Rijadus Salihin (701 – 800)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

701 – Muavije ibn Hakem (r.a) tregon: “Kur po faleshim me të Dërguarin e Allahut (a.s) një burrë teshtiu. Unë i thashë: “Allahu të mëshiroftë”. Njerëzit që faleshim më shikuan vëngër. U thashë: “Ah, nëna ime e shkretë, çfarë keni me mua”? Ata filluan t`iu bien kofshëve me pëllëmbë, dhe kur pashë se po më bënin shenjë të heshtja, atëherë unë heshta.” Pasi u fal, i Dërguari i Allahut (a.s) m’u afrua. Për të bëfsha kurban babanë dhe nënën! Nuk kam parë mësues më të mirë se ai. Pasha Allahun, as nuk më qortoi, as nuk më rrahu, as nuk më shau, por vetëm më tha: “Në namaz nuk duhet të flitet me fjalë njerëzish, namazi është tesbih (lavdërim), lartmadhërim (me tekbir) dhe lexim Kurani”, ose siç ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s). Unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Unë sapo jam shkëputur nga periudha e injorancës dhe Allahu na ka nderuar me Islamin, prej nesh ka disa që shkojnë tek fallxhorët?! Ai (a.s) tha: “Mos shkoni tek ata”! Unë thashë: “Prej nesh ka që besojnë në ogure”. Ai (a.s) tha: “Oguri është një ndjenjë që e kanë në zemrat e tyre, mirëpo oguri nuk duhet t’i pengojë nga ajo që kanë nisur për të bërë.”[1]

702 – Irbad ibn Sarije (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut na dha një këshillë rrënqethëse (që ndikoi shumë tek ne) saqë na u dridhën zemrat dhe na lotuan sytë, dhe pastaj ai e tregoi të gjithë hadithin[2]

Kapitulli: Për seriozitetin dhe qetësinë

703 – Aishja (r. a) ka thënë: “Nuk e kam parë kurrë të Dërguarin e Allahut (a. s) të qeshë me gjithë shpirt sa t’i duken bajamet (e fytit); ai vetëm buzëqeshte.”[3]

Kapitulli: Mbi inkurajimin për të ardhur në namaz, në kërkimin e dijes dhe në adhurime të ngjashme me to, me qetësi dhe seriozitet

704 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut se ka thënë: “Kur të thirret ikameti për namaz, mos shkoni duke vrapuar, por shkoni duke ecur dhe me qetësi. Çfarë të arrini prej namazit, faleni, dhe çfarë t’ju ketë ikur, plotësojeni (pas imamit).”[4]

E në transmetimin e tij, imam Muslimi shton: “Nëse ndonjëri prej jush ka ndërmend të falet, atëherë ai është në namaz.”

705 – Nga Ibn Abasi (r.a), transmetohet se ai ishte nisur (nga Arafati) së bashku me Profetin (a.s) Ditën e Arafatit. Profeti (a.s) dëgjoi pas tij zëra të forta shtyrjeje, goditje dhe zëra të deveve. Ai bëri me shenjë me kamxhikun e tij drejt tyre dhe tha: “O njerëz, ecni me qetësi, sepse mirësia nuk është në ngutje.”[5]

Kapitulli: “Nderimi dhe respektimi i mikut”

706 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të nderojë mikun! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të mbajë lidhjet farefisnore! Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit le të thotë fjalë të mira, ose përndryshe le të heshtë!”[6]

707 – Ebu Shurejh, Huvejlid ibn Amër Huzaij (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit le të nderojë mikun dhe ta gostisë atë! Disa të pranishëm pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Sa duhet të zgjasë gostisja për mikun”? Ai tha: “Një ditë dhe një natë, ndërsa mikëpritja zgjat tre ditë. Më shumë se tre ditë konsiderohet sadaka për mikpritësin.”[7]

Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Nuk i lejohet një myslimani të qëndrojë te vëllai i tij (mysliman) derisa ta fusë në mëkat.” Thanë: “O i Dërguar i Allahut, si e fut në mëkat?” Tha: “Qëndron te ai ndërkohë që ai (i zoti i shtëpisë) nuk ka asgjë për ta gostitur (për ta mikpritur) me të.”[8]

Kapitulli: “Pëlqyeshmëria e përgëzimit dhe urimit për të mirat”

708 – Ebu Ibrahim dhe është thënë Ebu Muhamed dhe është thënë Ebu Muavije, Abdullah ibn Ebi Eufa transmeton se Dërguari i Allahut (a.s) i dha lajmin e gëzueshëm Hadixhes (r.a) për një shtëpi në Xhenet prej margaritarësh, në të cilën nuk ka zhurmë e as lodhje.”

709 – Ebu Musa Eshariu (r.a) tregon: “Një ditë mora abdes në shtëpinë time dhe thashë: “Sot do të rri dhe nuk do të ndahem fare nga i Dërguari i Allahut (a.s). Shkova në xhami, pyeta për të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe më thanë: “Ai ka dalë dhe ka ikur andej”. Unë u nisa për tek ai dhe duke pyetur për të, vajta deri tek pusi “Aris”. Unë qëndrova tek porta e kopshtit dhe një degë palme ishte si portë e saj. I Dërguari i Allahut (a.s) pasi kreu nevojat personale, mori abdes. U nisa drejt tij dhe pashë që ai ishte ulur tek pusi “Aris (25 km nga xhamia e Kubasë)”, po qëndronte në mesin e pjesës anësore të pusit, kishte zbuluar këmbët dhe i kishte futur në pus. Unë i dhashë selam, u largova dhe qëndrova tek porta e kopshtit. Thashë: “Sot do të jem portieri i të Dërguarit të Allahut (a.s). Pas pak ia behu Ebu Bekri. Ai shtyu derën (degën e palmës) dhe unë pyeta: “Kush është”? Ai u përgjigj: “Jam Ebu Bekri”. Unë i thashë: “Prit”! Shkova tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Ebu Bekri kërkon leje të vijë këtu”. Ai (a.s) më tha: “Lejoje të vijë dhe përgëzoje me Xhenet”. Unë u ktheva dhe i thashë Ebu Bekrit: “Hyr! I Dërguari i Allahut (a.s) të përgëzon me Xhenet”. Ebu Bekri hyri, u ul në të djathtë të Profetit (a.s) – mbi pjesën rrethuese të pusit – dhe këmbët i futi në pus. Ai veproi njësoj si i Dërguari i Allahut (a.s). Unë u ktheva tek porta, ndërkohë që më parë kisha lënë vëllanë në shtëpi duke marrë abdes. Unë thashë: “Nëse Allahu ia do të mirën filanit – fjala ishte për vëllanë- ndoshta e sjell këtu”. Teksa po mendoja, dera lëvizi. Unë pyeta: “Kush është?! Personi u përgjigj: “Jam Omer ibn Khatabi”. Unë i thashë: “Prit! Shkova tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Omer Ibn Khatabi kërkon leje të vijë”. Ai (a.s) më tha: “Lejoje të vijë dhe përgëzoje me Xhenet”. Unë u ktheva dhe i thashë Umerit: “Hyr! I Dërguari i Allahut (a.s) të përgëzon me Xhenet”. Omeri hyri dhe u ul në të majtë të Profetit (a.s). Unë u ktheva përsëri tek porta dhe thashë: “Nëse Allahu ia do të mirën filanit, do ta sjellë atë”. Dikush lëvizi portën. Unë pyeta: “Kush është?! Ai u përgjigj: “Othman Ibn Afani”. Unë i thashë: “Prit! Shkova tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tregova. Ai (a.s) më tha:

“Lëre të hyjë dhe përgëzoje me Xhenet, si dhe me sprovën që do ta godasë”. Unë u ktheva dhe i thashë: “Futu! I Dërguari i Allahut (a.s) të përgëzon me Xhenet dhe me një sprovë, që do të të godasë”. Ai u fut dhe pa që ana e pusit ishte e zënë, kështu që u ul nga ana tjetër e pusit”. Shurejku thotë, se Said Ibn El-Musejibi ka thënë: “Unë e shpjegoj qëndrimin e tyre në buzë të pusit edhe me pozicionin e varreve të tyre”[9]

Dhe në një transmetim tjetër shtohet: “I Dërguari i Allahut (r.a) më urdhëroi të ruaja derën. Dhe në të thuhet: Kur Othmanit iu dha lajmi i gëzueshëm, ai e lavdëroi Allahun e Lartësuar, pastaj tha: Allahut i kërkojmë ndihmë.”

710 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton: Ne ishim ulur rreth të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe me ne ishin Ebu Bekri (r.a) dhe Omeri (r.a) së bashku me një grup njerëzish. I Dërguari i Allahut (a.s) u largua prej nesh dhe vonoi për t’u kthyer, dhe ne u frikësuam se mund të kishte ndodhur diçka që do ta ndante nga ne. U shqetësuam dhe u ngritëm për ta kërkuar, dhe unë (Ebu Hurejra) isha i pari që u shqetësua. Dola për të kërkuar të Dërguarin e Allahut (a.s), derisa arrita në një kopsht të ensarëve, që i përkiste Benu Nexharit. U vërtita rreth tij duke parë nëse kishte ndonjë derë për të hyrë, por nuk gjeta. Papritur pashë një përrua të vogël që hynte brenda kopshtit nga një pus i jashtëm (përrua i vogël: një rrjedhë e ngushtë uji). U shtrëngova dhe hyra përmes tij te i Dërguari i Allahut (a.s). Ai më tha: “Ebu Hurejra?” Unë thashë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Tha: “Çfarë ke?” Unë i thashë: “Ishe mes nesh dhe u largove, por vonove të ktheheshe, andaj u frikësuam se mos të ndodhte ndonjë ndarje nga ne, u shqetësuam, dhe unë isha i pari që u shqetësua. Erdha në këtë kopsht dhe u futa siç futet dhelpra, dhe këta të tjerët janë pas meje.” Ai tha: “O Ebu Hurejra!” dhe më dha sandalet e tij, pastaj tha: “Shko me këto dy sandale të mia, dhe cilindo që takon pas këtij kopshti, që dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe është i bindur për këtë me zemrën e tij, jepi lajmin e mirë për Xhenetin.”[10] Dhe ai përmendi vazhdimin e hadithit në versionin e gjatë.

711 – Ebu Shumaseh ka thënë: “Ishim prezent në agoninë e vdekjesë së Amër ibn As-it. Ai qau shumë gjatë dhe e ktheu kokën nga muri. Djali i tij tha: “O baba! A nuk të ka përgëzuar i Dërguari i Allahut me këtë e atë?! A nuk të ka përgëzuar i Dërguari i Allahut (a.s) me këtë e atë”?! Ai u kthye nga ne dhe tha: “Gjëja më e mirë me të cilën duhet të përgatitemi është: të dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Unë kam kaluar në tre periudha kohore: Ju e dini se për mua nuk ka pasur njeri më të urryer sesa i Dërguari i Allahut (a.s) dhe shpresoja me të madhe që më jepej mundësia për ta vrarë atë. Nëse do të kisha vdekur duke qenë në këtë gjendje, padyshim unë do të isha prej banorëve të Zjarrit. Kur Allahu futi në zemrën time Islamin, unë shkova tek Profeti (a.s) dhe thashë: “Shtrije dorën e djathtë që të ta jap besën”! Ai shtriu dorën e djathtë, mirëpo unë e tërhoqa dorën time. Ai (a.s) më tha: “Çfarë ke o Amër”? Unë thashë: “Ta jap besën me një kusht”?! Ai (a.s) tha: “Çfarë kushti ke”? Unë thashë: “Të më falen të gjitha mëkatet”?! Ai (a.s) më tha: “A nuk e di ti se Islami e fshin çdo gjë që që ka ndodhur para pranimit të tij? A nuk e di se emigrimi (hixhreti) fshin gjithçka që ka ndodhur më parë dhe se haxhi fshin gjithçka ka ndodhur para  tij”?!

Qysh prej atij çasti, nuk ka pasë njeri më të dashur për mua se i Dërguari i Allahut (a.s), më madhështor se ai në sytë e mi. Aq hijerëndë ishte, saqë nuk i ngopja dot sytë e mi duke e parë. Nëse dikush më kërkon që ta përshkruar atë, nuk mundem pasi nuk i kam ngopur sytë e mi me të. Nëse unë do të vdisja në atë gjendje,  do të shpresoja të isha prej banorëve të Xhenetit.

Më vonë, na u dhanë detyra dhe poste dhe unë nuk e di gjenden time rreth tyre. Kur të vdes mos më vajtoni dhe as mos më përcillni me zjarr. Kur të më varrosni më hidhni dhe’ pak e nga pak. Pastaj qëndroni tek varri im, aq kohë sa duhet për të therur dhe për të ndarë një deve, që të ndjej praninë tuaj dhe të kem mundësi t`iu jap përgjigje të dërguarve (engjëjve) të Zotit tim.”[11]

Kapitulli: Lamtumira e shokut dhe këshilla e tij në rast ndarjeje për udhëtim apo tjetër, lutja për të dhe kërkesa për lutje prej tij.

712 – Zejd ibn Erkam (r.a) – në hadithin që është përmendur në kapitullin e respektit ndaj familjes së të Dërguari të Allahut (a.s) – ka thënë: Një ditë, i Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit për të mbajtur hytbe.  Ai e lavdëroi dhe e madhëroi Allahun, këshilloi dhe përkujtoi, pastaj tha: “O njerëz! Unë jam vetëm një njeri. Së shpejti do të vijë i Dërguari i Zotit tim (Meleku i Vdekjes), dhe unë do t’i përgjigjem (thirrjes së tij). Unë po ju lë mes jush dy gjëra të rënda: e para është Libri i Allahut, në të cilin ka udhëzim dhe dritë. Mbajuni fort pas tij dhe përqafoni atë. Pastaj ai i nxiti njerëzit që të fokusoheshin tek Libri i Allahut dhe të kapeshin pas tij. Pastaj tha: Dhe familja ime! Ju përkujtoj Allahun për të drejtat e familjes sime! Ju përkujtoj Allahun për të drejtat e familjes sime!”[12]

713 – Ebu Sulejman, Malik ibn el-Huuejrith (r.a) ka thënë: “Erdhëm te i Dërguari i Allahut (r.a), ndërsa ishim të rinj afërsisht të një moshe, dhe qëndruam tek ai njëzet netë. I Dërguari i Allahut (a.s) ishte i mëshirshëm dhe i butë. Ai mendoi se ne kishim filluar të ndjenim mall për familjet tona, kështu që na pyeti për familjarët që kishim lënë pas dhe ne e informuam për ta. Pastaj ai tha: Kthehuni tek familjet tuaja, qëndroni me ta, mësojini dhe urdhërojini. Faleni këtë namaz në këtë kohë dhe këtë tjetër në atë kohë. Kur të vijë koha e namazit, le ta thërrasë ezanin njëri prej jush dhe le t’ju prijë në namaz më i madhi prej jush.”[13]

Buhariu ka shtuar në një transmetim të tij: “Dhe faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur.”

714 – Omer ibn Hatabi (r.a) ka thënë: I kërkova leje të Dërguarit të Allahut (a.s) që të shkoj të kryej Umren dhe ai më dha leje. Ai tha: “Mos harro të bësh ndonjë lutje për ne, o vëllai ynë” Ai tha një fjalë që nuk do ta këmbeja me të gjithë botën.”[14]

Në një transmetim tjetër, ai (a.s) tha: “Përfshina në lutjen tënde, o vëllai im”

715 – Salim ibn Abdullah ibn Omeri transmeton se Abdullah ibn Omeri (r.a) i thoshte një njeriu kur kishte ndërmend të nisej për udhëtim: “Afrohu tek unë që të të përcjell, ashtu siç na përcillte i Dërguari i Allahut (a.s)”, i cili na ka pasë thënë: “Të lë amanet te Allahu fenë tënde, besimin tënd dhe fundin e veprave të tua.”[15]

716 – Abdullah ibn Jezid el-Hatmij es-sahabij(r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (r.a), kur donte të përcillte ushtrinë, thoshte: “Ia lë amanet Allahut fenë tuaj, besimin tuaj dhe fundin e veprave tuaja.”[16]

717 – Enesi (r.a) ka thënë: “Erdhi një njeri te Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë dua të nisem për udhëtim, prandaj më jep një këshillë (pajisje shpirtërore). Profeti (a.s) tha: “Allahu të pajistë me devotshmëri. Ai tha: “Më shto diçka (tjetër)!” Ai (a.s)  tha: “Allahu ta faltë mëkatin tënd.” Ai tha: “Më shto diçka (tjetër)!” Ai (a.s) tha: “Allahu ta lehtësoftë të mirën kudo që të jesh.”[17]

Kapitulli: Kërkimi i të mirës (Istihareja) dhe konsoluta

718 – Xhabiri (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) na e mësonte duanë e Istihares, ashtu siç na mësonte suret e Kuranit. Ai (a.s) ka thënë: “Kur dikush nga ju ka ndonjë problem, është në mëdyshje apo e mundon ndonjë hall, të falë dy rekate sunet dhe pas namazit të thotë: “O Allah, unë të lutem, që me diturinë Tënde të pakufishme të më drejtosh tek ajo që është me e mirë për mua! O Allah! Më ndihmo me fuqinë Tënde, me mirësinë Tënde të madhe, sepse Ti je i Plotfuqishmi e unë jam i pafuqishëm, Ti di gjithçka e unë nuk di asgjë, Ti je i dituri mbi çdo të fshehtë. O Allah! Në qoftë se ajo, për të cilën (përmendet arsyeja se për çfarë po e fal namazin) po lutem, është për të mirën e besimit dhe të jetës sime, në qoftë se është për një përfundim të mirë të veprave të mia, tani e në të ardhmen, ma bëj të mundur e ma lehtëso kryerjen e saj dhe më pas më jep begati prej saj! O Allah! Në qoftë se ajo, për të cilën (përmendet arsyeja se për çfarë po e fal namazin) po lutem, është për të keqen e besimit dhe të jetës sime, në qoftë se është për një përfundim të keq të veprave të mia, tani e në të ardhmen, më largo mua nga ajo e bëj të mundur që të më mbulojnë mirësitë e Tua, kudo që të jem dhe më pas më bëj që të kënaqem me të (me caktimin Tënd)”. Gjatë lutjes përmend hallin që ka”[18]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e shkuarjes për në faljen e Bajramit dhe kthimit prej një rruge tjetër

719 – Xhabiri (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) kur ishte dita e Bajramit, kthehej nga një rrugë tjetër (nga ajo që kishte shkuar).”[19]

720 – Nga Ibn Omeri (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) dilte nga rruga e Shexheres (rrugë afër Medinës) dhe hynte nga rruga e Muarresit. Kur hynte në Mekë, hynte nga ana e sipërme e Thenijes, dhe dilte nga ana e poshtme e saj.”[20]

Kapitulli: Pëlqimi i fillimit nga ana e djathtë në çdo gjë që ka të bëjë me nderim, siç janë abdesi, gusli dhe tejemumi.

721 – Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e pëlqente që çdo veprim ta fillonte me dorën e djathtë; kur pastrohej, kur krihej dhe kur mbathte këpucët.”[21]

722 – Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e përdorte dorën e djathtë për abdes dhe për të ngrënë, kurse dorën e majtë e përdorte për t’u pastruar në nevojtore dhe për gjërat e pakëndshme.”[22]

723 – Umu Atije (r.a.) transmeton se Profeti (a.s) u tha atyre, kur po lanin vajzën e tij Zejnebin (r.a.): “Filloni nga ana e djathtë e saj dhe nga vendet ku merret abdesi prej saj.”[23]

724 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kur të mbathni këpucët, fillojeni me këmbën e djathtë dhe kur ti hiqni ato, fillojeni me këmbën e majtë. Këmba e dajthtë përdoret në fillim kur mbathet këpuca dhe është e fundit që hiqet kur zbathet këpuca.”[24]

725 – Hafsa (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahu (a.s) e përdorte dorën e djathtë për ushqimin, pijet dhe veshjen e tij, kurse dorën e majtë për gjëra të tjera (që nuk lidhen me nderin apo pastërtinë).”[25]

726 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Kur të vishni rrobat dhe kur të merrni abdes, filloni me anën tuaj të djathtë.”[26]

727 – Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) erdhi në Mina. Pastaj shkoi te Xhemretu dhe  hodhi (gurët), pastaj shkoi në vendbanimin e tij në Mina dhe therri kurbanin. Pastaj i tha berberit: “Merr!” duke treguar nga ana e tij e djathtë, pastaj nga e majta, dhe pastaj filloi t’ua jepte flokët njerëzve.

Në një transmetim tjetër thuhet: Kur hodhi gurët në xhemretu, therri kurbanin dhe e rrojti kokën, ia zgjati berberit anën e djathtë të kokës dhe ai ia rrojti atë. Pastaj e thirri Ebu Talhën el-Ensariun (r.a) dhe ia dha atij (flokët). Pastaj ia zgjati berberit anën e majtë dhe i tha: “Rruaje!” – dhe ai e rrojti, pastaj ia dha Ebu Talhës dhe i tha: “Ndaji ndërmjet njerëzve.”[27]

Libri: “Etika e ngrënies së ushqimit”

Kapitulli: Thënia “Bismilah” në fillim dhe “Elhamdulilah” në fund (të ushqimit)

728 – Omer ibn Ebu Seleme (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “Para se të hash thuaj: “Bismilah- Me emrin e Allahut! Ha me dorën e djathtë dhe ha atë që ke përpara!”[28]

729 – Aishja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të hani përmendni emrin e Allahut në fillim. Nëse dikush harron të përmendë emrin e Allahut të Lartësuar në fillim, atëherë le të thotë: “Me emrin e Allahut në fillim dhe në mbarim të ushqimit.”[29]

730 – Xhabiri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur njeriu hyn në shtëpinë e tij, e përmend Allahun gjatë hyrjes dhe kur ha ushqimin, shejtani u thotë shokëve të tij: “Nuk ka për ne as bujtinë dhe as ushqim në këtë shtëpi. Kur njeriu hyn në shtëpi dhe nuk e përmend Allahun e Lartësuar, shejtani thotë: “E gjetëm bujtinën”. Nëse njeriu nuk e përmend Allahun e Lartësuar gjatë ngrënies së ushqimit, shejtani thotë: “E gjetëm bujtinën dhe ushqimin për ne.”[30]

731 – Hudhejfe (r.a) tregon: “Kur hanim së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s), ne nuk e zgjasnim dorë (në enë) pa e filluar dhe pa e zgjatur më parë dorën i Dërguari i Allahut (a.s). Njëherë kur po hanim ushqim së bashku me Profetin (a.s), erdhi një shërbëtore, a thua se dikush po e shtyente me nxitim që të vinte. Ajo zgjati dorën të kapte ushqimin, mirëpo i Dërguari i Allahut (a.s) e kapi për dore. Më pas erdhi një beduin, a thua sikur dikush po e shtyente me nxitim. Profeti (a.s) e kapi dorën e tij dhe tha: “Me të vërtetë, shejtanit i lejohet të hajë atë ushqim në të cilin nuk përmendet emri i Allahut të Lartësuar. Shejtani erdhi të hante nëpërmjet kësaj shërbëtoreje, mirëpo unë e kapa për dore. Pastaj ai erdhi që të hante ushqim nëpërmjet këtij beduinit, mirëpo edhe atë e kapa prej dore. Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im!  Dorën e shejtanit e kapa kur kapa duart e tyre, dora e tij (shejtanit) ishte në duart e mia dhe në duart e atyre të dyve”. Më pas, ai (a.s) e përmendi emrin e Allahut të Lartësuar dhe filloi të hante.”[31]

732 – Umeje ibn Mahshij es-Sahabij (r.a) transmeton se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte ulur, dhe një burrë po hante (ushqim), por nuk e përmendi emrin e Allahut (nuk tha Bismilah) derisa i kishte mbetur vetëm një kafshatë nga ushqimi. Kur e ngriti atë kafshatë për ta futur në gojë, tha: Bismil-lahi euuelehū ëe ahirehū (Në emër të Allahut, në fillim dhe në fund). I Dërguari i Allahut (a.s) qeshi dhe tha: Shejtani ka ngrënë bashkë me të gjatë gjithë kohës, por kur ai përmendi emrin e Allahut, ai (shejtani) i volli ato që kishte në bark.”[32]

733 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) po hante ushqim me gjashtë prej shokëve të tij. Një beduin erdhi dhe e hëngri ushqimin me dy kafshata. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Sikur të kishte thënë Bismilah, do t’ju mjaftonte (ushqimi).”[33]

734 – Ebu Umame (r.a) tregon: “Kur Profeti (a.s) ngrinte bezën e bukës thoshte: “Falënderimi i takon Allahut! Falënderim i plotë, i pastër dhe i bekuar. Nuk mund ta kompesojmë këtë begati (vetëm se me falënderim). Zoti ynë! Atë (ushqim, mirësinë Tënde) nuk mund ta lëmë dhe pa të nuk jetojmë dot.”[34]

735 – Muadh ibn Enes (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush thotë pas ngrënjes së ushqimit: “Falënderimi i takon Allahut i Cili më ka dhënë ushqim për të ngrënë dhe më ka furnizuar pa përpjekjen dhe forcën time, do t’i falen mëkatet që ka bërë më parë.”[35]

Kapitulli: Të mos qortohet ushqimi dhe pëlqyeshmëria e lavdërimit të tij

736 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk e ka përbuzuar asnjëherë asnjë ushqim. Nëse i pëlqente, e hante atë dhe nëse nuk e pëlqente, e linte atë.”[36]

737 – Xhabiri (r.a) tregon: “Profeti (a.s) kërkoi nga familjarët melmesë, por ata i thanë: “Kemi vetëm uthull”. Ai kërkoi t’ia sillnin dhe filloi të konsumonte uthullën. Gjatë konsumimit të saj thoshte: “Sa melmesë e mirë është uthulla, sa melmesë e mirë është uthulla.”[37]

Kapitulli: Çfarë duhet të thotë dikush që është i pranishëm në një vakt ndërsa agjëron, nëse nuk e prish agjërimin

738 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse dikush prej jush ftohet për të ngrënë atëherë le t’i përgjigjet ftesës. Nëse është agjërueshëm le të bëjë dua për bereqet për ftuesin dhe nëse nuk është agjërueshëm le të hajë.”[38]

Kapitulli: Çfarë të thuash kur dikush është i ftuar për një vakt ushqimi dhe dikush tjetër e ndjek atë

739 – Ebu Mes’ud Bedriu (r.a) tregon: “Një burrë e ftoi Profetin (a.s) bashkë me pesë të tjerë për një vakt ushqimi. Ata i ndoqi edhe një burrë tjetër. Kur ata mbërritën tek porta (e shtëpisë), Profeti (a.s) i tha të zotit: “Ky na ka ndjekur nga pas, po të duash jepi leje të vijë me ne, përndryshe ai le të kthehet”. I zoti i shtëpisë i tha: “Jo, të mos kthehet. Le të vijë o i Dërguari i Allahut!”[39]

Kapitulli: Ngrënia e asaj që ke përpara, dhënia e këshillës për ata që hanë keq

740 – Omer ibn Ebu Seleme (r.a), kam qenë fëmijë kur qëndroja tek dhoma e të Dërguarit të Allahut (a.s). Kur haja, e vërtitja dorën në enë ngado. I Dërguari i Allahut (a.s) më tha: “O djalë! Përmende Allahun e Lartësuar, ha me dorën e djathtë dhe ha atë që ke përpara!.”[40]

741 – Seleme ibn El Ek’ue (r.a) tregon se një njeri ishte duke ngrënë me të dorën e majtë në prani të Dërguarit të Allahut (a.s). Ai (a.s) tha: Ha me të djathtën! Ai tha: Nuk kam mundësi. Ai (a.s): Ti nuk do të kesh mundësi. Atë nuk e pengoi ta ngrinte dorën veçse mëndjemadhësia. Kështu që ai nuk e ngriti atë në gojë.”[41]

Kapitulli: Ndalimi i krahasimit mes dy hurmave (ose gjërave të ngjashme) përveçse me lejen e shokëve të tij.

742 – Xhebele ibn Suhajm ka thënë: Na zuri një vit i vështirë së bashku me Ibn Zubejrin, dhe na u dha hurma për të ngrënë. Abdullah ibn Omeri (r.a) kalonte pranë nesh ndërsa ne hanim, dhe na thoshte: Mos bëni krahasim (në ngrënie), sepse Profeti (a.s) e ka ndaluar krahasimin. Pastaj shtonte: “Përveç nëse njeriu i kërkon leje vëllait të tij.”[42]

Kapitulli: Çfarë thotë dhe çfarë bën ai që ha dhe nuk ngopet

743 – Vahsh ibn Harbi (r.a) tregon: “ Sahabët i thanë Profetit (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Ne hamë, por nuk ngopemi”. Ai (a.s) tha: “Mos vallë hani veç e veç”? Ata thanë: “Po”. Ai (a.s) tha:“Mblidhuni së bashku për të ngrënë dhe përmendeni emrin e Allahut që t’ju japë bereqet në ushqim.”[43]

Kapitulli: Urdhri për të ngrënë nga anët e enës dhe ndalimi i të ngrënit nga mesi i saj

744 – Ibn Abasi (r.a) transemton se i Profeti (a.s) ka thënë: Bereqeti zbret në mesin e ushqimit, prandaj hani nga skajet e tij dhe mos hani nga mesi i tij.”[44]

745 – Abdullah ibn Busr (r.a) ka thënë: Pejgamberi (a.s) kishte një enë të madhe ushqimi, e cila quhej “el-Garra”, të cilën e mbanin katër burra për ta transportuar. Kur erdhi koha e duhasë dhe kishin falur namazin e duhasë, u soll ajo enë, pra, në të ishte thërrmuar buka (ishte përgatitur ushqimi). Ata u mblodhën rreth saj. Kur u shtuan njerëzit, i Dërguari i Allahut (a.s) u ul mbi gjunjë. Një beduin tha: “Ç’është kjo mënyrë e të ulurit?” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Vërtet Allahu më ka bërë një rob fisnik, dhe nuk më ka bërë një tiran krenar e kryeneç.” Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Hani nga anët e saj dhe lini majën e saj, që të bekohet ajo.”[45]

Kapitulli: Papëlqyeshmëria të ngrënit duke qenë i shtrirë (i mbështetur)

746 – Vehb ibn Abdullahu (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Unë nuk ha duke qenë i mbështetur në bërryla (ije).”[46]

747 – Enesi (r.a) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) këmbëkryq duke ngrënë hurma.”[47]

Kapitulli: “Pëlqimi i të ngrënit me tre gishta, pëlqimi lëpirjes së gishtave dhe urrejtja për fshirjen e tyre para se të lëpihen, pëlqimi i lëpirjes së enës dhe marrja e kafshatës që bie prej saj dhe ngrënia e saj, si dhe lejueshmëria e fshirjes së gishtave pas lëpirjes me parakrah, këmbë apo të tjera.”

