Të dashur fëmijë!
A e dini se Allahu në Kuranin Fisnik ka përmendur disa lloje shpendësh. Shpendët në Kuran na mësojnë se:
Edhe i vogli ka vlerë të madhe
Allahu sheh çdo vepër të mirë
Duhet të jemi të drejtë, mirënjohës dhe të bindur ndaj Allahut
Sa më poshtë po ua tregoj se kush janë ato:
Hudhudi (Qukapiku)
Ai përmendet në historinë e Sulejmanit (a.s), kur vajti në popullin e Sebës dhe pa se ai ishte një popull që adhuronte diellin në vend të Allahut. Ai shkoi dhe e lajmëroi Sulejmanin (a.s) dhe më pas Sulejmani (a.s) e dërgoi atë me mision tek mbretëresha e Sebës.
Ajo ç’ka mësojmë nga Hudhudi është se ne nuk duhet të heshtim asnjëherë ndaj të vërtetës edhe nëse jemi të vegjël.
Sorra
Është përmendur në historinë e Kabilit dhe Habilit. Kur Kabili e vrau të vëllanë, nuk dinte se çfarë të bënte me të. Allahu dërgoi dy sorra, njëra prej tyre e varrosi sorrën tjetër kur ajo ngordhi. Dhe kështu veproi edhe Kabili me trupin e Habilit.
Ajo ç’ka mësojmë në këtë rast është se ne mund të mësojmë edhe nga shpendët dhe duhet të jemi modest ndaj dijes.
Shpendët nga Ebabili
Janë ato shpendë të cilët Allahu i Lartësuar i dërgoi për të shkatërruar ushtrinë e Ebrahasë që kishte ardhur për të shkatërruar Qaben. Në sqepat dhe kthetrat e tyre ata mbartnin gurë nga Sixhili të cilat i lëshuan mbi ushtrinë e Ebrahasë.
Ajo që ç’ka mësojmë në këtë rast është se Allahu i Lartësuar e ndihmon fenë e tij qoftë edhe me krijesa të vogla.
Shkurtëza (Sel’ua):
Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar na tregon se i furnizoi Benu Israilët në kohën e Musait (a.s) kur ishin në shkretëtirë me lloj- lloj ushqimesh të shijshme, midis tyre edhe me shkurtëza.
Mësimi më i mirë për ne nga kjo begati është që të jemi mirënjohës ndaj mirësive të Allahut të Lartësuar.
Shpendët e përmendur në historinë e Ibrahimit (a.s):
Ibrahimi (a.s) kërkoi prej Allahut të Lartësuar që t’i tregonte se si ringjalleshin të vdekurin. Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë që të merrte katër shpendë t’i copëtonte dhe t’i vendoste në vende të ndryshme. Dhe pastaj ai (a.s) duhet t’i thërriste. Dhe Ibrahimi (a.s) veproi ashtu si e urdhëroi Allahu i Lartësuar dhe shpendët u ngjallën me leje të Zotit.
Ajo ç’ka mësojmë në këtë rast është se Allahu i Lartësuar është i Plotfuqishëm për të ringjalluar të gjithë krijesat.
Shpendët e përmendur nga mrekullitë e Isait (a.s)
Isai (a.s) bënte një shpend prej balte dhe pastaj i frynte dhe atij i futej shpirti dhe pastaj fluturonte. E gjitha kjo ndodhte me lejen e Allahut të Lartësuar si një mrekulli nga Ai për të dëshmuar se Isai (a.s) ishte i Dërguar i Allahut.
Ajo ç’ka mësojmë është se çdo gjë ndodh me lejen dhe urdhrin e Allahut të Lartësuar.
Shpendët që bënin tesbih
Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar na tregon se Daudi (a.s) dhe bashkë me të edhe shpendët e madhëronin Allahun me tesbih.
Ajo ç’ka mësojmë në këtë rast është se ne duhet ta madhërojmë Allahun e Lartësuar
Shpendët si krijesa të Allahut të Lartësuar
Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar na fton që të shikojmë se si janë krijuar shpendët, kur ato flutorojnë, qoftë kur shtrijnë apo rrahin krahët.
Meditimi rreth krijimit të shpendëve na e forcon më shumë besimin tek Allahu i Lartësuar.
Shpendët, popuj sikurse ju
Në Kuranin Fisnik, Allahu i Lartësuar na tregon se shpendët janë popuj sikurse edhe ne njerëzit.
Organizimi është mësimi më i mirë që ne mësojmë nga shpendët.
Shpendët e Xhenetit
Allahu i Lartësuar na tregon se prej ushqimeve të shumëllojshme që besimtarët do të kenë në Xhenet do të jetë edhe ngrënia e mishit të shpendëve.
Për të shijuar një mirësi të tillë duhet ta adhurojmë Allahun që të fitojmë Xhenetin dhe begatitë e shumta të tij.
Autor: Elton Harxhi
ardhmëriaonline.com



















