Sa shumë kemi nevojë për bindjen dhe besimin tek Allahu!
Sa çudi me ne! Çfarë është ajo që e dobëson besimin tonë dhe na bën të luhatemi kur ne e dimë shumë mirë se Allahu i Lartësuar në hadithin kudsij ka thënë:“Unë jam në mendimit që robi Im ka për Mua. Le të mendojë robi Im për Mua si të dojë!”
Pse nuk qetësohen zemrat tona, e Allahu na thotë: “Dhe Allahu nuk do ta humbte besimin tuaj; Allahu është i Butë dhe Mëshirëplotë ndaj njerëzve.”
Pse nuk ndjejmë siguri dhe përse na dobësohet besimi? Sakaq Allahu zbriti për të Dërguarin e Tij (a.s) suren Enbija, ku në të përmenden disa histori të njëpasnjëshme që janë tregues i përkujdesjes së Tij ndaj besimtarëve:
Allahu tregon se si Ejubi (a.s) e luti Atë dhe Ai iu përgjigj.
Allahu tregon se si Zekerija (a.s) e luti Atë dhe Ai iu përgjigj.
Allahu tregon se si Junusi(a.s) e luti Atë dhe Ai iu përgjigj…
Pse nuk prehen zemrat tona, e Allahu na ka urdhëruar të lutemi dhe na ka premtuar se do i përgjigjet lutjes tonë: “Më thërrisni, Unë do t’ju përgjigjem.”
Pse e rëndojmë veten dhe nuk ia lëmë çështjen tonë Allahut, i Cili ka thënë: “Kushdo që mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton atij.”
Si mund të frikësohemi apo të hidhërohemi, e Allahu na ka treguar historinë e nënës së Musait (a.s ), e cila e hodhi foshnjën e saj në lum dhe ia dorëzoi çështjen e saj Allahut? Ai ia ktheu atë në gjendjen më të mirë, si nderim për të dhe përmbushje të premtimit të Tij, që kurrë nuk dështon: “Kështu Ne ia kthyem atë nënës së tij, që të gëzohej dhe të mos hidhërohej, dhe që të dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë, megjithëse shumica e njerëzve nuk e dinë.”
Si mund të frikësohemi apo të trishtohemi kur ne e dimë se vendimet dhe caktimi i Allahut për robërit e Tij janë të pashmangshme: “Ne e kemi krijuar çdo gjë me masë të saktë.” Dhe në hadithin autentik thuhet: “…Dije se, nëse i gjithë njerëzimi mblidhet për të të sjellë ndonjë dobi, ata nuk mund të të sjellin gjë tjetër përveç asaj që Allahu e ka caktuar për ty. Dhe nëse ata mblidhen për të të dëmtuar, ata nuk mund të të dëmtojnë përveç asaj që Allahu e ka shkruar për ty. Janë ngritur pendat dhe janë tharë fletët.”
Autor: Elton Harxhi