Shtëpia e Urtësisë në Bagdad, simbol i dialogut mes civilizimeve

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Dialogu i pasur që zhvillohej në Shtëpinë e Urtësisë, mes civilizimeve të Lindjes dhe të Perëndimit, na ofron një model të mrekullueshëm dhe të gjallë rreth mënyrës së zhvillimit të dialogut mes qytetërimeve aktuale.

Themelimi i Shtëpisë së Urtësisë në Bagdad nga abasitët, përbënte një ngjarje kulturore tepër të rëndësishme në historinë e civilizimit islam. Ajo nuk ishte thjesht një bibliotekë dhe qendër përkthimesh, hartimi dhe kopjimi të librave. Në fakt, ajo ishte një skenë dhe podium dialogu mes civilizimeve të Lindjes dhe Perëndimit të asaj kohe, sidomos mes civilizimit islam, grek, pers dhe indian.

Ky artikull, synon të hedh pak më shumë dritë mbi Shtëpinë e Urtësisë, si u themelua dhe rolin e saj në menaxhimin e dialogut mes civilizimeve.

Shtëpia e Urtësisë / Bejtul Hikme

Kur themi Shtëpia e Urtësisë, kemi për qëllim ndërtesën e cila shërbente për ruajtjen e literaturës në mënyrë të përgjithshme dhe veçanërisht atë të filozofisë dhe urtësisë. Asokohe, fjala filozofi përfshinte shkenca të ndryshme si matematika, astronomia, filozofia, logjika, mjekësia etj…

Ndërtimi i Shtëpisë së Urtësisë

Historianët pohojnë se ka qenë kalifi Harun Reshid (viti 809) ai që hodhi bërthamën e parë të Shtëpisë së Urtësisë në Bagdad. Ishte pikërisht ai që themeloi atë që njihet “Depozita e Urtësisë”, e cila ishte një bibliotekë që përmbante libra të filozofisë greke, të cilat kalifi i kishte sjellë nga vendet e bizantit gjatë ekspeditave në qytete të Azisë së vogël. Kalifi ia besoi një të dituri të krishterë Johana in Masevej, që këto libra ti përkthejë nga greqishtja në arabisht. Depozita e Urtësisë përmbante dhe literaturë të trashëgimisë perse, të cilat ia la në dorë ti përkthejë nga persishtja në arabisht Fadl ibn Nobeht.

Shtëpia e Urtësisë gjatë kalifatit të Memun-it

Shtëpia e Urtësisë e arriti kulmin e saj të aktivitetit shkencor në kohën e kalifit abasid El-memun (833). Vlen të thuhet se kalifi El-memun ishte mendje ndritur dhe me kulturë të gjerë.

Me të marrë në dorë fronin e kalifit, El-Memun bëri ndryshime rrënjësorë në strategjinë kulturore të dinastisë abasite. Falë edukimit dhe arsimit të tij nga njëra anë, dhe falë marrëdhënieve të tij të ngushta me njerëz të ditur arabë, myslimanë, nestorianë, persë, indianë nga ana tjetër, ai kuptoi se ndërtimi i civilizimit islam dhe lulëzimi i tij varet nga ndërveprimi dhe dialogu mes tij dhe civilizimeve të tjera. Arritjet e njerëzve të ditur nga civilizimet e tjera, është produkt dhe pasuri e të gjithë njerëzimit, pavarësisht feve, racave dhe ngjyrave të tyre.

Përkthimi në kohën e El-Memun-it

Bazuar në këtë bindje shkencore, El-Memun-i hapi portat e përkthimit të literaturës nga gjuhët e tjera në atë arabe. Në fakt, përkthimi i literaturës së civilizimeve të tjera në arabisht, pati filluar që në kohën e dinastisë omejade, ku u përkthyen librat e kimisë nga greqishtja në arabisht, pas kërkesës së emirit omejad Halid ibn Jezid. Por, këto përkthime karakterizoheshin nga iniciativa individuale spontane dhe të kufizuara në disa fusha shkencore.

Sakaq në kohën e El-Memun-it përkthimi i literaturës ishte orientim, politikë dhe strategji e vetë dinastisë abasite. Lëvizja e përkthimit në këtë periudhë nuk varej nga shijet dhe vullneti i një kalifi apo emiri, ashtu siç nuk ishte e kufizuar në një sferë të caktuar shkencor, duke përjashtuar lëmet e tjerë. Në këtë periudhë, përkthimi përfshinte të gjitha lëmitë e shkencës dhe njohuritë që kishin lulëzuar në civilizimet e lashta.

Në këtë kuadër, kalifi El-Memun pa që Depozita e Urtësisë e themeluar nga i ati, me ato përmasa, nuk mund ta çojë para projektin e rilindjes kulturore që kishte ndërmend. Prandaj, ai e transformoi atë në një institucion shkencor, i cili u njoh me emrin “Shtëpia e Urtësisë”. Roli i kësaj Shtëpie nuk do të ishte thjesht magazinimi dhe ruajtja e literaturës, përkthimi dhe shkrimi i librave të rinj, por kultivimi i kulturës së dialogut mes civilizimeve dhe shkëmbimi i diturive, letërsisë dhe artit.

Mbledhja e dorëshkrimeve në Shtëpinë e Urtësisë

Kalifi El-Memun arriti të koleksionojë dorëshkrime të trashëgimisë nga civilizimet e tjera brenda dhe jashtë botës islame. Kështu, dorëshkrimet e civilizimit grek, ai i grumbulloi ngarende të ndryshme, disa nga Aleppo në Siri, Qipro etj… Ai pati dërguar një person tek një princ bizant, për ti blerë librat e filozofisë greke, të cilat sipas disa historianëve, ruheshin në një shtëpi ku nuk i shfaqeshin askujt. Monarku bizant ia pranoi kërkesën kalifit mysliman dhe ia dha librat e kërkuar.

Veç kësaj, El-Memun përftoi një dorë të mirë dorëshkrimesh greke nga Kostandinopoja dhe kjo si rrjedhojë e korrespondencës mes tij dhe perandorit bizant. Ai pati dërguar njerëz të ditur në Kostandinopojë për të përzgjedhur dorëshkrimet, të cilat më pas u sollën në Bagdad, në Shtëpinë e Urtësisë. Prej këtyre dijetarëve që vajtën në Kostandinopojë ishin Johana ibnu Masevejh, Haxhaxh ibnu Metar, Jahja ibnu Batrik e të tjerë. Të gjithë këta ishin të krishterë nestorianë dhe e njihnin mirë greqishten.

Në Shtëpinë e Urtësisë u sollën dorëshkrime të tjera të shumta greke, të cilat u mblodhën nga manastiret dhe kishat e Shamit, nëpërmjet shkencëtarëve arabë të krishterë.

Shtëpia e Urtësisë dhe koleksionimi i trashëgimisë njerëzore

Pasi u bë grumbullimi i kësaj trashëgimie greke në Shtëpinë e Urtësisë, u bë klasifikimi dhe ndarja e literaturës. El-Memun-i krijoi mundësinë e punësimit të përkthyesve më të mirë, shkencëtarëve, mjekëve dhe shkrimtarëve. Kriteri kryesor për tu angazhuar në këtë institucion ishte profesionalizmi shkencor. Shkencëtarët më me fat materialisht dhe moralisht, ishin ata që njihnin mirë një ose më shumë gjuhë të huaj, ata që kishin krijuar emër në një fushë shkencore dhe që njiheshin për saktësi dhe transparencë shkencore.

Ndër përkthyesit dhe dijetarët që u angazhuan në Shtëpinë e Urtësisë ishin dhe: Johana ibn Masavejh, Haxhaxh ibn Metar, Hanin ibn Is’hak dhe djali i tij, Habish Asem, Kista ibnu Luka etj… Siç e cekëm dhe më lart, të gjithë këta ishin të krishterë. Ata i përkthyen librat e koleksionuar në Shtëpinë e Urtësisë nga greqishtja dhe asirianishtja, në arabisht.

Nga dijetarët myslimanë persë të cilët punuan në Shtëpinë e Urtësisë dhe që mundësuan përkthimin e literaturës perse në arabisht, mund të cekim Fadl ibn Nobeht dhe Sehl ibn Harun. Ndër përkthyesit që u morën me përkthimin e librave të astronomisë nga greqishtja në arabisht, është dhe Thabit ibn Kurre.

Nga filozofët arabë të cilët u angazhuan në Shtëpinë e Urtësisë, mund të cekim filozofin e madh El-Kindij, i cili u shqua në fushën e matematikës, kimisë dhe muzikës. Ai pati një kontribut të vyer sidomos në përshtatjen e terminologjisë nga greqishtja në arabisht. Këtë e bënte në bashkëpunim me përkthyesit më të mirë pranë Shtëpisë së Urtësisë. Një sërë shkencëtarësh dhe përkthyesish e udhëhoqën institucionin e Shtëpisë së Urtësisë, ku ndër më të shquarit ishin matematicieni Muhamed ibn Musa El-Havarizmi gjatë kalifatit të El-Memun, Hanin ibn Is’hak gjatë kalifatit të Mutevekkil (861).

Dinasia abasite bëri shpenzime të mëdha për aktivetin shkencor të Shtëpisë së Urtësisë. Gjetja dhe transporti i literaturës kërkonte shpenzime të konsiderueshme. Po të mëdha ishin shpenzimet edhe për përkthyesit, shkencëtarët, menaxherët, dorëshkruesit, mirëmbajtja e dorëshkrimeve etj… Burimet historike tregojnë se El-Memun, u jepte përkthyesve si Hanin ibn Is’hak, peshën e librit të përkthyer flori.

Përkthyesit dhe shkencëtarët aktivistë pranë Shtëpisë së Urtësisë, nuk u mjaftuan me përkthimin e literaturës nga gjuhët e tjera në arabisht, por u morën edhe me interpretimin e saj, korrigjimin dhe kritikën. Disa libra përktheheshin, shpjegoheshin dhe korrigjoheshin më shumë se një herë nga më shumë se një përkthyes i vetëm. Diçka e tillë ndodhte kryesisht me përkthimet e para, të cilat ndonjëherë nuk ishin shumë të sakta dhe të shtjelluara mirë. Kështu, libri “Bazat e gjeometrisë” i Euklidit dhe “Almagest” i Ptolemeut, u përkthyen, interpretuan dhe shtjelluan më shumë se një herë për ti qëndruar sa më besnik origjinalit.

Kërkimi shkencor në Shtëpinë e Urtësisë

Roli i Shtëpisë së Urtësisë nuk u kufizua vetëm tek përkthimi dhe aktivitetet e tjera shkencore të ngjashme. Në fakt, ajo u shndërrua në një qendër studimi, shkrimi librash, debatesh dhe hulumtimesh shkencore. Ajo kishte një bibliotekë të pasur dhe shumë të madhe e cila i ndihmonte dijetarët dhe shkencëtarët në studimet dhe projektet e tyre shkencore.

Sipas disa studimeve, numri i librave që gjendeshin në këtë bibliotekë, libra në arabisht, të përkthyer dhe në gjuhë të tjera, ishte mbi një milionë kopje në kohën e kalifit El-Memun. Burime të ndryshme konfirmojnë se arritjet e Havarizmit në fushën e matematikës, bazoheshin pikërisht në bibliotekën e Shtëpisë së Urtësisë në Bagdad. Gjithashtu, një sërë studiuesish të astronomisë, zbulimet e tyre shkencore i bënë nëpërmjet observatorit astronomik i cili ishte pjesë e Shtëpisë së Urtësisë.

Shtëpia e Urtësisë e vazhdoi misionin e saj civilizues me gjithë kushtet e vështirë në të cilën e pa veten dinastia abasite. Roli dhe misioni i kësaj Shtëpie përfundoi me pushtimin e Bagdadit nga hordhitë mongole në vitin 1258, të cilët shkatërruan gjithçka.

Shtëpia e Urtësisë dhe dialogu mes civilizimeve

Në fakt, arritja më e madhe e Shtëpisë së Urtësisë ishte se aty u ngjiz dialogu mes civilizimeve. Ishte pikërisht Shtëpia e Urtësisë vatra ku u takuan civilizimi islam, grek, pers, asirian dhe indian. Me gjithë diferencat bazike, specifikat dhe kontekstin historik të secilit civilizim, ato ndërvepruan dhe shkëmbyen dijet, letërsinë, shkencat, konceptet dhe metodat. Në fund të fundit, këto civilizime janë produkt i përpjekjeve, mundit dhe krijimtarisë të akumuluar ndër shekuj dhe që përbëjnë trashëgiminë njerëzore.

Mes civilizimit islam dhe atij grek

Në këtë artikull do të mjaftohemi me dialogun mes civilizimit islam dhe atij grek, i cili është ndër civilizimet e huaj që ushtroi ndikimin më të madh në atë historinë e civilizimit islam, ashtu siç u mor si bazë mbi të cilin u ngrit civilizimi evropian.

Vlen të theksojmë se do të ishte tepër e vështirë që ky dialog mes civilizimeve të ishte i suksesshëm dhe të përmbushë misionin e tij human, nëse do të mungonte liria që gëzonin studiuesit dhe mendimtarët pranë Shtëpisë së Urtësisë, si dhe politika e tolerancës që ndiqte dinastia abasite karshi kulturave dhe  besimeve të tjerëve. Askush nga dijetarët nuk është ushtruar presion dhe nuk është ndaluar të debatojë dhe të hedhë tezat e tij rreth çështjeve më komplekse të kohës. Asnjë kulturë nuk u orvat të dominojë dhe ta zotërojë tjetrën. Madje, asnjë forcë dhe pushtet politik nuk u orvat të imponojë një kulturë të caktuar ndaj kulturave të tjera. Kjo bëri që dialogu mes kulturave në Shtëpinë e Urtësisë të karakterizohej nga qetësia, arsyeja, objektiviteti dhe respekti ndaj tjetrit. Kjo i ndihmoi civilizimet që ta bëjnë sa më konstruktiv këtë dialog dhe të ofrojnë më të mirën e secilit, duke e pasuruar jashtëzakonisht trashëgiminë njerëzore.

Ndikimi pozitiv i dialogut të civilizimit islame me atë grek, vihet re qartësisht në disa fusha shkencore dhe filozofike. Kështu, në mjekësi për shembull, u përfitua shumë nga literatura e Hipokratit dhe Galenit, në filozofi u përfitua nga literatura e Platonit dhe Aristotelit, në matematikë dhe gjeometri nga librat e Arkimetit, Euklidit, Pitagorës dhe Apollonit, në astronomi nga ç’kishte shkruar Ptolemeu. Në gjuhë, shohim që gjuha arabe u pasurua shumë me terminologjinë shkencore gjatë punës së lodhshme të përkthimit që bëhej në Shtëpinë e Urtësisë. Gjer atëherë gjuha arabe nuk e kishte të zhvilluar terminologjinë shkencore që i korespondonte pasurisë shkencore dhe filozofike të civilizimit grek.

Padyshim që dialogu mes civilizimit arab dhe atij grek, ishte një faktor i rëndësishëm në kalimin e arabëve dhe myslimanëve në fazën e krijimtarisë. Studiuesit dhe shkencëtarët myslimanë jo vetëm që e përthithën trashëgiminë greke, por e shtjelluan, kritikuan dhe e kapërcyen atë, duke e përdorur për përmbushjen e nevojave ideologjike dhe materiale të shoqërisë.

Sakaq, dobitë që përfitoi civilizimi grek gjatë dialogut me atë islam në Shtëpinë e Urtësisë, manifestohet qartë në disa sfera, ku më e rëndësishmja është ruajtja e trashëgimisë greke të lashtë nga zhdukja dhe rreziku që i kanosej në Evropë dhe në territoret e Bizantit. Është e ditur që kisha në Perëndim e pati luftuar ashpërsisht trashëgiminë greke, të cilën e shihte tepër të dëmshme për  besimin e krishterë, për lidhjet me paganizmin. Kisha i kishte privuar të krishterët nga leximi i kësaj trashëgimie të cilën e konsideronte vepër të djallit. Për rrjedhojë, veprat e filozofëve dhe shkrimtarëve grekë u lanë pas dore. Vetë perandori bizant Justiniani e pati mbyllur shkollën e filozofisë në Athinë në vitin 529.

Ky qëndrim armiqësor ndaj trashëgimisë greke vazhdoi për shekuj të tërë. Kur kalifi El-Memun dërgoi një delegacion tek perandori bizantin për t’i blerë librat e filozofisë greke, perandori hezitoi t’ia japë. Por murgjërit e nxitën që t’ia plotësojë këtë kërkesë duke i thënë:”Këto libra kudo që kanë hyrë e kanë shkatërruar atë vend dhe kanë nxitur konflikte mes njerëzve të ditur.” Atëherë perandori ia dha librat.

Prandaj ne nuk e teprojmë nëse themi që sjellja e literaturës filozofike dhe përkthimi i saj në arabisht, e ruajti këtë trashëgimi nga zhdukja. Kur Evropa filloi të hedhë hapat e parë të rilindjes moderne, e cila u bazua në trashëgiminë greke të lashtë, nuk gjeti veçse përkthimet në arabisht të kësaj trashëgimie, pasi origjinali i saj në greqisht pothuaj kishte humbur. Këto vepra filluan të përktheheshin në latinisht nga arabishtja, në Andaluzi dhe Sicili, përgjatë shekujve 12 dhe 13.

Dobitë e cilivizimit islam ndaj atij grek, nuk kufizohen vetëm në ruajtjen e literaturës dhe trashëgimisë nëpërmjet përkthimit. Studiuesit dhe filozofët myslimanë u morën edhe me shpjegimin dhe kritikën e saj.

Përktheu: Elmaz Fida

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *