Raporti reciprok midis nevojës së përcaktuar nga sheriati dhe vështirësisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me fjalën arabe “meshekkatun” në terminologji nënkuptohet vështirësia dhe stërmundimi i parashikuar jashtë normales.

Raportin midis nevojës së përcaktuar nga sheriati me rastin e vështirësisë e hasim në dy aspekte:

Aspekti i parë: Vështirësia vjen (ndodh) si rezultat i një sërë shkaqeve, ku një prej tyre është edhe nevoja, ç’ka sjell lehtësimin. Kjo do të thotë se nëse ne nuk e marrim për bazë apo në konsideratë nevojën për lehtësim në një çëshjte, atëherë kjo nënkupton se njeriu do të hasë vështirësi në kryerjen e asaj çështje. Prandaj edhe dijetarët thonë se “mospërmbushja e nevojës është shkak (tregues) për vështirësi.” Sa thamë më lart e vërteton përkufizimi i nevojës së përcaktuar për të cilën kemi thënë se: “Nevoja për një gjë që krijon hapësira lehtësuese dhe shmang situatat e vështira e të mundishme, e cila bie ndesh me dispozitat thelbësore të sheriatit sepse ajo konfirmohet përmes dispozitave të veçanta përjashtuese (jo thelbësore).”

Si për shembull: Veshja e mëndafshit është e ndaluar (haram) për burrat. Por nëse burri ka nevojë për të veshur një rrobë të mëndafshtë për shkak se është i sëmurë me zgjebe apo me diç të ngjashme, në këtë rast atij i lehojet të veshë rrobën e mëndafshtë. Nëse në këtë rast, nevoja nuk merret për bazë apo në konsideratë, atëherë njeriu do të ishte në vështirësi dhe do të stërmundohej.  Kështu pra nëpërmjet këtij shembulli (dhe të tjerë shembuj) na e bëhet e qartë se nëse nevoja anashkalohet apo nuk merret parasysh atëherë do të hasim vështirësi.

Gjithësesi, në këtë kontekst, vlen të përmendim se nuk është vetëm mospërmbushja e nevojës shkak i vështirësisë, sepse vështirësia shkaktohet edhe nga shkaqe të tjera siç janë domosdoshmëritë (darurijat), sikleti (el harexh), situatat e përgjithshme të pashmangshme (umumul bel’ua), padituria (el xhehlu).. etj.

Aspekti i dytë: Nevoja përcakton lehtësimin apo jo të vështirësisë, sepse vështirësia nuk është e njëllojtë, por në gradë e në nivele të ndryshme. Pasi disa lloje të vështirësisë merren në konsideratë dhe të  tjera jo. Kjo është një çështje që duhet të dihet me patjetër për arsye se personi juridik duhet të dijë të bëjë dallimin midis atij lloji të vështirësisë që ka efekt (ndikon) tek dispozita fetare (norma juridike) dhe atij lloji të vështirësisë që nuk ka efekt. Iz ibn Abduselam e ka ndarë vështirësinë në dy lloje:

Lloji i parë: Ajo vështirësi  që është e pandashme me adhurimin  ose e thënë ndryshe nëse ajo lloj vështirësie gjendet, adhurimi nuk mund të braktiset, si në rastin kur njeriu që agjëron gjatë Ramazanit në një ditë të nxehtë dhe të gjatë, ai has në vështirësi. Mirëpo kjo lloj vështirësie nuk ndikon në ndryshimin e dispozitës fetare që në këtë rast është obligimi i agjërimit, dhe si rrjedhojë nuk kemi të bëjmë me lehtësim të kësaj dispozitë fetare.

Lloji i dytë: Ajo vështirësi, që kryesisht adhurimi është i shkëputur prej saj. Këtë lloj vështirësie e hasim në tre raste:

Rasti i parë: Vështirësi e rëndë dhe flagrante, si në rastin kur njeriu ka frikë për veten, organet e gjymtyrët e trupit, apo për pronën. Në këtë rast dhe të ngjashme si këto lehtësimi është obligim, sepse mbrojta e jetës, organeve dhe pronës është më prioritare se humbja e tyre në momentin kur njeriu është duke kryer një apo disa adhurime.

Rasti i dytë: Vështirësi e lehtë (e përballueshme), si për shembull një dhimbje e vogël në gisht, kokë apo njeriu nuk është në terezi. Kjo lloj vështirësie nuk merret për bazë, sepse në këtë rast përfitimi i një dobie është më primar se evitimi i një vështirësie të përballueshme.

Rasti i tretë: Vështirësi  e mesme; midis asaj që është e rëndë dhe asaj që është e lehtë.  Nëse kjo lloj vështirësie anon më shumë nga ajo që është në një nivel më të lartë atëherë  ajo është sebep për lehtësim. E nëse anon më shumë nga ajo që është në një nivel më të ulët, atëherë lehtësimi nuk lejohet. Megjithatë në lidhje me këtë lloj vështirësie, juristët nuk ndajnë të njëjtin mendim.

Padyshim ajo që vërejmë është se nevoja e përcaktuar nga sheriati luan një rol të rëndësishëm dhe ka ndikimin e vet  e saj të madh në secilën prej këtyre tre rasteve të lartpërmendura, veçanërisht në rastin e tretë. Kjo do të thotë se ajo lloj vështirësie që arrin në nivelin e nevojës, atëherë lehtësimi bëhet legjitim. Kurse ajo lloj vështirësie që është nën këtë nivel, atëherë lehtësimi nuk është legjitim.

Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid

Përshtati: Elton Harxhi

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *