Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet më të mira e më të plota qofshin mbi hazreti Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
Vëllezër të nderuar!
Prej shenjave dhe paralajmërimeve të Orës (Kiametit), që tashmë janë shfaqur, është edhe dërgimi i hazretit tonë, të Dërguarit të Allahut (a.s). Ai (a.s) u dërgua para Orës, madje në vetë pragun e saj.
Enesi (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Jam dërguar unë dhe Ora (e Kiametit) si këta të dy, dhe bashkoi gishtin tregues me të mesit.”[1]
Nga Vehb es-Suai (r.a.) transmetohet se i ka thënë: i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Jam dërguar unë dhe Ora si kjo me këtë, dhe pak ka mbetur që ajo të më paraprijë.”[2] El-A‘mesh bashkoi gishtin tregues me të mesit; ndërsa Muhamedi (a.s) një herë ka thënë: “Pak ka mbetur që ajo të më paraprijë mua.”
Rëndësia e të folurit për shenjat e Orës
Vëllezër të nderuar!
Të flasësh për Ditën e Fundit dhe për shenjat e Orës nuk është thjesht kulturë apo njohuri teorike. Besimi në Ditën e Fundit është shtyllë nga shtyllat e besimit; pa të, besimi i robit nuk është i vlefshëm që në themel.
Ebu Hurejra (r.a.) tregon se një ditë i Dërguari i Allahut (a.s) ishte i ulur mes njerëzve, kur i erdhi një njeri dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, çfarë është besimi? Ai (a.s) tha: “Që të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në takimin me Të, në të dërguarit e Tij dhe të besosh në ringjalljen e fundit.”[3]
Besimi i njeriut në Ditën e Fundit nuk mund të rrënjoset vërtet në zemër, përveçse kur ai të ndalet te realiteti i kësaj dite dhe të njohë shenjat e ardhjes së saj.
Kur besimi në Allahun dhe në Ditën e Fundit të rrënjoset fort në zemrën e robit, kjo e shtyn atë drejt qëndrueshmërisë në rrugën e Allahut të Lartësuar dhe në udhën e të Dashurit më të Madh, hazreti Muhamedit (a.s), sepse ai e di me siguri se nesër do të qëndrojë para Allahut të Madhëruar, dhe Zoti i tij do t’i flasë, pa asnjë përkthyes mes Tij dhe robit.
Adij ibn Hatimi (r.a.) transmeton se e i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Secili prej jush do të flasë me Allahun; nuk do të ketë mes tij dhe Tij asnjë përkthyes. Do të shikojë në të djathtë dhe nuk do të shohë veçse atë që ka vepruar më parë; do të shikojë në të majtë dhe nuk do të shohë veçse atë që ka vepruar më parë; do të shikojë përpara vetes dhe nuk do të shohë veçse Zjarrin përballë fytyrës së tij. Prandaj ruhuni nga Zjarri, qoftë edhe me gjysmën e një hurme.” Pastaj do t’i thuhet: Lexo librin tënd; sot mjafton vetja jote si llogaritar ndaj teje.”[4]
Ora (Kiameti) po vjen
Vëllezër të nderuar!
Ora do të vijë, pa asnjë dyshim, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Kjo është sepse Allahu është e Vërteta, Ai i ringjall të vdekurit dhe Ai është i Fuqishëm për çdo gjë. Dhe Ora do të vijë, për të cilën s’ka dyshim, dhe Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre.”
Nëse njerëzit e shohin Orën si të largët, Krijuesi i njerëzve lajmëron se ajo është e afërt. Ai i Lartësuari thotë: “Ata e shohin atë të largët, ndërsa Ne e shohim të afërt.” Dhe thotë: “U afrua urdhri i Allahut, prandaj mos e kërkoni ta shpejtoni atë”
Allahu e ka shprehur afërsinë e Orës me “të nesërmen e afërt”. Nesër është dita pas ditës që jeton umeti. Ai i Lartësuari thotë: “O ju që besuat! Frikësojuni Allahut dhe le të shikojë secili çfarë ka përgatitur për nesër. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu është i Mirinformuar për atë që bëni”
Rëndësia e kohës te besimtari
Vëllezër të nderuar!
Koha që njeriu jeton në këtë botë është gjëja më e çmuar për besimtarin që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Ajo nuk ka çmim. Çdo gjë e humbur mund të rikthehet, përveç kohës: nëse ajo humbet, nuk ka asnjë shpresë për kthimin e saj. Prandaj është detyrë për besimtarin ta ruajë kohën e tij në atë që i sjell dobi në dynja dhe në ahiret.
Jeta që jetojmë është ara jonë: atë që mbjellim sot, do ta korrim nesër në ahiret. Nëse mbjellim mirësi dhe vepra të mira, do të korrim lumturi dhe shpëtim, dhe do të jemi mes atyre që thirren Ditën e Kiametit:
“Hani dhe pini me kënaqësi për atë që keni përgatitur në ditët e kaluara!”
E nëse kjo jetë – Allahu na ruajtë – kalohet në gaflet, mëkate dhe ndalesa, atëherë njeriu do të pendohet shumë, por në një kohë kur pendimi nuk i bën më dobi. Ai do të dëshirojë të kthehet në dynja për të bërë qoftë edhe një vepër të mirë, por kurrsesi kjo nuk ka për të ndodhur. Allahu thotë: “A nuk ju dhamë ne jetë aq sa të mendohej ai që donte të mendonte, dhe ju erdhi paralajmëruesi? Shijoni pra, se për zullumqarët nuk ka ndihmues”
Besimtari që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit e shfrytëzon kohën e tij me përpikëri të madhe, sepse koha është vetë jeta e tij. Nëse ai humbet prej saj qoftë edhe pak në atë që Allahu nuk e ka ligjësuar, kjo do të kthehet në pikëllim dhe pendim Ditën e Kiametit.
Përfundim
Vëllezër të nderuar!
Ora do të vijë, qoftë ora e vogël (vdekja), qoftë Ora e madhe (Kiameti). I lutem Allahut të na ndihmojë në të dyja: në të parën, me një përfundim të bukur pa sprova e pa fatkeqësi; dhe në të dytën, me shoqërimin e hazretit dhe të Dashurit tonë, Muhamedit (a.s), në Xhenetet e përjetësisë. O Allah, pranoje!
Dëgjojeni urdhrin e Allahut të Lartësuar: “O ju që besuat! Frikësojuni Allahut dhe le të shikojë secili çfarë ka përgatitur për nesër … Banorët e Xhenetit janë fitimtarët”
Vëllezër të nderuar!
Shikojeni hazreti Muhamedin (a.s) i cili tha: “Jam dërguar unë dhe Ora si këta të dy.” Si përgatitej ai për ahiretin? Si punonte? A do t’i shfrytëzojmë ne frymëmarrjet e jetës sonë në bindje ndaj Allahut, veçanërisht në stinën e dimrit, kur netët janë të gjata dhe ditët të shkurtra?
O Allah, na mundëso të veprojmë ato vepra me të cilat Ti kënaqesh prej nesh. Amin.
Salavatet dhe selamet qofshin mbi hazreti Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. I Lartësuar është Zoti yt, Zoti i fuqisë, nga ajo që i përshkruajnë! Paqja qoftë mbi të dërguarit! Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Autor: Ahmet Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu dhe Muslimi
[2] – Ahmeti.
[3] – Buhariu dhe Muslimi
[4] – Buhariu dhe Muslimi.



















