Si t’ua heqim fëmijëve, apo nxënësit “gladiator” ankthin e ditës së parë të shkollës…?!

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Për njeriun e dijshëm luten dhe kërkojnë falje të gjithë në qiell dhe në tokë, madje dhe peshqit në det[1]

“Pozita e dijetarit krahasuar me asketin është si hëna katërmbëdhjetëshe krahasuar me yjet”[2]

Një nga fenomenet stërmunduese që ka shkaktuar tek brezi i ri, veçanërisht tek fëmijët nën 14 vjeç, qasja e sistemit bashkohor postmodernist, materialist, kapitalist, ndaj dijes dhe dijemarrjes, është fenomeni i ankthit apo frikës nga dija.

Arsyeja kryesore është se kjo lloj qasje materialiste kapitaliste ia ka hequr shpirtin dijemarrjes, pra e ka vrarë apo e ka mbytur.

Theksoj “dijemarrje-n” si proces dhe jo dijen sepse dija mbetet, është këtu, është me ne dhe rreth nesh, është në librat dhe kurikulat që lexojnë dhe shfletojnë fëmijët tanë.

Për rjedhojë nxënësi bashkëkohor kur niset për në shkollë i duket sikur po niset drejt “Koloseut” për të marrë pjesë në stërvitjen e egër që gladiatorët e liruar stërvisin egërsisht gladiatorët e rinj që së shpejti do të zëvendësojnë gladiatorët e vrarë dhe masakruar në ndeshjet argëtuese, për mbretërit dhe perandorët, dhe pasi këta gladiatorë argëtojnë, me shpirtin e tyre, këta mbretër  dhe gladiatorë bëhen ushqim për hijenat, tigrat dhe luanët e pangopur.

Gjithsesi kjo temë apo fenomen është objekt i shumë qasjeve filozofike bashkëkohore, e nuk është momenti për tu zhytur më thellë në të, sepse në fund të fundit është pjellë e një sfondi të tërë filozofiko-ideologjik nga i cili buron i gjithë civilizimit bashkëkohor.

Duke qenë i tillë, ky fenomen, këto rreshta nuk synojnë të kurojnë vetë fenomenin sepse e kanë të pamundur në këtë kontekst, por synojnë të lehtësojnë sadopak ankthin që shkakton sistemi bashkëkohor i dijemarrjes tek brezi i ri, siç synojnë të kontribuojnë sado pak në ruajtjen e marrëdhënieve mes brezit të ri dhe dijes,  duke kapërcyer gravitacionin emocional negativ që shkakton dijenxënia si proces tashmë i kalçifikuar nga materilizmi si ideologji dhe kapitalizmi si sistem.

Për hir të ruajtjes së marrëdhënieve të vërteta me dijen…

Rifreskimi i vetëdijes rreth dijes dhe ridimensionimi i marrëdhënieve me të dhe mbi të gjitha ruajtja e marrëdhënieve të vërteta me të, ngrihet mbi këto koncepte madhore universale të cilat duhet të kalojnë nga ne tek fëmijët tanë me gjuhën që iu përshtatet.

1 – Dija si zbuluese e përjetshme e të vërtetave të përjetshme dhe dimensioneve të pafundme të tyre.

2 – Dija si zbuluese e kuptimit rreth vetes dhe si kultivuesve e këtij kuptimi tek vetja.

3 – Dija si urë drejt përjetësisë.

Këto tema, ndër të tjerash, ndërtojnë dhe personalitetin e duhur shkencor tek fëmijët tanë.

Në lidhje me pikën e parë…

Pra, u duhet theksuar brezit të ri dhe nxënësve se dija është mekanizëm për njohjen e të vërtetës, për njohjen e thelbit dhe esencës të së vërtetës dhe jo vetëm të lëndës së saj.

Bota është madhështore jo me masën e saj gjigante por me rolin dhe qëllimin e saj gjigand. Me anë të dijes arrijmë të kapërcejmë tek të vërteta që ekzistojnë edhe pse nuk i shohim, madje që janë më madhështore dhe më të vlefshme e më të rëndësishme se të vërtetat që shohim. Dhe sa më shumë zbulojmë nga sipërfaqja e të vërtetës esenciale, apo asaj që nuk duket, aq më shumë i japim vlerë të vërtetës materiale dhe aq më shumë zbulojmë dimensione të dobishme të përdorimit të vërtetës materiale.

Dhe sa më shumë lartësohemi në nivelet e njohjes së të vërtetës aq më shumë lartësohemi edhe si njerëz dhe aq më shumë i shtojmë vlerën vetes sonë si njerëz.

Pra relacioni dija – e vërteta duhet të zërë vendin e saj shumë të rëndësishëm në vetëdijen e fëmijëve tanë si dimension i domosdoshëm ruajtës dhe orientues i marrëdhënieve me dijen.

Në lidhje me pikën e dytë…

Dija, duke qenë mekanizmi i domosdoshëm i zbulimit të së vërtetës, kuptimi i parë të cilin duhet të zbulojmë me të është kuptimi i vetes sonë. “Unë kush jam…?! Pse jetoj…?! Po jeta vetë ç’është dhe pse është…?! Po vallë nga kam ardhur xhanëm…?!  Po vdekja vallë ç’është…?! Ekziston gjë pas vdekjes apo gjithçka shdërrohet në pluhur…?! Çfarë absurditeti: themi se nuk ekziston gjë mbas vdekjes e megjithatë e përcjellim të vdekurin me pesëqind nderime dhe mbi shpinë i vëmë tonelata beton e pllaka mermeri që kushtojnë me miliona lekë…?!

Këto pyetje janë ekzistenciale dhe të përjetshme, prandaj i bie të jenë të parat që duhet të marrin përgjegje nga dija që marrim sepse sipas kuptimit që i japim vetes sillemi me veten tonë dhe me botën rreth nesh dhe kjo është një lidhje e domosdoshme aksiomatike sa e rëndësishme aq edhe e rrezikshme ndaj të cilës ne si prindër duhet të jemi shumë të vëmendshëm në lidhje me brezin e ri dhe në lidhje me nxënësin e ri… .

Në lidhje me pikën e tretë…

Një nga fenomenet e rrezikshme që ka krijuar sistemi arsimor bashkëkohor materialist kapitalist është konceptimi i dijes si përkohshmëri dhe për rrjedhojë u ndikuan rëndë me pasojën e përkohshmërisë edhe qëllimet e dijes. Natyrisht se kështu do ta koncepte, dhe nuk kishte se si ndryshe, përderisa kjo ideologji e koncepton njeriun si pjellë majmuni… .

Mirëpo nëse dija do të konceptohet realisht si zbuluese e të vërtetave madhore dhe si zbuluese dhe konstatuese e kuptimit madhor të vetes sonë dhe të gjithësisë, për rrjedhojë dija do na zbulojë edhe përjetësinë, sepse nga kriteret e domosdoshme të kuptimeve të vërteta madhore është përjetësia sepse është e pamundur që njeriu, ky kuptim madhor, që buron nga një kuptim madhor të përfundojë në hiç…

Me këto rreshta modestë uroj të kem kontribuar sado pak në eliminimin ose të paktën zbutjen e ankthit të “gladiatorit të ri” më falni të nxënësit të ri… .

Autor: Sabaudin Jashari

[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Hadithi është Hasen Sahih.

[2] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ahmedi. Hadithi është Hasen Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *