201 – Hudhejfe (r.a) dhe Ebu Hurejra (r.a) kanë thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartësuar do t’i tubojë njerëzit në tokën e Mahsherit. E Xheneti do t’i afrohet besimtarëve. Njerëzit do të shkojnë tek Ademi (a.s) dhe do t’i thonë: O babai ynë, kërko prej nesh që Xheneti të hapet. Ai do të thotë: A nuk ju ka nxjerrë prej Xhenetit veçse gabimi i babait tuaj?! Nuk jam unë ai që e bën këtë. Shkoni tek djali im, Ibrahimi, miku i Allahut. Ai (a.s) tha: Ata do të shkojnë tek Ibrahimi dhe ai do t’ju thotë: Nuk jam unë ai që e bën këtë dhe qëmoti kam qenë mik i Allahut, por shkoni tek Musai, të cilit Allahu i ka folur drejtpërdrejtë. Ata do të shkojnë tek Musai e ai do të thotë: Nuk jam unë ai që e bën këtë, por shkoni tek Isai që është Fjala e Allahut dhe Shpirti i Tij, e Isai do të thotë: Nuk jam unë ai që e bën këtë. Pastaj ata do të shkojnë tek Muhamedi (a.s). Ai do të çohet (për të kërkuar hapjen e Xhenetit) dhe do t’i jepet leje. Amaneti dhe lidhjet farefisnore do të dërgohen dhe do të qëndrojnë në të dy anët e urës së Siratit, në të djathtë dhe në të majtë. I pari prej jush ka për ta kaluar atë (urën e Siratit) me shpjetësinë e vetëtimës. Unë thashë: Flijofsha nënën dhe babën për ty! Si do të kalojë me shpejtësinë e vetëtimës? Ai tha: A nuk e ke parë që ajo (vetëtima) ndodh sa hap e mbyll sytë?! Pastaj një njeri do ta kalojë atë me shpejtësinë e erës. E tjetri do të kalojë me shpejtësinë e një shpendi. E njerëzit do të kalojnë në varësi të veprave të tyre. Kurse Profeti juaj do të qëndrojë në urën e Siratit dhe do të thotë: O Zot! Na jep shpëtim. Na jep shpëtim. Kështu do të shfaqen njerëzit sipas veprave të pakta (të mira) që kanë kryer derisa do të vijë një njeri, i cili do ta kalojë urën e Siratit duke u tërhequr zvarrë. E në skajet e urës së Siratit do të ketë çengelë, të cilat janë të urdhëruara të kapin çdokënd për të cilin janë urdhëruar. Njeriu i cili do të gërvishtet (dhe kalon) është i shpëtuar, ndërsa ai që kapet (nga çengelat) do të shkojë në Zjarr. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Ebu Hurejres, rënia në Zjarr zgjat për shtadhjetë vjet.”[1]
202 – Ebu Hubejb Abdullah ibn Zubejr (r.a) ka thënë: Kur Zubejri doli për të marrë pjesë në betejën e Devesë, më thirri dhe unë shkova pranë tij. Ai tha: Biri im, ai që do të vritet sot do të jetë zullumqar ose atij që i është bërë padrejtësi. Dhe unë e ndjej se do të vritem sot padrejtëisisht. Shqetësimi im më i madh është borxhi që kam. A mendon se nëse i paguajmë borxhet a na ngelet ndonjë gjë nga pasuria jonë? Pastaj ai tha: Biri im, shite pasurinë (tokën) tonë dhe ma paguaj borxhin që kam! Ai më la si amanet që një të tretën ta lë për vete dhe një të tretën për bijtë e tij, pra një të tretën e një të tretës për bijtë e Abdullah ibn Zubejrit. Ai tha: Nëse e shlyen borxhin dhe nga pasuria të ka ngelur dçika, atëherë një të tretën jepja bijve të tu. Hishami ka thënë: Kështu ai i konsideroi si të barabartë (në testamentin që la) midis disa fëmijëve të Abdullahut me disa prej bijve të Zubejrit, Hubejbin dhe Abadin. Ai në atë kohë kishte nëntë djem dhe nëntë vajza. Abdullah ibn Zubejri tha: Ai vazhdoi të më këshillonte për borxhin e tij, duke thënë: O biri im, nëse në një moment nuk mund ta përballosh (shlyerjen e borxhit), kërko ndihmë nga Padroni im. Pasha Allahun, unë nuk e kuptova se çfarë dëshironte të thoshte, prandaj e pyeta: O baba, kush është Padroni yt? Ai tha: Allahu. Pasha Allahun, nuk kam rënë në ndonjë vështirësi për të shlyer borxhin e tij, përveçse jam lutur duke thënë: O Padroni i Zubejrit, shlyeje borxhin e tij dhe Allahu ma ka krijuar mundësinë për ta shlyer atë.
Zubejri (r.a) u vra dhe nuk la asnjë dinar ose dirhem, përveç tokave – përfshirë – El Gabahun (një tokë e madhe), njëmbëdhjetë shtëpi në Medine, dy shtëpi në Basra, një shtëpi në Kufa dhe një shtëpi në Egjipt. Ai (Abdullah ibn Zubejri) tha: Shkaku se përse ai (Zubejri) kishte boxhe ishte se njerëzit vinin tek ai me pasurinë e tyre dhe ia besonin atij. Por Zubejri thoshte: Jo (mos ma besoni), sepse kam frikë se mos e humbas, por do ta marr atë hua. Ai kurrë nuk ka marrë ndonjë post drejtues, as nuk ka mbledhur taksa, haraç apo nodnjë gjë tjetër, përveç fakti që ka marrë pjesë në betejat që ka zhvilluar i Dërguari i Allahut (a.s), Ebu Bekri (r.a), Omeri(r.a) apo Othmani (r.a).
Abdullah ibn Zubejri (r.a)tha: Unë e llogarita borxhin e tij dhe pashë se borxhi i tij ishte dy milionë e dyqind mijë (dirhemë). Ai (Hishami) tha: Hakim ibn Hizam e takoi Abdullah ibn Zubejrin dhe i tha: O biri i vëllait tim, sa është borxhi i vëllait tim? Abdullahu (në fillim) e mbajti sekret sasinë e vërtetë të borxhit, prandaj u përgjigj duke thënë: Njëqind mijë. Hakimi tha: Pasha Allahun, nuk mendoj se pasuria juaj është e mjaftueshme për të shlyer këtë borxh. Abdullahu i tha: Po sikur borxhi të jetë dy milionë e dyqind mijë? Hakimi tha: Nuk mendoj se mund ta përballoni këtë. Nëse nuk mund të shlyeni diçka prej tij, kërkoni ndihmën time.”
Ai tha: “Zubejri kishte blerë tokën me kaçuba (El Gabahun) për njëqind e shtatëdhjetë mijë (dirhemë) kurse Abdullahu e shiti atë për një milion e gjashtëqind mijë.Pastaj u ngrit dhe tha: Kujt i ka Zubejri ndonjë borxh, atëherë le të vijë tek ne që t’ia japim hakun e tij nga lekët e shituara prej tokës me kaçuba. Abdullah ibn Xhafari, të cilit Zubejri i kishte katërqëind mijë, erdhi dhe i tha Abdullah ibn Zubejrit: Nëse dëshironi, mund t’jua fal.” Abdullah tha: “Jo.” Pastaj ai tha: “Nëse dëshironi,mund ta shlyeni më vonë, nëse ju ngel ndonjë gjë. Abdullah ibn Zubejri tha: “Jo.” Ai tha: “Atëherë më jepni një pjesë.” Abdullahu tha: “Po,e jotja është nga këtu deri këtu.”
Abdullahu shiti një pjesë të pronës (tokës) dhe me të e pagoi borxhin e tij. Atij (tashmë) i ngelën katër aksione e gjysmë. Pastaj ai shkoi tek Muauije, ku ishin gjithashtu Amr ibn Othmani, Mundhir ibn Zubejri dhe Ibn Zem’ah. Muauija e pyeti: “Sa të kushtoi toka me kaçuba?” Abdullahu u përgjigj: “Çdo aksion është vlerësuar me njëqind mijë.” Muauija e pyeti: “Sa ka mbetur?” Abdullah tha: “Katër aksione e gjysmë.”
Mundhir ibn Zubejri tha: “Unë do të marr një aksion për njëqind mijë.” Amr ibn Uthmani tha: “Unë do të marr një aksion për njëqind mijë.” Ibn Zem’ah tha: “Edhe unë do të marr një aksion për njëqind mijë.” Muauija pyeti: “Sa ka mbetur prej saj?” Abdullahu tha: “Një aksion e gjysmë.” Muauija tha: “Unë do ta marr për njëqind e pesëdhjetë mijë.” Abdullah ibn Xhafari aksionet e tij ia shiti Muauijes për gjashtëqind mijë.
Kur Abdullah ibn Zubejri përfundoi shlyerjen e borxhit të Zubejrit, bijtë e tij i thanë: “Na e nda trashëgiminë tonë!” Ai tha: “Jo, pasha Allahun, nuk do ta ndaj mes jush derisa për katër vjet rrjesht, në sezonin e Haxhit do të thërras (ndër njerëz): Atij të cilit Zubejri i ka ndonjë borxh, le të vijë tek ne që t’ia shlyejmë.’”
Kështu që ai, çdo vit për gjatë katër sezoneve të Haxhit thërriste ndër njerëz. Kur katër vitet kaluan, ai ia ndau atyre trashëgiminë dhe e mbajti një të tretën (sipas porosisë së babait). Zubejri kishte katër gra, dhe secilës prej tyre i ra me marrë një milion e dyqind mijë (dirhemë). Pasuria e tij totale ishte pesëdhjetë milion e dyqind mijë (dirhemë).”[2]
Kapitulli i ndalimit të padrejtësisë dhe urdhri për të kthyer mbrapsht padrejtësitë
203 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Ruhuni nga padrejtësia, sepse padrejtësia është prej errësirave të Ditës së Kijametit. Dhe ruhuni nga koprracia, sepse koprracia i ka shkatërruar atë të cilët kanë qenë para jush. Ajo i ka shtyrë ata të derdhnin gjakun dhe të bënin të lejuara ato gjëra të cilat ishin haram.”[3]
204 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pasha Allahun, në Ditën e Kijametit do t’i jepet haku pronarëve të ligjshëm (atyre që iu është padrejtësi), madje do t’i jepet haku edhe deles pa brirë që është goditur nga delja me brirë (në këtë botë.)”[4]
205 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Ne ishim duke folur rreth haxhit ta lamtumirës, e në mesin tonë ishte Profeti (a.s) dhe ne nuk e kuptonim se cili ishte qëllimi i fjalës haxhi i lamtumirës. I Dërguari i Allahut (a.s) falenderoi dhe lavdëroi Allahun (në hytbe) dhe pastaj përmendi Dexhalin dhe foli gjatë rreth tij. Pastaj ai (a.s) tha: “Çdo profet të cilin Allahu e ka dërguar te populli i tij e ka paralajmëruar popullin e tij për ardhjen e Dexhalit. Nuhu dhe të gjithë profetët e tjerë pas tij kanë paralajmëruar për ardhjen e tij. Nëse ai shfaqet në mesin tuaj, ajo që është fshehur rreth çështjes së tij, tashmë nuk ngelet më sekret: Zoti juaj nuk është i tillë që t’ju mbetet i panjohur. (tre herë). Zoti juaj nuk është i verbër, kurse ai është i verbër dhe nuk shikon me syrin e djathtë, kokra e syrit të tij është sikur një rrush i dalë jashtë. Vërtet Allahu e ka bërë të ndaluar për ju të derdhni gjak padrejtëisht dhe të hani pasurinë e të tjerëve pa të drejtë ashtu sikur është e ndaluar kjo ditë për ju në këtë vend tuajin dhe në këtë muaj. A e kam përcjellur mesazhin? Ata thanë: po. Ai tha: O Allah dëshmo (tre herë). Mjerë për ju ose vaj medet për ju. Vini re! Pas meje mos u shndërroni në mosbesimtarë duke vrarë njëri-tjetrin.”[5]
206 – Aishja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush bën padrejtësi qoftë edhe duke marrë një pëllëmbë tokë, ajo do t’i mbështillet rreth qafës nga shtatë toka.”[6]
207 – Ebu Musa (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu i jep kohë zullumqarit dhe kur e kap atë dhe i vjen koha për ta ndëshkuar atë, ai nuk ka ku të ikë prej Tij. Pastaj ai (a.s) lexoi ajetin kuranor: Ja kështu dënon Zoti yt kur dënon vendbanime që kanë bërë padrejtësi. Vërtet, dënimi i Tij është shumë i dhembshëm.[7]”[8]
208 – Muadhi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më dërgoi (në Jemen) dhe tha: “Vërtet, ti do të shkosh tek një popull që janë prej Ithrarëve të Librit (hebrenj dhe të krishterë). Ti thirri ata që të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguar i Allahut. Nëse ata të binden për këtë, atëherë njoftoji se Allahu u ka bërë obligim që të falen pesë herë për çdo ditë dhe natë. E nëse ata binden edhe ndaj kësaj, njoftoji se Allahu i ka obliguar ata që të japin sadaka (zekat), që ju merret të pasurve dhe i jepet të varfërve. E nëse ata i binden kësaj bëj kujdes që mos të marrësh nga gjërat e çmuara të pasurisë së tyre. Dhe ruhu nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, sepse midis lutjes së tij dhe Allahut nuk ka perde.”[9]
209 – Ebu Humejd Abdurrahman ibn Sa’d Es Saidi (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) e caktoi një njeri nga fisi Ezd i cili quhej Ibn Lutejbe për të mbledhur zekatin. Kur ai erdhi tha: kjo ju përket juve dhe këtë ma kanë bërë mua dhuratë. I Dërguari i Allahut (a.s) hipi në minber, e falenderoi, e lavdëroi Allahun dhe pastaj tha: “Unë caktova një njeri nga ju që të kryente një punë për të cilën Allahu ma ngarkoi e ai erdhi tek unë dhe tha: kjo ju përket juve dhe këtë ma kanë bërë dhuratë. Po përse ai nuk ka qëndruar në shtëpinë e babait dhe të nënës që ta marrë atje atë dhuratë, nëse është i sinqertë? Pasha Allahun, çdokush prej jush që me pa të drejtë merr një pjesë nga zekati, atëherë ai në Ditën e Gjykimit do të vijë duke e mbartur atë mbi supin e vet. Unë njoh njërin prej jush që do ta takojë Allahun dhe mbi supe do të mbartë një deve që pëllet, një lopë që ulërin apo një dele që blegërin.” Pastaj ai (a.s) i ngriti duart aq lart sa u pa e bardha e sqetullave dhe tha tre herë: “O Zoti im a e përcolla fjalën?”[10]
210 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që i ka bërë padrejtësi vëllait të tij qoftë në nderin e tij apo në diçka tjetër, atëherë le t’i kërkojë hallallëkun sot para (ditës) në të cilën ai nuk do të ketë asnjë dinar dhe dirhem. Nëse ai (që ka bërë padrejtësi) ka ndonjë vepër të mirë, atëherë do të merret nga vepra e tij e mirë aq sa ai ka bërë padrejtësi. E nëse ai nuk ka asnjë vepër të mirë atëherë ai do të marrë nga veprat e këqija të atij që i ka bërë padrejtësi dhe do t’i mbarten atij.”[11]
211 – Abdulla ibn Amër ibn El As (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Musliman (i mirë) është ai prej të cilit muslimanët janë të qetë prej gjuhës dhe dorës së tij. Dhe muhaxhir (i vërtetë) është ai i cili largohet nga veprat të cilat Allahu i ka ndaluar për t’i vepruar.”[12]
212 – Abddulla ibn Amër ibn El As (r.a) tregon se: “Një burrë që kujdesej për pasurinë e Profetit (a.s) i quajtur Kirkire, pasi vdiq, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ai është në Zjarr.” Njerëzit shkuan tek ai për të parë dhe gjetën se ai kishte vjedhur një xhybe nga plaçka e luftës.”[13]
213 – Nufej’i ibn Harith (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, koha për nga forma ka ngelur po ajo qysh në kohën kur Allahu ka krijuar qiejtë dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër prej të cilave janë të shenjtë. Tre prej tyre janë të njëpasnjëshëm. Ata janë: Dhul Ka’deh, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexheb, i cili gjendet midis Xhumadas dhe Shabanit. Pastaj Profeti (a.s) pyeti: Cili muaj është ky? Ne thamë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë. Ai heshti aq gjatë saqë ne menduam se do ta emërtonte atë me një emër tjetër. Ai tha: A nuk është Dhul Hixhe?! Po – i thamë ne. Pastaj ai pyeti: Cili qytet është ky? Ne i thamë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë. Ai heshti aq gjatë saqë ne menduam se do ta emërtonte atë me një emër tjetër. Ai tha: A nuk është vendi i shentë (Meka)?! Po – thamë ne. Pastaj ai pyeti: Cila ditë është kjo? Ne i thamë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Ai heshti aq gjatë saqë ne menduam se do ta emërtonte atë me një emër tjetër. Ai tha: A nuk është dita e Kurban Bajramit?! Po – thamë ne. Pastaj ai (a.s) tha: Gjaku, pasuria dhe nderi juaj me të vërtetë janë të shenjta, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë qytet të shenjtë në këtë muaj të shenjtë. Ju do të takoheni me Zotin tuaj dhe Ai do t’ju marrë në llogari për veprat e juaja. Pasi të vdes unë, mos u ktheni në mosbesim, duke luftuar njëri-tjetrin. Ai që është prezent, le t’ia tregojë këtë atij që nuk është prezent, sepse ka mundësi që atij që i përcillet kjo, ta kuptojë atë më mirë se ai që e ka dëgjuar. Pastaj ai tha: A e kam përcjellur?! A nuk e kam përcjellur. Po – thamë ne. Ai tha: O Zot! Dëshmo!”[14]
214 – Ebu Umame (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që betohet rrejshëm dhe i hyn në hak një muslimani duke i bërë padrejtësi, Allahu ia ka përcaktuar atij Zjarrin dhe e privon nga Xheneti.” Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut, edhe po të jetë gjë e vogël?! Ai tha: Po, qoftë edhe një shkop nga druri i misvakut.”[15]
215 – Adij ibn Umejre (r.a) ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Nëse dikujt i ngarkojmë për të kryer një punë dhe ai fsheh një gjilpërë apo diç më të madhe se ajo, kjo konsiderohet sikur ka vjedhur plaçkën e luftës, e ai do të paraqitet me të në Ditën e Kijametit. Një burrë me ngjyrë prej ensarëve – sikur po e shoh atë – u ngrit dhe tha: O i Dërguar i Allahut, Më liro nga detyra që me kë ngarkuar! Ai (a. s) e pyeti: Ç’të shtyu ta kërkosh një gjë të tillë? Ai tha: Dëgjova që ti the kështu e ashtu. Ai (a.s) tha: Dhe unë po e them tani: Ata të cilin ne e ngarkojmë për të kryer një punë, le ta sjellë atë pak apo shumë qoftë ajo (plaçkë a mall). Ajo që do t’i jepet prej saj le ta marrë dhe ajo që nuk do t’i jepet le mos ta marrë.”[16]
216 – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: Në Betejën e Hajberit disa prej shokëve të Profetit (a.s) erdhën dhe thanë: Filani është dëshmor, filani është dëshmor. Derisa ata kaluan pranë njeriu dhe thanë: Filani është dëshmor. Profeti (a.s) tha: “Jo. Unë e kam parë atë në Zjarr për shkak të një manteli apo gune që e ka marrë pa leje nga plaçka e luftës.”[17]
217 – Ebu Katade El Harith ibn Rib’ij (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit në mesin e tyre dhe u tregoi atyre se xhihadi në rrugë të Allahut dhe besimi tek Allahu janë ndër punët më të mira. Një njeri u ngrit dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Si mendon, nëse unë vritem në rrugë të Allahut, a do të më shlyhen mëkatet? I Dërguari i Allahut (a.s) i tha atij: Po, nëse ti vritesh në rrugë të Allahut duke qenë durimtar (i qëndrueshëm), duke kërkuar shpërblim nga Allahu, merr pjesë në betejë dhe nuk i kthen shpinën asaj. Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) tha: Si the? Ai tha: Si mendon, nëse unë vritem në rrugë të Allahut, a do të më shlyhen mëkatet? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Po nëse ti je durimtar, kërkon shpërblim tek Allahu, merr pjesë në betejë dhe nuk i kthen shpinën asaj përvesçe nëse ke borxh, sepse Xhibrili ma tha këtë.”[18]
218 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“A e dini se kush është i falimentuar?” Të pranishmit thanë: I falimentuar është ai cili nuk ka dirhemë dhe as gjësend. Ai tha: “I falimentuar nga Umeti im është ai njeri i cili do të vijë në Ditën e Kijametit, ka falur namaz, ka agjëruar dhe ka dhënë zekat, mirëpo dikënd e ka ofenduar, ndaj një tjetri ka shpifur, një tjetri ia ka ngrënë pasurinë, një tjetri ia ka derdhur gjakun dhe një tjetër e ka goditur. Ai do t’i japë nga të mirat e tij atij që i ka hyrë në hak, do t’i japë këtij e atij. E kur atij do t’i mbarohen të mirat para se t’ia ketë dhënë hakun të tjerëve, atëherë ai do të marrë nga veprat e tyre të këqija, të cilat do t’i ngarkohen atij në peshoren e veprave të këqija dhe pastaj do të hidhet në Zjarr.”[19]
219 – Ummu Seleme (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet unë jam një njeri. E ju vini tek unë si palë në konflikt (për t’ua zgjidhur). Ndoshta ndonjëri prej jush mund të jetë më i shkathët në argumentimin e çështjes se pala tjetër. E unë do të japë vendimin tim në bazë të asaj që dëgjoj. Nëse unë gjykoj (gabimisht) dikujt të drejtën e një muslimani tjetër, atëherë kjo është për të një pjesë Zjarri.”[20]
220 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muslimani vazhdon të jetë në hapësirën e fesë së tij përderisa nuk ka derdhur gjak padrejtësisht.”[21]
221 – Hauletu bintu Amiri El Ensarije (r.a), bashkëshortja e Hamzait (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet disa njerëz e administrojnë paranë e Allahut padrejtësisht (jo në vendin e duhur). Për të tillë njerëz, në Ditën e Kijametit është përgatitur Zjarri.”[22]
Kapitulli i madhërimit të shenjtërive të muslimanëve, i sqarimit të të drejtave të tyre, dhembsuria dhe mëshira ndaj tyre
222 – Ebu Musa (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, tullat e të cilës shtrëngojnë njëra-tjetrën. Dhe gërshetoi gishtat.”[23]
223 – Ebu Musa (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që prezanton në xhamitë tona, apo kalon nëpër tregjet tona dhe me vete ka shigjeta atëherë le t’i mbajë ose t’i kapë me dorën e tij majat e tyre që mos të lëndojë me to ndonjërin prej muslimanëve.”[24]
224 – Nu’man ibn Beshir (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe bashkëpunimin e ndërsjelltë midis tyre është si shembulli i një trupi, që nëse një organ i tij ka shqetësim, atëherë shqetësohen të gjithë organet e tjera të trupit me pagjumësi dhe temperaturë të lartë.”[25]
225 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) e puthi Hasan ibn Aliun (r.a) dhe aty prezent ishte Akra ibn Habis. Akra tha: Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk kam puthur asnjërin prej tyre. Profeti (a.s) e pa atë dhe tha: “Kush nuk mëshiron nuk ka për t’u mëshiruar.”[26]
226 – Aishja (r.a) ka thënë: Disa bedeuinë erdhën tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe thanë: A i puthni fëmijët e juaj? Ai tha: Po. Ata thanë: Por, pasha Allahun, ne nuk i puthim. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Çfarë mund të bëj unë që Allahu ua ka shkulur (hequr) mëshirën nga zemrat e juaja.”[27]
227 – Xherir ibn Abdullah (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai i cili nuk i mëshiron njerëzit, Allahu nuk ka për ta mëshiruar.”[28]
228 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush prej jush i prin njerëzve në namaz, atëherë le të lehtësojë, sepse në mesin e tyre mund të jetë një i dobët, i sëmurë dhe i moshuar. E nëse dikush prej jush falet vetëm, atëherë le ta zgjasë namazin sa të dëshirojë.”[29] Dhe në një transmetim tjetër thuhet: nevojtari.
229 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) nuk e kryente një vepër, sakaq ai kishte shumë dëshirë ta vepronte atë, nga frika se atë vepër e kryenin edhe njerëzit, e pastaj ajo vepër bëhej obligim për ta.”[30]
230 – Aishja (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) i ndaloi njerëzit të agjëronin pa ndërprerje si mëshirë për ta. Ata thanë: Po ti agjëron pa ndërprerje?! Ai tha: Unë nuk jam si puna juaj. Unë e kaloj natën dhe Zoti im më ushqen dhe më jep të pi.”[31]
231 – Ebu Katade El Harith ibn Rib’ij (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Unë ngrihem për të falë namazin dhe dëshiroj që ta zgjas atë, mirëpo dëgjoj të qarën e fëmijës, dhe si rrjedhojë e shkurtoj faljen e namazit sepse nuk dua që ta rëndoj nënën e tij.”[32]
232 – Xhundub ibn Abdulla (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e fal namazin e Sabahut është në mbrojtjen e Allahut. E mos t’ju shohë Allahu që ju t’i bëni keq atij që është në mbrojten e Tij, sepse ai që e bën këtë gjë, Ai e kap atë dhe e kthen me fytyrë përdhe në zjarr të Xhehenemit.”[33]
233 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit. Nuk i bën padrejtësi dhe as nuk e dorëzon atë (te armiku). Kush i gjendet në nevojë vëllait të vet Allahu i gjendet në nevojën që ka. Kush ia largon muslimanit një barrë, Allahu do t’ia largojë një barrë në Ditën e Kijametit. E kush ia fsheh muslimanit një të metë, Allahu ka për t’ia fshirë një të metë në Ditën e Kijametit.”[34]
234 – Ebu Hurejre (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muslimani është vëllai i muslimanit. Ai nuk e tradhton, nuk e gënjen dhe nuk e braktis. Çdo musliman e ka të ndaluar për muslimanin që ta prekë nderin, pasurinë dhe gjakun e tij. Devotshmëria është këtu (në zemër). I mjafton si një veprim i keq muslimanit që të nënçmojë vëllain e tij.”[35]
235 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos mashtroni (në tregti) njëri-tjetrit, mos e urreni njëri – tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe as mos shisni në kurriz të njëri-tjetrit, por jini robër të Allahut si vëllezër. Muslimani është vëllai i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e poshtëron dhe as nuk e përul.” Devotshmëria është këtu. Duke bërë tre herë me shenjë tek gjoksi. “I mjafton si veprim i keq muslimanit që të poshtërojë vëllain e tij musliman. Çdo musliman e ka të ndaluar të derdhë gjakun e muslimanit, të marrë pasurinë dhe ta ç’nderojë atë.”[36]
236 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Askush prej jush nuk ka për të besuar (me besim të plotë) derisa të dojë për vëllain e tij, atë që do për veten e tij.”[37]
237 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ndihmoje vëllain tënd kur është zullumqar apo kur i bëhet zullum! Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! Kur i bëhet zullum do ta ndihmoj, por kur ai është zullumqar si ta ndihmoj? Ai tha:“Ta ndalosh, apo ta pengosh atë që të bëjë zullum, kështu ti i vjen atij në ndihmë.”[38]
238 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muslimani ndaj muslimanit duhet të përmbushë pesë të drejta: T’ia kthejë selamin, ta vizitojë të sëmurin, të përcjellë xhenazen e tij, t’i përgjigjet ftesës së tij dhe të lutet për të pasi që ai teshtin.”[39]
Kurse në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Muslimani ndaj muslimanit duhet të përmbushë gjashtë të drejta: Nëse e takon atë duhet ta përshëndesësh me selam, nëse të fton përgjigju ftesës së tij, nëse të kërkon që ta këshillosh këshilloje, nëse ai teshtin dhe thotë Elhamdulilah, lutu për të, nëse sëmuret, vizitoje dhe nëse vdes duhet ta përcjellësh xhenazen e tij.”
239 – Ebu Umare El Bera ibn Azib (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) na ka urdhëruar që të veprojmë shtatë gjëra dhe na ka ndaluar që të veprojmë shtatë gjëra: Na ka urdhëruar që të vizitojmë të sëmurin, të përcjellim xhenazen, të lutemi për atë që teshtin, ta besojmë atë që betohet, ta ndihmojmë atë që i është bërë padrejtësi, t’i përgjigjemi ftesës që na bën tjetri dhe të përhapim selamin. Dhe ai na ka ndaluar që të veshim unazat e floririt, të pijmë nga ena e argjendtë, ta mbushim me mëndafsh jastëkun që kalorësi hip mbi të në deve, ta përdorim pëlhurën e thurrur me mëndafsh dhe liri (lloj materiali), veshjen e rrobave të mëndafshta, rrobat prej armaçit dhe prej mëndafshit, të hollat dhe të trashat.”[40]
Kapitulli i fshehjes së të metave të muslimanëve dhe ndalimi për t’i përhapur ato pa qenë nevoja
240 – Ebu Hurejra (r.a) transemton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur një rob ia fsheh të metën një robi në Dynja, Allahu ka për t’ia fshehur atij një të metë në Ditën e Kijametit.”[41]
241 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “I gjithë Umeti im do të jetë i falur përveç atyre që i bëjnë mëkatet publike. Një mëkat publik është kur një njeri e bën një punë (të keqe) natën (në fshehtësi) dhe kur gdhihet duke qenë i mbuluar (nga mëkati i tij) prej Allahut, ai thotë: O filan, unë mbrëmë kam bërë këtë dhe atë vepër. Atë (një natë më parë) e pat mbuluar Krijuesi i tij, kurse ai, kur u gdhi e zbuloi atë që ia pat mbuluar Allahu.”[42]
242 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse robëresha kryen imoralitet dhe një gjë e tillë bëhet e qartë, atëherë goditeni me kamzhik si masë ndëshkimi dhe mos e qortoni ashpër. Nëse ajo kryen imoralitet për së dyti, goditeni (përsëri) me kamzhik si masë ndëshkimi dhe mos e qortoni ashpër. E nëse ajo kryen imoralitet për së treti, atëherë ai (pronari) le ta shesë atë qoftë edhe për një litar të bërë prej flokësh.”[43]
243 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Tek Profeti (a.s) sollën një njeri që kishte pirë verë (alkol). Ai (a.s) tha: Goditeni! Ebu Hurejra tha: Dikush prej nesh e goditi me dorë, dikush me këpucë dhe dikush edhe me rrobë. Kur njeriu po largohej, disa njerëz thanë: Allahu të turpëroftë. Ai (a.s) tha: Mos thoni kështu, sepse duke thënë kështu ju i jepni krah shejtanit të tij.”[44]
Kapitulli i përmbushjes së nevojave të muslimanëve
244 – Ibn Omer (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e lë atë në baltë. Ai i cili është ia zgjidh hallin vëllait të vet, Allahu ka për t’ia zgjidhur një hall. Ai i cili ia lehtëson muslimanit një brengë, Allahu ka për t’ia lehtësuar atij një brengë prej brengave të Ditës së Kijametit. Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu ka për t’ia mbuluar atij të metat në Ditën e Kijametit.”[45]
245 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Ai i cili ia lehtëson një brengë prej brengave të kësaj bote një besimtari, Allahu ka për t’i lehtësuar atij një brengë prej brengave të Ditës së Kijametit. E kush ia lehtëson barrën një nevojtari, Allahu ka për t’ia lehtësuar atij barrën në Dynja dhe Ahiret. E kush ia fsheh muslimanit një të metë, Allahu ka për t’ia fshehur atij një të metë në Dynja dhe Ahiret. Allahu është në ndihmë të robit të Tij përderisa ai vazhdon t’i vijë në ndihmë vëllait të vet. Ai i cili ndjek rrugën për të kërkuar dijen, Allahu ka për t’ia lehtësuar atij rrugën për në Xhenet. Sa herë që një grup njerëzish mblidhen në një prej shtëpive të Allahut të Lartësuar dhe lexojnë Librin e Allahut dhe e studiojnë atë me njëri-tjetrin, mbi ta zbret qetësia, do t’i përfshijë mëshira, do t’i rrethojnë engjëjt dhe Allahu do t’i përmendë ata tek banorët që janë tek Ai. Ai që është i ngadaltë (neglizhent) në kryerjen e veprave të mira nuk mund ta shpejtojë gjaku (farefisi) i tij.”[46]
Kapitulli: “Ndërmjetsimi”
246 – Ebu Musa El Esh’arij (r.a) ka thënë: Kur tek Profeti (a.s) vinte një njeri nevojtar, ai i drejtohej të pranishmëve: “Ndërmjetsoni (ndihmojeni) që të fitoni shpërblim dhe që Allahu nëpërmjet gjuhës së profetit të Tij, do të sjellë çfarë të dojë.”[47] E në një transmetim tjetër thuhet: “çfarë të dëshirojë”
247 – Ibn Abasi (r.a) në lidhje me tregimin e Beriras me bashkëshortin e saj ka thënë: Profeti (a.s) i tha asaj: “Sikur të kthehesh e të bashkohesh me të?! Ajo tha: A po më urdhëron o i Dërguar i Allahut? Ai tha: Unë thjesht po bëj ndërmjetsin. Ajo tha: Nuk kam nevojë për të.”[48]
Kapitulli “Pajtimi midis njerëzve”
248 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Për çdo ditë që lind dielli në çdo nyje prej nyjeve të njeriut ka sadaka; të pajtosh midis dy vetëve është sadaka, të ndihmosh një burrë të hipë në kafshën e tij, apo të ngarkojë kafshën e tij është sadaka, fjala e mirë është sadaka, çdo hap që hedh për të shkuar në xhami është sadaka dhe të largosh një pengesë nga rruga është sadaka.”[49]
249 – Ummu Kulthum bintu Ukbeh ibn ebi Muajt (r.a) ka thënë: kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Nuk është gënjeshtar ai njeri i cili mundohet të pajtojë midis njerëzve, i cili përcjell lajme të mira ose flet mirë.”[50] Në transmetimin e imam Muslimit lexojmë shtojcën: Ajo ka thënë: Nuk e kam dëgjuar atë ta lejojë gënjeshtrën midis njerëzve vetëm se në tre raste: në luftë, në pajtimin midis njerëzve dhe kur burri i flet gruas apo anasjelltas.
250 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) dëgjoi zërat e dy njerëzve që po debatonin pranë derës, duke ngritur zërat e tyre. Njëri prej tyre i kërkonte tjetrit që t’ia lehtësonte sadopak borxhin dhe të ishte i dhembshur ndaj tij, kurse tjetri i thoshte: Pasha Allahun nuk do ta bëj. Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) doli dhe tha: “Kush është ai që betohet në Allah se nuk do të bëjë mirësi? Ai tha: Unë jam o i Dërguar i Allahut. Dhe më pas (ai që u betua) e la (borxhliun) të lirë që të zgjidhte çfarë të dëshironte (të paguante menjëherë ose në një afat tjetër.”[51]
251 – Ebu Abas, Sehl ibn Sa’d Es Saidi (r.a) tregon se të Dërguarit të Allahut (a.s) i erdhi lajmi se mes fisit Benu Amr bin Auf kishte ndodhur një konflikt. Atëherë, i Dërguari i Allahut (a.s) së bashku me disa njërëz shkoi për t’i pajtuar. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut (a.s) u vonua (atje) dhe koha e faljes së namazit erdhi. Bilali shkoi te Ebu Bekri (r.a) dhe i tha: “O Ebu Bekër, i Dërguari i Allahut është vonuar dhe ka ardhur koha e faljes. A do t’i prish ti njerëzit në namaz?” Ai tha: “Po, nëse dëshiron.” Bilali thirri ikametin dhe Ebu Bekri doli përpara që të falte namazin. Njerëzit dhanë tekbir pas tij. Gjatë kësaj kohe, i Dërguari i Allahut (a.s) erdhi duke ecur mes rrjeshtave derisa u rreshtua në rrjesht. Njerëzit filluan të duartrokisnin për të tërhequr vëmendjen. Ebu Bekri (r.a) kur falej nuk mund t’i shkëpuste vëmendjen asgjë, por kur duartrokitjet u bënë të shumta, ai u kthye dhe pa të Dërguarin e Allahut (a.s). I Dërguari i Allahut (a.s) i bëri shenjë që të qëndronte në vendin e tij, por Ebu Bekri ngriti dorën, falënderoi Allahun dhe u tërhoq mbrapa derisa u rreshtua në saf. Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s) doli përpara dhe i priu njerëzve në namaz. Kur përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe tha: “O njerëz, ç’është kjo që kur ndodh diçka gjatë namazit, filloni të duartrokisni? Duartrokitja është për gratë. Nëse dikujt i ndodh diçka në namaz, le të thotë: Subhanallah (i lavdëruar qoftë Allahu), sepse kushdo që e dëgjon, do të kthejë kokën. O Ebu Bekër, çfarë të pengoi të prije në namaz kur ta bëra me shenjë?” Ebu Bekri tha: “Nuk më takonte mua, birit të Ebu Kuhafës, të prija njerëzit në prani të të Dërguarit të Allahut.”[52]
Kapitulli “Vlera e muslimanëve të dobët dhe fukarenjve”
252– Harithe ibn Uehb (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “A doni t’ju tregoj për banorët e Xhenetit? Banor i Xhenetit do të jetë çdo njeri i dobët i përçmuar, i cili po u betua në emër të Allahut, Ai i përgjigjet betimit (lutjes)të tij. A doni t’ju tregoj për banorët e Xhehenemit? Banor i Xhehenemit do të jetë çdo njeri harbut, arrogant e mëndjemadh.”[53]
253 – Sehl ibn Sa’d (r.a) ka thënë: “Një burrë (i pasur) kaloi para Profetit (a.s). Ai i tha një burri që ishte pranë tij: Çfarë mendon për këtë njeri? Ai tha: Ky është prej njerëzve fisnik. Pasha Allahun, ky njeri e meriton nëse kërkon për t’u fejuar t’i pranohet kërkesa dhe nëse bëhet ndërjmetës i pranohet ndërmjetsimi. I Dërguari i Allahut (a.s) heshti. Pastaj para Profetit (a.s) kaloi një njeri tjetër (i varfër). I Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti burrin: Çfarë mendimi ke për këtë njeri? Ai tha: O i Dërguar i Allahut ky njeri është prej fukarenjve muslimanë. Ky nëse kërkon të fejohet nuk e pranon kush kërkesën e tij. E nëse ndërmjetson se pranon kush ndërmjetsimin e tij. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ky burrë i varfër është më i mirë se e gjithë bota e mbushur me njërëz si i pari.”[54]
254 – Ebu Seid El Hudri (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Xheneti dhe Zjarri debatuan me njëri-tjetrin. Zjarri tha: Brenda meje janë njerëzit tiranë dhe arrogantë. Kurse Xheneti tha: Brenda meje janë njerëzit e dobët dhe të varfër. Allahu gjykoi midis tyre: Ti je Xheneti, mëshira Ime, nëpërmjet teje mëshiroj kë të dëshiroj. Dhe ti je Zjarri, ndëshkimi Im, nëpërmjet teje ndëshkoj kë të dëshiroj. Dhe që të dy juve, Unë do t’ju mbush me njerëz.”[55]
255 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, në Ditën e Kijametit do të vijë (paraqitet) një njeri i shëndoshë e i madh, i cili tek Allahu nuk peshon as sa krahu i një mushkonje.”[56]
256 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: një grua e zezë apo një djalosh pastronte xhaminë. I Dërguari i Allahut (a.s) nuk e pa më atë (gruan) apo djaloshin. Ai (a.s) pyeti për atë (gruan apo djaloshin). Njerëzit thanë: ka vdekur. A nuk do ishte mirë të më njoftonit. Ata e kishin falur xhenazen për atë (gruan apo djaloshin) pa e njoftuar Profetin (a.s) sepse e konsideruan si një njeri të parëndëshëm. Ai (a.s) tha: Më tregoni se ku është varri i saj, apo atij! Ata ia treguan dhe ai (a.s) ia fali xhenazen. Pastaj tha: “Këto varre janë të mbushura me errësirë për banorët e tyre. E Allahu i Lartësuar i ndriçon ato me dritë kur unë fal xhenazen për to.”[57]
257 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ndoshta një person me flokë të shpupurishura e me pluhur, të cilin e përzënë nga dyert, nëse betohet në emër të Allahut, Ai i përgjgijet betimit të tij.”[58]
258 – Usame (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Qëndrova tek dera e Xhenetit dhe (pashë) se shumica e tyre ishin njerëz të varfër, kurse të pasurit ishin të izoluar (akoma nuk u ishte dhënë leja për të hyrë në Xhenet). E përsa i përket atyre njerëzve të cilët e meritojnë të hyjnë në Zjarr u dha urdhri për të hyrë në Zjarr. Dhe unë qëndrova tek dera e Zjarrit dhe (pashë) se shumica e tyre ishin gratë.”[59]
259 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk kanë folur në djep vetëm se tre foshnje (nga Benu Israilët): Isai i biri i Merjemes, foshnja në rastin e Xhurejxhit. Xhurejxhi ka qenë një njeri i përkushtuar në adhurim. Ai ndërtoi për vete një faltore ku adhoronte Allahun aty. Njëherë tek (faltorja) erdhi e ëma e Xhurejxhit kur ai po falej. Nëna thirri: O Xhurejxh! Xhurejxhi tha (me vete): O Zot! T’i përgjigjem thirrjes së nënës apo të vazhdoj të fal namazin. Ai vendosi që të vazhdonte faljen e namazit. Kështu që e ëma u largua. Të nesërmen e ëma erdhi përsëri dhe ai përsëri po falej. Nëna thirri: O Xhurejxh! Xhurejxhi tha (me vete): O Zot! T’i përgjigjem thirrjes së nënës apo të vazhdoj të fal namazin. Ai vendosi që të vazhdonte faljen e namazit. Kështu që e ëma u largua. Të nesërmen e ëma erdhi përsëri dhe ai përsëri po falej. Nëna thirri: O Xhurejxh! Xhurejxhi tha (me vete): O Zot! T’i përgjigjem thirrjes së nënës apo të vazhdoj të fal namazin. Ai vendosi që të vazhdonte faljen e namazit. Nëna u lut me fjalët: O Zot mos e bëj atë vdesë derisa të shohë fytyrën e grave të përdala.
(Pas njëfarë kohe) Benu Israilët po flisnin (me urrejtje) për Xhurejxhin dhe ibatetin e tij. Në mesin e tyre ishte një grua e përdalë që nuk kishte më të bukur se ajo. Ajo i tha atyre: Nëse keni dëshirë unë e provokoj atë. Ajo e ofroi veten tek ai, por ai nuk i kushtoi vëmendje. Ajo iu vetëofrua një bariu i cili strehohej tek faltorja e tij dhe ai kreu marrëdhënie intime me të. E ajo ngeli shtatëzënë. Kur ajo e lindi foshnjen tha: Foshjna është i Xhurejxhit. Ata e zbritën atë nga faltorja, e shkatërruan faltoren dhe e rrahën atë. Ai tha: Çfarë keni? Ata i thanë: Ti ke bërë kurvëri me këtë grua të përdalë dhe ti tani ke foshnje me të. Ai tha: Ku është foshnja? Ata e sollën foshnjen. Ai tha: Më lini të falem, e ai u fal. Kur e mbaroi faljen, erdhi tek foshnja, e preku në bark dhe i tha: O djalë! Kush është babai yt? Ai tha: Filan bari. Njerëzit filluan të puthnin Xhurejxhin dhe ta përqafonin dhe pastaj i thanë: Do ta ndërtojmë faltoren prej floriri. Jo – tha ai. Ndërtojeni atë siç ka qenë prej qerpiçi. E ata e ndërtuan.
Teksa një foshnje (e treta që ka folur në djep) po pinte qumësht tek e ëma, kaloi një njeri i hipur mbi një kafshë të shtrenjtë e të bukur. Nëna e tij tha: o Zot, bëje djalin tim si ai. Djali e la gjirin e të ëmës, e pa njeriun që kishte kaluar dhe tha: O Zot mos më bëj si ai. Pastaj u drejtua për tek gjiri dhe filloi ta thithë atë. Transmetuesi i hadithit thotë: Sikur po e shoh të Dërguarin e Allahut se si e vë gishtin e tij tregues dhe fillon të thithë. Pastaj aty po kalonte një skllave të cilën po e godisnin dhe njerëzit po thërrisnin: Ajo ka bërë kurvëri dhe ka vjedhur. Mirëpo ajo thonte: Më mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i mirë. Nëna tha: o Zot, mos e bëj fëmijën tim si ajo. Ai e la gjirin e pa atë dhe tha: O Zot më bëj si ajo. Nëna dhe djali filluan të diskutonin. Ajo tha: Kaloi një burrë i pashëm dhe thashë: o Zot bëje djalin tim si ai dhe ti the: o Zot mos më bëj si ai. Pastaj kaloi skllavja të cilën njerëzit po e godisnin dhe po thonin: ka bërë kurvëri dhe ka vjedhur, e unë thashë: o Zot, mos e bëj djalin tim si ajo, kurse ti the: o Zot më bëj si ajo. (si e shpjegon këtë?) Ai tha: ai burrë ishte një tiran, prandaj edhe unë thashë: mos më bëj si ai, kurse për skllaven thanë se ka bërë kurvëri dhe ajo nuk kishte bërë kurvëri, dhe thanë se kishte vjedhur, por ajo nuk kishte vjedhur. Prandaj edhe unë thashë: o Zot më bëj si ajo.”[60]
Kapitulli “Përzemërsia ndaj jetimit, vajzave dhe të gjithë të dobtëve, të varfërve e të përvuajturëve. Keqardhja, modestia dhe përulësia ndaj tyre”
260 – Sa’d ibn Ebi Uekasi (r.a) ka thënë: Së bashku me Profetin (a.s) ishim gjashtë persona. Idhujtarët i thanë Profetit (a.s): Përzeji këta, sepse ata nuk kanë shanse të rrinë me ne. Ne (të gjashtë) ishim unë, Ibn Mes’udi, një burrë nga Hudhejli, Bilali dhe dy të tjerë që nuk ua them emrat. Profeti (a.s) mendoi që të na largonte me qëllim që ata (idhujtarët) të pranonin Islamin, mirëpo Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Dhe ti mos i përzë atë të cilët i luten Zotit të tyre ditën edhe natën duke kërkuar kënaqësinë e Tij.”[61]
261 – Ebu Hubejre, Aidh ibn Amër El Muzenij dhe ai është prej pjesmarrësve të besës së Ridvanit transmeton se Ebu Sufjani kaloi pranë Selmanit, Suhejbit dhe Bilalit (r.a) që ishin me një grup shokësh dhe ata thanë: Shpatat e Allahut akoma nuk e kanë marrë hakun e duhur ndaj armikut të Allahut. Atëherë Ebu Bekri (r.a) tha: A e thoni këtë për plakun dhe prijësin e Kurejshëve? Më pas shkoi te Profeti (a.s) dhe e informoi për këtë. Profeti (a.s) tha: o Ebu Bekër, ndoshta ti i ke zemëruar ata. E nëse i ke zemëruar ata, ke zemëruar edhe Zotin tënd. Atëherë Ebu Bekri (r.a) shkoi tek ata dhe i tha: O vëllezërit e mi, a ju kam zemëruar? Ata thanë: Jo, Allahu të faltë o vëllai ynë.”[62]
262 – Sehl ibn Sa’di (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit jemi në Xhenet kështu” Dhe bëri shenjë me gishtin tregues dhe gishtin e mesëm dhe i ndau nga njëri – tjetri.”[63]
263 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit i tij apo tjetri do të jemi në Xhenet si këto të dy gishta. Transmetuesi i këtij hadithi, Malik ibn Enesi bëri shenjtë me gishtin tregues dhe të mesëm.”[64]
264 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk është i varfër ai i njeri i cili kërkon prej njerëzve një a dy kokrra hurma apo një a dy kafshata bukë (dhe ata ia japin). Por i varfër është ai njeri i cili tregohet i dëlirë (që nuk lyp megjithëse ka shumë nevojë)”[65]
Në një transmetim tjetër tek imam Buhariu dhe imam Muslimi thuhet: “Nuk është i varfër ai i njeri i cili kërkon prej njerëzve një a dy kokrra hurma apo një a dy kafshata bukë (dhe ata ia japin). Por i varfër është ai që nuk gjen dikënd që ta ndihmojë dhe nuk njihet (si nevojtar) që t’i jepet lëmoshë dhe as ngrihet që të kërkojë lëmoshë (ndërkohë që ka nevojë).”
265 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Ai i cili ngarend për të ndihmuar një vejushë apo një varfanjak është si luftëtari në rrugë të Allahut. Transmetuesi i hadithit ka thënë: mendoj se ai (a.s) ka thënë: është si ai që falet dhe agjëron pandërprerë.”[66]
266 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Ushqimi më i keq është ushqimi i banketit (dasmës), ndalohet të marrë pjesë në të ai që vjen dhe thirret të marrë pjesë në të ai që nuk dëshiron të vijë. E kush nuk i përgjigjet thirrjes atëherë ai ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”[67]
Dhe në një transmetim tjetër tek imam Buhariu dhe imam Muslimi, prej Ebu Hurejras transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Sa ushqim i keq është ushqimi i banketit (dasmës), në të thirren të pasurit dhe nuk ftohen të varfërit.”[68]
267 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush përkujdeset për dy vajza derisa ato të mbushin moshën e pjekurisë, kur të vijë në Ditën e Kijametit, unë dhe ai do të jemi si këto të dy.” dhe ai i bashkoi gishtat.”[69]
268 – Aishja (r.a) ka thënë: Tek unë hyri një grua me dy vajza dhe ajo lypi. Unë nuk kisha vetëm se një kokër hurmë dhe ia dhashë. Ajo e ndau hurmën përgjysëm, i dha vajzave të veta, për vete nuk hëngri gjë dhe pastaj doli. Kur Profeti (a.s) erdhi, unë i tregova se çfarë kishte ndodhur. Ai (a.s) tha: “Kush sprovohet me rritjen e vajzave, por që sillet mirë me to, ato do të jenë për të mbulesë (mburojë) nga Zjarri.”[70]
269 – Aishja (r.a) ka thënë: Një grua e varfër me dy vajzat e saj erdhi tek unë. Unë i dhashë asaj tre hurma për t’i ushqyer ato të dyja. Secilës prej tyre, ajo i dha një hurmë dhe hurmën tjetër e vuri në gojën e vet për ta ngrënë. Mirëpo vajzat kërkuan prej saj kokrrën e hurmës, e ajo e ndau përgjysëm e i dha për të ngrënë atyre. Ky veprim i saji më habiti, veprim të cilin ia tregova të Dërguarit të Allahut (a.s). Ai (a.s) tha: “Vërtet, Allahu asaj me këtë veprim i ka caktuar Xhenetin, ose e ka shpëtuar nga Zjarri.”[71]
270 – Ebu Shurejhin, Huejlid ibn Amër El Huzai (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) ka thënë: “Unë e bëj të shenjtë të drejtën e dy të dobtëve; jetimit dhe gruas.”[72]
271 – Mus’ab ibn Sa’d ibn Ebi Uekas (r.a) ka thënë: Sa’di mendoi se kishte epërsi mbi ata që ishin poshtë tij (në pozitë). Profeti (a.s) i tha: “Ju nuk ndihmoheni dhe nuk furnizoheni vetëm se nëpërmjet të pafuqishmëve (të dobtëve) tuaj.”[73]
Imam Buhariu këtë hadith e ka transmetuar si “mursel” sepse Mus’ab ibn Sa’di është tabi’i. Kurse Hafiz Ebu Bekr El Berkani në Sahihun e tij këtë hadith e ka transmetuar me varg zinxhiri të plotë nga Mus’abi se ai transmeton prej babait të tij.
272 – Ebu Darda Uejmiri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Më gjeni të dobëtit, sepse ju nuk ndihmoheni dhe furnizoheni përveçse nëpërmjet tyre.”[74]
Kapitulli “Rekomandimi për t’u sjellë mirë me gratë”
273 – Ebu Hurerja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Bindjuni porosisë time se duhet të silleni mirë me gratë. Sepse ato janë krijuar nga brinja (e kraharorit). Pjesa më e lakuar e kësaj brinje është ana e sipërme. Nëse përpiqesh për ta drejtuar atë, e thyen. E nëse e lë siç është, mbetet përherë e harkuar. Prandaj bindjuni porosisë sime për t’u sjellur mirë me to.”[75]
Në një transmetim tjetër tek imam Buhariu dhe imam Muslimi lexojmë: “Gruaja është si brinja, nëse përpiqesh ta drejtosh do ta thyesh, por nëse kënaqesh me të ashtu siç është, do të kënaqesh me të edhe pse është e lakuar.”
Në një transmetim tjetër të imam Muslimit lexojmë: “Vërtet, gruaja është krijuar nga brinja dhe ajo nuk do të drejtohet drejt, por nëse kënaqesh me të ashtu siç është, do të kënaqesh me të edhe pse është e lakuar. E nëse përpiqesh që ta drejtosh ke për ta thyer. Thyerja e saj bëhet nëpërmjet shkurorëzimit të saj.”
274 – Abdullah ibn Zem’ate (r.a) ka dëgjuar Profetin (a.s) duke mbajtur hytbe gjatë të cilës përmendi devenë (e Salihut) dhe se kush e therri atë. I Dërguari i Allahut (a.s) lexoi ajetin “Kur më i keqi ndër tyre u ngrit shpjet për të therrur devenë.”[76] U ngrit për ta therrur atë një burrë i paarritshëm (që nuk ishte askush si ai) i poshtër dhe i paprekshëm në mesin e popullit të tij. Më pas ai (a.s) përmendi gratë dhe dha rekomandime për to. Ai (a.s) tha: “Ndonjëri prej jush e rreh gruan e tij sikur rrihet një skllav dhe pastaj në fund të ditës kryen marrëdhënie intime me të (dhe kjo nuk shkon).” Më pas ai i këshilloi ata për të qeshurat e tyre kur dëgjojnë ndonjë zhurmë nga gazrat e trupit (që njeriu nxjerr) dhe tha: “Përse qeshni edhe për një gjë që ju vetë e bëni?!”[77]
275 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari nuk mund ta urrejë (plotësisht) besimataren. Nëse ai nuk pëlqen tek ajo një sjellje atëherë le të jetë i kënaqur me të nga një sjellje (e mirë) tjetër.”[78]
276 – Amër ibn El Ahues El Xhushemij (r.a) ka dëgjuar të Dërguarin (a.s) se në Haxhin e Lamtumirës pasi e falenderoi, e lavdëroi Allahun, këshilloi dhe rekomandoi, tha: “Pranoni rekomandimin që me gratë të silleni mirë, sepse ato janë si robëreshat për ju (që i mbroni) dhe ju nuk keni asnjë pushtet ndaj tyre përveç kësaj (dëfrimit, që ajo të ruajë burrin dhe pasurinë e tij), por nëse ato – haptasi- janë të pamoralshme, atëherë u lejohet t’i largoni prej vetes – t’i ndani në shtrat dhe t’i rrihni, por jo tepër. Nëse bëhen prapë të dëgjueshme, atëherë mos kërkoni mënyrë tjetër për t’i shtypur (ndaj tyre silluni mirë si më parë). Ju keni të drejta ndaj grave tuaja dhe gratë tuaja kanë të drejta ndaj jush. E drejta juaj prej tyre është se gratë tuaja nuk guxojnë të fusin në shtratin tuaj tjetërkënd, e as ta lejojnë në shtëpinë tuaja atë që ju nuk e doni. Kurse e drejta e tyre te ju është që të kujdeseni mirë për to, t’i veshmbathni si ka hije dhe t’u jepni ushqim.”[79]
277 – Muauije ibn Hajdete (r.a) ka thënë: Unë thashë: O i Dërguar i Allahut, çfarë detyre ka secili prej nesh ndaj gruas së tij? Ai (a.s) tha: “Ta ushqesh kur të ushqehesh edhe vetë, ta veshmbathësh ashtu sikurse bën vetë, mos ta godasësh në fytyrë, mos ta qortosh (duke i thënë: Allahu të shëmtoftë) dhe distancimi prej tyre nga shtrati duhet të bëhet vetëm në shtëpi.”[80]
278 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari me besim më të plotë është ai që posedon moral më të mirë dhe që është më i miri ndër ju me gratë e tij”[81]
279 – Ijas ibn Abdullah ibn Ebi Dhubabin (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos i goditni robëreshat e Allahut (gratë)! Më pas Omeri (r.a) shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe tha: Gratë janë bërë të guximshme ndaj burrave të tyre. I Dërguari i Allahut (a.s) dha leje që ata (burrat) t’i godisnin (lehtë) ato. Më pas, tek familja e të Dërguarit të Allahut (a.s) shkuan shumë gra, të cilat u ankuan për burrat e tyre. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Tek familja e Muhamedit erdhën shumë gra, të cilat janë ankuar për burrat e tyre. Të tillët (burrat) nuk janë janë ndër më të mirët ndër ju.”[82]
280 – Abdulla ibn Amër ibn El As (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Dynjaja është pasuri, e pasuria më e mirë e saj është gruaja e devotshme.”[83]
Kapitulli i detyrave të gruas ndaj burrit
281 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur burri e fton gruan e tij në shtrat, e ajo nuk i përgjigjet, ndërkohë që ai fle duke qenë i zemëruar, gruan do ta mallkojnë engjëjt deri në të gdhirë.”[84]
Dhe në një transmetim tjetër tek imam Buhariu dhe imam Muslimi lexojmë: “Nëse gruaja fle dhe bashkëorti i saj është distancuar prej saj (nga shtrati), atë (gruan) e mallkojnë engjëjt deri në të gdhirë.”
Dhe në një transmetim tjetër i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pasha Atë në të Cilin shpirti im është në Dorën e Tij, çdo burrë i cili e fton gruan e tij në shtrat (për të kryer marrëdhënie intime) dhe ajo refuzon, Krijuesi i qiellit është i zemëruar me të derisa burri të jetë i kënaqur me të.”
282 – Po ashtu, Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk i lejohet gruas të agjërojë (agjërim vullnetar) e burri i saj është i pranishëm, vetëm nëse ai i jep leje asaj të agjërojë. Ajo nuk duhet të fusë askënd në shtëpinë e tij vetëm se me lejen e tij.”[85]
283 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë ju jeni përgjegjës për tufën tuaj. Udhëheqësi është bari, burri është bari për familjen e tij dhe gruaja është bareshë për shtëpinë e burrit të saj dhe të fëmijëve. Pra ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj.”[86]
284 – Ebu Ali, Talk ibn Ali (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse burri e thërret gruan e tij për nevojën që ka (për të kryer marrëdhënie), ajo duhet t’i përgjigjet atij edhe nëse është tek furra duke pjekur (diçka).”[87]
285 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse do të kisha urdhëruar dikënd që t’i bënte sexhde dikujt (përveç Allahut), do të kisha urdhëruar gruan që t’i bënte sexhde burrit të saj.”[88]
286 – Ummu Seleme (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Cilado grua e cila vdes dhe burri i saj është i kënaqur me të, ajo ka për të hyrë në Xhenet.”[89]
287 – Muadh ibn Xhebeli (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Sa herë që një grua e lëndon burrin e saj në Dynja, gruaja e tij që është prej hyrive të Xhenetit do të thotë: Mos e lëndo atë, Allahu të ndëshkoftë. Ai është mik tek ti, dhe po i afron koha që të ndahet prej teje për të ardhur tek ne.”[90]
288 – Usame ibn Zejd (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Pas meje nuk kam lënë fitne (sprovë) më të dëmshme për burrat sesa gratë.”[91]
Kapitulli i shpenzimit për familjen
289 – Ebu Hurerja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dinarin që e shpenzon në rrugë të Allahut, dinarin që e shpenzon për të çliruar një skllav, dinarin që ia jep sadaka një varfanjaku dhe dinarin që e shpenzon fër familjen tënde, atë që e ke shpenzuar për familjen tënde ka shpërblim më të madh.”[92]
290 – Ebu Abdullah dhe thuhet Ebu Abdurrahman, Theuban ibn Buxhdud, shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (a.s) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dinari më i mirë që njeriu shpenzon është ai (dinar) që e shpenzon për familjen e tij, për kafshën që e përgatit në rrugë të Allahut dhe për shokët e tij që marrin pjesë në rrugë të Allahut.”[93]
291 – Ummu Selemeh (r.a) ka thënë: Unë thashë: O i Dërguar i Allahut! A do të shpërblehem unë kur paratë e mia t’i shpenzoj për fëmijët e Ebu Selemes. Unë nuk do t’i lë ata që ta kërkojnë riskun sa këndej andej, sepse ata janë fëmijët e mi. Ai (a.s) tha: “Po, ti do të kesh shpërblim për atë që shpenzon për ta.”[94]
292 – Sa’d ibn Ebi Uekasi (r.a) në hadithin e gjatë që ai ka përcjellur të cilin ne e kemi përmendur në fillim të Librit në kapitullin e Nijetit, transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ti do të marrësh shpërblimin e çdo gjëje, që e shpenzon për hir të Allahut, madje (shpërblehesh)edhe për kafshatën e bukës që ia jep gruas”.[95]
293 – Ebu Mes’ud El Bedri (r.a)transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse burri shpenzon për familjen e tij, duke shpresuar shpërblimin tek Allahu, ajo do të quhet për të sadaka.”[96]
294 – Abdullah ibn Amër ibn El As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (r.a) ka thënë: “I mjafton njeriut si mëkat që ta braktisë atë ndaj të cilit e ka për detyrë të shpenzojë për të.”[97]
Imam Muslimi e transmeton këtë hadith në librin e tij me të njëtin kuptim. Ai (a.s) ka thënë: “I mjafton njeriut si mëkat që t’ia mohojë furnizimin atyre që janë në kujdesin e tij.”[98]
295 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “S’ka ditë që mos të gdhijë e të mos zbresin dy engjëj; njëri prej tyre lutet me fjalët: o Zot kompesoja atij që shpenzon, kurse engjëlli tjetër lutet me fjalët: o Zot shkatëroja pasurinë dorështrënguarit.”[99]
296 – Abdulla ibn Omer (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Dora e lartë (ajo që jep) është më e mirë se dora e ulët (ajo që lyp). Në fillim shpenzo ndaj atyre që e ke për detyrë të kujdesesh (familjarëve)! Sadakaja më e mirë është ajo që i pasuri jep (nga paratë që i mbeten pasi heq shpenzimet). Kush kërkon dlirësi, Allahu ka për t’ia dhënë. E kush kërkon pasuri, Allahu ka për t’ia dhënë.”[100]
Kapitulli i shpenzimit të asaj që e do më shumë dhe nga më e mira
297 – Enes (r.a) ka thënë: Ebu Talha kishte më shumë se gjithë ensarët e Medines pasuri me pemtore hurmash dhe kopshti më i dashur për të ishte Bejruha, i cili ndodhej përballë xhamisë. I Dërguari i Allahut (a.s) shkonte aty dhe pinte nga uji i tij mjaft i mirë. Enesi thotë: Kur zbriti ajeti: ““Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim derisa të mos e jepni më të dashurën e pasurisë tuaj.”[101] Ebu Talha shkoi te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Allahu i Lartësuar ka zbritur ajetin “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim derisa të mos e jepni më të dashurën e pasurisë tuaj” dhe padyshim që kopshti Bejruha është gjëja më e dashur nga pasuria ime, kështu që unë dua ta jap atë sadaka për hir të Allahut të Lartësuar. Mirësinë e shpërblimin për të, e pres nga Allahu i Lartësuar. O i Dërguar i Allahut! Shpenzoje atë atje ku Allahu të bën që ti ta mendosh më me vlerë!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Bravo! Kjo është pasuri e vlefshme. E kam dëgjuar çfarë ke thënë (o Ebu Talha) dhe unë mendoj që t’ua japësh atë të afërmve të tu.” Ebu Talha tha: “Kështu do të bëj, o i Dërguari i Allahut!” Pastaj ai e ndau atë ndërmjet të afërmve të tij dhe fëmijëve të xhaxhai të tij.”[102]
Kapitulli i detytirimit e urdhërimit të familjes dhe fëmijëve që kanë arritur moshën në të cilën bëjnë dallimin e gjërave dhe të atyre që janë në kujdesin e tij, për t’ju bindur Allahut. Ndalimin e tyre nga mosbindja dhe edukimin e tyre si dhe pengimin e tyre nga kryerja e veprave të ndaluara
298 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Hasani i biri i Aliut (r.a) mori një hurmë prej hurmave të sadakasë dhe e futi në gojën e tij. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ptu, ptu (pështyje). Hidhe atë! A nuk e di se ne nuk kemi të drejtë të hamë nga sadakaja?!”[103]
E në një transmetim tjetër thuhet: “Neve nuk na lejohet të hamë nga sadakaja.”
299 – Omer ibn Ebu Seleme (r.a), djali i gruas së të Dërguari të Allahut (a.s) ka thënë: kam qenë fëmijë kur qëndroja tek dhoma e të Dërguarit të Allahut (a.s). Kur haja, e vërtitja dorën në enë ngado. I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “O djalë! Përmende Allahun e Lartësuar, ha me dorën e djathtë dhe ha atë që ke përpara! Qysh atëherë, unë i kam zbatuar këto porosi kur kam ngrënë.”[104]
300 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj. Imami (Prijësi) është bari dhe përgjegjës për tufën e tij. Burri është bariu i familjes së tij dhe përgjegjësi për tufën e tij. Gruaja është bareshë e shtëpisë së burrit të saj dhe përgjegjëse për tufën e saj. Shërbëtori është bariu i pasurisë së zotërisë së tij dhe përgjegjës për tufën e tij. Kështu pra gjithësekush prej jush është bari dhe përgjegjës për tufën e tij.”[105]
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Muslimi (195).
[2] – Buhariu (3129).
[3] – Muslimi (2578).
[4] – Muslimi (2582).
[5] – Buhariu (4402).
[6] – Buhariu (3198) dhe Muslimi (1610).
[7] – Sure Hud: 102.
[8] – Buhariu (4686) dhe Muslimi (2583).
[9] – Buhariu (1496) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (19).
[10] – Buhariu (6979) dhe Muslimi (1832).
[11] – Buhariu (6534).
[12] – Buhariu (10) dhe Muslimi (40)
[13] – Buhariu (3074).
[14] – Buhariu (5550) dhe Muslimi (1679).
[15] – Muslimi (137).
[16] – Muslimi (1833).
[17] – Muslimi (114).
[18] – Muslimi (1885).
[19] – Muslimi (2581).
[20] – Buhariu (7169) dhe Muslimi (1713).
[21] – Buhariu (6862).
[22] – Buhariu (3118).
[23] – Buhariu (481) dhe Muslimi (2585).
[24] – Buhariu (452).
[25] – Buhariu (6011) dhe Muslimi (2586).
[26] – Buhariu (5997) dhe Muslimi (2318).
[27] – Buariu (5652) dhe Muslimi (2713).
[28] – Buhariu (7316) dhe Muslimi (2319).
[29] – Buhariu (793) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (467).
[30] – Buhariu (1128) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (718).
[31] – Buhariu (7299) dhe Muslimi (1103).
[32] – Buhariu (707).
[33] – Muslimi (657).
[34] – Buhariu (2442) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2580).
[35] – Tirmidhiu (1927). Hadithi është Hasen.
[36] – Muslimi (2564).
[37] – Buhariu (13) dhe Muslimi (45).
[38] – Buhariu (6953).
[39] – Buhariu (1240) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2162).
[40] – Buhariu (5635) dhe Muslimi (2066).
[41] – Muslimi (2590).
[42] – Buhariu (2990) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2990).
[43] – Buhariu (2234) dhe Muslimi (1703).
[44] – Buhariu (6777).
[45] – Buhariu (2442) dhe Muslimi (2580).
[46] – Muslimi (2699).
[47] – Buhariu (1432) dhe Muslimi (2627).
[48] – Buhariu (5283).
[49] – Buhariu (2989) dhe Muslimi (1009).
[50] – Buhariu (2695) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2605).
[51] – Buhariu (2705) dhe Muslimi (1557)
[52] – BUhariu (7190) dhe Muslimi (421).
[53] – Buhariu (4918) dhe Muslimi (2853).
[54] – Buhariu (5091).
[55] – Muslimi (2847).
[56] – Buhariu (4729) dhe Muslimi (2785).
[57] – Buhariu (458) dhe Muslimi (956).
[58] – Muslimi (2622).
[59] – Buhariu (5196) dhe Muslimi (2736).
[60] – Buhariu (3436) dhe Muslimi (2550).
[61] – Muslimi (46).
[62] – Muslimi (2504).
[63] – Buhariu (6005).
[64] – Muslimi (2983).
[65] – Buhariu (1492) dhe Muslimi (1039).
[66] – Buhariu (6007) dhe Muslimi (2982).
[67] – Muslimi (1432).
[68] – Buhariu (5177) dhe Muslimi (1432).
[69] – Muslimi (2631).
[70] – Buhariu (1418) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2629).
[71] – Muslimi (2630).
[72] – Nesaiu (9149). Hadithi është Hasen.
[73] – Buhariu (2896).
[74] – Ebu Daudi (2594). Hadithi është i saktë.
[75] – Buhariu (3331) dhe Muslimi (1468).
[76] – Sure Shems: 12.
[77] – Buhariu (4676) dhe Muslimi (2855)
[78] – Muslimi (1469).
[79] – Tirmidhiu (1163). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.
[80] – Ebu Daudi (2142), Ibn Maxheh (1850), etj. Hadithi është Sahih.
[81] – Tirmidhiu (1162). Hadithi është Sahih.
[82] – Ebu Daudi (2146) me tekstin në fjalë dhe Ibn Maxheh (1985). Hadithi është Sahih.
[83] – Muslimi (1467).
[84] – Buhariu (3237) dhe Muslimi (1436).
[85] – Buhariu (5195) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1026).
[86] – Buhariu (5200) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1829).
[87] – Tirmidhiu (1160). Hadithi është Sahih.
[88] – Tirmdhiu (1159). Hadithi është Hasen Sahih.
[89] – Tirmidhiu (1161). Hadihi është Daif.
[90] – Tirmidhiu. Hadihi është Hasen.
[91] – Buhariu (5096) dhe Muslimi (2740).
[92] – Muslimi (995).
[93] – Muslimi (994).
[94] – Buhariu (1467) dhe Muslimi (1001).
[95] – Buhariu (1295) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1268).
[96] – Buhariu (55) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1002).
[97] – Ebu Daudi (1692). Hadithi është Sahih.
[98] – Muslimi (996).
[99] – Buhariu (1442) dhe Muslimi (1010).
[100] – Buhariu (1427).
[101] – Ali Imran: 92.
[102] – Buhariu (1461) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (998).
[103] – Buhariu (1491) dhe Muslimi (1069).
[104] – Buhariu (5376) me tekstin në fjlaë dhe Muslimi (2202).
[105] – Buhariu (5200) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1829).
[106] – Buhariu (2622).