748 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të hani, mos i fshini gishtat pa i lëpirë më parë ato.”[48]

749 – Ka’b ibn Malik (r.a) ka thënë: E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) të hante me tre gishta. Pasi mbaronte (së ngrëni) i lëpinte ato.”[49]

750 – Xhabir ibn Abdullahu (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) na ka porositur që kur të mbarojmë ushqimin të lëpijmë gishtat dhe të ngjyejmë enët. Ai (a.s) na ka thënë:“Vërtet ju nuk e dini se në cilën prej tyre është bereqeti”[50]

751 – Xhabiri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Nëse dikujt prej jush i bie kafshata (ushqimi) në tokë, atëherë le ta marrë, ta pastrojë dhe pastaj ta hajë, e të mos ia lërë atë shejtanit. Duart të mos i fshijë me mindil pa i lëpirë gishtat më parë, pasi ju nuk e dini se në cilën pjesë të ushqimit është bereqeti.”[51]

752 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Vërtet, shejtani është i pranishëm tek ndonjëri prej jush në çdo çështje të tij, madje ai është i pranishëm edhe kur ha ushqim. Prandaj, nëse ndonjërit prej jush i bie ndonjë kafshatë, le ta marrë atë, le ta pastrojë nga ndonjë papastërti që mund të ketë dhe më pas le ta hajë, e të mos ia lërë shejtanit. E kur të mbarojë (së ngrëni), le t’i lëpijë gishtat, sepse  ai nuk e di në cilën pjesë të ushqimit qëndron bereqeti.”[52]

753 – Enesi (r.a) transmeton se kur i Dërguari i Allahut (a.s) përfundonte së ngrëni i lëpinte gishtat tre herë dhe pastaj tha: Nëse dikujt prej jush i bie kafshata (ushqimi) në tokë, atëherë le të heqë atë që është bërë pis dhe pastaj le ta hajë atë e mos t’ia lërë atë shejtanit. Dhe ai ka urdhëruar që ushqimi në sahan të ngjyhet (pa lënë asgjë në të) sepse ju nuk e dini se në cilën pjesë të ushqimit është bereqeti.”[53]

754 – Nga Seid ibn Harith transmetohet se ai e pyeti Xhabirin (r.a.) për abdesin pas prekjes së diçkaje që ka kaluar në zjarr (pra ushqim të gatuar), dhe ai tha: “Jo (nuk është e domosdoshme). Ne në kohën e Pejgamberit (a.s) nuk gjenim ushqim të tillë përveçse rrallë. E kur e gjenim, nuk kishim peshqirë (për t’u pastruar), përveç duarve, parakrahëve dhe këmbëve tona. Pastaj falnim namaz dhe nuk merrnim abdes (pas ngrënies së atij ushqimi).”[54]

Kapitulli: “Inkurajimi për të pasur shumë duar (njerëz) mbi ushqim”

755 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Ushqimi i përgatitur për dy persona është i mjaftueshëm për tre persona dhe ushqimi i përgatitur për tre persona është i mjaftueshëm për katër persona.”[55]

756 – Xhabiri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ushqimi i përgatitur për një person mjafton edhe për dy persona. Ushqimi i përgatitur për dy persona mjafton edhe për tre persona. Ushqimi i përgatitur për katër persona mjafton edhe për tetë persona.”[56]

Kapitulli: Etika e të pirit; rekomandohet të merret frymë tri herë jashtë enës, dhe është e papëlqyeshme të merret frymë brenda në enë. Rekomandohet që ena të kalohet në të djathtë, pastaj te personi në të djathtë të tij, pas atij që ka filluar.

757 – Enesi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) merrte frymë tre herë gjatë pirjes së ujit.”[57] D.m.th. pinte pak dhe merrte frymë jashtë enës. Këtë e bënte tre herë.

758 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos pini me një frymë siç pi deveja, por pini nga dy ose tri herë. Thoni bismilah kur pini dhe falënderoni (Allahun) kur ta keni mbaruar (pirjen).”[58]

759 – Ebu Katade (r.a) tregon: “Profeti (a.s) e ka ndaluar që të fryhet brenda enës (së pijes apo ushqimit).”[59]

760 – Enesi (r.a) transmeton se të Dërguarit të Allahut (a.s) iu soll një enë me qumësht të përzier me ujë. Në të djathtën e tij ishte një beduin, ndërsa në të majtën e tij ishte Ebu Bekri (r.a). Ai (a.s) piu prej tij, pastaj ia dha beduinit duke thënë: “Nga e djathta në të djathtë.”[60]

761 – Sehl ibn Sa’di (r.a) tregon se të Dërguarit të Allahut (a.s) i sollën pije dhe ai piu. Në të djathtë të tij ishte një djalosh, kurse në të majtë ishin të moshuarit. Ai iu drejtua djaloshit dhe i tha: A më jep leje që t’i japë për të pirë këtyre (të moshuarve)? Djaloshi tha: Jo. Pasha Allahun! O i Dërguar i Allahut, nuk do të më pëlqente që dikush tjetër të kishte nderin të pinte nga ajo që ke pirë ti. I Dërguari i Allahut (a.s) ia dha atë atij.”[61]

Kapitulli: Mospëlqimi i pirjes nga gryka e enës së ujit (lëkura apo të ngjashme me të) dhe sqarimi se kjo është një mospëlqim (këshillë për mosveprim) i lehtë  dhe jo ndalim i prerë (haram).

762 – Ebu Said Hudriu (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ka ndaluar t’i thyhen buzët kacekut të ujit për të pirë ujë në to.”[62]

763 – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ka ndaluar të pihet në grykën e kacekut apo të calikut.”[63]

764 – Umu Thabit, Kebshete bintu Thabitin, motra e Hasan ibn Thabitit (r.a) ka thënë: “Më erdhi në shtëpi i Dërguari i Allahut (a.s), dhe piu ujë në këmbë nga gryka e një lëkure uji që ishte e varur. Më pas, unë shkova te ajo grykë dhe e preva atë (për ta ruajtur si kujtim).”[64]

Kapitulli: Mospëlqimi i fryrjes së ushqimit (në enë)

765 – Ebu Se’id el-Hudri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ndaloi të fryhet në pije. Një njeri tha: “Po kur në enë shoh disa papastërti?” Ai (a.s) tha: “Hiqe atë.” Njeriu tha: “Unë nuk pi nga një frymë e vetme (pra, dua të pi më shumë).” Ai (a.s) tha: “Atëherë tërhiq gotën larg nga ti.”[65]

766 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ndaloi që të merret frymë brenda enës, ose që të fryhet në të.”[66]

Kapitulli: Sqarimi i lejimit të pirit në këmbë dhe sqarimit se më e plotë dhe më e mirë është të pish ulur

767 – Ibn Abasi (r.a) tregon: “I dhashë Profetit (a.s) ujë zemzemi dhe ai e piu në këmbë.”[67]

768 – Nezal ibn Sebre (r.a) ka thënë: “Aliu (r.a) erdhi në portën Rahbeh, piu (ujë) në këmbë dhe tha: “Kështu kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) të veprojë.”[68]

769 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) ne hanim ndërsa ecnim, dhe pinim ndërsa ishim në këmbë.”[69]

770 – Amr ibn Shuajb transmeton nga babai i tij, nga gjyshi i tij (r.a) se ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) të pijë në këmbë dhe ulur.”[70]

771 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) e ndaluar një burrë që të pinte në këmbë. Katade tha: I thamë Enesit: Po për të ngrënë? Ai tha: Kjo është më e keqe ose më e ndytë.”[71]

Dhe në një transmetim tjetër po nga Enesi transmetohet se Profeti (a.s) ka qortuar të pihet në këmbë.

772 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Askush prej jush mos të pijë në këmbë! Kush harron (dhe është duke pirë në këmbë) atëherë le të ulet!”[72]

Kapitulli: Rekomandimi për atë që shërben pijen të jetë i fundit që pi

773 – Ebu Katade (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë:“Personi që u shërben njerëzve ujë, duhet të pijë i fundit.”[73]

Kapitulli: Lejimi i pirjes nga të gjitha enët e pastra, përveç atyre prej ari dhe argjendi, dhe lejimin e pirjes drejtpërdrejt me gojë nga lumi apo diçka tjetër, pa përdorur enë ose dorë, si dhe ndalimi i përdorimit të enëve prej ari dhe argjendi për të pirë, ngrënë, pastrim ritual dhe për çdo formë tjetër përdorimi

774 – Enesi (r.a) ka thënë: Erdhi koha e namazit, dhe kush ishte afër shtëpisë shkoi te familja e vet, ndërsa disa njerëz mbetën (në vend). I Dërguari i Allahut (a.s) solli një enë uji prej guri, e cila ishte aq e vogël sa nuk zinte dot as pëllëmbën e tij. E megjithatë, nga ajo enë të gjithë njerëzit morën abdes. I thanë: Sa ishit? Tha: Tetëdhjetë e më shumë.”[74]

Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: Profeti (a.s) kërkoi një enë me ujë, dhe i sollën një tas të gjerë në të cilin kishte pak ujë. Ai vendosi gishtat e tij në të. Enesi (r.a) thotë: Fillova të shikoja ujin duke buruar nga mes gishtave të tij, dhe vlerësova se morën abdes prej tij rreth shtatëdhjetë deri në tetëdhjetë vetë.

775 – Abdullah ibn Zejd (r.a) ka thënë: Na erdhi Profeti (a.s), dhe ne nxorëm për të ujë në një legen prej bakri, e ai mori abdes.”[75]

776 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (r.a) hyri tek një burrë nga ensarët, dhe me të ishte edhe një shok i tij, e i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Nëse ke ndonjë ujë që ka qëndruar natën në lëkurë (enë prej lëkure), mirë, përndryshe do të pimë drejtpërdrejt me gojë (nga burimi).”[76]

777 – Hudhejfe (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) na ka ndaluar të veshim mëndafsh e armaç dhe na ka ndaluar të pijmë në enët prej floriri dhe argjendi. Ai (a.s) ka thënë:“Ato janë për ta (jobesimtarët) në Dynja dhe për ju në Ahiret.”[77]

778 – Umu Seleme (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Ai që pi në enë argjendi, në të vërtetë po përcjell në barkun e tij zjarr nga  Xhehenemi.”[78]

Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Vërtet, ai i cili ha dhe pi nga ena e arit dhe argjendit.”

Dhe në një tranametim tjetër të tij thuhet: “Kush pi nga një enë ari apo argjendi, në të vërtetë po përcjell në barkun e tij zjarr nga Xhehenemi.”

Libri: Veshja

Kapitulli: Rekomandimi për të veshur rroba të bardha dhe lejimi i veshjes së rrobës së kuqe, jeshile të verdhë dhe të zesë. Lejimi i veshjes së tyre prej pambuku, liri, leshi dhe materialesh të tjera përveç mëndafshit

779 – Ibn Abasi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vishni rroba të bardha, pasi ato janë rrobat më të mirat! I qefinosni të vdekurit tuaj me rroba të bardha!”[79]

780 – Semure (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vishni rroba të bardha, sepse ato janë më të pastra, më të mira dhe qefinosini të vdekurit tuaj me to (qefin të bardhë)!”[80]

781 – Bera (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte me shtat mesatar. E kam parë atë të veshur me një rrobë të kuqe dhe nuk kam parë kurrë diçka më të bukur se ajo.”[81]

782 – Ebu Xhuhfe, Uehb ibn Abdullahu (r.a) ka thënë: “E kam parë Profetin (a.s) në Mekë, ndërsa ishte në vendin e quajtur El-Ebtah, brenda një tende të tij të kuqe prej lëkure. Bilali doli me ujë për abdesin e tij (të Profetit), dhe njerëzit morën ujë: dikush spërkatej me të, e dikush e merrte për vete. Pastaj Profeti (a.s) doli, kishte veshur një mantel të kuq, dhe më dukej sikur po shihja bardhësinë e kërcinjve të tij. Ai mori abdes dhe Bilali thirri ezanin. Fillova të shikoja gojën e tij (të Bilalit) që lëvizte këtu dhe atje, kur thoshte djathtas dhe majtas: Ejani në namaz! Ejani në shpëtim!” Pastaj atij iu vendos një shkop i vogël, dhe ai doli përpara dhe fali namazin, ndërkohë që përpara tij kalonin qeni dhe gomari, por nuk e pengonin.”[82]

783 – Ebu Rimthete, Rifaete et – Tejmi (r.a) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) se kishte veshur dy rroba të gjelbra.”[83]

784 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dwrguari i Allahut (a.s), në Ditën e Çlirimit të Mekës hyri (në Mekë) dhe ai kishte veshur një çallmë të zezë.”[84]

785 – Ebu Seid, Amr ibn Hurejth (r.a) ka thënë: Sikur po e shoh të Dërguarin e Allahut (a.s), dhe mbi të kishte një çallmë të zezë, skajet e së cilës i kishte lëshuar midis shpatullave të tij.”[85]

Dhe në një transmetim tjetër, po prej tij: “I Dërguari i Allahut (a.s) i mbajti njerëzve një hytbe dhe (në kokë) kishte një çallmë të zezë.”

786 – Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (r.a ) u mbështoll (me qefin) në tre çarçafë të bardhë nga materiali sahuli prej pambuku, në të cilat nuk kishte këmishë e as çallmë.”[86]

787 – Aishja (r.a) ka thënë: “Një mëngjes, i Dërguari i Allahut (a.s) doli (nga shtëpia) dhe kishte veshur një mantel me mbështjellje (zbukurim) dhe të bërë prej leshi të zi.”[87]

788 – Mugire ibn Shu’be (r.a) ka thënë: “Një natë isha me të Dërguarin e Allahut (a.s) gjatë një udhëtimi. Ai më tha: “A ke ujë me vete?” Unë i thashë: “Po.” Pastaj ai zbriti nga kafsha e tij dhe eci derisa u zhduk në errësirën e natës. Pastaj u kthye dhe unë derdha ujë nga enëza mbi të. Ai lau fytyrën, ndërkohë që kishte veshur një mantel prej leshi dhe nuk mundi t’i nxirrte krahët prej tij, kështu që i nxori nga poshtë mantelit. Pastaj lau krahët e tij, fshiu kokën dhe kur u përpoqa t’ia hiqja mestet (çorapet prej lëkure), ai tha: “Lëri ashtu, sepse i kam veshur duke qenë i pastër.” Dhe fshiu mbi to.”[88]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai kishte veshur një mantel nga Shami me mëngë të ngushta”

Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Kjo ngjarje ka ndodhur në betejën e Tebukut.”

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e veshjes së këmishës

789 – Umu Seleme (r.a) ka thënë: “Rroba më e dashur e të Dërguarit të Allahut (a.s) ishte veshja e këmishës.”[89]

Kapitulli: Përshkrimi i gjatësisë së këmishës, mëngëve, izarit (rrobës së poshtme) dhe skajit të çallmës; ndalimi i tërheqjes zvarrë të ndonjërit prej tyre nga mendjemadhësia dhe pëlqyeshmëria e shmangies së kësaj edhe kur nuk bëhet nga mendjemadhësia

790 – Esma bintu Jezid el – Ensarije (r.a): “Mënga e këmishës së të Dërguarit të Allahut (a.s) arrinte deri te kyçi i dorës.”[90]

791 – Ibn Omer (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu nuk ka për ta parë në Ditën e Kiametit atë person që me mendjemadhësi e tërheq zvarrë rrobën e tij”. Ebu Bekri tha: “O i Dërguar i Allahut! Rroba që unë vesh, më bie poshtë kyçeve. Më qëndron për trupi vetëm nëse e shtrëngoj fort atë. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha atij: “Ti nuk je nga ata që e bëjnë këtë gjë për mendjemadhësi.”[91]

792 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Allahu nuk ka për ta parë në Ditën e Kiametit atë njeri, i cili me mendjemadhësi e tërheq zvarrë rrobën e tij.”[92]

793 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Pjesa e rrobës që mbulon kyçet e këmbëve, do të jetë në Zjarr.”[93]

794 – Ebu Dherri tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu nuk do t`u flasë tre personave, as nuk do t`i shikojë ata, as nuk do t`i pastrojë dhe për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” Profeti (a.s) e përsëriti tre herë këtë frazë. Ebu Dherri tha: “Ata qenkan të shkatërruar dhe të humbur. Kush janë ata o i Dërguar i Allahut”? Ai (a.s) tha: “Ata janë: një person që i mban rrobat poshtë kyçeve të këmbëve, personi që të kujton atë që të ka dhënë dhe ai që e shet mallin, duke u betuar rrejshëm.”[94]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai që i vesh rrobat poshtë kyçeve të këmbës”

795 – Ibn Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që e tërheq rrobën, këmishën dhe çallmwn e tij duke u treguar mëndjemadh, Allahu nuk ka për ta parë në Ditën e Kiametit.”[95]

796 – Xhurej Xhabir ibn Sulejmi (r.a) ka thënë: Pashë një burrë, njerëzit orientoheshin sipas mendimit të tij; ai nuk thoshte asgjë, veçse ata e ndiqnin atë. Unë thashë: “Kush është ky?” Ata thanë: “Ky është i Dërguari i Allahut (a.s).” I thashë: “Mbi ty qoftë paqja o i Dërguar i Allahut!” (dy herë). Ai tha: “Mos thuaj: Mbi ty qoftë paqja’ ,sepse ‘mbi ty qoftë paqja’ është përshëndetja e të vdekurve. Thuaj: ‘Es-selamu alejke’ (Paqja qoftë mbi ty).” Pastaj i thashë: “A je ti i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Unë jam i Dërguari i Allahut, Ai që kur të godet ndonjë e keqe dhe e lut Atë, Ai ta largon; kur të kaplon thatësira dhe e lut Atë, Ai bën që toka të mbijë për ty; dhe kur ndodhesh në një tokë të shkretë apo në shkretëtirë dhe humbet kafsha jote, e lut Atë dhe Ai ta kthen atë.” I thashë: “Më jep një këshillë!” Ai tha: “Mos e fyej askënd!” Dhe pas kësaj nuk e kam fyer asnjë njeri të lirë, as ndonjë skllav, as deve, as dele. Ai tha gjithashtu: “Mos e nënvlerëso asnjë vepër të mirë, edhe nëse është që t’i flasësh vëllait tënd me fytyrë të buzëqeshur, sepse kjo është një vepër e mirë. Mbaje izarin (rrobën e poshtme) të ngritur deri në gjysmën e kërcirit, e nëse nuk mundesh, atëherë deri te kyçet e këmbës. Ruaju nga tërheqja zvarrë e izarit, sepse ajo është nga mendjemadhësia, dhe Allahu nuk e do mendjemadhësinë. Nëse dikush të shan ose të përqesh për diçka që ti e ke (si mangësi), mos e qorto për diçka që ti e di tek ai, sepse barra e kësaj do të jetë mbi të.”[96]

797 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Ndërsa një burrë po falej me izarin (rrobën e poshtme) të tërhequr zvarrë, i Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Shko dhe merr abdes.” Ai shkoi, mori abdes dhe u kthye. Pastaj Profeti (a.s) i tha sërish: “Shko dhe merr abdes.” Një burrë i tha: “O i Dërguar i Allahut, përse i the të marrë abdes dhe pastaj heshtët ndaj tij?” Ai tha: “Ai po falej duke e tërhequr izarin zvarrë, dhe vërtet Allahu nuk e pranon namazin e një njeriu që e tërheq izarin e tij (zvarrë nga mendjemadhësia).”[97]

798 – Kajsi ibn Bishri et-Taglibij ka thënë: Më tregoi babai im – që ishte shok i Ebu Dardait – dhe tha: Në Damask ishte një burrë prej shokëve të Profetit (a.s), që quhej Sehl ibn Handhalije. Ai ishte një njeri që rrinte i tërhequr, rrallë ulej me njerëzit. Koha e tij ishte vetëm për namaz; kur e përfundonte atë, merrej me tesbih dhe tekbir, derisa shkonte në shtëpi. Një ditë kaloi pranë nesh, ndërsa ne ishim tek Ebu Dardai, i cili i tha: “Na thuaj një fjalë që na bën dobi dhe ty nuk të dëmton.” Ai tha: “I Dërguari i Allahut (a.s) dërgoi një ekspeditë ushtarake. Kur ata u kthyen, një burrë nga ta u ul në vendin ku ulej i Dërguari i Allahut dhe i tha një tjetri pranë tij: ‘Sikur të na kishe parë kur u përballëm me armikun! Filani sulmoi dhe goditi, pastaj tha: Merre këtë nga unë, unë jam djali i vogël nga fisi Gifar!’. Si të duket kjo që tha?” Ai tha: “Nuk e shoh ndryshe veçse ia prishi shpërblimin.” Një tjetër, kur e dëgjoi këtë, tha: “Unë nuk shoh ndonjë problem në këtë.” Ata patwm mosmarrëveshje (në mendime)mes tyre, derisa lajmi mbërriti tek Profeti (a.s), i cili tha: “Subhanallah! Nuk ka problem që njeriu të shpërblehet dhe të lavdërohet për veprën e tij.” Unë e pashë Ebu Dardain që u gëzua nga kjo fjalë, e ngriti kokën për nga ai dhe i tha: “A e dëgjove këtë nga i Dërguari i Allahut (a.s)?” Ai tha: “Po.” Ai e përsëriste pyetjen aq shumë, sa mendova se do binte në gjunjë për ta dëgjuar më mirë. Një ditë tjetër ai kaloi (përsëri) pranë nesh, dhe Ebu Dardai i tha: “Na thuaj një fjalë që na bën dobi dhe ty nuk të dëmton.” Ai tha: “Na ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): ‘Ai që shpenzon për kuajt (në rrugën e Allahut), është si ai që ka shtrirë dorën për bamirësi dhe nuk e tërheq atë (pra, e jep pa kursim).’ Pastaj kaloi një ditë tjetër dhe Ebu Dardai i tha: “Na thuaj një fjalë që na bën dobi dhe ty nuk të dëmton.” Ai tha: “Na ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s): ‘Çfarë njeriu i mirë është Hurejm el-Esedij, nëse nuk do ta kishte të gjatë flokun dhe nuk do e tërhiqte izarin (rrobën e poshtme).’ Kur kjo i shkoi në vesh Hurejmit, ai shpejtoi, mori një brisk dhe i preu flokët deri tek veshët e tij, dhe e ngriti izarin deri në mesin e këmbëve. Pastaj kaloi një ditë tjetër dhe Ebu Dardai i tha: “Na thuaj një fjalë që na bën dobi dhe ty nuk të dëmton.” Ai tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: ‘Ju po shkoni tek vëllezërit tuaj. Ndreqni pajisjet tuaja dhe rrobat tuaja, që të jeni si një nishan i bukur mes njerëzve, sepse Allahu nuk e do as vulgaritetin, as sjelljen e shëmtuar.”[98]

799 – Ebu Seid El – Hudri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Izari (rroba e poshtme) e myslimanit duhet të jetë deri në mesin e këmbës (së poshtme), dhe nuk ka ndonjë problem (ose: nuk është mëkat) nëse është mes tij dhe kyçeve të këmbëve. Por ajo që është poshtë kyçeve të këmbëve është në zjarr (dënim). Ndërsa kush e tërheq izarin e tij me mendjemadhësi, Allahu nuk do ta shikojë atë (me mëshirë) në Ditën e Kiametit.”[99]

800 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “Kalova pranë të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe në izarin (rrobën e poshtme) time kishte lëshim (ishte e varur poshtë). Ai tha: O Abdullah, ngrije izarin tënd! Dhe unë e ngrita. Pastaj më tha: Edhe më shumë!dhe unë e ngrita më tepër. Që atëherë vazhdova ta mbaja me kujdes (në nivelin e duhur). Disa prej njerëzve i thanë: Deri ku (duhet ngritur)? Ai tha: Deri në mesin e kërcirit (këmbës).”[100]

[1] – Muslimi (537).

[2] – Ebu Daudi (4607) dhe Tirmidhiu (2676). Hadith autentik.

[3] – Buhariu (6092) dhe Muslimi (899).

[4] – Buhariu (635) dhe Muslim (602).

[5] – Buhariu (1671) dhe Muslimi (1282) me version më të shkurtuar.

[6] – Buhariu (6138) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (47).

[7] – Buhariu (6019) dhe Muslimi (48).

[8] – Buhariu (1791) dhe Muslimi (2433).

[9] – Buhariu (3674) dhe Muslimi (2403).

[10] – Muslimi (31).

[11] – Muslimi (121).

[12] – Muslimi (2408).

[13] – Buhariu (631) dhe Muslimi (674).

[14] – Ebu Daudi (1498). Hadithi është i dobët.

[15] – Tirmidhiu (3442). Hadithi është Hasen Sahih.

[16] – Ebu Daudi (2601). Hadithi është Sahih.

[17] – Tirmidhiu (3444). Hadithi është Hasen Garib.

[18] – Buhariu (1163).

[19] – Buhariu (986).

[20] – Buhariu (1533) dhe Muslimi (1257).

[21] – Buhariu (168) dhe Musimi (268).

[22] – Ebu Daudi (33). Hadithi është Sahih.

[23] – Buhariu (167) dhe Muslimi (939).

[24] – Buhariu (5855) dhe Muslimi (2097).

[25] – Ebu Daudi (32). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.

[26] – Ebu Daudi (4141), Tirmidhiu (1766) dhe Ibn Maxheh (402). Hadithi është Sahih.

[27] – Buhariu (171) dhe Muslimi (1305) me tekstin në fjalë.

[28] – Buhariu (5376) dhe Muslimi (2022).

[29] – Ebu Daudi (3767) me tekstin në fjalë dhe Tirmidhiu (1858). Hadithi është Sahih.

[30] – Muslimi (2018).

[31] – Muslimi (2017).

[32] – Ebu Daudi (3768) dhe Nesaiu (282). Hadithi është Sahih.

[33] – Tirmidhiu (1858). Hadithi është Sahih.

[34] – Buhariu (5458).

[35] – Ebu Daudi (4043) dhe Tirmidhiu (3458). Hadithi është Hasen.

[36] – Buhariu (5409) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2064).

[37] – Muslimi (2052).

[38] – Muslimi (131).

[39] – Buhariu (2081) dhe Muslimi (2026) me tekstin në fjalë.

[40] – Buhariu (5376) me tekstin në fjlaë dhe Muslimi (2202).

[41] – Muslimi (2021).

[42] – Buhariu (5446) dhe Muslimi (2045).

[43] – Ebu Daudi (3764). Hadithi është Hasen.

[44] – Ebu Daudi (3772) dhe Tirmidhiu (1805). Hadithi është Hasen Sahih.

[45] – Ebu Daudi (3773). Hadithi është Sahih.

[46] – Buhariu (5398).

[47] – Muslimi (2044).

[48] – Buhariu (5456) dhe Muslimi (2031) me tekstin në fjalë.

[49] – Muslimi (2032).

[50] – Muslimi (2033).

[51] – Muslimi (2033).

[52] – Muslimi (2033).

[53] – Muslimi (2034).

[54] – Buhariu (5457).

[55] – Buhariu (5392) dhe Muslimi (2058)

[56] – Muslimi (2059).

[57] – Buhariu (5631) dhe Muslimi (2028) me tekstin në fjalë.

[58] – Tirmidhiu (1885). Hadithi është Daif.

[59] – Buhariu (5630) dhe Muslimi (267) me tekstin në fjalë.

[60] – Buhariu (5612) dhe Muslimi (2029) me pak ndryshim.

[61] – Buhariu (2451) me tekstin në fjalë dhe (2030).

[62] – Buhariu (5624) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2023).

[63] – Buhariu (5627) dhe Muslimi (1609).

[64] – Tirmidhiu (1892) dhe Ibn Maxheh (2423). Hadithi është Sahih.

[65] – Tirmdhiu (1887). Hadithi është Sahih.

[66] – Ebu Daudi (3728), Tirmidhiu (1888) dhe Ibn Maxheh (3428). Hadithi është Sahih.

[67] – Buhariu (1637) dhe Muslimi (2027).

[68] – Buhariu (5615).

[69] – Tirmidhiu (1880) dhe Ibn Maxheh (3301). Hadithi është Hasen Sahih.

[70] – Tirmidhiu (1883). Hadithi është Hasen.

[71] – Muslimi (2024)

[72] – Muslimi (2026).

[73] – Tirmidhiu (1894). Hadithi është Sahih.

[74] – Buhariu (3575) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2279).

[75] – Buhariu (197).

[76] – Buhariu (5621).

[77] – Buhariu (5632) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2067).

[78] – Buhariu (5634) dhe Muslimi (2065).

[79] – Ebu Daudi (3878) dhe Tirmidhiu (994). Hadithi është Sahih.

[80] – Nesaiu (1896), Tirmidhiu (2810) dhe Ibn Maxheh (3567). Hadithi është Sahih.

[81] – Buhariu (3551) dhe Muslimi (2337).

[82] – Buhariu (579) dhe Muslimi (503).

[83] – Ebu Daudi (4065) dhe Tirmidhiu (2812). Hadithi është Sahih.

[84] – Muslimi (1358).

[85] – Muslimi (1359).

[86] – Buhariu (1286) dhe Muslimi (941).

[87] – Muslimi (2081).

[88] – Buhariu (5799) dhe Muslimi (273).

[89] – Ebu Daudi (4025) dhe Tirmidhiu (1762). Hadithi është Hasen.

[90] – Ebu Daudi (4027) dhe Tirmidhiu (1765) me tekstin në fjalë. Hadithi është Hasen.

[91] – Buhariu (3665).

[92] – Buhariu (5788) dhe Muslimi (2087).

[93] – Buhariu (5787).

[94] – Muslimi (106).

[95] – Ebu Daudi (4094) dhe Ibn Maxheh (3576). Hadithi është Sahih.

[96] – Tirmidhiu (4084). Hadithi është Sahih.

[97] – Ebu Daudi (4086). Hadithi është Daif.

[98] – Ebu Daudi (4089). Hadithi është Hasen.

[99] – Ebu Daudi (4093). Hadithi është Sahih.

[100] – Muslimi (2086).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *