1 – Çfarë është dija e fikhut?
Dija e Fikhut është njohja e të drejtave dhe detyrimeve, që ka muslimani i aftë juridikisht.
2 – Çfarë është papastërtia?
Papastërti konsiderohet çdo gjë që muslimani e ka për detyrë të largohet dhe të pastrohet prej saj.
3 – A është detyrë pastrimi pas kryerjes të nevojave?
Pastrimi pas kryerjes së nevojave është Sunet i Fortë në gradën e Vaxhibit. Pastrimi nuk duhet të bëhet me dorën e djathtë dhe duart duhet të lahen pas kryerjes së nevojës.
4 – Çfarë është abdesi?
Abdesi është larja dhe fshirja e gjymtyrëve të caktuara në mënyrë të përcaktuar.
5 – Cilat janë farzet e abdesit?
Abdesi ka katër farze, pa të cilat ai nuk është i vlefshëm: 1 – Larja e fytyrës, 2 – Larja e duarve bashkë me bërrylat, 3 – Fshirja e një pjese të kokës dhe 4 – Larja e këmbëve bashkë me kyçet.
6 – Çfarë e prish abdesin?!
Abdesi prishet nga: ajo që del nga dy rrugët e jashtëqitjes, gjaku dhe qelbi, e vjellura, dalja e gjakut nga hundët, gjumi shtrirë, e qeshura në namaz.
7 – Çfarë është gusli?
Gusli është larja e plotë e trupit pas kryerjes së veprimeve që e obligojnë guslin dhe është amanet që duhet zbatuar.
8 – Çfarë është tejemumi?
Tejemumi është pastrim simblolik me dhe.
9 – Çfarë është mes`hi?
Mes`hi është fshirja mbi meste apo çorape pa i larë këmbët, mirëpo me kusht që mestet apo çorapet të jenë veshur me abdes.
10 – Çfarë është namazi?
Namazi është një adhurim që përbëhet nga veprime dhe fjalë të caktuara që fillojnë me tekbir dhe mbarojnë me selam.
11 – Sa namaze janë detyrë?
Allahu i Madhëruar ka bërë farz pesë namaze në ditë (në 24 orë) për besimtarët. Ato janë: namazi i Sabahut me dy rekate farz, namazi i Drekës me katër rekate farz, namazi i Ikindisë me katër rekate farz, namazi i Akshamit me tre rekate farz dhe namazi i Jacisë me katër rekate
12 – Çfarë është ezani?
Ezani është lajmërimi për hyrjen e kohës së namazit me fjalë të veçanta. Ezani është Sunet.
13 – Çfarë është xhamia?
Xhamia është vendi ku adhurohet Allahu i Madhëruar.
14 – Për kë është detyrë namazi i xhumasë?
Namazi i xhumasë është detyrë për çdo musliman mashkull, rezident.
15 – Cili është gjykimi sheriatik për namazin e teravive dhe sa rekate ka?
Namazi i teravive është Sunet i Fortë dhe falet me 20 rekate.
16 – Çfarë është Zekati?
Zekati është dhënia e një pjese të pasurisë për ata që e meritojnë.
17 – Kur nuk lejohet të agjërohet?
Gjatë ditës së Fitër Bajramit dhe katër ditëve të Kurban Bajramit.
18 – Çfarë është Haxhi?
Haxhi është shtylla e pestë e Islamit. Haxhi është vizita e një sërë vendesh të caktuara (Qabja, Arafati, Mina, Muzdelife), në një formë të caktuar në një kohë të caktuar (në muajin Dhul Hixhe).
19 – Për kë është detyrë haxhi?
Haxhi është detyrë për çdo musliman që ka mundësi të përballojë shpenzimet e rrugës, gëzon shëndet të mirë dhe ka arritur moshën e pjekurisë.
20 – Çfarë është Ihrami?
Ihrami është nijeti për haxh apo për Umra, por me këtë emër është emërtuar edhe veshja e bardhë speficike që veshin burrat.
21 – Çfarë është Umra?
Umra është një adhurim Sunet, i cili kryhet në çdo kohë të vitit.
22 – A lejohet vizita e varrit të Profetit (a.s)?
Vizita e varrit të Profetit (a.s) konsiderohet nga adhurimet më të mira.
23 – Cilat janë burimet bazët të Islamit?
Burimet apo argumentet bazë të Sheriatit janë: Kurani, Suneti, Konsesusi dhe Analogjia ligjore.
24 – Cilat janë shtyllat e Islamit?
Shtyllat e Islamit janë pesë: 1 – Shehadeti: Lâ ilâhe il-lall-llâh, Muhammedun resûlull-llâh. 2 – Falja e namazit. 3 – Dhënia e zekatit. 4 – Agjërimi i Ramazanit. 5 – Kryerja e Haxhit një herë në jetë për atë që ka mundësi.
25 – Sa llojesh është pastërtia?
Pastërtia e kërkuar nga Sheriati është dy llojesh: 1 – Pastrimi konkret (pastrimi nga papastërtitë) dhe
2 – Pastrimi jokonkret (pastrimi për adhurim).
26 – Cilat janë mjetet e pastrimit?
Mjetet e pastrimit janë: Uji, dheu, fërkimi, fshirja, tharja, regjja dhe shndërrimi.
27 – Sa llojesh është uji?
Uji është tre llojesh: Ujë i përgjithshëm, ujë i përdorur dhe uji i papastër.
28 – Si merret tejemumi?
Tejemumi merret kështu: përplasen pëllëmbët e duarve lehtë në tokë, shkunden dhe fshihet fytyra, pastaj përplasen lehtë përsëri për dheu dhe më pas fshihen krahët.
29 – Çfarë e prish namazin?
Të folurit dhe të ngrënët, lutja për atë që teshtin dhe e qeshura në namaz.
30 – Si falet i sëmuri?
I sëmuri i kryen veprimet Farz, Vaxhib apo Sunet sipas mundësisë që i jepet.
31 – A lejohet të flitet gjatë kohës kur imami po predikon hytben e xhumasë?
Nuk lejohet të flitet, apo të angazhohesh me telefonin gjatë kohës kur imami mban hytben.
32 – Cili është gjykimi sheriatik për namazin e vitrit dhe sa rekate ka?
Namazi i vitrit është Vaxhib dhe falet me tre rekate.
33 – Çfarë duhet të bëjë besimtari para se të falë bajramin?
Është Sunet që besimtari të lahet, të zbukurohet, të vishet me rroba të mira dhe të parfumoset. Është Sunet që namazi të falet në lëndinë dhe është Sunet që në namaz të marrin pjesë të gjithë muslimanët.
34 – Çfarë është agjërimi?
Agjërimi është ndalimi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime nga agimi deri në perëndim të diellit.
35 – Çfarë ndalohet gjatë agjërimit?
Ndalohet ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime, pirja e duhanit, marrja e ilaçeve nga goja, mëkatet.
36 – Çfarë lejohet gjatë agjërimit?
Agjëruesit i lejohet: të lahet dhe të zhytet në ujë të përdorë injeksione që nuk janë ushqyese, të dhurojë gjak, të bëjë hixhame, të shpërlajë gojën dhe hundën.
37 – Cilat janë disa nga agjërimet vullnetare?
Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit, i ditës së Arafatit, i ditës së Hënë dhe të Enjte, agjërimi i tre ditëve për çdo muaj, agjërimi i ditës së Ashures.
38 – Cilat janë kushtet e Umras?
1 – Nijeti, 2 – Tavafi shtatë xhiro rreth Qabes, 3 – Saji (ecja mes kodrës Safa dhe Merva) shtatë xhiro, 4 – Shkurtimi apo rruajtja e flokëve.
39 – Çfarë është Tavafi?
Tavafi është një adhurim, i cili realizohet me ecjen shtatë xhiro rreth Qabes. Tavafi është kusht për vlefshmërinë e Umras dhe Haxhit.
40 – Çfarë është Saj?
Saj është ecja mes kodrave Safa dhe Merva. Saji është kusht për vlefshmërinë e Umras dhe Haxhit. Abdesi nuk është detyrë gjatë kryerje së tij.
41 – Cilat janë kushtet e Haxhit?
Kushtet e haxhit janë: 1 – Nijeti, 2 – Qëndrimi në Arafat dhe 3 – Tavafi i Ifadas.
42 – Cilat janë kushtet e namazit?
Namazi ka gjashtë sharte (kushte). Ato janë: 1 – Abdesi 2 – Pastërtia e rrobës dhe vendit ku do të falet namazi 3 – Mbulimi i auretit, 4 – Nijeti 5 – Hyrja e kohës. 6 – Kthimi nga Kibla.
43 – Sa shtylla ka namazi?
Namazi ka gjashtë rukne (shtylla): 1 – Tekbiri fillestar, 2 – Qëndrimi në këmbë, 3 – Leximi i Kuranit, 4 – Rukuja, 5 – Sexhdeja dhe 6 – Qëndrimi në rekatin e fundit (Teshehudi i fundit).
44 – Cilat janë sunetet e rregullta të namazeve?
Sunetet e rregullta janë: Dy rekate para farzit të Sabahut, katër rekate para farzit të Drekës, dy apo katër rekate pas Drekës, dy rekate pas Akshamit dhe dy rekate pas Jacisë.
45 – Cilat janë kushtet për muslimanin që të japë zekat?
Muslimani që do të japë Zekatin, duhet të plotësojë këto kushte: 1 – Të jetë musliman, 2 – të jetë i lirë dhe jo i robëruar, 3 – të posedojë Nisabin, 4 – të presë derisa të kalojë një vit hënor, 5 – të mos jetë i çmendur apo fëmijë dhe 6 – të mos ketë borxhe.
46 – Kujt u jepet zekati?
Zekati u jepet: të varfërve, lypësve, personave që mendohet se mund t`u fitohet zemra, të mbyturve në borxhe, administratës së Zekatit, robërve, luftëtarëve në rrugë të Allahut të Madhëruar dhe atij që ka mbetur mes katër rrugëve.
47 – Kujt nuk i jepet zekati?
Zekati nuk i jepet: të pasurit, personit të aftë për punë, jobesimtarit, bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve dhe familjes së të Dërguarit të Allahut (a.s).
48 – Cilat janë pasuritë e përjashtuara nga zekati?
Nuk jepet Zekat për: banesat, rrobat, pajiset shtëpiake, mobiljet, makinat, makineritë prodhuese apo për çdo gjë që përdoret për përdorim vetjak.
49 – Për kë është detyrë agjërimi?
Agjëruesi duhet të jetë musliman, të ketë arritur moshën e pjekurisë seksuale, të mos jetë udhëtar, të jetë me shëndet të mirë, të bëjë nijetin dhe të ndalohet nga ushqimi dhe marrëdhëniet seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit
50 – Çfarë duhet bërë gjatë agjërimit?
Gjatë Ramazanit duhen kryer vepra të mira si: Leximi i Kuranit, qëndrimi në xhami pas faljes së namazit të Sabahut deri në lindjen e diellit, përmendja e Allahut (dhikri), kërkimi i faljes nga Allahu (Istigfari), sjellja me moral të mirë, vizitat e ndërsjella dhe vizita e të sëmurëve. Rinia duhet ta shfrytëzojë në maksimum muajin e Ramazanit.