Rijadus Salihin (601 – 700)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

601 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nga mënyrat më të mira të jetesës për njerëzit është një burrë që e mban frerin e kalit të tij në rrugë të Allahut, fluturon mbi të (hyp mbi të me shpejtësi) sa herë që dëgjon thirrje alarmi apo frike, niset menjëherë drejt saj duke kërkuar vrasjen (e armikut) ose vdekjen atje ku pritet. Ose një burrë që gjendet me pak bagëti në majë të një kodre nga këto kodra, ose në fund të një lugine nga këto lugina, fal namazin, jep zekatin dhe adhuron Zotin e tij derisa ta arrijë vdekja, pa qenë ndonjë rrezik për njerëzit, por vetëm në të mirë për ta.”[1]

Kapitull: Vlera e përzierjes me njerëzit, pjesëmarrjes në tubimet dhe xhematet e tyre, në veprat e mira dhe në mexhliset e përkujtimit së bashku me ta, vizitës së të sëmurit të tyre, pjesëmarrjes në varrimet e tyre, ndihmës ndaj nevojtarit të tyre, udhëzimit të injorantit të tyre dhe çështjeve të tjera që u sjellin dobi – për atë që është i aftë të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, të frenojë veten nga dëmtimi i të tjerëve dhe të durojë ndaj lëndimeve.”

Kapitulli i modestisë dhe butësia me besimtarët

602 – Ijad ibn Himar (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtetë, Allahu më ka urdhëruar t’ju them se ju duhet të jeni modest me njëri-tjetrin dhe askush prej jush mos të krekoset ndaj tjetit dhe mos t’i hyjë në hak atij”[2].

603 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pasuria e njeriut nuk pakësohet kur ai jep sadaka. Allahu e nderon më shumë robin kur ai fal të tjerët. E çdokush që tregohet modest ndaj Allahut, Ai ngre atë lart në pozitë.”[3]

604 – Transmetohet se Enesi (r.a) kur po kalonte në rrugë pa disa fëmijë dhe u dha selam. Pastaj tha: Kështu ka pasë vepruar edhe Profeti (a.s).”[4]

605 – Enesi (r.a) transmeton se një robëreshë prej robëreshave të Medines e ka pasë kapur Profetin (a.s) prej dore dhe shkonte me të atje ku ajo kishte dëshirë.”[5]

606 – Es’ued ibn Jezidi ka thënë: Aishja (r.a) është pyetur: Çfarë ka pasë bërë Profeti (a.s) në shtëpi? Ajo është përgjigjur: Bënte punë që do të thotë ishte në shërbim të familjes së tij dhe kur vinte koha e namazit dilte për të falur namazin.”[6]

607 –  Ebu Rifaete, Temim ibn Usejdi (r.a) ka thënë: Shkova deri tek Profeti (a.s) kur ai po mbante hytbe. Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut! Një i huaj (duke pasë për qëllim veten) ka ardhur dhe dëshiron të pyesë rreth fesë sepse nuk di asgjë rreth fesë. I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi drejt meje, e la hytben në mes derisa erdhi tek unë. Atij i sollën një karrige, u ul dhe filloi të më mësojë atë ç’ka Allahu i kishte mësuar, pastaj vazhdoi të mbajë hytben derisa e mbaroi.”[7]

Mund të supozohet se hytbja që profeti (a.s) po mbante nuk ishte hytbja e Xhumasë.

608 – Enesi (r.a) transmeton se kur i Dërguari i Allahut (a.s) përfundonte së ngrëni i lëpinte gishtat tre herë dhe pastaj tha: Nëse dikujt prej jush i bie kafshata (ushqimi) në tokë, atëherë le të heqë atë që është bërë pis dhe pastaj le ta hajë atë e mos t’ia lërë atë shejtanit. Dhe ai ka urdhëruar që ushqimi në sahan të ngjyhet (pa lënë asgjë në të) sepse ju nuk e dini se në cilën pjesë të ushqimit është bereqeti.”[8]

609 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo profet të cilin e ka dërguar Allahu ka ruajtur dhentë. Edhe ti ke ruajtur dhentë – e pyetën shokët? Po edhe unë kam ruajtur dhentë e banorëve të Mekes për disa të holla.”[9]

610 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse dikush më fton për të ngrënë qoftë edhe këmbën apo dorën e bagëtisë do t’i përgjigjesha ftesës. E nëse dikush më dhuron këmbën apo parakrahun e bagëtisë do ta pranoja.”[10]

611 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë një deve që quhej “Abda” që askush nuk ia kalonte në garë, apo asnjë deve nuk mund të garonte me të. Një beduin erdhi me një deve të re, e cila garoi me “Abdanë” dhe fitoi. Një ngjarje e tillë i shqetësoi myslimanët. Kur Profeti (a.s) e mori vesh, tha: “Është e drejtë e Allahut që në Dynja nëse një gjë ngrihet lart do të vijë koha që do të zbresë poshtë.”[11]

Kapitull: Ndalimi i mëndjemadhësisë dhe vetëkënaqësisë

612 – Abdulla ibn Mes’udi transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka për të hyrë në Xhenet ai person i cili në zemrën e tij ka qoftë edhe një grimcë mëndjemadhësie.” Dikush tha: Njeriu dëshiron të veshë një rrobë të bukur dhe këpucë (sandalle) të bukura?! Ai (a.s) tha: “Me të vërtetë, Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mëndjemadhësi do të thotë të refuzosh (me kryeneçësi) të Vërtetën dhe t’i përçmosh njerëzit.”[12]

613 – Seleme ibn Ek’ue (r.a) ka thënë: Një burrë po hante me dorën e majtë në prani të të Dërguarit të Allahut (a.s). Ai (a.s) i tha: “Ha me dorën e majtë! Ai tha: Nuk kam mundësi. Ai (a.s) tha: Mos paç mundësi! Ai nuk e ngriti dorën për shkak të mëndjemadhësisë. Enesi tha: E ai nuk pati mundësi ta ngrinte dorën në gojë.”[13]

614 – Harithe ibn Uehbi (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “A doni t’ju tregoj për banorët e Xhehenemit? Banor i Xhehenemit do të jetë çdo njeri harbut, arrogant e mëndjemadh.”[14]

615 –  Ebu Seid El Hudri (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Xheneti dhe Zjarri debatuan me njëri-tjetrin. Zjarri tha: Brenda meje janë njerëzit tiranë dhe arrogantë. Kurse Xheneti tha: Brenda meje janë njerëzit e dobët dhe të varfër. Allahu gjykoi midis tyre: Ti je Xheneti, mëshira Ime, nëpërmjet teje mëshiroj kë të dëshiroj. Dhe ti je Zjarri, ndëshkimi Im, nëpërmjet teje ndëshkoj kë të dëshiroj. Dhe që të dy juve, Unë do t’ju mbush me njerëz.”[15]

616 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në Ditën e Kiametit, Allahu nuk ka për ta parë atë njeri që e tërheq rrobën e tij zvarrë duke u krekosur.”[16]

617 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre (lloje) njerëzve, në Ditën e Kiametit, Allahu nuk ka për t’iu folur, nuk ka për t’i pastruar (nga mëkatet), nuk ka për t’i parë dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm: Plakun që bën zina (në moshë të thyer), sundimtarin gënjeshtar dhe të varfrin mëndjemadh.”[17]

618 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: “Krenaria është mbështjellësi Im, ndërsa madhështia është petku im. Ai i cili dëshiron të krahasohet me Mua në këto dy gjëra, Unë do ta dënoj.”[18]

619 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Teksa një burrë me rroba të bukura (të shtrenjta), prej së cilës i pëlqente dhe vetja,  me flokë të krehura po shëtiste me mëndjemadhësi, papritur Allahu e fundosi atë dhe ai vazhdon të fundoset deri në Ditën e Kiaametit.”[19]

620 – Seleme ibn el – Ekuei (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njeriu vazhdon të krekoset me veten, derisa të shkruhet (të regjistrohet) prej mendjemëdhenjve dhe pastaj e godet ajo që i goditi ata.”[20]

Kapitull: Morali i mirë

621- Enesi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka qenë njeriu me moralin më të mirë.”[21]

622 – Enesi (r.a) ka thënë: Nuk kam prekur kadife dhe mëndafsh më të butë se dora e të Dërguarit të Allahut (a.s). Nuk kam ndjerë kurrë aromë më të mirë se ajo e të Dërguarit të Allahut (a.s). I kam shërbyer të Dërguarit të Allahut (a.s) dhjetë vjet dhe në asnjëherë të vetme nuk më ka thënë: Uf dhe as për një gjë të cilën e kam bërë të më ketë thënë: Përse e bëre kështu dhe as për një gjë të cilën nuk e kam bërë të më ketë thënë: A nuk mund ta bëje këtë?[22]

623 – Sa’b ibn Xhethame (r.a) ka thënë: “Ia dhurova të Dërguarit të Allahut (a.s) një gomar të egër, por ai ma ktheu. Kur pa shprehjen e fytyrës sime, tha: Ne nuk ta kthyem për ndonjë arsye tjetër, përveçse sepse jemi në gjendje ihrami (në haxh ose umre).”[23]

624 – Neuas ibn Sem’an (r.a) ka thënë: E pyeta të Dërguarin e Allahut (a.s) rreth mirësisë dhe mëkatit, e ai (a.s) tha: “Mirësi është të kesh moral të mirë. Mëkat është ajo ç’ka të ngacmon në vetvete dhe e urren që njerëzit ta marrin vesh.”[24]

625 – Abdullah ibn Amër ibn El As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) nuk qenë i pasjellshëm dhe as i pamoralshëm. Ai (a.s) thoshte: “Vërtet më i përzgjedhuri (i mirë) ndër ju është ai që ka moralin më të mirë.”[25]

626 – Ebu Darda (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Në Ditën e Kiametit nuk ka për të pasur gjë më të rëndë në peshoren e besimtarit se morali i mirë. Vërtet, Allahu e urren të pamoralshmin dhe fjalëndyrin.”[26]

627 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur rreth asaj vepre të mirë që është më shumë sebeb se çdo vepër tjetër që i fut njerëzit në Xhenet? Ai është përgjigjur: “Përkushtimi me devocion ndaj Allahut dhe morali i mirë.” Dhe po ashtu është pyetur për atë vepër të keqe që është më shumë sebeb se çdo vepër tjetër që i fut njerëzit në Zjarr?  Ai është përgjigjur: “Goja dhe avreti.”[27]

628 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Besimitari me besim më të kompletuar është ai që ka moral më të mirë dhe më i miri prej jush është ai që është më i mirë me gratë e tij.”[28]

629 – Aishja (r.a) ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Me të vërtetë besimtari me moral të mirë arrin në gradën e atij që agjëron dhe falet vazhdimisht.”[29]

630 – Ebu Umame el Bahili (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Unë jam garant për një shtëpi në oborr të Xhenetit për atë (besimtar) që e lë grindjen edhe nëse ka të drejtë. Jam garant për një shtëpi në mes të Xhenetit për atë (besimtar) që e lë gënsheshtrën edhe nëse është duke bërë shaka. Dhe jam garant për një shtëpi në vendin më të lartë të Xhenetit për atë (besimtar) që ka moral të mirë.”[30]

631 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë njerëzit më të dashur dhe më të afërt tek unë në pozitë në Ditën e Kiametit do të jenë ata që kanë moralin më të mirë. Dhe njerëzit më të urryer dhe më të largët prej meje në Ditën e Kiametit do të jenë ata që merren me thashetheme, ata që u imponohen njerëzve dhe “Mutefejhikunët” Njerëzit pyetën: O i Dërguar i Allahut! E dimë se kush janë ata që merren me thashetheme dhe ata që u imponohen njerëzve. Po nuk e dimë kush janë “Mutefejhikunët”. Ai tha: “mëndjemëdhenjtë.”[31]

Kapitull: Durimi, vetëpërmbajtja dhe butësia

632 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) i tha Eshexh Abdulkajsit: “Vërtet ti ke dy cilësi (të mira) që Allahu i do: je i vetëpërmbajtur dhe zemërgjerë.”[32]

633 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Me të vërtetë, Allahu është i Butë dhe e do butësinë në çdo gjë.”[33]

634 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu është i Butë dhe e do butësinë. Me anë të butësisë Ai jep atë që nuk e jep vrazhdësia si dhe nuk mund të japë atë që është ndryshe nga ato të dyja.”[34]

635 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse në një send gjendet butësia, atëherë ajo e zbukuron atë. E nëse butësia nuk gjendet tek ai send atëherë ai (send) shëmtohet.”[35]

636 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Një bedeuin urinoi brenda në xhami. Njerëzit brofën në këmbë për ta goditur. Profeti (a.s) tha: “Lëreni ta mbarojë (urinën), në vendin ku ka urinuar hidhni një kovë me ujë apo kusi me ujë, sepse ju jeni dërguar për lehtësim dhe jo për vështirësi.”[36]

637 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Përgëzoni dhe mos përzini kënd (me fjalët apo veprat e juaja)!”[37]

638 – Xherir ibn Abdulla (r.a) ka thënë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) ka thënë: “Kush privohet nga butësia është i privuar nga e tërë mirësia.”[38]

639 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se një burrë i tha Profetit (a.s): Më jep një këshillë! Ai tha: Mos u zemëro! Ai (burri) e përsëriti pyetjen disa herë e ai u përgjigj: Mos u zemëro!”[39]

640 – Ebu Ja’la Shedad ibn Eusi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu ka shkruajtur bamirësinë në gjithçka. Kur të vrisni dikënd vriteni në mënyrën më të mirë dhe kur të therrni kurban bëjeni atë në mënyrën më të mirë. Çdokush prej jush (para se të therrë kurban) le ta mprehë thikën dhe ta qetësojë kafshën që do të therrë.”[40]

641 – Aishja (r.a) ka thënë: Nuk ka ndodhur asnjëherë që i Dërguari i Allahut (a.s) t’i jetë lënë mundësia për të përzgjedhur midis dy gjërave e mos të ketë zgjedhur më të lehtën, përderisa nuk ishte mëkat. Nëse ajo ishte mëkat, ai ishte njeriu më i largët prej tij. I Dërguari i Allahut (a.s) kurrë asnjëherë nuk është hakmarrë për veten e tij përveçse nëse shkeleshin ndalesat e Allahut, ai hakmerrej për hatër të Allahut të Lartësuar.”[41]

642 – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “A doni t’ju tregoj se kush ndalohet prej Zjarrit, ose kujt i është ndaluar Zjarri? Zjarri i është ndaluar atij që është i afërt me njerëzit (për shkak të sjelljes së mirë), i thjeshtë, i sjellshëm dhe tolerant.”[42]

Kapitull: Falja dhe shmangia nga të paditurit

643 – Aishja (r.a) e ka pyetur Profetin (a.s): A ke kaluar ndonjëherë në jetën tënde ditë më të vështirë se ajo e Uhudit? Ai tha: “Po kam kaluar ditë të vështira prej popullit tënd. Dita më e vështirë ka qenë ajo që kam përjetuar prej tyre në Ditën e Akabesë, kur iu prezantova (si profet) Abdu Jalil ibn Abdu Kulalit, i cili nuk iu përgjigj asaj që kisha dëshirë (mesazhit hyjnor). Unë u largova dhe shenjat e pikëllimit dukeshin në fytyrën time dhe vazhdova të ecë derisa u përmenda kur arrita në Karnu Thealib. Ngrita kokën lart (në qiell) dhe pashë një re e cila po më bënte hije. Kur ja unë pashë Xhibrilin (a.s) i cili më thirri dhe më tha: Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët (e rënda) që njerëzit t’i thanë ty dhe si ishte reagimi i tyre ndaj teje. Ai ka dërguar tek ti engjëllin e maleve që t’i japësh çfarëdo urdhri që dëshiron në lidhje me ta. Engjëlli i maleve më thirri, më përshëndeti me selam dhe pastaj më tha: O Muhamed! Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e (rënda) që njerëzit t’i thanë ty. Unë jam engjëlli i maleve e Zoti im më ka dërguar tek ti që të më urdhërosh me çfarë të dëshirosh. Nëse dëshiron unë i palos këto dy malet?! Ai (profeti) tha: Jo, sepse unë shpresoj që prej tyre Allahu të nxjerrë pasardhës të cilët do të adhurojnë Allahun, një të vetëm pa i shoqëruar kënd në adhurim.”[43]

644 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) nuk ka goditur me dorën e tij kënd asnjëherë, nuk ka goditur anjë grua dhe asnjë shërbëtor përveçse kur ka qenë në xhihad në rrugë të Allahut. Ai asnjëherë nuk ka dënuar kënd apo të jetë hakmarrë ndaj tij, vetëm nëse janë shkelur ndalesat e Allahut të Lartësuar. Atëherë ai është hakmarrë (apo e ka dënuar) ndaj tij vetëm për hatër të Zotit.”[44]

645 – Enesi (r.a) tregon: Isha duke ecur së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s) i cili kishte veshur një xhybe nga Nexhrani anët e së cilës ishin të ashpra. Një bedeuin iu vërsul atij dhe e tërhoqi atë fort Unë pashë shpatullën e Profetit (a.s) dhe vura re se anët e ashpra të xhybes kishin lënë shenjë prej tërheqjes së fortë. Bedeuni tha: O Muhamed! Jep urdhër që të më japin nga pasuria e Allahut që ti posedon. Ai (a.s) u kthye nga ai (bedeuini), qeshi dhe pastaj dha urdhër që t’i jepnin një dhuratë.”[45]

646 – Ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: “Sikur jam duke parë të Dërguarin e Allahut (a.s) që po tregon për një profet prej profetëve, të cilin populli i tij e goditi e gjakosi dhe ai (profeti) duke fshirë gjakun nga fytyra e tij tha: “O Zoti im, fale popullin tim se ata nuk dinë (çfarë bëjnë).”[46]

647 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Nuk është i fortë ai njeri që i mund të tjerët me forcën e tij, por i fortë është ai që e përmban veten kur është i nxehur”[47]

Kapitull: Durimi ndaj lëndimeve

648 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se një burrë i tha të Dërguarit të Allahut (a.s): O i Dërguar i Allahut! Unë kam të afërt me të cilët i mbaj lidhjet farefisnore, por ata i ndërpresin, unë sillem mirë me ta kurse ata sillen keq me mua. Unë sillem butë me ta kurse ata më injorojnë. Ai (a.s) tha: “Nëse ti je kështu si thua: kjo është si t’i ushqesh me hirin e nxehtë. Allahu do të të përkrahë vazhdimisht përderisa vazhdon të jesh kështu.”[48]

Kapitull: Zemërimi kur shkelen ligjet e sheriatit dhe përkrahja e fesë së Allahut të Lartësuar

649 – Ebu Mes’udi, Ukbe ibn Amër El Bedri (r.a) ka thënë: Një burrë erdhi tek Profeti (a.s) dhe tha: Unë shkoj vonë kur fal Sabahun për shkak se filani e zgjat shumë namazin kur falet (si imam). Ukbe tha: Nuk e kam parë asnjëherë Profetin (a.s) të zemërohet sa është zemëruar atë ditë. Ai tha: “O njerëz! Në mesin tuaj ka njerëz të cilët (me veprimet e tyre) i largojnë të tjerët. Prandaj ai cili prej jush prin në namaz, le të falet sa më shkurt, sepse pas tij është duke u falur njeriu i moshuar, i vogli dhe ai që ka nevojë.”[49]

650 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) u kthye nga udhëtimi, sakaq unë e kisha mbuluar mbuluar dollapin me një perde të hollë që kishte figura. Kur Profeti (a.s) e pa e mori, dhe e prishi figurën (që ishte në perde), u skuq në fytyrë dhe tha: “Oj Aishe! Njerëzit që do të kenë dënim më të ashpër në Ditën e Kiametit do të jenë ata të cilët mundohen të imitojnë krijimin e Allahut.”[50]

651 – Aishja (r.a) transmeton se Kurejshët u shqetësuan shumë për çështjen e një gruaje nga fisi Makhzum, e cila kishte vjedhur. Ata thanë: “Kush do të flasë me të Dërguarin e Allahut (a.s) për të?” Pastaj thanë: “Askush nuk guxon të flasë me të, përveç Usame ibn Zejdit, i dashuri i të Dërguarit të Allahut (a.s).” Usameja foli me të Dërguarin e Allahut, dhe ai (a.s) i tha: “A po ndërhyn për (të mos zbatuar) një nga kufijtë e vendosur nga Allahu i Lartësuar?” Pastaj u ngrit dhe mbajti një hytbe dhe tha: “Vërtet, ata që kanë qenë para jush janë shkatërruar sepse kur ndonjë fisnik prej tyre vidhte, e linin pa e ndëshkuar, por kur ndonjë i dobët vidhte, e zbatonin ndaj tij ndëshkimin. Pasha Allahun! Edhe sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të kishte vjedhur, do t’ia kisha prerë dorën!”[51]

652 – Nga Enesi (r.a) transmetohet se Profeti (r.a) pa një pështymë në drejtim të kiblës (brenda xhamisë), dhe kjo e shqetësoi shumë, aq sa kjo u pa në fytyrën e tij. Ai u ngrit dhe e fshiu me dorën e tij, pastaj tha: “Kur ndonjëri prej jush ngrihet për të falur namazin, ai është në komunikim me Zotin e tij, dhe Zoti i tij është midis tij dhe kiblës, prandaj askush nga ju të mos pështyjë përballë kiblës, por në të majtë ose nën këmbën e tij.” Pastaj mori skajin e rrobës së vet, pështyu në të dhe e mbështolli pjesën e pështymës me pjesën tjetër të rrobës, dhe tha: “Ose të veprojë kështu.”[52]

Kapitull: Urdhërimi i udhëheqësve për të treguar butësi ndaj shtetasve të tyre, për t’i këshilluar ata dhe për të qenë të dhembshur ndaj tyre; ndalimi nga mashtrimi i tyre, ashpërsimi ndaj tyre, neglizhimi i interesave të tyre, mospërfillja e tyre dhe e nevojave të tyre.

653 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe të gjithë ju jeni përgjegjës për tufën tuaj. Udhëheqësi është bari, burri është bari për familjen e tij dhe gruaja është bareshë për shtëpinë e burrit të saj dhe të fëmijëve. Pra ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj.”[53]

654 – Ma’kal ibn Jesari (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Allahu nuk ka për ta futur në Xhenet atë rob, të cilin Allahu e ka bërë përgjegjës për të ruajtur turmën e njerëzve, dhe ai vdes duke e tradhëtuar turmën e njerëzve.”[54]

Në një transmetim tjetër thuhet: “E nëse nuk e përfshin atë (amanetin, përgjegjësinë, çështjen) me sinqeritetin e tij, nuk do ta nuhasë aromën e Xhenetit.”

Në një transmetim tjetër tek imam Muslimi thuhet:“Çdo udhëheqës që merr përsipër çështjet e myslimanëve, e pastaj nuk përpiqet për ta dhe nuk është i sinqertë ndaj tyre, nuk do të hyjë bashkë me ta në Xhenet.”

655 – Aishja (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) të lutej në shtëpinë time me fjalët: “O Zoti im, kushdo që udhëheq Umetin tim në diç dhe ai i mundon ata, atëherë mundoje edhe Ti atë. E kushdo që udhëheq Umetin tim në diç dhe ai sillet butë me ta, atëherë sillu edhe Ti butë me të.”[55]

656 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Benu Israilët udhëhiqeshin nga profetët; sa herë që vdiste një profet, e pasonte një tjetër. E vërtetë është se nuk do të ketë profet pas meje, por pas meje do të ketë kalifë (udhëheqës) dhe do të jenë të shumtë.” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut, çfarë na urdhëron për ta?” Ai tha: “Përmbushni besën ndaj të parit prej tyre (që zgjidhet), pastaj jepuni atyre të drejtën që u takon dhe kërkoni nga Allahu atë që ju takon juve, sepse Allahu do t’i marrë në llogari ata për atë që u është ngarkuar.”[56]

657 – Aidh ibn Amër (r.a) hyri tek Ubejdulla ibn Zijadi dhe i tha: O biri im! E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Barinjtë më të këqinj janë ata që sillen vrazhdë me kopenë e tyre. Ai (Aidhi) tha: Prandaj bëj kujdes dhe mos ji prej atyre.”[57]

658 – Ebu Merjem El Ezdi i ka thënë Muauijes (r.a) e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kushdo që Allahu ia mundëson që të qeverisë çështjet e muslimanëve, por ai nuk i dëgjon (frenohet) hallet, problemet dhe nevojën e tyre, në Ditën e Gjykimit, Allahu nuk ka për ta dëgjuar hallin, problemin dhe nevojën e tij.” Si rrjedhojë e kësaj, Muauija vendosi një njeri (përgjegjës) për të dëgjuar hallet e njerëzve.”[58]

Kapitull: Valiu i drejtë

659 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shtatë kategori njerëzish Allahu do t’i strehojë në hijen e Tij, në atë Ditë që nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij: prijësin e drejtë, të riun i cili rritet me frymën e adhurimit të Allahut, personin, zemra e të cilit është lidhur fort me xhaminë, dy persona që duhen për hatër të Allahut, janë bashkuar për këtë qëllim dhe ndahen po për këtë qëllim, personin të cilin një grua me pozitë dhe e bukur e thërret për të kryer marrëdhënie intime, mirëpo ai thotë: Unë kam frikë Allahu, personin i cili jep sadaka dhe e fsheh atë në mënyrë të atillë që dora e majtë nuk e di çfarë ka dhënë dora e djathtë dhe personin i cili e përmend Allahun kur është vetëm dhe nga sytë e tij rrjedhin lot.”[59]

660 – Abdullah ibn Amr ibn el-As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, të drejtët do të jenë pranë Allahut mbi minbere prej drite: ata janë ata të cilët veprojnë me drejtësi në gjykimet e tyre, ndaj familjeve të tyre dhe në gjithçka që u është ngarkuar për të drejtuar.”[60]

661 – Auf ibn Malik (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Prijësit më të mirë (të përzgjedhur) janë ata të cilët ju i doni dhe ata ju duan juve, bëni lutje për ta dhe ata luten për ju. Kurse prijësit më të këqinj janë ata të cilët i urreni dhe ju urrejnë, i mallkoni dhe ju mallkojnë.” Njerëzit thanë: O i Dërguar i Allahut, a t’i luftojmë?! Ai tha: Jo, përderisa ata e falin namazin ndër ju. Jo, përderisa ata e falin namazin ndër ju.”[61]

662 – Ijad ibn Himar (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Banorët e Xhenetit janë tre: Udhëheqësi i drejtë i suksesshëm, njeriu tolerant me zemër të butë ndaj çdo të afërti e myslimani dhe njeriu i dëlirë i përmbajtur i cili ka shumë familjarë (në përgjegjësi).”[62]

Kapitull: Detyrimi i bindjes ndaj udhëheqësve (autoritetit) në atë që nuk është mëkat, dhe ndalimi i bindjes ndaj tyre në mëkat.

663 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Myslimani e ka për detyrë të bindet dhe të dëgjojë (udhëheqësin) në gjërat që i pëlqejnë dhe në ato gjëra që nuk i pëlqejnë, përveçse nëse urdhërohet për të kryer mëkat, pasi në këtë rast nuk duhet të dëgjojë dhe as të bindet.”[63]

664 – Abdulla ibn Omer (r.a) ka thënë: “Kur ia jepnim besën të Dërguarit të Allahut (a.s) për të qenë të dëgjueshëm dhe të bindur, ai na thoshte: aq sa të keni mundësi.”[64]

665 – Abdullah ibn Omeri (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush e heq dorën nga bindja (ndaj udhëheqësit), do të takojë Allahun në Ditën e Kiametit pa pasur asnjë justifikim, dhe kush vdes pa pasur një betim besnikërie (ndaj udhëheqësit), vdes me një vdekje të kohës së injorancës (xhahilijetit).”[65]

Dhe në një transmetim tjetër thuhet:“Kush vdes duke qenë i shkëputur nga xhemati (bashkësia muslimane), ai vdes me një vdekje të kohës së injorancës (xhahilijetit).”

666 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dëgjojeni dhe bindjuni (udhëheqësit), edhe nëse mbi ju caktohet një rob abisin (i zi), koka e të cilit është si rrush i thatë”[66]

667 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Duhet ta dëgjosh dhe t’i bindesh (udhëheqësit) në vështirësinë dhe lehtësinë tënde, në dëshirën dhe mospëlqimin tënd, madje edhe kur të bëhet padrejtësi ndaj teje (kur të tjerët favorizohen mbi ty).”[67]

668 – Abdullah ibn Amri (r.a) ka thënë: Ishim me të Dërguarin e Allahut (a.s) në një udhëtim, dhe zbritëm në një vend. Prej nesh kishte që rregullonte çadrën e tij, disa merreshin me hedhjen me shigjeta, e disa të tjerë kujdeseshin për kafshët e tyre. Papritur, thirrësi i të Dërguarit të Allahut (a.s) thirri: “Namazi është i përbashkët!” (dmth, thirrje për një mbledhje të menjëhershme). Ne u mblodhëm te i Dërguari i Allahut (a.s) , dhe ai tha: “Nuk ka pasur ndonjë profet para meje veçse e kishte për detyrë që t’ia tregonte popullit të vet rrugën më të mirë që dinte për ta, dhe t’i paralajmëronte për të keqen që dinte për ta. Vërtet, begatia (mbarësia) e këtij umeti është në fillimin e tij, por fundi i tij do të goditet nga sprova dhe gjëra që ju do t’i mohoni. Do të vijnë sprova që njëra do ta zbusë tjetrën. Do të vijë një sprovë dhe besimtari do të thotë: ‘Kjo është shkatërrimi im’, por ajo do të largohet. Pastaj do të vijë një tjetër, dhe besimtari do të thotë: ‘Kjo është ajo (më e keqja)!’ Kush dëshiron të shpëtojë nga zjarri dhe të hyjë në Xhenet, le ta arrijë vdekja atë duke besuar në Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe le t’i sillet njerëzve ashtu siç do që t’i sillen atij.” Dhe kush i jep besën një imami (udhëheqësi), duke ia dhënë dorën dhe sinqerisht zemrën e tij, le ta dëgjojë dhe bindet atij nëse është në gjendje. Por, nëse vjen një tjetër që kërkon t’i sfidojë udhëheqësinë, atëherë goditeni qafën e këtij të fundit.”[68]

669 – Ebu Hunejde, Uail ibn Huxhri (r.a) ka thënë: Seleme ibn Jezidi el-Xhufij e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe tha:O i Dërguar i Allahut! Si mendon për rastin kur mbi ne të na vihen sundimtarë që kërkojnë të drejtat e tyre prej nesh, por nuk na i japin të drejtat tona? Çfarë na urdhëron ti të bëjmë në këtë rast? I Dërguari i Allahut (a.s) e shmangu përgjigjen, por ai (Seleme) e pyeti përsëri. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Dëgjoni dhe binduni, sepse mbi ta është ajo që u është ngarkuar (përgjegjësia e tyre), dhe mbi ju është ajo që ju është ngarkuar (detyra juaj).”[69]

670 – Abdullah ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pas meje do të ketë padrejtësi (nga udhëheqësit) dhe gjëra që ju do t’i mohoni (nuk do t’i pranoni).” Thanë: “O i Dërguar i Allahut, çfarë na urdhëron të bëjmë ne që do ta përjetojmë një gjë të tillë?” Ai tha:”Kryeni të drejtën që juve ju takon (detyrën tuaj), dhe kërkojeni prej Allahut atë që ju takon ju.”[70]

671 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush më bindet mua, i është bindur Allahut. Kush më kundërshton mua, e ka kundërshtuar Allahun. Kush i bindet udhëheqësit më është bindur mua, dhe kush e kundërshton udhëheqësin, më ka kundërshtuar mua.”[71]

672 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush urren diçka nga udhëheqësi i tij, le të bëjë durim, sepse kush largohet nga pushteti (bindja ndaj udhëheqësit) qoftë edhe një pëllëmbë, ai vdes me një vdekje injorance (të kohës së xhahilijetit).”[72]

673 – Ebu Bekrete (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush e poshtëron sundimtarin, Allahu e poshtëron atë.”[73]

Kapitull: Ndalimi i kërkimit të udhëheqjes dhe përzgjedhjes e shmangies nga pozitat drejtuese, nëse ato nuk janë të domosdoshme për të ose nuk ka nevojë për to.

674 – Ebu Seid, Abdurrahman ibn Semure (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë: “O Abdurrahman, biri i Semures! Mos e kërko pushtetin, sepse nëse ty të jepet (pushteti) pa e kërkuar, Allahu do të të ndihmojë. E nëse ty të jepet (pushteti) duke qenë se e ke kërkuar vetë, do të ngarkohesh me përgjegjësi. Nëse betohesh për diçka dhe shikon se një gjë (veprim) tjetër është më i mirë se për atë të cilën je betuar, atëherë bëje atë që është më e mirë. E përsa i përketi betimit (që e ke thyer) duhet ta shlyesh atë me dëmshpërblim (e përcaktuar)”[74]

675 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “O Ebu Dherr, unë të shoh si njeri të dobët, dhe unë e dua për ty atë që dua për veten time: mos u bëj udhëheqës mbi dy vetë dhe mos u bëj kujdestar i pasurisë së jetimit.”[75]

676 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: Thashë: “O i Dërguar i Allahut, a nuk do të më caktoje (në një detyrë)?“ Ai (a.s) më ra me dorën e tij mbi shpatull dhe tha: “O Ebu Dherr, ti je i dobët, dhe kjo (detyrë) është amanet. Ajo, në Ditën e Kiametit, është poshtërim dhe pendim, përveç nëse dikush e merr me të drejtë dhe i përmbush detyrimet që i takojnë në të.”[76]

677 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, ju do të jeni të zellshëm për pushtetin, dhe ai do të jetë pendim në Ditën e Kiametit.”[77]

Kapitulli: Nxitja e sundimtarit, gjykatësit dhe të tjerëve nga drejtuesit e punëve për të zgjedhur një ministër të mirë dhe paralajmërimi ndaj tyre për shoqëri të këqija dhe pranimin e tyre.

678 – Ebu Seid El Hudri (r.a) dhe Ebu Hurejra (r.a) transmetojnë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo profet të cilin Allahu e ka dërguar dhe çdo halife të cilit i ka dhënë postin e hilafetit ka pasë dy shpura njerëzish: një shpurë që e urdhëron të bëjë punë të mira dhe që e nxit për të bërë punë të mira. Dhe një shpurë që e urdhëron për të bërë punë të këqija dhe që e nxit për të bërë punë të këqija. I mbrojtur është ai të cilin Allahu e mbron.”[78]

679 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse Allahu dëshiron të mirën për një sundimtar, ia cakton atij një ministër të ndershëm: nëse ai harron, ai ia kujton; dhe nëse kujton, ai e ndihmon. Por nëse Allahu dëshiron ndryshe për të, ia cakton një ministër të keq: nëse ai harron, ai nuk ia kujton; dhe nëse kujton, ai nuk e ndihmon.[79]

Kapitulli: Ndalimi i dhënies së postit të udhëheqjes, gjykatës apo çdo detyre tjetër udhëheqëse, atij që e kërkon ose që ka lakmi për të apo e ka nënkuptuar atë.

680 – Ebu Musa El Esh’ari (r.a) ka thënë: Unë dhe dy djemtë e xhajës tim hymë tek i Dërguari i Allahut (a.s). Njëri prej tyre tha: O i Dërguar i Allahut, na bëj udhëheqës në atë që Allahu të ka dhënë (pushtet). Edhe tjetri tha të njëjtën gjë. Ai tha: “Pasha Allahun ne nuk ia japim këtë gjë (pushtet) askujt që e kërkon dhe askujt që e lakmon atë.”[80]

 

Libri i Edukatës

Kapitulli i turpit, vlera e tij dhe motivimi për t’u pajisur me të

681 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë një ensari i cili po e qortonte vëllain e tij se ishte i turpshëm. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Lëre sepse turpi është prej besimit!”[81]

682 – Imran ibn Husejn (r.a) ka thënë: i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Turpi nuk vjen veçse me mirësi.”[82] Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Turpi është mirësi i gjithi.” ose “Turpi është i gjithi mirësi.”

683 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimi është (i ndarë) në shtatëdhjetë e kusur pjesë, apo gjashtëdhjetë e kusur pjesë. Më e mira e tij është “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” dhe më e ulëta është largimi i një të keqe nga rruga. E turpi është pjesë e besimit.”[83]

684 – Ebu Seid El Hudri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka qenë më i turpshëm se virgjëresha në dhomën e nusërisë. Nëse ai shikonte diçka që nuk e pëlqente, ne arrinim ta kuptonim nga fytyra e tij.”[84]

Kapitull: Ruajtja e sekretit

685 – Ebu Seid El Hudri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë njeriu më i keq në Ditën e Kiametit do të jetë ai i cili kryen marrëdhënie intime me gruan ose ajo kryen me atë dhe ai më pas e përhap intemitetin e saj.”[85]

686 – Abdulla ibn Omer (r.a) tregon për Omerin (r.a) se kur Hafsa, e bija e tij ngeli pa burrë, tha: E takova Othman ibn Afanin (r.a) dhe i propozova që të martohej me Hafsan. Unë i thashë: Nëse dëshiron, të propozoj të martohesh me Hafsan, të bijën e Omerit? Ai tha: Do të mendohem. Ai u mendua disa netë, pastaj më takoi dhe më tha: kam vendosur që hë për hë mos të martohem. Unë takova Ebu Bekrin dhe i thashë: Nëse dëshiron, të propzoj të martohesh me Hafsan, të bijën e Omerit! Ebu Bekri heshti dhe nuk më ktheu fare përgjigje. Unë u mërzita me të më shumë sesa isha mërzitur me Othmanin. Qëndrova (në këtë gjende) disa ditë derisa Profeti (a.s) u fejua me të dhe unë e dhashë pëlqimin tim për martesë. Ebu Bekri më takoi dhe më tha: Ndoshta ti je mërzitur me mua kur më propozove të martohem me Hafsën dhe unë nuk t’u përgjigja. Po – i thashë unë. Ai tha: Nuk të dhashë përgjigje kur më propozove të martohem me Hafsën, sepse pata dëgjuar Profetin (a.s) ta përmendte atë dhe unë nuk kisha dëshirë ta bëj publike sekretin e të Dërguarit të Allahut (a.s). E nëse Profeti (a.s) nuk do të martohej me të, atëherë unë do të isha martuar me të.”[86]

687 – Aishja (r.a) ka thënë: “Gratë e Profetit (a.s) ishin tek ai, kur erdhi Fatimja, e cila ecte identik sikur ecte i Dërguari i Allahut (a.s). Kur ai e pa atë i uroi mirëseardhjen duke i thënë: Mirë se vjen bija ime. E pastaj ai e uli atë në të djathtë ose në të majtë. Ai i tha një fjalë në vesh dhe ajo filloi të qante shumë. Kur ai e pa gjendjen e saj i tha në vesh një fjalë tjetër dhe ajo filloi të buzëqeshë. Unë i thashë: nga të gjitha ne, vetëm ty Profeti (a.s) të tha në vesh një të fshehtë dhe ti qajte. Kur Profeti (a.s) u çua e pyeta: Çfarë të tha i Dërguari i Allahut (a.s)? Ajo tha: Nuk kam dëshirë ta përhap sekretin e të Dërguarit të Allahut (a.s). Kur i Dërguari i Allahut (a.s) ndërroi jetë, i thashë: Të betohem me të drejtën time që kam ndaj teje që të më tregosh se çfarë të ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s). Ajo tha: tani po (do të të tregoj): Herën e parë kur më foli në vesh më tha: “Çdo vit Xhibrili e lexonte Kuranin njëherë apo dy herë, kurse tani e bëri atë dy herë dhe unë e shoh se më ka ardhë exheli. Kij frikë Allahun dhe duro! Unë për ty jam parardhës i mirë. E unë (nga këto fjalë) qajta ashtu sikur më pe. E kur ai e pa trishtimin tim, më foli në vesh për së dyti dhe më tha: Oj Fatime! A dëshiron të jesh zonja e grave të besimtarëve apo zonja e grave të këtij Umeti?! Dhe unë fillova të buzëqesh ashtu sikur më pe.”[87]

688 – Thabiti transmeton nga Enesi (r.a) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi tek unë dhe unë po luaja me fëmijët. Ai na përshëndeti me selam dhe pastaj më dërgoi për një nevojë të tij, kështu që unë u vonova për të shkuar tek nëna ime. Kur shkova tek ajo më tha: Çfarë të mbajti? I thashë: I Dërguari i Allahut më dërgoi për një nevojë. Ajo tha: Çfarë nevoje kishte ai? Unë i thashë: Është sekret. Ajo tha: Mos ia thuaj askujt sekretin e të Dërguarit të Allahut (a.s)!. Enesi tha: Pasha Allahun. Nëse do t’ia tregoja dikujt sekretin do të ta tregoja ty o Thabit (por nuk e tregoj).”[88]

Kapitull: Respektimi i marrëveshjes dhe përmbushja e premtimit

689 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shenjat e munafikut (hipokritit) janë tre: Kur flet gënjen, kur e jep një premtim e thyen atë dhe kur i besohet (i lihet amanet) diçka e tradhton atë.”[89]

Dhe në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Edhe nëse agjëron, falet dhe pretendon se është mysliman.”

690 – Abdulla ibn Amër El As (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i posedon katër cilësi ai është hipokrit (munafik) i pastër. E kush ka vetëm njërën prej tyre atëherë ai posedon vetëm atë derisa ta lërë. Këto cilësi janë: kur i lihet diçka në amanet e tradhton, kur flet gënjen, kur zotohet mashtron dhe kur zihet tërbohet.”[90]

691 – Xhabiri (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) më tha: “Nëse do të vinte pasuria e Bahrejnit, do të të jepja ty kështu, kështu dhe kështu.” Por pasuria e Bahrejnit nuk erdhi derisa Pejgamberi (a.s) ndërroi jetë. Kur më në fund erdhi pasuria e Bahrejnit, Ebu Bekri (r.a) urdhëroi dhe shpalli: “Kush ka ndonjë premtim apo borxh nga i Dërguari i Allahut (a.s), le të na vijë.” Atëherë unë shkova tek ai dhe i thashë: “I Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë kështu.” Ai (Ebu Bekri) më mori një grusht pasuri dhe ma dha. E numërova dhe ishte pesëqind (dirhem ose monedha). Pastaj më tha: “Merr edhe dyfishin e kësaj.”[91]

Kapitulli: Urdhri për të ruajtur dhe vazhduar në veprat e mira për atë që është mësuar t’i bëjë (rregullisht).

692 – Abdullah ibn Amër ibn El As (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë: “O Abdullah! Mos i ngjaj filanit, i cili ka pasë qenë falur natën, kurse tani nuk falet më natën.”[92]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e të folurit të mirë dhe buzëqeshjes gjatë takimit

693 – Adij ibn Hatim (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) të thotë: “Ruajuni prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme (arabe). E kush nuk gjen (hurmë) atëherë (le të ruhet nga zjarri) qoftë edhe duke thënë një fjalë të mirë.”[93]

694 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Fjala e mirë është sadaka.”[94]

695 – Ebu Dherri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos nënçmo asnjë punë të mirë (sado e vogël që të jetë), qoftë edhe nëse ti e takon vëllain tënd fytyrëqeshur.”[95]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e shpjegimit dhe sqarimit të fjalës për bashkëbiseduesin, dhe përsëritja e saj nëse ai nuk e kupton ndryshe përveçse në këtë mënyrë.

696 – Enesi (r.a) tregon se kur Profeti (a.s) e thonte një fjalë e përsëriste tre herë me qëllim që fjala e tij të kuptohej. Dhe kur takohej me njerëzit i përshëndeste ata me selam tre herë.”[96]

697 – Aishja (r.a) ka thënë: “Fjala e të Dërguarit të Allahut (a.s) ka qenë e qartë dhe e prerë, e kuptonte çdokush që e dëgjonte.”[97]

Kapitulli: Dëgjimi me vëmendje i atij që është ulur pranë teje, kur ai flet për diçka që nuk është e ndaluar, dhe dëgjimi i qetë e i përqendruar i dijetarit dhe këshilluesit nga të pranishmit në mbledhjen e tij.

698 – Xherir ibn Abdullahu (r.a) ka thënë: Në haxhin e lamtumirës, i Dërguari i Allahut (a.s) më tha: Thuaju njerëzve të heshtin! Pastaj ai tha: Pas meje mos u ktheni në mosbesimtarë duke goditur qafën e njëri-tjetrit.”[98]

Kapitulli: Predikimi dhe maturia në të

699 – Ebu Uail Shekik ibn Seleme ka thënë: Ibn Mes’udi (r.a) e kishte bërë zakon që i këshillonte njerëzit vetëm njëherë në ditën e Enjte. Një burrë i tha: O Ebu Adurrahman, sa dëshirë do kisha që ti të na këshilloje çdo ditë?! Ai tha: Nuk më pengon ta bëjë një gjë të tillë vetëm se fakti që unë e urrej që të bëhem i bezdisshëm për ju. Prandaj unë e zgjedh kohën se kur ju këshilloj, sepse i Dërguari i Allahut (a.s) kur na këshillonte e ka pasë zgjedhur kohën nga frika se mos ne mërziteshim.”[99]

700 – Ammar ibn Jasir (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Me të vërtetë zgjatja e faljes së namazit që një njeri fal dhe shkurtimi i hytbes është shenjë e perceptimit të tij. Prandaj zgjateni faljen e namazit dhe hytben mbajeni të shkurtër.”[100]

[1] – Muslimi (1889).

[2] – Muslimi (2865).

[3] – Muslimi (2588).

[4] – Buhariu (6247) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2168).

[5] – Buhariu (6072).

[6] – Buhariu (676).

[7] – Muslimi (876).

[8] – Muslimi (2034).

[9] – Buhariu (2262).

[10] – Buhariu (2568).

[11] – Buhariu (2872).

[12] – Muslimi (91).

[13] – Muslimi (2021).

[14] – Buhariu (4918) dhe Muslimi (2853).

[15] – Muslimi (2847).

[16] – Buhariu (5788) dhe Muslimi (2087) me pak ndryshim në tekst.

[17] – Muslimi (107).

[18] – Muslimi (2620).

[19] – Muslimi (2088).

[20] – Tirmidhiu (2000). Hadithi është Hasen Garib.

[21] – Buhariu (6203) dhe Muslimi (2150).

[22] – Buhariu (3561) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2309).

[23] – Buhariu (1825) dhe Muslimi (1193).

[24] – Muslimi (2553).

[25] – Buhariu (3559) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2321).

[26] – Tirmidhiu (2002). Hadithi është Sahih.

[27] – Tirmidhiu (2004). Hadithi është Sahih.

[28] – Tirmidhiu (1162). Hadithi është Hasen Sahih.

[29] – Ebu Daudi (4797). Hadithi është Sahih.

[30] – Ebu Daudi (4800). Hadithi është Sahih.

[31] – Tirmidhiu (2018). Hadithi është Sahih.

[32] – Muslimi (17).

[33] – Buhariu (6927) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2165).

[34] – Muslimi (2593).

[35] – Muslimi (2594).

[36] – Buhariu (220).

[37] – Buhariu (69) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1734).

[38] – Muslimi (2592).

[39] – Buhariu (6116).

[40] – Muslimi (1955).

[41] – Buhariu (6126) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2327).

[42] – Tirmidhiu (2488). Hadithi është Hasen Sahih.

[43] – Buhariu (3231) dhe Muslimi (1795) me tekstin në fjalë.

[44] – Muslimi (2328).

[45] – Buhariu (3149) dhe Muslimi (1057).

[46] – Buhariu (6929) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1792).

[47] – Buhariu (6114) dhe Muslimi (2609).

[48] – Muslimi (2558).

[49] – Buhariu (744) dhe Muslimi (466) me tekstin në fjalë.

[50] – Buhariu (5954) dhe Muslimi (2106).

[51] – Buhariu (3475) dhe Muslimi (1688).

[52] – Buhariu (405) dhe Muslimi (551).

[53] – Buhariu (5200) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1829).

[54] – Buhariu (7151) dhe Muslimi (142).

[55] – Muslimi (1828).

[56] – Buhariu (3455) dhe Muslimi (1842).

[57] – Muslimi (1830). Këtë hadith e ka transmetuar vetëm imam Muslimi, kurse imam Buhariu nuk e ka transmetuar.

[58] – Ebu Daudi (2948) dhe Tirmidhiu (1333). Hadithi është Sahih.

[59] – Buhariu (1423) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1031).

[60] – Muslimi (1827).

[61] – Muslimi (1855).

[62] – Muslimi (2865).

[63] – Buhariu (7144) dhe Muslimi (1839) me tekstin në fjalë.

[64] – Buhariu (7202) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1867).

[65] – Muslimi (1851).

[66] – Buhariu (6723).

[67] – Muslimi (1836).

[68] – Muslimi (1844).

[69] – Muslimi (1846).

[70] – Buhariu (7052) dhe Muslimi (1843) me pak ndryshim.

[71] – Buhariu (7137) dhe Muslimi (1835).

[72] – Buhariu (7143) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1849).

[73] – Tirmidhiu (2224). Hadithi është Hasen Garib.

[74] – Buhariu (7146) dhe Muslimi (1652).

[75] – Muslimi (1826).

[76] – Muslimi (1825).

[77] – Buhariu (7148).

[78] – Buhariu (7198).

[79] – Ebu Daudi (2932). Hadithi është Sahih sipas kushteve të Muslimit.

[80] – Buhariu (7149) dhe Muslimi (1733)

[81] – Buhariu (24) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (36).

[82] – Buhariu (6117) dhe Muslimi (37).

[83] – Buhariu (9) dhe Muslimi (35).

[84] – Buhariu (6119) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2320).

[85] – Muslimi (1437).

[86] – Buhariu (4005).

[87] – Buhariu (6285) dhe Muslimi (2450) me tekstin në fjalë.

[88] – Buhariu (6289) me version më të shkurtuar dhe Muslimi (2482) me tekstin në fjalë.

[89] – Buhariu (33) dhe Muslimi (59).

[90] – Buhariu (34) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (58).

[91] – Buhariu (3137) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2314)

[92] – Buhariu (1152) dhe Muslimi (1159).

[93] – Buhariu (1417) dhe Muslimi (1016).

[94] – Buhariu (2989) dhe Muslimi (1009).

[95] – Muslimi (2626).

[96] – Buhariu (95).

[97] – Ebu Daudi (4839) dhe Tirmidhiu (3639) nga Usame. Hadithi është Hasen.

[98] – Buhariu (121) dhe Muslimi (118).

[99] – Buhariu (70) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2821).

[100] – Muslimi (689).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *