nuk e shajti, ofendoi apo shpifi ndaj Muhamedit (a.s). Përkundrejt kësaj ai i doli në krah nipit të tij dhe refuzoi që t’ia dorëzonte atë kurejshëve. Madje Ebu Talibi vetëm për të mbrojtur Profetin (a.s.) nga kurejshët pranoi që të izolohej ai dhe bashkë me të edhe Benu Hashimitët dhe Benu Mutalibët në bojkotin që kurejshët ndërmorën ndaj tij nëse ai nuk e dorëzonte Muhamedin (a.s). E nëse Ebu Talibi do të pranonte me kënaqësi që të mbronte nipin e tij, Ebu Lehebi do ta refuzonte duke dalë jashtë rrethinës ku ishin bojkotuar të dy fiset.

Cili është vendi ku do të hyjë Abdulmutalibi?:

Kur Ebu Talibi vdiq dhe pas një muaji e pesë ditësh vdiq edhe Hatixhja (r.a), Profetit (a.s) iu mblodhën dy fatkeqësi, si rrjedhojë e kësaj Profeti (a.s) qëndronte në shtëpi, dilte më rrallë dhe kurejshët filluan të silleshin keq ndaj tij si mos më parë. Një gjë të tillë e mori vesh Ebu Lehebi, shkoi tek ai dhe i tha: O Muhamed! Bëj atë gjë që ke pasë bërë kur ka qenë gjallë Ebu Talibi. Pasha Latin! Ata nuk do të të prekin ty përderisa unë jam gjallë.Njëherë,  Ibn Gajtale e ofendoi të Dërguarin e Allahut (a.s), Ebu Lehebi shkoi tek ai dhe i foli ashpër. Ibn Gajtale u largua (nga Ebu Lehebi)dhe filloi të thërriste me zë të lartë: O Kurejshë! Ebu Utbeh (Ebu Lehebi) ka ndërruar fenë. Kurejshët menjëherë shkuan tek Ebu Lehebi dhe i thanë se a ishte e vërtetë kjo? Ai u përgjigj: Nuk e kam braktisur fenë e Abdulmutalibit, por nuk dua që nipit tim t’i ndodhë ndonjë gjë e keqe dhe dua që ai të bëj atë që dëshiron. Ata thanë: Bravo, mirë, kështu ti i mban fort lidhjet farefisnore. E kështu Profeti (a.s) disa ditë u end këndej andej dhe askush prej kurejshëve nuk i bëri gjë. Mirëpo kurejshët patën frikë për Ebu Lehebin, prandaj Ukbeh ibn ebu Muit dhe Ebu Xhehli shkuan tek ai dhe i thanë: “ A të ka thënë gjë nipi yt se në çfarë vendi do të jetë babai yt? Ebu Lehebi pyeti nipin: O Muhamed, në cilin vend është Abdulmutalibi? Profeti (a.s) tha: Bashkë me popullin e tij. Ebu Lehebi shkoi tek Ukbeh dhe Ebu Xhehli dhe tha: E pyeta nipin dhe ai më tha që Abdulmutalibi është në një vend me popullin e tij. Ata të dy i thanë: D.m.th. ai pretendon se Abdulmutalibi është në Zjarr?! Ebu Lehebi pyeti: O Muhamed, A do të hyjë Abdulmutalibi në Zjarr?! Profeti (a.s) tha: Kushdo që vdes në atë formë që ka vdekur Abdulmutalibi do të hyjë në zjarr. Ebu Lehebi tha: Mallkuar qofsh, pasha Allahun, unë do të jem armiku yt i përjetshëm përderisa pretendon se Abdulmutalibi është në Zjarr. Qysh pas kësaj ndodhie Ebu Lehebi dhe kurejshët filluan ta lëndonin atë.”[9]

Vdekja e Ebu Lehebit:

Ebu Rafi – skllav i i liruar i Profetit (a.s) rrëfen: “Si fëmijë kam qenë duke punuar tek Abasi, kur disa prej shtëpisë sonë pranuan Islamin. Islamin e pranuan Abasi, Umul Fadli dhe unë. Abasi e fshihte fenë e vet të re. Ebu Lehebi nuk shkoi në Bedër, por dërgoi një tjetër në vend të vet. Por kur i erdhën lajmet nga Bedri, Allahu e poshëtroi atë, kurse ne ndiem fuqi dhe madhështi. Unë atëherë isha njeri i varfër. Bëja shigjeta dhe i lustroja ato në një odë (çadër) të Zemzemit. Kështu punoja në atë odë të vogël, e te unë rrinte Ummul Fadli kur na erdhi lajmi, i cili na gëzoi pamasë. Papritmas u paraqit Ebu Lehebi, duke i tërhequr këmbët zvarrë dhe duke sjellur kob të zi. U ul në kind të çadrës, me shpinë të kthyer kah shpina ime. Atëherë dikush klithi: “Ja tek po vjen Ebu Sufjani” Ebu Lehebi i tha: “Eja këtu, rrëfe, sigurisht ke lajme.” Ebu Sufjani u ul tek ai, kurse njerëzit u mblodhën rreth tyre. Ebu Lehebi tha: “O djalë i vëllait tim, eja trego, çka ndodhi me njerëzit tanë?” “Asgjë e jashtëzakonshme, u përleshëm me ta, iu shtrimë shpinat tona, kurse ata na vrisnin si donin vetë, na robëronin si donin vetë. Por megjithatë unë nuk i fajësoj luftëtarët tanë, sepse ndodhën mrekullira e ushtria jonë u shpartallua. Takonim njerëz të bardhë të hipur në kuaj me krahë, të cilët vraponin dhe zbrisnin nga qielli. As nuk prekshin tokën, e as nuk zbrisnin në të dhe askush nuk shpëtonte prej tyre, e as që mund t’i kundërvihej atyre.”

Ebu Rafi vazhdon: “E ngrita kindin e çadrës të odës me dorë e thashë: “Ata, pasha Allahun, janë engjëjt”. Ebu Lehebi e ngriti dorën dhe më ra një shpullë të fortë. Iu kundërvuara e ai më rrëmbeu e më përplasi për toke. Më shtrëngoi dhe filloi të më godiste. Unë isha i dobët nga shëndeti. Ummul Fadli u ngrit, e kapi një hu të çadrës dhe me të e goditi Ebu Lehebin në kokë me ç’rast ia bëri një plagë, e i tha: “E sulmon njeriun e dobët pse nuk e ka zotëriun e tij këtu!” Ebu Lehebi u ngrit e shkoi duke u luhatur.

Prej asaj dite nuk kaluan më tepër se shtatë netë dhe ai, pasha Allahun, vdiq nga ajo plagë e edhe nga një sëmundje ngjitëse pikëlore. Për shkak të sëmundjes ngjitëse, djemtë nuk guxuan t’i afroheshin tre ditë për ta varrosur. Pasi që u frikësuan ta mbajnë ashtu, atëherë me shkopinj e shtyen në gropë, të cilën pastaj e mbushën me gurë që i hidhnin prej së largu.”

Profeti (a.s) dhe Abasi (r.a)

Ai është Abas ibn Abdulmutalib ibn Hashimi, xhaxhai i Profetit (a.s). Abasi ka lindur tre vjet përpara se Profeti (a.s) të lindte.

Kur Abasi (r.a) ishte i vogël humbi. Nëna e tij u zotua që nëse do ta gjente do ta vishte Qaben me pëlhurë mëndafshi. Kur e gjeti ajo e mbajti zotimin që kishte bërë duke qenë kështu gruaja e parë prej arabëve e cila e veshi Qaben me mëndafsh.

Duke qenë se mosha e Abasit ka qenë e përafërt me moshën e Profetit (a.s), ata të dy janë rritur nën kujdesin e Ebu Talibit dhe si rrjedhojë kanë qenë gjithmonë bashkë.

Në periudhën e xhahilijes, Abasi ishte ngarkuar që të përkujdesej dhe të merrej me mirëmbajtjen e Qabes. Ai nuk lejonte askënd që brenda shtëpisë të shenjtë të shante, ofendonte apo të grindej. Përveç kësaj ai ishte ngarkuar edhe me dhënien ujë vizotërve të Qabes. Këtë përkujdesje e miratoi edhe Profeti (a.s), kështu që në kohën e haxhit, Abasi kërkoi leje prej Profetit (a.s) që në netët  ku haxhinjtë qëndronin në Mina, ai  të flinte në Mekë me qëllim që të merrej me përgatitjen e ujit për haxhinjtë, e Profeti (a.s) i dha leje. Qëndrimi i haxhinjve në Mina në ditët e Haxhit është farz, megjithatë Profeti (a.s) i dha leje Abasit (r.a) që mos të qëndronte në Mina për shkak se ai do të përkujdesej për ujin. Ashtu sikurse Profeti (a.s) i dha leje atij që mos të qëndronte në Mekë, po ashtu në  një rast tjetër i dha leje atij që ta jepte zekatin përpara kohës (kur duhej të jepej zekati).

Ebu Hurejra tregon se: “Profeti (a.s) urdhëroi dikënd prej sahabëve që të mblidhte zekatin. Ibn Xhemili, Halidi dhe Abasi refuzuan që ta jepnin atë. Kur Profeti (a.s) e mori vesh një gjë të tillë tha: Ibn Xhemili është treguar mosmirënjohës vetëm pasiqë Allahu dhe i Dërguari i tij i kanë dhënë pasuri (nëpërmjet plaçkës së luftës), ndërkohë që më parë ka qenë i varfër. Kurse përsa i përket Halidit, ju i keni hyrë në hak duke ia kërkuar zekatin sepse ai e ka dhënë parzmoren dhe armatimet e tij në rrugë të Allahut. E përsa i përket Abasit, xhaxhait të Profetit (a.s) ai e ka për detyrim që ta japë zekatin, madje dyfish.” [10]

Dashuria dhe respekti reciprok midis Profetit (a.s) dhe Abasit (r.a):

I Dërguari i Allahut (a.s) e ka pasë dashë shumë xhaxhain e tij Abasin (r.a). Njëherë Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e lëndon xhaxhain tim më ka lënduar mua. A nuk është xhaxhai i një njeriu si babai i tij?!”[11]

Transmetohet se një njeri nga Ensarët e ofendoi Abasin (r.a) duke folur keq për një nga baballarët (stërgjyshërit) e tij. Abasi (r.a) u zemërua dhe e goditi atë me pëllëmbë. Ensariju shkoi tek populli i tij dhe ata thanë: Pasha Allahun ne do ta godasim atë ashtu sikurse ai të ka goditur ty. E kështu ata morrën armët. Kur Profeti (a.s) e mori vesh një gjë të tillë, hypi në minber dhe tha: “O ju njerëz! Kush është njeriu më i mirë në sipërfaqen e Tokës? Ata thanë: Ti. Ai (a.s) tha: Abasi është prej meje dhe unë jam prej tij. Mos i shani të vdekurit sepse kështu ju lëndoni të gjallët. Njerëzit thanë: Kërkojmë mbrojtje prej Allahut që ne të të zemërojmë ty o i Dërguar i Allahut.”[12]

Nga dashuria e madhe që Profeti (a.s) kikshte për Abasin (r.a) i lutej Allahut të Lartësuar me këto fjalë: “O Zot ruaje Abasin dhe fëmijët e tij nga Zjarri.”[13]

Ashtu siç e kemi cekur edhe më lart, Abasi (r.a) ishte më i madh se Profeti (a.s) 2 apo 3 vjet, megjithatë kur dikush e pyeti se kush është më i madh, ai apo Profeti (a.s), është përgjigjur me respektin më të madh: “Ai është më i madh se unë, kurse unë kam lindur përpara tij”[14]

Tregohet se njëherë Profeti (a.s) shkoi ta vizitonte Abasin (r.a), i cili u ngrit e mori Profetin (a.s) për dore dhe e ndihmoi që të ngjitej në shtrat. Profeti (a.s) i tha: “Allahu të ngrittë në pozitë të lartë o xhaxha.”[15]

Jo vetëm Profeti (a.s) e ka pasë dashë dhe respektuar Abasin, por edhe sahabët e kanë pasë dashë dhe respektuar atë. Tregohet njëherë se Ebu Bekri dhe Omeri (r.a)ishte ulur pranë Profetit (a.s) kur drejt tyre po vinte Abasi (r.a). Ebu Bekri u çua dhe ia lëroi vendin Abasit i cili u ul midis Profetit (a.s) dhe Ebu Bekrit.  Profeti (a.s) tha: “Njeriun e mirë e vlerëson vetëm ai që është i mirë. Profeti (a.s) foli rreth një orë me Abasin, por me zë të ulët. Kur Abasi u largua, Ebu Bekri – të cilit i bëri përshtypje kjo gjë – e pyeti Profetin (a.s): O i Dërguar i Allahut! Të pashë që fole me zë të ulët!? Profeti (a.s) u përgjigj: “Xhibrili më urdhëroi që kur të vijë Abasi të flasë me zë të ulët, ashtu sikurse ju jeni të urdhëruar që të flisni me zë të ulët në praninë time.”[16]

Besëlidhja e dytë e Akabesë:

Në Besëlidhjen e parë të Akabesë, Profeti (a.s) ishte takuar me 12 persona nga Jethribi të cilët i kishin dhënë besën se do të praktikonin parimet e fesë. Kur ata u larguan nga Meka, Profeti (a.s) bashkë me ta dërgoi Mus’ab ibn Umejrin që t’u mësonte atyre fenë e Allahut. E Mus’abi e kreu më së miri misionin e ngarkuar. Vitin e ardhshëm nga Jethribi, në kohën e haxhit, erdhën 73 persona që të takoheshin me Profetin (a.s) e për t’i dhënë besën. Ata e lanë që të takoheshin me të në Akabe. Dy e nga dy e tre e nga tre ata dolën nga çadrat e tyre dhe me fshehtësinë më të madhe shkuan në vendin ku e kishin lënë të takoheshin me Profetin (a.s). Ata shkuan të parët dhe pas pak çastesh erdhi Profeti (a.s) i shoqëruar nga Abasi (r.a) i cili ende nuk kishte besuar. Kur u grumbulluan të gjithë njerëzit, Abasi (r.a.) e mori fjalën i pari dhe ndër të tjera tha: “Ju e dini mirë se Muhamedi gjendet në vendin e vet dhe ne e kemi mbrojtur atë nga populli i tij. Ai dëshiron ta lërë Mekën dhe të shpërngulet tek ju. Nëse jeni të sigurtë se do ta ndihmoni, atëherë merreni përsipër, e nëse keni ndërmend që mos ta përkrahni, pasiqë ai ta lërë Mekën,  më mirë mos e thirrni.” Banorët e Medinës i dëgjuan fjalët e Abasit (r.a), por ende nuk kishin dëgjuar fjalët e Profetit (a.s) i cili tha: Të jeni të dëgjueshëm dhe të bindur, të furnizoni në lehtësi dhe vështirësi, të jeni të përpiktë në punët e mira dhe mos të veproni vepra të këqija, të punoni në emër të Zotit e të mos frikësoheni nga askush, të më ndihmoni kur t’ju drejtohem, të më mbani ashtu sikurse mbani vetveten, gruan dhe fëmijët kështu do ta fitoni Xhenetin.”[17] Banorët e Jethribit ranë dakord me fjalët e Profetit (a.s) dhe lidhën besën me të, më pas u shpërndanë.

Ajo gjë që vërehet qartë nga shoqërimi i Abasit (r.a) është fakti se prej kohësh ai ishte kujdesur për Profetin (a.s) e kishte përkrahur e mbrojtur nga kurejshët. Mirëpo pasiqë, Profetit (a.s) i ishin mbyllyr nga kurejshët të gjitha shtigjet për të thirrur njerëzit për tek Zoti, ai (a.s) kërkonte mënyra dhe rrugë të reja për të krijuar hapësira për të thirrur njerëzit për tek Zoti. Dhe kjo mundësi iu krijua, kur u takua me banorët e Jethribit (Medines). Shoqëruesi i tij në takimin me ta ishte Abasi (r.a) i cili kishte kërkuar vetë që të shihte dhe të sigurohej mirë se kush ishin personat me të cilët Profeti (a.s) do të takohej. Ai (r.a) dëshironte që nipin e tij ta linte në një dorë të sigurtë. E nëse ai (r.a) do të vërente luhajte apo shenjë mosbesimi tek fjalët e ensarëve nuk do t’ia dorëzonte atyre kurrë Profetin (a.s), por do të vazhdonte ta mbronte nipin e tij deri në fund megjithë mundësitë e pakta. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se Abasi (r.a) ende nuk kishte pranuar Islamin, e megjithëkëtë kjo gjë nuk e pengoi atë aspak që të sigurohej për jetën e Profetit (a.s).

Kur Abasi (r.a) u bë musliman?

Në lidhje me faktin se kur Abasi (r.a) është bërë musliman, historianët nuk ndajnë të njëjtin mendim. Ndoshta mendimi më i saktë është se Abasi (r.a) e ka pranuar Islamin përpara betejës së Bedrit, por nga frika e kurejshëve nuk e ka publikuar Islamin vetëm se pak përpara çlirimit të Mekës në vitin e 8 – të hixhretit. Argument për këtë është fakti se Profeti (a.s), në betejën e Bedrit, i urdhëroi sahabët që cilido prej tyre të ndeshej me Abasin (r.a) mos të luftonte kundra tij dhe si rrjedhojë edhe mos ta vriste. Ky urdhër nga ana e Profetit (a.s) tregon se Abasi (r.a) e kishte pranuar Islamin dhe se muslimanit nuk i takon të vrasë një musliman. Një argument tjetër se Abasi (r.a) ka qenë musliman përpara betejës së Bedrit, është kërkesa që i ka bërë Profeti (a.s) atij që të qëndrojë në Mekë me qëllim që ta njoftonte atë për çdo lëvizje të kurejshëve ndaj tij dhe muslimanëve. Ebu Rafi, ka thënë: “Kam qenë prej djelmoshave (shërbëtor) të Abasit, Islami derpërtoi në familje, Abasi e pranoi Islamin, Umu Fadli e pranoi Islamin dhe po ashtu edhe unë. Abasi e mbajti të fshehur Islamin e tij.”

Abasi (r.a) merr pjesë në betejën e Bedrit:

Nuk mund të themi se kurejshët nuk dyshonin tek Abasi, por përderisa ai nuk e deklaronte Islamin e tij, ata nuk kishin asnjë të drejtë që të diskutonin apo të debatonin me të. Në betejën e Bedrit, kurejshëve iu dha rasti më i mirë për të vënë në provë dhe për të zbuluar se kush ishte në të vërtetë Abasi (r.a). Mirëpo Abasi (r.a) nuk ra pre e dredhisë së tyre dhe mori pjesë në betejë megjithëse ai vetë nuk e dëshironte një gjë të tillë.

Në prag të betejës, Profeti (a.s) do t’i porosiste shokët e tij me këto fjalë: “Një njeri nga fisi Benu Hashim dhe një tjetër që nuk është nga fisi Benu Hashim kanë ardhur në betejë me imponim, ata nuk kanë ndonjë interes që të na luftojnë. Kush prej jush takohet me ta, le të shmanget dhe mos ta vrasë atë.”Këta dy persona janë Abasi (r.a) dhe Ebu Buhturi. Profeti (a.s) e dinte shumë mirë se Abasi (r.a) ishte musliman dhe se ai kishte marrë pjesë në betejë duke qenë i detyruar. Megjithatë njëri prej sahabëve (Ebu Hudhejfe), i cili nuk dinte gjë rreth kësaj gjëje, kur dëgjoi fjalët e Profetit (a.s) tha: “A të vrasim baballarët, fëmijët, vëllezërit dhe familjet tona dhe të lëmë gjallë Abasin?! Pasha Allahun, nëse do ta takoj atë në betejë do ta godas me shpatë për ta vrarë. Kjo fjalë i mbërriti në vesh të Dërguarit të Allahut i cili i tha Omer ibn Hatabit: “O Ebu Hafs! A mund të goditet me shpatë xhaxhai i të Dërguarit të Allahut?! Omeri tha: “O i Dërguar i Allahut, më lejo që ta godas me shpatë këtë munafik që dëshiron ta bëjë një gjë të tillë me xhaxhain tënd!” Ebu Hudhejfe u shfajësua tek Profeti (a.s) duke thënë: “O i Dërguar i Allahut, i thashë këto fjalë, sepse mu duk shumë e rëndë që në betejë të vritet, babai, xhaxhai dhe vëllai im.. Profeti (a.s) tha: “Babai, vëllai dhe xhaxhai yt kanë dalë me qëllim që të na luftojnë pa imponim, kurse ata  (Ebu Buhturi dhe Abasi) nuk kanë ardhur me qëllim për të na luftuar, por i kanë imponuar.” Ebu Hudhejfe thotë: “Ato fjalë që i thashë atë ditë – në lidhje me Abasin – nuk i kisha me tërë mend, megjithatë ende kam frikë prej tyre dhe mendoj se unë mund t’i shlyej ato, vetëm duke rënë dëshmor në rrugë të Allahut.” Në betejën e Jemames Ebu Hudhejfe ra dëshmor.”[18]

Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja:

Beteja e Bedrit përfundoi me fitoren e muslimanëve. Në këtë betejë u vranë 70 – të mosbesimtarë dhe 70 – të të tjerë u zunë rob. Një prej robërve të luftës ishte edhe Abasi, i cili duhet të shpagonte për të liruar veten e tij.

[Abasi (r.a) tha: O i Dërguar i Allahut, unë jam musliman dhe kam ardhur me imponim.

Profeti (a.s) tha: “Allahu e di më mirë rreth Islamit tënd. Nëse ti thua të vërtetën, Allahu do të të shpërblejë. Por ajo që ne shohim është se ti na je kundërvënë dhe prandaj duhet të shpagosh veten.” Si shkak të kësaj ndodhie Allahu i Lartësuar do të shpallte në Kuran këtë ajet: O Profet! Thuaju robërve që gjenden në duart tuaja; Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[19]

Abasi (r.a) refuzoi që të shpagonte duke mohuar se kishte para. Mirëpo Profeti (a.s) e pyeti dhe i tha: Ku i ke paratë të cilat ti dhe Umu Fadli i gropose dhe i the: “Nëse unë nuk kthehem gjallë nga ky udhëtim (betejë), këto para janë për fëmijët e mi, Fadlin, Abdullahun dhe Kuthemin. Abasi tha: “Pasha Allahun, unë e di që ti je i Dërguar i Allahut, sepse këtë gjë nuk e di askush tjetër përveç meje dhe Umu Fadlit.” Umu Fadli do të dërgonte 40 -të monedha ari[20] dhe Abasi do të shpagonte për veten e tij.”][21]

Ky ajet kuranor i është shpallur Profetit (a.s) në lidhje me Abasin (r.a). E ku ka nder dhe fisnikëri më të madhe për Abasin (r.a), xhaxhain e Profetit (a.s), që të shpallet një ajet kuranor, të cilin do ta lexojnë të gjithë brezat deri në Ditën e Kijametit. Në lidhje me këtë ngjarje Profeti (a.s) do t’i thonte Abasit: “E mbajte fjalën e Allahu e përmbushi fjalën e Tij.”[22]

Vula e muhaxhirëve:

Pas përfundimit të betejës së Bedrit, Abasi (r.a) kërkoi prej Profetit (a.s) që të kthehej në Mekë dhe prej andej do të emigronte për në Medine. Profeti (a.s) i tha: “O xhaxha! Qëndro atje! Ti do të jeshë vula e muhaxhirëve ashtu sikurse unë jam vula e profetëve.”[23]

Dijetarët thonë se Profeti (a.s) qëllimisht e la Abasin (r.a) të qëndronte në Mekë. Profeti (a.s) e ngarkoi atë me një detyrë tepër sekrete; Abasi duhet ta lajmëronte Profetin (a.s) për çdo lëvizje që kurejshët do të ndërmerrnin kundrejt tij dhe muslimanëve. Kur misioni të përmbushej, Abasi nuk kishte përse të qëndronte më në Mekë, prandaj edhe Profeti (a.s) e quajti atë vula e muhaxhirëve.

Abasi (r.a) jep një sugjerim:

Ashtu sikur e cekëm më lartë, Abasi (r.a) e mbante të fshehtë besimin e tij. E kur erdhi koha kur Profeti (a.s) kishte vendosur ta çlironte Mekën, Abasi (r.a) e publikoi besimin e tij. Historianët tregojnë se kur Profeti (a.s) marshoi me muslimanët drejt Mekës u takua me Abasin (r.a) në Xhuhfe, i cili ishte nisur për të emigruar për në Medine. Gjesti i Abasit (r.a) e gëzoi shumë Profetin (a.s), pasi Abasi (r.a) kishte merita të veçanta dhe bënte dallim nga vëllai i tij Ebu Lehebi. Ai asnjëherë nuk e kishte sharë dhe ofenduar Profetin (a.s), në besëlidhjen e dytë të Akabesë i kishte dalë në mbrojtje, po ashtu ai e lajmëronte Profetin (a.s) për qëllimet dhe planet e kurejshëve.

Asokohe, kur ushtria muslimane ishte pranë Mekës kishte ndezur shumë zjarre. Ebu Sufjani – prijësi i Mekës – habitet dhe dëshironte të dinte se kush i kishte ndezur këto zjarre, prandaj merr rrugën drej tyre. Rrugës takon Abasin (r.a) i cili kishte hipur mbi mushkën e Profetit (a.s). Abasi (r.a) i tregon se këto zjarre i kishte ndezur ushtria muslimane. Abasi (r.a) kërkoi prej Ebu Sufjanit që të dy së bashku të shkonin tek Profeti (a.s), e ai pranoi dhe bashkë me Abasin hipën mbi mushkë. Kur ata kaluan tek kampi musliman, muslimanët thanë: Xhaxhai i Profetit mbi mushkën e tij. Kur Omeri (r.a) e pa Ebu Sufjanin kërkoi leje prej Profetit ta vriste, por Profeti (a.s) nuk i dha leje, kurse Abasi (r.a) tha: Ai është në mbrojtjen time. Omeri (r.a) këmbëngulte në të tijën, për shkak se Ebu Sufjani për vite me rradhë e kishte luftuar Profetin (a.s) dhe muslimanët dhe tani një ndër armiqtë e fesë ishte në dorën e muslimanëve. Kur Abasi pa këmbënguljen e madhe të Omerit tha: “Me ngadal o Omer, nëse ky do të ishte prej fisit Adij ti nuk do të bëje kështu. Omeri tha: O Abas, përqafimi i Islamit nga ana jote është më i çmuar për mua se Islami i Hatabit nëse ai do ta bëhej musliman tani. Profeti (a.s) e urdhëron Abasin ta marrë me vete në çadrën e tij (Abasit) Ebu Sufjanin dhe ta sillte atë të nesërmen tek Profeti (a.s). Të nesërmen në mëngjes Ebu Sufjani thotë shehadetin dhe bëhet musliman.

Megjithëse drita e besimit, pak e nga pak kishte depërtuar tek Ebu Sufjani, mund të themi me bindje të plotë se shkak që ai të pranojë shehadetin ishte qëndrimi i Abasit. Ebu Sufjani për vite me rradhë e kishte luftuar Profetin (a.s) dhe muslimanët, kështu që ai nuk mund të depërtonte aq kollaj në rradhët e muslimanëve dhe akoma më tepër të takohej me Profetin (a.s). Marrja në mbrojtje e Ebu Sufjanit nga Abasi (r.a) dhe veçanërisht ndaj reagimit të Omerit (r.a) ishte një prej shkaqëve që Ebu Sufjani të deklarojë shehadetin.

Abasi (r.a) në lidhje me Ebu Sufjanin i thotë Profetit (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Ebu Sufjani është një njeri që ka sedër, krenari dhe prestigj në mesin e popullit të tij. Sikur të bëje diçka në lidhje me këtë. Profeti (a.s) tha: “Kushdo nga banorët e Mekës që do të strehohet në shtëpinë e Ebu Sufjani, në shtëpinë e vet, apo në Qabe do të jetë i sigurtë.”

Në këto fjalë, del në pah mençuria, zgjuarsia dhe vizioni largpamës i Abasit (r.a). Ebu Sufjani për vite me rradhë kishte qenë armik i përbetuar i të Dërguarit të Allahut dhe muslimanëve, por tashmë ai ishte bërë musliman dhe duke qenë se Abasi (r.a) e njihte mirë se çfarë pozite gëzonte ai në mesin e popullit të tij, e këshillon Profetin (a.s) që këtë pozitë të tij ta ruajë përsëri. Kjo këshillë dhe ky qëndrim është tejet madhështor nga ana e Abasit (r.a) i cili nuk heziton aspak të këshillojë nipin e tij. Nga ana tjetër, Profeti (a.s) jo vetëm që e dëgjon këshillën e xhaxhait të tij por i jep urdhër shokëve të tij se kushdo prej banorëve të Mekës që do të strehohet në shtëpinë e Ebu Sufjanit do të jetë i sigurtë për jetën e tij. E gjitha kjo siguri për jetën erdhi si rezultat i këshillës së Abasit (r.a)

Abasi (r.a) i tregon Ebu Sufjanit madhështinë e ushtrisë muslimane:

Në mëngjesin e 17 – të Ramazanit në vitin e 8-të hixhri, Profeti (a.s) e urdhëron Abasin (r.a) që ta marrë me vete Ebu Sufjanin tek një grykë mali nga ku do të kalonte ushtria muslimane. Abasi (r.a) e mori Ebu Sufjanin dhe e çoi atje ku e urdhëroi Profeti (a.s). Sa herë që nga ajo grykë kalonte një grup luftëtarësh, Ebu Sufjani e pyeste Abasin (r.a): Kush janë këto o Abas? E Abasi i përgjigjej: Këta janë luftëtarët nga filan fis e filan fis. Ebu Sufjani i thoshte Abasit (r.a): Po çfarë lidhje kam unë me këtë fis?! Derisa në atë grykë kaloi Profeti (a.s) me ushtrinë e tij të përbërë nga muhaxhirët dhe ensarët. Ebu Sufjani bërtiti dhe tha: “Subhanallah! O Abas! Kush janë këta? Abasi tha:  Ky është i Dërguari i Allahut së bashku me muhaxhirët dhe ensarët. Ebu Sufjani tha: Këta qenkan të pashoq për nga numri dhe nga fuqia. Pastaj shtoi: O Ebu Fadl, sot mbretëria e nipit tënd është shumë e madhe. Abasi tha: O Ebu Sufjan! Këto janë si shkak i profetësisë. Ebu Sufjani tha: Atëherë profetësia qenka diçka e mirë.

Jo pa qëllim Profeti (a.s) e urdhëron Abasin (r.a) që ta marrë Ebu Sufjanin dhe nga gryka e malit të shikojnë ushtrinë muslimane që ishte shumë e madhe në numër dhe që asnjë forcë nuk mund t’i bënte ballë. Ebu Sufjani duke parë madhështinë dhe forcën e kësaj ushtrie, duke qenë se ishte edhe prijës i Mekës, do të shkonte tek banorët e Mekës dhe do të ishte shkak që të shuante mendimin e çdokujt prej banorëve të saj nëse do të ndërmerrte hapin për të rezistuar apo për të luftuar ndaj kësaj force të madhe ushtarake.

Është shumë e vërtetë që Ebu Sufjani nuk kishte lidhje me fiset arabe që marshonin përpara tij, por Abasi (r.a) dëshrionte t’i tregonte atij se të gjitha këto fise brenda dy vjetëve kishin pranuar Islamin dhe i janë dorëzuar Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Kur Ebu Sufjani e pa me sytë e tij fuqinë dhe madhështinë e ushtrisë muslimane i thotë Abasit se nipi i tij kishte arritur të kishte një sundim tepër të madh. Këtu Abasi (r.a) do të ndërhynte dhe do t’i tregonte se atij se Profeti (a.s) prej vitesh nuk kishte kërkuar kurrë që të ishte sundimtar i arabëve, ajo që ai (a.s) kishte pasë dëshirë ishte që njerëzit t’i nënshtroheshin dhe bindeshin vetëm Allahut të Lartësuar dhe askujt tjetër. Ai e ka kryer më së miri misionin që i kishte ngarkuar Allahu i Lartësuar. Qysh në fillim të shpalljes hyjnore ai (a.s) i thirri njerëzit  të besonin dhe të adhuronin vetëm Allahun e Madhëruar, mirëpo paria e Mekës e luftoi atë për vite me rradhë, e ai (a.s) nuk rreshti së thirruri njerëzit për tek Zoti. Vetëm kur ju e latë të lirë, ai (a.s) i thirri njerëzit për tek besimi dhe ata pranuan t’i bindeshin urdhrave të Zoti. Kjo forcë, fuqi e madhështi që ne po shikojmë sot, o Ebu Sufjan, është si shkak i profetësisë dhe jo prej ndonjë përfitimi material të kësaj bote.

O ensarë, o pjesmarrë të besëlidhjes në Hujdebije:

Pas çlirimit të Mekës, Profeti (a.s) me një ushtri prej 12000 ushtarësh marshoi drejt Hunejnit për të luftuar kundra fisit Thekif dhe Heuazin. Duke qenë se numri i muslimanëve ishte shumë herë më i madh se ai i armiqve të tyre, muslimanët u mahnitën dhe kjo u dha tepër besim në vend që t’i mbështeteshin Allahut të Madhëruar ashtu sikurse kishin vepruar në betejat e mëparshme. Kështu që kur ata ishin në luginë, armiku i befasoi me shigjeta e gurë të lëshuara nga vendet ku ishin fshehur. Nga kjo breshëri shigjetash ushtria muslimane u shthurr, disa u vranë, të tjerë po përpiqeshin të mbroheshin, kurse shumica ia mbathën nga fushëbeteja.

Në një situatë të tillë kaotike, Profeti (a.s) qëndroi si një shkëmb i fortë dhe nuk u frikësua aspak, por bënte përpara duke thënë: “Unë jam Profeti jo një i rremë, unë jam nipi i Abdulmutalibit” Bashkë me Profetin (a.s) ishte dhe një grup i vogël besimtarësh, midis tyre edhe Abasi. Abasi (r.a) dhe Ebu Sufjani (r.a) e kapën mushkën e Profetit (a.s) me qëllim që ajo të mos depërtojë më thellë në mesin e armiqve.

Në këto momente të vështira, Profeti (a.s) e urdhëron Abasin (r.a) – i cili kishte një zë të lartë – që t’i thërrasë muslimanët të cilët e kishin lënë fushëbetejën. Abasi (r.a) me zë të lartë thirri: “O Ensarë, o pjesmarrës të besëlidhjes në Hudejbije, kthehuni mbrapa!” Kur sahabët e dëgjuan zërin e Abasit, u kthyen në fushëbetejë dhe me lejen e Allahut të Madhëruar e fituan betejën.

Kjo është beteja e parë në të cilën Abasi (r.a) merr pjesë bashkë me Profetin (a.s). Në këtë betejë shfaqet shumë qartë trimëria dhe qëndrueshmëria e Abasit. Përveç kësaj, Abasi e shfaq dashurinë e madhe që ka për të Dërguarin e Allahut (a.s) duke mos lejuar  mushkën që të përparojë me qëllim për të mbrojtur jetën e Profetit. Në një situatë të tillë tepër të komplikuar ku Profeti (a.s) dhe një grup muslimanësh janë të rrethuar, duhej gjetur një zgjidhje. Duke qenë se Abasi ndryshe nga të tjerët – që ishin përreth Profetit (a.s) –  dallonte me zërin e lartë, Profeti (a.s) e urdhëroi atë të thërriste. Të gjithë ne mund ta imagjinojmë se sa fort dhe se me sa fuqi Abasi ka thërritur që muslimanët të kthehen në fushëbetejë. Kjo thirrje – me urdhër nga Profeti – bëri që beteja të anonte në kahun e muslimanëve dhe të triumfonin me lejen e Allahut të Madhëruar.

Do të shpërblehet si shpërblimi i luftëtarëve tanë:

Ibn Asakiri tregon se kur Profeti (a.s) dhe shokët e tij marshuan drejt banorëve të Taifit, pushoi në një vend afër tij. Profeti (a.s) dërgoi Handhale ibn Rebian (r.a) që të fliste me ta. Kur Handhale po afrohej drejt kalasë së tyre ata dolën nga kalaja e tyre me qëllim që ta kapnin, ta fusnin në kala dhe pastaj ta vrisnin. Kur Profeti (a.s) e pa një gjë të tillë, pati shumë frikë për jetën e Handhales, prandaj filloi të motivonte  sahabët se kush prej tyre do ta shpëtonte atë. Ai (a.s) tha: Kush do të luftojë kundra tyre dhe do të shpërblehet si shpërblimi i luftëtarëve tanë. Askush nga sahabët nuk doli vullnetar përveç Abasit i cili rendi me të katra drejt kalasë, e arriti Handhalen dhe e shpëtoi prej tyre, megjithë breshërinë e gurëve që vërshonin nga kalaja. Në këtë kohë, Profeti (a.s) lutej që Abasi dhe Handhale të ktheheshin shëndoshë e mirë dhe vërtet ata u kthyen shëndoshë e mirë.[24]

Kamata është e ndaluar:

Në hytben e lamtumirës, Profeti (a.s) do të jepte shumë porosi. Prej këtyre porosive do të veçojmë atë porosi të Profetit (a.s) që ka lidhje me Abasin (r.a). Profeti (a.s) ka thënë: “Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga huamarrësi duhet të marrë vetëm atë që vërtet ia ka huazuar. Huatë e para që i nënshtrohen këtij vendimi janë huatë e xhaxhait tim Abasit, i cili ka pasur mjaft borxhlinj.”

Kamata është e ndaluar me Kuran dhe Sunet. Në hytben e lamtumirës Profeti (a.s) u flet njerëzve se kamata është e ndaluar. Dhe për të treguar që ai (a.s) është i vendosur në zbatimin e këtij urdhri hyjnor, filllon me borxhet që Abasi, xhaxhai i tij i kishte dhënë me kredi disa njerëzve. Profeti (a.s) i shfuqizon këto kredi të dëmshme dhe nuk ka dyshim se Abasi (r.a) e ka miratuar vendimin e Profetit (a.s) duke pranuar nga borxhlinjtë vetëm kthimin e borxhit dhe duke refuzuar fajdetë.

Profeti (a.s) dhe Abasi (r.a) luten për shi:

Në periudhën kur në krye të hilafetit islam ishte Omeri (r.a), Medinen e goditi një thatësirë e madhe. Omeri (r.a) kërkoi prej Abasit (r.a) që të lutej për shi. Kurse vetë Omeri (r.a) i lutej Allahut me këto fjalë: “O Allah! Ne i kërkonim profetit (a.s) të të lutej Ty për shi, ndërsa tani ne i kërkojmë xhaxhait të tij që të të lutet Ty  për shi. O Allah na lësho shi. E Allahu e zbriti shiun.

Kurse Abasi (r.a) u lut me këto fjalë: “O Allah, fatkeqësia jonë vjen vetëm për shkak të gjynaheve dhe mund të lehtësohet vetëm me pendim. Njerëzit po kthehen tek Ti. Njerëzit më janë drejtuar mua duke ditur pozitën që unë kam tek i Dërguari Yt. Duart tona janë të shtrira si dëshmi se i pranojmë gjynahet tona dhe pendohemi tek Ti. Na dërgo shi dhe mos na bëj  prej të dëshpëruarve, o më i Mëshirshmi prej të mëshirshmëve. O Allah, Ti je mbajtësi dhe nuk i lë anash ata që kanë humbur dhe nuk e braktis të dobëtin në një vend të shkatërrimit. Të rinjtë po qajnë dhe të vjetrit janë të frikësuar, çdonjëri të është drejtuar Ty. Ti e di të fshehtën dhe atë që është shumë e fshehtë. O Allah, ndihmoj ata para se të bien në dëshpërim, sepse askush nuk dëshpërohet nga mëshira Jote përveç jobesimtarëve.”

Retë u shfaqën në horizont, e njerëzit thanë: A e shihni? Retë u bënë më të mëdha dhe era i shtynte ato derisa u ndal dhe filloi të binte shi. Kur njerëzit filluan të largoheshin për shkak të shiut të madh, filluan të mbaheshin nëpër mure dhe i kishin ngritur rrobat që ua mbulonin belin për të mos i lagur me ujë. Njerëzit thanë: Urime, o sjellës i shiut në dy haremet.

Kështu pra, kur në Mekë apo në Medinë pllakoste zia e thatësia, sahabët shkonin tek Profeti (a.s) dhe kërkonin prej tij që t’i lutej Allahut që të zbriste shi. Pas vdekjes së Profetit (a.s) vërejmë se Omeri (r.a)  nuk shkon tek asnjëri prej sahabëve për t’i kërkuar për t’u lutur për shi, përveçse tek Abasi, xhaxhai i Profetit (a.s). Omeri e dinte se çfarë pozite kishte Abasi tek Profeti (a.s), prandaj shkoi tek ai. Dhe jo vetëm Omeri, por edhe njerëzit ishin dakord që Abasi të lutej. Abasi lutet ashtu sikur më parë ishte lutur edhe Profeti (a.s) e Allahu me mëshirën e Tij do t’i përgjigjej lutjes së Abasit dhe Profetit (a.s) duke zbritur shiun.

 Vdekja e Abasit (r.a):

 Në periudhën e hilafetit të Othmanit, në vitin 32 hixhri, në moshën 88 vjeçare, Abasi (r.a) do t’ia dorëzonte shpirtin Krijuesit të tij. Abasi (r.a) u varros në Beki në atë varrezë ku janë varrosur shokët e Profetit (a.s).

Profeti (a.s) dhe Hamzai (r.a)

Ai është Hamza ibn Abdulmutalib ibn Hashim ibn Abdumenaf El Kurejshi El Hashimi. Ai njihet me epitetin “Ebu Amare” ose “Ebu Ja’la”. Por ai njihet edhe me një epitet tjetër “Luani i Allahut”. Hamzai ka lindur 2 vjet përpara Profetit (a.s). Ai është xhaxhai i Profetit (a.s) por njëkohësisht edhe vëllai i tij për nga gjiri, sepse që të dy (Profeti dhe Hamzai) kanë pirë qumësht prej Thuejbës. Ka qenë trim, krenar, kalorës dhe një prej fisnikëve të Mekës

Hamzai pranon Islamin:

Hamzai (r.a) merrej më shumë me gjueti dhe nuk është se interesohej shumë për atë që ndodhte në Mekë. Ai kishte dëgjuar për profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe se ai (a.s) i kishte thirrur kurejshët që të adhuronin vetëm një Zot dhe të braktisnin adhurimin e idhujve. Megjithatë Hamzai ishte treguar indiferent ndaj thirrjes islame.

E habitshme është mënyra se si Hamzai pranon fenë Islame pavarësisht indiferentizmit të tij. Një ditë teksa Hamzai po kthehej nga gjuetia, një skllave e njofton se Ebu Xhehli e kishte lënduar dhe ofenduar nipin e tij Muhamedin (a.s). Hamzai u tërbua dhe ashtu siç ishte shkoi tek Ebu Xhehlin të cilin e gjeti me disa anëtarë të fisit të tij. Hamzai e goditi Ebu Xhehlin me harkun e tij në kokë dhe i tha: A e ke goditur atë kur unë i përkas fesë së tij. Këto fjalë Hamzai i tha vetvetiu pa i peshuar shumë. Por kjo mbrojtje që ai i bëri nipit të tij do ta ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve në Mekë. Hamzai do ta pranonte fenë islame, do të kapej fort pas saj dhe mbi të gjitha thirrja islame do të kishte një mbështetje të fuqishme nga një prej trimave dhe guximtarëve më të mëdhenj të banorëve të Mekës. Doktor Munir Gadban ka thënë: “Hamzai (r.a.) dhe Omeri (r.a) e kanë pranuar Islamin në vitin e 6-të të hixhrit. Hamzai (r.a) është bërë musliman tre ditë para Omerit (r.a). Kjo ka ndodhur në momentet më të vështira të thirrjes islame, sepse kurejshët ishin përpjekur dhe vazhdonin ta lëndonin sa më shumë Profetin (a.s) me të gjithë format. Ndoshta përplasja e drejtpërdrejtë  me armë (midis kurejshëve dhe muslimanëve) është plaga që Hamzai (r.a) i shkaktoi Ebu Xhehlit kur e goditi me harkun e tij. Kjo plagë, padyshim nënkuptonte ndezjen e një lufte midis kurejshëve. Ebu Xhehli ishte i pari i vendit kurse Hamzai ishte një njeri që njihej për kryeneçësinë e tij në mesin e kurejshëve. Në disa transmetime thuhet se kur Hamzai goditi Ebu Xhehlin, disa burra nga Benu Mahzumët u çuan në këmbë dhe po ashtu disa burra nga Benu Hashimët u çuan në këmbë dhe situata që u krijua ishte shumë e tensionuar dhe si rrjedhojë mund të përfundonte në një kasapanë që mund të përfundonte edhe me shfarosjen e muslimanëve. Mirëpo personaliteti i Hamzait (r.a) bëri që të shuhej ky konflikt. Në të njëjtën kohë ne vërejmë se fanatizmi farefsinor që ka pasë ekzistuar në periudhën e xhahilijetit e ngacmoi Hamzain (r.a) të mbante këtë qëndrim. Atë nuk e mbajtën nervat që të duronte lëndimin që iu shkaktua nipit të tij Muhamedit (a.s). Injoranca paraislame me pafytyrësinë e saj i kishte tejkaluar kufinjtë, prandaj edhe Hamzai (r.a) shkoi dhe e goditi Ebu Xhehlin, pavarësisht pasojave të mëtejshme.

Hamzai përpara shpalljes definitive të ndalimit të alkolit:

Ali ibn Ebu Talib tregon:“Më ra një deve për pjesë nga plaçka e luftës përkrah me të Dërguarin e Allahut (a.s) në Bedër dhe ai (a.s) më dha edhe një tjetër. Unë u ula te dera e një ensari duke dashur t’i këmbej ato me bar idh’hiri të cilin do ta shisja, që të fitoja para për ceremoninë e martesës sime me Fatimen. Një argjendar nga fisi Benu Kajnuka ishte me mua. Hamza ibn Abdulmutalib ishte në atë shtëpi duke pirë, ndërsa një këngëtar po këndonte: O Hamza therri ato dy deve të majme dhe gostiti me to miqtë. Kështu ai mori shpatën dhe u shkoi atyre, ua preu gungën, i hapi brenda dhe u mori mëlçitë. Aliu më tej vazhdoi: Kur pashë atë pamje rrënqethëse, shkova te Profeti (a.s) dhe ia tregova atij ndodhinë, ndërkohë që aty ishte edhe Zejd ibn Harithe. Ai (a.s) doli bashkë me Zejdin dhe unë u shkova pas. Ai (a.s) shkoi te Hamzai dhe i foli ashpër. Hamzai ngriti sytë dhe tha: A nuk jeni ju veçse robërit e baballarëve të mi?! Profeti (a.s) u kthye dhe doli jashtë. Kjo ngjarje ka ndodhur përpara se të ndaloheshin pijet alkolike.”[25]

Kjo ngjarje – në mënyrë absolute – nuk e ul gradën dhe pozitën e lartë të Hamzait (r.a), sepse ashtu sikurse e thotë edhe Aliu (r.a), kjo ngjarje ka ndodhur përpara se Allahu i Madhëruar të shpallte definitisht ajetin e ndalimin e pirjes së alkolit. Hamzai (r.a) ka rënë shehid në betejën e Uhudit, kurse ajeti i sures Maide që ndalon definitisht pirjen e alkolit është shpallur pas betejës së Uhudit.

Në fillim, Profeti (a.s) i foli ashpër Hamzait (r.a) për shkak se duke qenë i pirë ai kishte therrur dy devetë që nuk ishin të tijat. Mirëpo duke qenë se Hamzai (r.a) ishte akoma i pirë ia kthen përgjigjen Profetit (a.s) disi ashpër dhe për shkak se Hamzai (r.a) nuk dinte çfarë të fliste për shkak të pijes, Profeti (a.s) nuk e vazhdoi më tej bisedësn dhe u largua. Imam Neueuiju tregon se Hamzai (r.a) – pasi i doli pija – e kuptoi se çfarë kishte vepruar dhe me urdhër të Profetit (a.s) pagoi çmimin e dy deveve.

Kjo ngjarje dhe shumë të tjera të ngjashme si kjo janë dëshmuesi më i qartë se përse Allahu i Madhëruar e ka ndaluar alkolin në ajetin kuranor: “O ju që besuat! Nuk ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës për fall janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’u pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkolit dhe bixhozit)?”[26]

Hamzai bie dëshmor:

Një prej besimtarëve të cilët emigroi nga Meka për në Medine ishte edhe Hamzai. Hamzai mori pjesë në betejën e Bedrit, në të cilën me urdhrin nga Profeti (a.s) ai dyluftoi me një prej kurejshëve përpara se kjo betejë të fillojë. Në këtë dyluftim Hamzai arriti që ta vriste kundërshtarin e tij.

Më pas Hamzai mori pjesë edhe në betejën e Uhudit ku ra dëshmor. Në këtë betejë ai luftoi si një luan i tërbuar dhe filloi të vriste me rradhë çdokënd që i dilte përpara nga ushtria idhujtare. Një idhujtar që merrte pjesë në betejë, i thotë skllavit të tij Uahshit: Nëse ti e vret Hamzain, do të të japë lirinë. Uahshiju i cili njihej si mjeshtër i hedhjes së shtizës, kur beteja kishte filluar, fshihej sa në një kaçube në një tjetër për të gjetur momentin e volitshëm kur ta shënjestronte prenë e tij. E kur ai rast erdhi nuk hezitoi aspak që ta hidhte shtizën e tij drejt Hamzait e cila ia shpoi stomakun dhe i doli përmes shpinës. Kur Hamzai ra përdhe në tokë, Uahshiju e mori shtizën nga stomaku i tij, u kthye në kamp dhe u ul sepse misioni i tij kishte përfunduar.

Kush e ka parë Hamzain të vritet?

Pas betejës së Uhudit, Profeti (a.s) tha: “Kush e pa parë vrasejn e Hamzait? Një burrë i parmatosur tha: Unë e kam parë. Pastaj Profeti (a.s) shkoi me të deri tek vendi ku ishte vrarë Hamzai. Burri e pa Hamzain të cilit i ishte çarë barku tej përtej dhe të sakatuar. Ai tha: Pasha Allahun e paskan sakatuar o i Dërguar i Allahut. Profeti (a.s) preferoi që mos ta shikonte trupin e tij. Më pas Profeti (a.s) qëndroi midis dëshmorëve dhe tha: “Unë do të jem dëshmues i këtyre. Qefinosini duke i pasë trupat me gjak, sepse çdo plagë që merret për hir të Allahut, në Ditën e Kijametit ajo do të pikojë gjak me ngjyrën e tij (gjakut), ajo do të ketë erë misku. Të parin varrosni atë që di më shumë Kuran.”[27]

Përjetimi i dhimbjes nga ana e Profetit (a.s):

Nuk ka dyshim se Profeti (a.s) ndjeu dhimbje të madhe kur mori vesh për vrasjen e Hamzait. Kur i thanë se Hamzai ishte vrarë qau dhe kur e pa atë të shtrirë në tokë rënkoi nga dhimbja.  Profeti (a.s) u lut për Hamzain me fjalët: “Allahu të mëshiroftë o xhaxha, ti i ke pasë mbajtur fort lidhje farefisnore dhe ke pasë bërë shumë të mira.”[28]Nga dhimbja e madhe që ndjeu për Hamzain, Profeti (a.s) tha: “Nëse do të triumfojë në ndonjë betejë, kam për të sakatosur 70 – të prej tyre.” Për shkak të kësaj fjale Allahu i Madhëruar do të shpallte ajetet kuranore: Nëse ndëshkoni, ndëshkoni po aq sa jeni ndëshkuar, por, nëse duroni, kjo është më e mira rrugë për të durueshmit. Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut.”[29] Aq e thellë ishte dhimbja saqë edhe kur gjatë çlirimit të Mekës, Uahshiju (vrasësi i Hamzait) do të dëshmonte shehadetin, Profeti (a.s) i thotë atij: Sa të jetë e mundur shmangiu takimit me mua, për shkak se i kujtohej vrasja e Hamzait.

Xhenazja e Hamzait:

 “Hamzai ishte dëshmori i parë të cilit, Profeti (a.s) ia fali xhenazen. Ibn Abasi tregon se kur Profeti (a.s) ia fali xhenazen Hamzait duke dhënë 7 tekbire. Dhe sa herë që falte xhenazen e dikujt prej dëshmorëve të Uhudit, e shoqëronte atë (xhenazen e dëshmorit) bashkë me xhenazen e Hamzait. Kështu që Profeti (a.s) ia fali xhenazen Hamzait 72 herë.[30]

Në ditën e Uhudit, Profeti (a.s) i varrosi dy dëshmorë në një varr. Hamzain, Profeti (a.s) e varrosi bashkë me Abdullah ibn Xhahshin, djalin e motrës së Hamzait. Hamzain e qefinosën me një rrobë, por që kur i mbulohej koka i zbuloheshin këmbët dhe kur i mbuloheshin këmbët i zbulohej koka. Profeti (a.s) dha urdhër që t’i mbulohej koka, kurse këmbët ia mbuluan me barishte.

Askush nuk mund të qajë Hamzanë:

Kur Profeti (a.s) hyri në rrugët e Medines, nga shtëpitë e saj dëgjoi gratë të cilat po qanin dhe vajtonin. Çfarë është kjo – pyeti ai? Njerëzit thanë: këto janë gratë e ensarëve të cilët po qajnë për të vrarët e tyre. Profeti (a.s) tha: “Por për Hamzain askush nuk mund të qajë.” Pasjtaj ai (a.s) kërkoi falje për të. Sa’ad ibn Muadhi, Sa’d ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel dhe Abdulla ibn Reuaha e dëgjuan fjalën e Profetit (a.s), prandaj ata shkuan në shtëpitë e tyre dhe mblodhën çdo grua e cila mund të qante dhe vajtonte. Ata i thanë atyre: Pasha Allahun ju nuk keni për të vajtuar për ensarët e vrarë derisa të vajtoni për xhaxhain e Profetit (a.s), sepse ai (a.s) tha që askush në Medine nuk mund të qajë për të. Kur Profeti (a.s) dëgjoi këto të qara, tha: Çfarë është kjo? Njerëzit i thanë se ensarët i kishin urdhëruar gratë e tyre që të qanin për Hamzanë. Profeti (a.s) kërkoi falje për ensarët, i përmendi për mirë dhe u tha: “Nuk kisha për qëllim këtë gjë dhe unë nuk e dua vajtimin.” Dhe i urëdhëroi që mos të qanin për të.

Lutja e mësuar nga Profeti (a.s):

Hamzai ka transmetuar vetëm një hadith nga Profeti (a.s): “Bëjeni këtë lutje: O Zot, unë të lutem me emrin Tënd më madhështor dhe me kënaqësinë Tënde më të madhe”[31]

Profeti (a.s) dhe Safija (r.a)

Ajo është Safija bija e Abdulmutalibit, halla e Profetit (a.s). Ajo është motra e Hamzait (r.a) nga babai dhe nëna. Në periudhën e “injorancës” u martua me vëllain e Ebu Sufjanit, Harith ibn Harbin. Pas vdekjes së Harithit, u martua me Auam ibn Huejlidin. Nga kjo martesë i lindën tre fëmijë, Zybejri, Saibi dhe Abdulka’beh.

Paralajmëroje farefsin tënd më të afërt:

Pas shpalljes së ajetit kuranor: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërt!”[32], Profeti (a.s) e kuptoi se detyra e tij si i Dërguar i Zotit ishte që ta publikonte thirrjen islame dhe t’i thërriste njerëzit që adhuronin vetëm Allahun e të largoheshin nga adhurimi i idhujve. Njerëzit e parë të cilët, Profeti (a.s) do t’i thërriste në misionin e ngarkuar nga Zoti, ishte e gjithë familja e tij ku midis tyre nuk bënte përjashtim as halla e tij Safija. Profeti (a.s) u ngjit në bregoren Safa dhe me zë të lartë thirri: “Oj Fatime e bija e Muhamedit, oj Safije bija e Abdulmutalibit, o pjestarë të fisit të Abdulmutalibit, kërkoni nga unë çfarë të dëshironi prej pasurisë, por unë nuk mund t’ju mbroj nga ndëshkimi i Allahut.”

Nga këto fjalë vërehet qartë se Profeti (a.s) e ka veçuar Safijen ashtu sikurse edhe bijën e tij, ç’ka tregon qartë dashurinë e madhe që ai (a.s) kishte për hallën e tij dhe në të njëjtën kohë ai (a.s) kishte dëshirë që ajo ta pranonte thirrjen islame. Ai (a.s) e paralajmëron hallën e tij se nëse refuzon të adhurojë Allahun e Madhëruar, atëherë atë e pret ndëshkimi i Tij në botën tjetër. Profeti (a.s) i thotë Safijes që mund të kërkojë çfarë të dojë prej tij, madje edhe pasuri, por që ai (a.s) të ndërmjetsojë për të tek Allahu i Madhëruar, këtë nuk mund ta bëjë. Ndërjmetsimi i vetëm është besimi tek Allahu dhe largimi nga adhurimi i idhujve.

Historianët nuk e dinë me saktësi kohën kur Safija e ka pranuar Islamin. Disa thonë se ajo e ka pranuar Islamin menjëherë me vëllain e saj Hamzain. Kurse disa të tjerë thonë se ajo e ka pranuar Islamin gjatë hixhretit.

Ruajtja e ndjenjave të Safijes:

Në betejën e Uhudit ranë dëshmor shumë muslimanë, në mesin e të cilëve ishte edhe Hamzai, vëllai i Safijes. Kur Profeti (a.s) e pa Hamzain të vrarë e të shpërfytyruar tha: “Sikur Safija të mos mërzitej do ta lija trupin e tij që ta hanin shpezët e ai të ringjallej në barkun e tyre.”[33]

Profeti (a.s) nuk dëshiron për asnjë çast që halla e tij, Safija ta shikojë vëllain e tij të shpërfytyruar, sepse në përgjithësi gratë janë të dobëta dhe nuk mund të përmbahen në të tilla raste, veçanërisht kur kufoma është e shpërfytyruar. Megjithatë Safija shkon drejt kufomës së Hamzasë, dhe Profeti (a.s) i thotë të birit të saj Zybejrit ta pengojë për shkak të shpërfytyrimit që i ishte bërë. Mirëpo Safija i thotë djalit të saj se ajo ishte në dijeni të shpërfytyrimit të vëllait të saj dhe se ajo ishte e kënaqur me caktimin e Allahut. Zybejri shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tha se nëna e tij këmbëngulte që ta shikonte Hamzanë, e Profeti (a.s) i dha leje asaj. Profeti (a.s) u kërkoi falje dhe u lut për Hamzain dhe pastaj urdhëroi shokët që ta varrosnin atë.

Guximi dhe trimëria e Safijes:

Kur Profeti (a.s) zhvillonte ndonjë luftë, e ka pasë zakon që gratë dhe fëmijët i linte në ndonjë kala nga frika se në mungesë të tij mund t’i sulmonte ndonjë ushtri për shkak të tradhtisë së dikujt. Në betejën e Hendekut, Profeti (a.s) i futi fëmijët dhe gratë ku midis tyre ishte halla e tij Safija në kalanë e Hasan ibn Thabitit. Kjo kala dallonte nga kalatë e tjera që ishin në Medine sepse ishte një fortesë e fortë për çdokënd që dëshironte ta sulmonte atë.

Ndërkohë që Profeti (a.s) bashkë me muslimanët ishin në skajin tjetër të Medines përballë ushtrisë së madhe të idhujtarëve, çifutët e Benu Kurejdhës që më parë kishin bërë marrveshje me Profetin (a.s) e thyen këtë marrveshje duke u bërë aleatë me idhujtarët me qëllim që ta dobësonin fuqinë e ushtrisë muslimane nga mbrapa krahëve. Për këtë qëllim ata dërguan tek kalaja e Hasanit ku ishin gratë dhe fëmijët një hebre për të vëzhguar njëherë se ishte situata dhe pastaj të ndërmerrnin hapat e tjera të sulmit ndaj muslimanëve.

Herët në agim, Safija vuri re se një njeri po vërtitej rreth kalasë për të vëzhguar se brenda saj kishte burra apo jo. Safija e kuptoi se ai ishte një çifut dhe se kishte ardhur me qëllime jo të mira, prandaj menjëherë shkoi tek Hasan ibn Thabiti dhe i tha që të shkonte dhe ta vriste atë. Mirëpo Hasani nuk pranoi, ndërkohë që çifuti vazhdonte të kryente misionin për të cilin e kishin vëzhguar. Safija, kurrësesi nuk mund të pranonte, që ky çifut të kthehej tek të tijët dhe t’i njoftonte ata se në kala kishte vetëm gra dhe fëmijë. Medeomos duhej të bënte diçka dhe duke qenë se Hasani nuk bëri gjë, atëherë vendosi që ajo vetë të bënte diçka. Mori një dru, zbriti poshtë dhe e goditi dy a tri herë çifutin dhe e vrau. Kur çifutët  e Benu Kurejdhës e morën vesh se shoku i tyre kishte vdekur e morën mesazhin dhe nuk tentuan të ndëmerrnin asnjë veprim tjetër.

Duke bërë një analizë të situatës ajo ishte tepër kritike. E nëse Safija, halla e Profetit (a.s) nuk do të kishte treguar këtë lloj trimërie, atëherë rreziku që do i kanosej Profetit (a.s) dhe muslimanëve do të ishte shumë i madh dhe pasojat do të ishin shumë të rënda. Këtë rrezik, Safija e ndjeu dhe me veprimin e saj u bë edhe ajo pjesë e ndihmës hyjnore që i shkatërroi ahzabët dhe bashkë me ta edhe çifutët e Benu Kurejdhas.

Besa e dhënë:

Në ditën e çlirimit të Mekës, gratë besimtare shkuan tek Profeti (a.s) për t’i dhënë besën. Në mesin e këtyre grave ishte edhe halla e Profetit (a.s), Safije bintu Abdulmutalib.Po për çfarë do t’i jepnin gratë besën Profetit (a.s). Këtë më së miri e përshkruan ajeti kuranor: “O Profet, nëse vijnë tek ty besimtaret për të dhënë besën se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë në adhurim, nuk do të vjedhin, nuk do të kurvërojnë, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje të sajua nga ato vetë dhe nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë t’i pranoje besën e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[34]   

Vdekja e Safijes:

Në vitin 20 hixhri në periudhën e kalifatit të Omerit, në moshën 73 vjeçare, Safija, halla e Profetit (a.s) ndërroi jetë.  Ashtu sikurse edhe shumë sahabë të tjerë ajo u varros në varrezat e Medines në Beki.

Allahu e mëshiroftë.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure Shuara: 214.

[2] -“Nektari i vulosur i Xhenetit” I Safijullah Mubarekfurit, fq: 102.

[3] – Sure Teube: 113.

[4] – Sure Kasas: 56.

[5] – Sure Shuara: 214.

[6] – Sure Mesed: 1-2.

[7] – Sure Mesed 1-5.

[8] – Sure Mesed: 2.

[9] – Këtë ngjarje e ka përmendur Ibn Kethiri në “Bidaje dhe Nihaje”  fq: 4/334-335, por nuk ka folur gjë rreth autencitetit të këtij transmetimi.

[10] – Buhariu (1468).

[11] – Tirmidhiu (3758). Hadithi është Hasen Sahih.

[12] – Ahmed, Ibn Sa’d dhe Hakimi.

[13] -“Tarih Medineu Dimeshk” I Ibn Asakirit, fq: 26/308.

[14] – Tabaraniju. Hadithi është Sahih.

[15]  – “Tarih Medinetu Dimeshk” I Ibn Asakirit, fq: 26/319.

[16] –“Tarih Medineu Dimeshk” I Ibn Asakirit, fq: 26/335.

[17] – “Nektari i vulosur I Xhenetit” I Safijurrahman Mubarekfurit, fq: 159.

[18] -“Sire Nebeuije” I Ibn Hishamit, fq: 2/271.

[19] – Sure Enfal: 70.

[20]  – Në disa transmetime thuhet 20 -të monedha ari.

[21] -“Bidajetu ue Nihaje” I Ibn Kethirit, fq: 5/169-170, me përshtatje.

[22] -“Tarih Medinetu Dimeshk” I Ibn Asakirit, fq: 26/294.

[23] -“Tarih Medinetu Dimeshk” I Ibn Asakirit, fq: 26/296.

[24] -“Tarih medinetu dimeshk” I Ibn Asakirit, fq:26/340.

[25] – Buhariu (2375).

[26] – Sure Maide: 90-91.

[27] – “Sahih sire nebeuije” I Ibrahim Ali, fq: 209.

[28] – “Esedul Gabeh”  I Ibn Ethirit, fq: 2/68.

[29] – Sure Nahl: 126-127.

[30] – “Esedul Gabeh” I Ibn Ethirit, fq: 2/70.

[31]  – Tabaraniu fil Kebir (3/166).

[32] – Sure Shuara: 214.

[33] – Ebu Daudi (3136). Hadithi është Sahih li gajrihi.

[34] – Sure Mumtehine: 12.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *