Sahihu i Buhariut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor i këtij libri është Ebu Abdullah, Muhamed ibn Ismail ibn Ibrahim ibn Mugira ibn Berdizbeh el-Xhufi el-Buhari, prijësi i besimtarëve në hadith, imami i dijes së veçantë, kurora e juristëve, shtylla e transmetuesve dhe udhëheqësi i ruajtësve të haditheve. Ai lindi në vitin 194 hixhri, dhe qysh në moshë të vogël , atij iu shfaq dëshira e tij për librin dhe diturinë. Allahu i Lartësuar i kishte dhënë atij mendje të thellë, kujtesë të fortë, synim të qëndrueshëm dhe dashuri për ruajtjen e haditheve. Ai mësoi shumë përmendësh, dhe e mori dijen e tij nga shumë dijetarë. Ai vdiq në Hartenk, pranë Samarkandit, në vitin 256 hixhri.

Sa i përket librit të tij:

Ai është libri i famshëm i njohur si “El-Xhamiu el-Musned es-Sahih el-Muhtesar min umuri Resulil-lahi (a.s) ue sunenihi ue ej-jamihi”, i njohur zakonisht si “Sahihu i Buhariut”.

Veçoritë e Sahihut të Buhariut:

1 – Veçoria më e rëndësishme e “Sahihut të Buhariut” është se ai përmbledh vetëm hadithet e sakta. Dijetarët e kanë pranuar se pas Librit të Allahut të Lartësuar, libri më i saktë është “Sahihu i Buhariut”. Edhe nëse dikush mendon se “Sahihu i Muslimit” ka më shumë rregullshmëri në transmetim, prapë se prapë “Sahihu i Buhariut” është më i saktë në përgjithësi dhe më i dobishëm.

2 – Në librin e tij, imam Buhariu ka folur rreth deduksioneve juridike dhe akaidore duke i përfshirë në 97 libra dhe 3987 kapituj.  Përmes metodës së deduksionit nga tekstet e haditheve, ai doli në përfundime dhe domethënie të shumta dhe i vendosi ato në vendet e duhura në kapitujt e librit të tij sipas temës. Ai gjithashtu në disa raste ka përmendur edhe ajete kuranore që kanë lidhje me temën e kapitullit në aspektin juridik apo gjuhësor, dhe i komenton ato në përputhje me atë që na është përcjellur nga Selefët në komentimin e Kuranit. Njohuria e thellë e imam Buhariut në fushën e jurisprudencës islame, shfaqet qartë në ato raste kur ai i trajton disa çështje të cilat nuk kanë vendime definitive, por për të cilat juristët shfaqin mendime të ndryshme, dhe ai vetë nuk ka zgjedhur asnjë prej këtyre vendimieve, si p.sh. në rastin kur ai thotë: Kapitull: A duhet të jetë kështu…., apo Kush thotë kështu? Ai gjithashtu – në librin e tij ka përmendur mendimin juridik të  disa sahabëve dhe të tabiinëve të njohur si dhe jep mendimin e tij në shumë çështje të hollësishme që ndërlidhen me kuptimin e haditheve. Ai ndonjëherë thotë: “Ebu Abdullahu ka thënë kështu e ashtu”, duke aluduar për veten e tij. Ndonjëherë tjetër thotë: “Muhamedi ka thënë” duke aluduar përsëri për veten e tij. Çështja që të habit më shumë – duke i lënë të gjitë dijetarët pa mend – që është tregues i njohurive të thella të tij në lëminë e jurisprudenncës islame është njohuria që ai ka për biografinë e transmetuesve të hadithit.

3 – Treshja e hallkave të transmetuesve në “Sahihun” e Buhariut: Buhariu është përpjekur që në disa prej haditheve të përzgjedhë një zinxhir transmetimi ku ndërmjet tij dhe Profetit (a.s) janë tre transmetues, me qëndrueshmëri dhe drejtësi të lartë. Numri i kësaj forme të transmetimit arrin nëj 22 hadithe duke marrë për bazë edhe ata hadithe të përsëritura, kurse të papërsëritura arin deri në 16 hadithe. Disa dijetarë kanë shkruajtur libra të veçantë për këtë lloj transmetimi.

4 – Hadithet “El – Mual-lak” në Sahihun e Buhariut: “El-Mual-lak” është çdo hadith që i mungon fillimi i zinxhirit të transmetimit, qoftë vetëm një transmetues apo edhe më shumë nga fundi i zinxhirit. Disa nga arsyet e transmetimit të haditheve “El – Mual-ak” nga ana e imam Buhariut janë:

A – Sqarimi i dëgjimit të një transmetuesi nga mësuesi i tij, nëse ky njihet si (mudel-lis) për mashtrime apo për ngatërrime.

B – Sqarimi i ndonjë takimi të vonë të një transmetuesi me një tjetër, apo se ata nuk e kanë dëgjuar hadithin nga njëri – tjetri.

C – Refuzimi i një transmetimi që besohet se ai është transmetuar “Merfu” deri tek Profeti (a.s), por që në të vërtetë ai është “Meukuf” i transmetuar nga një sahabi.

D – Sqarimi i dallimeve mes transmetuesve në lidhje me vazhdimësinë e zinxhirit të hadithit, apo të transmetuar në formë “Mursel”.

E – Sqarimi i dobive dhe përfitimeve që përfitohen nga teksti i hadithit.

Autor: Izudin Dali

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *