Avionët luftarakë izraelitë realizuan një fushatë të gjerë bombardimesh të dhunshme dhe shkatërruese mbrëmjen e të mërkurës, më 2 prill 2025, duke prekur aeroportet në qendër të Sirisë dhe qendrat e kërkimit në Hama dhe rreth Damaskut. Ndërkohë që ka patur edhe një pushtim tokësor dhe përleshje në provicën e Der’as dhe Kunajtire në jug të vendit.
Sulmet ajrore më të mëdha dhe më të ashpra goditën aeroportin ushtarak në Hama dhe shkatërruan pjesë të mëdha të tij. Po ashtu, bombardimi izraelit shkatërroi një pjesë të madhe të aeroportit T4 në lindje të Homsit. Ishte e dukshme se fokusi i kësaj fushate të madhe ishte bombardimi i aeroporteve, duke pasur parasysh se bombardimet izraelite kanë qenë ta vazhdueshme qysh pas rënies së regjimit të Asadit më 8 dhjetor 2024.
Shkaqet dhe arsyet e bombardimeve izraelite
Bombardimi i fundit izraelit është një element i demonstrimit të forcës që i duhet qeverisë së Netanyahut. Lufta në Gaza ka arritur kulmin e saj, dhe mund të thuhet se Siria, në gjendjen e saj aktuale, është vendi më i përshtatshëm për të demonstruar forcën dhe për të dërguar mesazhe rajonale dhe ndërkombëtare.
Megjithatë, arsyeja kryesore e bombardimeve është vazhdimi i shkatërrimit të plotë të infrastrukturës ushtarake, në mënyrë që Siria të bëhet një shtet i zhveshur nga armët, dhe si rrjedhojë e pafuqishme për të qenë kërcënuese për sigurinë kombëtare izraelite në të ardhmen, veçanërisht pasi Tel Avivi ka humbur raportet me regjimin e Asadit, i cili ka pasë ruajtur qetësinë e fronteve dhe sigurinë e Izraelit për dekada.
Izraeli vazhdon bombardimet, pushtimin tokësor dhe shkatërrimin për të shkatërruar çdo armë që ka mbetur, edhe nëse ato janë të vjetra ose të dëmtuara, dhe në të njëjtën kohë nuk do të lejojë që shteti i ri të formojë një ushtri të fuqishme që ka raketa, avionë dhe sisteme mbrojtëse ajrore. Përmes këtij bombardimi, ai deklaron se nuk do të lejojë askënd që të armatosë këtë ushtri ose ta forcojë atë.
Çfarë kërkon Izraeli nga Siria?
Tashmë është bërë e qartë se ushtria izraelite është duke vazhduar përpara, që në një zonë të shkatërruar në pikat (vijat) e kontaktit të imponohet, gjë e cila lehtëson mbikëqyrjen dhe pushtimin për të kryer inspektime të vazhdueshme, duke parandaluar kështu krijimin e ndonjë infrastrukture sekrete armiqësore, qoftë në nivelin e grupeve njerëzore, tuneleve apo armatimeve.
Në një rreth më të gjerë, Izraeli po kërkon që zona jugore e kryeqytetit, Damaskut të jetë plotësisht e zbrazur nga forcat ushtarake ose armatimi. Izraeli mund të krijojë aleanca rajonale dhe ndërkombëtare për të vendosur pika kontrolli nga ndërmjetës të jashtëm. Sigurisht, Izraeli nuk preferon që Turqia të jetë ky ndërmjetës. Këtu, Rusia është kandidati më i mundshëm për shkak të rolit të saj të mëparshëm të ngjashëm dhe besimi që Izraeli ka ndaj saj, përballë rolit që kërkon Rusia për t’u rikthyer në çështjen siriane, edhe nëse kjo bëhet përmes portës së Tel Avivit.
Në një rreth më të gjerë, Izraeli do të përpiqet të shkatërrojë forcën ajrore dhe çdo sistem mbrojtjeje ajrore ose strukturë që krijohet për qëllime mbrojtjeje ajrore, në një distancë prej deri në 200 kilometra, larg kufirit siriano-izraelit në veri të Palestinës, pra në zonat që Izraeli i ka bombarduar në lindje të Homsit dhe Hamasë.
Mesazhet e bombardimit nga ana e Izraelit
Ky bombardim i gjerë izraelit vjen disa ditë pas marrëveshjes që filloi të zbatohet në Alepo, e cila parashikon daljen e grupeve të armatosura pro Forcave Demokratike Siriane (QSD) nga lagjet Shejh Maksud dhe Ashrafiya.
Marrëveshja e Alepos që është një marrëveshje që është nënshkruar midis liderit të QSD-së, Mazllëm Abdit me presidentin sirian Ahmad el-Shera forcon pozitën e Sirisë, gjë e cila – sigurisht – nuk i pëlqen Izraelit, dhe përbën fundin e asaj që Tel Avivi ka filluar më shumë se një dekadë më parë në forcimin e skenarit të ndarjes, dobësimit dhe shpërbërjes së hartës së Sirisë.
Në të njëjtën kohë, një ekip ekspertësh turqish ka vizituar – më parë – aeroporte dhe baza ushtarake në qendër të Sirisë, disa prej të cilave janë bombarduar dhe shkatërruar. Kjo mund të jetë një nga mesazhet kryesore nga Qeveria Netanyahu për Ankaranë, se tablonë e sigurisë dhe ushtarake në Siri nuk mund të menaxhojnë as Turqia dhe as Arabia Saudite, edhe nëse ka një dritë jeshile nga SHBA-të, pa përfshirjen e Izraelit në këtë proces.
Ndoshta është larg asaj që po qarkullon se Izraeli po pengon ndikimin turk në Siri, veçanërisht pasi ky ndikim është në realitet, dhe është në përputhje me tablonë e re të Lindjes së Mesme, ku fuqitë perëndimore kanë rënë dakort për nxjerrjen e Iranit nga ky rajon. Po ashtu, Izraeli po imponon rregullat e tij mbi këtë tablo të re, e cila ndoshta nuk është plotësisht e formuar për momentin, pasi ndikimi iranian është ende i pranishëm në Irak, dhe Shtetet e Bashkuara po përgatisin terrenin për tërheqjen e trupave të tyre nga Siria, në përputhshmëri me daljen e rezultateve të zgjedhjeve irakiane në fund të këtij viti.
Qëndrimi i qeverisë siriane dhe mundësitë për paqe
Qeveria siriane vazhdon të mbajë qëndrimin e saj të shpallur qysh nga marrja e pushtetit pas rënies së regjimit të Asadit; ajo nuk ka kapacitet për përballje ushtarake, dhe për këtë arsye ajo i drejtohet Kombeve të Bashkuara dhe shteteve me ndikim për të ndaluar sulmet izraelite, veçanërisht pasi këto sulme vazhduan, pavarësisht sigurisë të shpallur përmes ndërmjetësuesve, se qeveria siriane nuk ka qëllim të hyjë në ndonjë përballje me shtetet fqinje, ose me ndonjë fuqi rajonale ose ndërkombëtare.
Sigurisht, Izraeli nuk ka besim te kjo qeveri dhe siguria e saj, ashtu sikurse në të njëjtën kohë mund të arrijë marrëveshje me këtë qeveri, për sa kohë që ajo nuk paraqet një rrezik të mundshëm për sigurinë kombëtare izraelite.
Në të ardhmen e afërt, pritet që Izraeli të veprojë në mënyrë ushtarake dhe sigurie për të përgatitur terrenin në mënyrë që ai të jetë i përshtatshëm për interesat e Izraelit në tavolinën e negociatave të ardhshme. Ai shkreton dhe shkatërron në tokë si dhe dhe sulmon nga ajri, me qëllim që të vendosë kushtet e tij në të ardhmen për të ruajtur përfitimet që ka arritur në këtë fazë, gjë që qeveria siriane nuk ka mundësi tjetër përveçse ta pranojë.
Burimi: Aljazeera.net
Përktheu: Elton Harxhi