Shpeshherë ndodh që ne ankohemi për sjelljen e fëmijëve tanë, por nëse do të kërkonim rreth burimit të këtyre sjelljeve, do të zbulonim se në shumicën e rasteve jemi vetë ne shkaktari i tyre. Ndër sjelljet e padëshiruara janë shpërthimet e zemërimit dhe nervozizmit tek fëmijët tanë. Edukimi për kontrollin e ndjenjave është një nga konceptet më të rëndësishme pedagogjike që duhet të mësojmë dhe të fokusohemi kur ne i drejtohemi fëmijëve tanë. Për këtë qëllim, unë kam shkruajtur shtatë metoda (teknika) që i ndihmojnë prindërit dhe mësuesit për të parandaluar nervozizmin dhe zemërimin tek fëmijët. Po ashtu këto shtatë metoda mund të jenë shkak që ndjenjat e tyre negative – që ata i shprehin gjatë zemërmit – të shndërrohen në efekte pozitive. Këto hapa janë praktikë, të testuara dhe kanë dhënë rezultate pozitive. Sa më poshtë po i përmend këto shtatë metoda:
1 – Shprehja e ndjenjave: T’i mësojmë fëmijës si të flasë për ndjenjat e tij negative. Kur diçka nuk i pëlqen, ai nuk duhet të bërtasë, as të zemërohet apo të tërhiqet, përkundrazi ne duhet ta ndihmojmë atë të flasë për ç’ka ndjen dhe duhet t’i japim mundësinë për t’u shprehur lirshëm.
2 – Inkurajimi: Ne duhet ta inkurajojmë fëmijën të shprehë – lirisht – ndjenjat e tij negative. Ne duhet ta mësojmë atë që në raste të nervozizmit dhe zemërimit, ai duhet të shprehet me fjalët “Jam i shqetësuar” ose “Nuk më pëlqen kjo.” Padyshim kur fëmija do të përgjigjet apo do të shprehet në këtë formë, kjo do ta motivojë atë të shprehet lirisht në vend që ai të heshtë, apo të vazhdojë të jetë i zemëruar.
3 – Injorimi i zemërimit: Kur fëmija bërtet nga zemërimi, ne nuk duhet të bëjmë sikur nuk e kemi vënë re zemërimin e tij, sepse përndryshe kjo do ta shtonte zemërimin e tij. Ne duhet të diskutojmë me të dhe duhet t’i shpjegojmë atij se biseda jonë me të nuk lidhet me zemërimin, por me çështjen e rëndësishme që po diskutojmë. Dhe kështu duke përdorur këtë metodë, ne arrijmë ta ndryshojmë situatën, nga një situatë zemërimi në një situatë dialogu.
4 – Qetësia dhe vendosmëria: Nëse fëmija vazhdon të jetë i zemëruar dhe i nervozuar, ne duhet të tregohemi të vendosur dhe duhet të flasim qetësisht me të, pasi nëse i bëjmë vërejtje kur ai është i zemëruar, thjesht do ta shtojmë akoma më tepër zemërimin e tij. Nuk duhet të harrojmë që ne jemi shembull dhe model për fëmijën tonë.
5 – Mosndëshkimi: Ne nuk duhet ta ndëshkojmë kur ai është i zemëruar apo për shkak se na kundërshtuar. Përkundrazi ne duhet t’i japim atij një shans për të shprehur ndjenjat e tij dhe duhet ta këshillojmë atë se ka mënyra të tjera për zgjidhjen e problemit, si për shembull diskutimi dhe të folurit rreth problemit.
6 – Loja e “butë”: Le të luajmë me të lojën e “butë” që do të thotë se në fillim i shpjegojmë fëmijës tonë domethënien e njeriut “të butë” që është antonim i njeriut “të zemëruar”. Më pas i themi fëmijës tonë se do t’i vendosim një yll kur ai e përmban veten dhe nuk zemërohet në një situatë zemërimi. Dhe në rast kur ai është në zemërim e sipër, por e ndal zemërimin dhe tregohet i butë, ne do i vendosim dy ylla. Duke përdorur këtë metodë, ne arrijmë të menaxhojmë zemërimin dhe nervozizmin e fëmijës tonë.
7 – Kontrolli i vetes: Ne duhet t’i mësojmë fëmijës tonë se ai duhet të përmbahet dhe ta kontrollojë veten gjatë zemërimit, sepse kush përmbahet gjatë zemërimit është mbret. Duhet t’i mësojmë fëmijës tonë se Profeti (a.s) ka thënë:“Nuk është i fortë ai që e tregon forcën e tij në mundje, por i fortë është ai i cili e përmban veten gjatë zemërimit.” Ngulitja e këtij koncepti në mendjen e fëmijës tonë është mjaft i rëndësishëm. Ne duhet t’i tregojmë fëmijës tonë se krimi i parë që ka ndodhur në historinë e njerëzimit është kur Kabili vrau vëllain e tij Habilin. Arsyeja se përse Kabili e vrau të vëllanë ishte pikërisht se ai nuk e përmbajti zemërimin dhe më pas ai u bë pishman, por pa vlerë. Në një proverb thuhet se: “Fillimi i zemërimit është budallallëk kurse fundi i tij është pishmanllëk.” Po ashtu ne duhet t’i mësojmë fëmijës tonë se gjatë zemërimit ai duhet t’i kërkojë mbrojtje Allahut të Madhëruar prej shejtanit të mallkuar, të marrë abdes e kështu me rradhë.
Shembuj praktik:
Kur një vajzë zemërohej, babai i tij merrte një pasqyrë ku ajo shikonte veten e saj ashtu të zemëruar, menjëherë ndodhte që vajza ndërronte sjellje dhe vinte buzën në gaz.
Një nënë i tha fëmijëve të saj që në mur të varnin një letër dhe sa herë që të zemëroheshin të vendosnin një shenjë dhe sa herë që qetësoheshin ta hiqnin një shenjë nga letra.
Një baba i sugjeroi djalit të tij adoleshent që ndjenjat e tij negative t’i shprehte në letër dhe kjo metodë dha rezultat.
Një baba tjetër e mësoi djalin e tij që çdo gjë në rast zemërimi, ai situatën e krijuar duhet ta merrte me sportivitet dhe humor të mirë. Edhe kjo metodë dha rezultate pozitive.
Së fundmi ne duhet t’i tregojmë fëmijëve tanë se kur duhet të zemërohen dhe kur nuk duhet të zemërohen, Fëmijët tanë nuk kanë për të arritur për t’u përmbajtur nga zemërimi dhe nervozizmi vetëm që pasi ne të kemi shfrytëzuar këto shtatë metoda, apo pjesën më të madhe të tyre.
O Allah. Të lutemi që të themi të vërtetën dhe Ti të jesh i kënaqur me ne.
Amin.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi