Nderimi i Allahut të Lartësuar për Ademin (a.s) veçohet si një nderim hyjnor i drejtpërdrejtë, i cili shfaqet në aspekte të ndryshme. Duke qenë se Ademi (a.s) është babai i njerëzimit, atëherë nderimi ndaj tij është njëkohësisht nderim për gjithë njerëzit.
Prezantimi i e këtij nderimi në suren Bekare është me të vërtetë magjepsës. Cilat janë parimet e manifestimeve të këtij nderimi hyjnor për Ademin (a.s)?
Duke lexuar atë që Allahu i Madhëruar ka përmendur në këtë sure, përpara nesh shfaqen shtatë parime të nderimit të Ademit (a.s). Këto parime janë si më poshtë:
Parimi i parë i nderimit
Shpjegimi i hartës së vërtetë të jetës njerëzore, larg hamendësimeve, humbjes dhe devijimit. Kjo bëhet e qartë përmes fjalës së Allahut të Lartësuar: “Si mund të mohoni Allahun, ndërkohë që ju ishit të vdekur, e Ai ju dha jetë, pastaj do t’ju vdesë, pastaj do t’ju ringjallë, e më pas do të ktheheni tek Ai?”[1]
Parimi i dytë i nderimit:
Përgatitja e një mjedisi të përshtatshëm për jetën njerëzore. Njeriu është zotëruesi i parë i tokës, dhe për këtë na njofton Allahut i Lartësuar në Kuran duke thënë: “Ai është që krijoi për ju gjithçka që është në tokë; pastaj u kthye kah qielli dhe i bëri ato shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.”[2]
Nga ky ajet, arrin të kuptosh këndvështrimin islam ndaj njerëzimit… Ai është një këndvështrim mahnitës. Allahu ka krijuar për ne gjithçka që është në tokë, prandaj njeriu është më i çmuar, më i nderuar dhe më i vlefshëm se çdo gjë materiale në këtë tokë. Nuk është e lejuar, pra, që njeriu të robërohet apo të poshtërohet për hir të sigurimit të ndonjë vlere materiale apo sendi material.
Parimi i tretë i nderimit:
Nderimi përmes njoftimit për krijimin e Ademit (a.s). Fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve…”[3], fjala arabe “kur” (إذ) është një emër i pacaktuar që tregon për një ngjarje që ka ndodhur në të kaluarën dhe gjithmonë ka nevojë të lidhet me një fjali tjetër. Në këtë rast, kuptimi plotë do të ishte : Si mund të mohoni Allahun, kur Ai krijoi për ju gjithçka që ndodhet në tokë? Dhe kujtoni kur Ai u tha engjëjve – në nderim për ju– “Unë do të vendos në tokë një zëvendësues (halife)”. Prandaj, dëgjoni rrëfimin e vërtetë të ekzistencës suaj në tokë, në vend të iluzioneve, përrallave dhe miteve që e mashtrojnë mendjen njerëzore.
Nuk duket të ketë ndonjë arsye bindëse, që të jetë në përputhje me madhështinë e Hyjnores dhe realitetin e njerëzimit, përse Allahu i njoftoi engjëjt për krijimin e këtij krijese të re që do të jetë zëvendës në tokë, përveç një arsyeje të vetme: që Allahu e nderoi Ademin (a.s) dhe pasardhësit e tij, duke i informuar krijesat e nderuara të botës së lartë (engjëjt) për krijimin e njerëzimit.
Parimi i katërt i nderimit:
Nderimi përmes vendosjes së Ademit (a.s) si zëvendës (halife) në tokë: “Unë do të vendos në tokë një zëvendës (halife)”[4]
Ekzistenca njerëzore pasqyron mëshirën hyjnore dhe nderimin hyjnor. Zëvendësimi (halifati) në tokë nuk është ndëshkim, por një nderim që përmban edhe përgjegjësi. Kjo u caktua nga Allahu para krijimit të njeriut dhe u bë e ditur për engjëjt, kur Ai tha: “Dhe kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të vendos në tokë një zëvendës (halife)”[5]
Pra, është sikur Ai të kishte thënë: “Unë do të krijoj një njeri dhe do ta bëj atë zëvendës.”Kështu që ardhja e gjinisë njerëzore në tokë për të kryer funksionin e saj ekzistencial, ishte e vendosur paraprakisht.
Parimi i pestë i nderimit:
Nderimi i Ademit (a.s) përmes dijes dhe njohjes (prirja njerëzore për të mësuar): “Dhe Ai ia mësoi Ademit emrat e të gjithëve, pastaj ua paraqiti ata engjëjve dhe tha: Më tregoni emrat e këtyre, nëse jeni të drejtë (në atë që thoni)”[6]
Ky ajet tregon se nderimi i pestë që Allahu i bëri njeriut ishte përmes dhënies së dijes, një aftësi e veçantë që e dallon atë nga krijesat e tjera. Aftësia për të njohur, për të emërtuar dhe për të kuptuar është një veti e natyrshme e njeriut dhe përfaqëson një themel të rëndësishëm të rolit të tij si halife në tokë.
Parimi i gjashtë i nderimit:
Nderimi i Ademit (a.s) përmes përkuljes së engjëjve ndaj tij: “Dhe kur u thamë engjëjve: ‘Përkuluni (me respekt) para Ademit!’ Ata u përkulën”[7]
Ky nderim nuk ishte përkulje ndaj Ademit (a.s) në kuptimin e adhurimit, por bindje ndaj urdhrit të Allahut, dhe përmes këtij akti Allahu e nderoi Ademin (a.s) duke i bërë engjëjt t’i përkuleshin. Përkulja ishte adhurim ndaj Allahut dhe një shenjë nderimi për Ademin.
Ajetet në suret Hixhr dhe Sad tregojnë se ky urdhër për përkulje ishte shpallur qysh para krijimit të Ademit (a.s). Allahu thotë: “(Përkujto) kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj një njeri nga balta e thatë, e formuar nga balta e zezë me erë. E kur ta formoj dhe t’i fryj atij nga shpirti Im, përkuluni para tij!”[8] [El-Hixhr: 28–30] “(Përkujto) kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj një njeri nga balta. E kur ta formoj dhe t’i fryj nga shpirti Im, përkuluni para tij!”[9]
Duke bashkuar këto ajete, kuptohet se urdhri për përkulje ishte një urdhër i pavarur dhe ishte dhënë para krijimit të Ademit (a.s). Ndërsa fjala “dhe” (و) në lidhjen e rrëfimeve tregon se veprimi i engjëjve ndodhi menjëherë dhe pa kundërshtim.
Sipas Islamit, sexhdeja është forma më e lartë e përuljes ndaj Allahut, që simbolizon nënshtrimin e plotë. Është ulja më e thellë e kokës, në kontakt me tokën, për hir të madhërimit të Allahut.
Parimi i shtatë i nderimit
Përcaktimi i hartës së së ardhmes përmes dallimit të aleatëve dhe armiqve Allahu thotë: “Dhe ata ranë në sexhde, përveç Iblisit, i cili refuzoi, u tregua mendjemadh dhe ishte prej jobesimtarëve.”[10]
Njih armikun tënd dhe ruaju nga hapat e tij! Iblisi – në vetvete – mbart tre cilësi kriminale, që përfaqësojnë shkallë-shkallë rrugën drejt krimit të plotë:
Refuzimin: Mosdëgjimi dhe mosbindja.
Mendjemadhësinë: Kërkimi për t’u madhëruar përtej kufijve të vetes, duke pretenduar një pozitë më të lartë se ajo e krijesës.
Mohimin: Mbulimi i së vërtetës, që çon në mohim të saj dhe në mosbesim.
Ndërsa, nxitimi drejt dëgjimit, bindjes dhe renditjes në harmoninë e rendit universal të vendosur nga Krijuesi është ndihmesa më e madhe për të shmangur natyrën e Iblisit dhe për të shpëtuar nga dëshpërimi, pendesa, trishtimi dhe vuajtja.
Autor: Abduselam Mexhidi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Bekare: 28.
[2] – Sure Bekare: 29.
[3] – Sure Bekare: 30.
[4] – Sure Bekare: 30.
[5] – Sure Bekare: 30.
[6] – Sure Bekare: 31.
[7] – Sure Bekare: 34.
[8] – Sure Hixhr: 28 – 30.
[9] – Sure Sad: 70 – 71.
[10] – Sure Bekare: 34.