Sporti është ftesë dhe jetë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Xhasim Mutawa

Sporti është një ndër aktivitetet më tërheqës për shumë njerëz sot në botë. Interesi për sportin, është shtuar shumë sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit. Numri i të rinjve që e pëleqejnë dhe ushtrojnë atë është gjithmonë në rritje. Të gjithë janë të interesuar dhe shumë prej tyre ushtrojnë një lloj të caktuar sporti. Klubet sportivë, revistat dhe gazetat, kanalet satelitorë sportivë dhe shpenzimet për sportin janë në rritje. Vetëm në Gjermani, dashamirësit e sportit shpenzojnë shuma marramendëse që arrijnë në miliona euro.

Kështu, sporti është shndërruar nga një aktivitet që përmirëson shëndetin, në një hobi dhe biznes fitimprurës, për të cilin është ngritur dhe funksionon një industri e tërë. Ashtu siç kemi stërvitje fizike, kemi edhe stërvitje morale dhe sjelljesh.

Dhulkarnejni, emrin e të cilit e hasim në suren Kehf, kur deshi të ndërtojë një digë të madhe, kërkoi ndihmën e njerëzve të fuqishëm. Për këtë, ai u drejtohet me fjalët:”më ndihmoni me fuqinë tuaj!” (Kehf, 95)

Vetë profeti Muhamed a.s e pëlqente sportin dhe i nxiste shokët e tij dhe muslimanët që të stërviten, të luajnë dhe të konkurojnë. Ai u kujtonte konkurrentëve historinë e tyre, me qëllim që t’i stimulojë. Njërit prej konkurrentëve, ai u thoshte:”Gjuani o fisi i Benu Seleme, pasi gjyshi juaj ka qenë harkëtar i madh” dhe kishte si qëllim profetin Ibrahim a.s. kështu, Profeti a.s e shihte stërvitjen dhe sportin si diçka që transmetohej brez pas brezi.

Profeti a.s jo vetëm që stërvitej me shokët e tij dhe i stimulonte të stërviteshin dhe të merren me sport, por këtë e bënte edhe me bashkëshorten e tij.

Një herë, Profeti a.s doli jashtë qytetit me shokët e tij dhe bashkëshorten, Aishen. Në një moment, ai u kërkoi shokëve që të vazhdonin rrugën. Kur ata u shkëputën një distancë të konsiderueshme, ai i tha Aishes:”A bëjmë gara kush vrapon më shpejt?”

Ajo iu përgjigj:”Po.”

Tregon Aisheja:”Unë ia kalova Profetit a.s, pasi isha e lehtë dhe nuk kisha kile të tepërta.”

Pas shtatë vitesh, Profeti a.s i kërkon sërish Aishes që të bëjnë gara vrapi dhe këtë herë, Profeti a.s ia kaloi. Pasi përfundoi gara, Profeti a.s i tha:”Tani jemi barazim.”

Një herë, u takova me një burrë të madh, gjithë muskuj dhe i fuqishëm. Por ajo që më habiti, ishte se me t’u takuar, filloi të më ankohej për një problem shumë të vogël dhe të parëndësishëm. Edhe pse në pamje fiziku i tij të jepte përshtypjen e një gradaçele, nga brenda ai ishte shumë i dobët dhe i papërmbajtur. Një problem i vogël e kishte shqetësuar dhe nuk e zinte gjumi. Ndërkohë, që një herë tjetër u takova me një burrë të shkurtër dhe të dobët. Por përsa i përket anës shpirtërore, durimit dhe vetëkontrollit, ai nuk kishte të krahasuar. Këto dy persona më bënë të ulem dhe të mendoj me vete. I pa të meta je Ti o Zot! Një burrë muskuloz, i madh dhe i fuqishëm, është i papërmbajtur dhe nuk duron aspak fatkeqësitë. Ndërkohë që një tjetër, edhe pse i vogël, i thatë dhe i shkurtër, posedon aftësi dhe fuqi për t’i përballuar sfidat e jetës.

Në një rast të tillë, e kuptova domethënien e dy haditheve të Profetit a.s, të cilët kanë të bëjmë pikërisht me stërvitjen fizike dhe rëndësinë e shëndetit.

Thotë Profeti a.s:”Besimtari i fuqishëm, është më i mirë dhe më i dashur tek Zoti, se besimtari i dobët.”

Me këto fjalë, Profeti a.s stimulon besimtarët që të kujdesen për fizikun e tyre. Profeti a.s bën një shtesë në fund të hadithit duke thënë:”Megjithatë, e mira ekziston tek të dy.” Dmth, prej të dyve mund të pritet e mira dhe dobia, sipas funksioneve dhe detyrave.

Unë kam muskuj dhe fuqi të madhe, por ku e shfrytëzoj këtë fuqi dhe këto energji? A i shfrytëzoj për punë të mira dhe të dobishme, apo i shfrytëzoj për të bërë zullume? A i shfrtëzoj për të përhapur të mirën, apo për të përhapur të keqen?

Hadithi i dytë është:”Nuk është i fortë ai që ka fuqi dhe muskuj, por i fortë është ai që përmban veten në rast gjaknxehtësie.”

Në këtë hadith, Profeti a.s e vlerëson fuqinë fizike, por më shumë i jep rëndësi forcës së karaterit dhe vetëpërmbajtjes.

Të përcjellësh mesazhin hyjnor tek njerëzimi, është më e rëndë se çdo peshë tjetër materiale. Edhe ajo është një lloj stërvitjeje, me të cilën njeriu forcon karakterin e tij.

Një herë, Profeti a.s kaloi pranë një populli të cilët organizonin gara për ngritjen e peshave të rënda. Profeti a.s i pyeti:”Çfarë bëni kështu?”

Ata iu përgjigjën:”O i dërguar i Zotit! Ne bëjmë gara kush ngre gurin më të rëndë.”

Pasi i stimuloi për të vazhduar me këtë lojë, Profeti a.s u tha:”Por më i fuqishëm se ai që ngre gurët e rëndë, është ai që përmban veten në rast gjaknxehtësie.”

Prandaj, ashtu siç duhet t’i kushtojmë rëndësi muskujve, pamjes dhe fizikut, duhet t’i kushtojmë rëndësi edhe sjelljeve tona, vullnetit, vetëpërmbajtjes dhe durimit. Profetët e vendosur, janë quajtur të tillë, pasi në momente të caktuara kanë treguar vendosmëri të lartë.

Njerëzit vlerësohen tek Zoti dhe dallohen sipas vetëpërmbajtjes, vullnetit, rezistencës ndaj gjynaheve etj… Një njeri që rend pas gjynaheve, epsheve dhe veprave të liga, edhe pse mund të jetë sportist dhe i fuqishëm, në fakt, ai është nga njerëzit më të dobët. Ndërkohë që ai e përmban veten ndaj veprave të ndaluara, edhe pse mund të mos jetë sportist dhe muskuloz, është njeri i fuqishëm dhe i fortë.

Kur muslimanët shkuan në Meke pas marrëveshjes së Hudejbijes në vitin e shtatë të hixhretit, mekasit përhapën fjalë se muslimanët janë të sëmurë dhe të ligësht. Për t’u treguar të kundërtën, Profeti a.s i urdhëroi muslimanët që t’a zbulonin krahun e djathtë gjatë tavafit dhe të nxitonin në tre xhirot e para. Ai u tha:”Zbulojeni shpatullën e djathtë me qëllim që t’ju tregojmë forcën tonë.”

Kështu, kur hynë në Meke, të gjithë muslimanët e kishin zbuluar supin e djathtë dhe tre xhirot e para të tavafit, i kryen me nxitim. Duke i parë, mekasit thonin:”Këta nuk qenkan të ligësht dhe të dobët. Këta qenkan të fortë.”

Të demonstrosh forcën dhe fuqinë është diçka e kërkuar, por kjo duhet bërë në kohën dhe kushtet e përshtatshme, sipas mënyrës dhe në vendin e duhur. Stërvitja dhe sporti ka disa dobi. Ajo e bën njeriun më të shkathët, i fal shpirt sportiv, e bën të pëlqejë konkurrencën dhe e mëson të fitojë por dhe të humbë. Jo çdo njeri e pranon humbjen. Ka njerëz që kur humbasin pikëllohen, zemërohen, humbin kontrollin dhe shpresat. Në disa universitete është një lëndë që u mësohet studentëve, e cila quhet:”Rrëmuja e stadiumeve.” Pas ndeshjes së futbollit, shohim publikun që bëjnë rrëmujë, thyejnë, shkatërojnë dhe kacafyten me njëri-tjetrin. Madje, disa ndeshje kanë përfunduar me të plagosur por edhe të vdekur.

Disa lloj sportesh shkaktojnë armiqësi dhe konflikte mes popujve, shteteve dhe fiseve.

Si mund t’a bëjmë sportin diçka të këndshme, ku të mos mungojë shpirti konkurrues, por edhe vetëpërmbajtja?

Kur e pyetën yllin e futbollit Pelen, mbi sekretin e suksesit të tij, u tha:”Sepse unë jam futbollist i mirë dhe karakterizohem nga morale të lartë.” Një sportist, duhet të ketë morale dhe edukatë të mirë.

Le të shohim profetin Muhamed a.s, në një rast humbjeje. Një ditë, Profeti a.s ishte me devenë e tij të njohur me emrin El-kasva. Një nga beduinët e shkretëtirës kishte devenë e tij. Deveja e Profetit a.s filloi të garojë me atë të beduinit dhe për çudinë e të gjithëve, fitoi deveja e beduinit. Të gjithë sahabet dhe muslimanët e panë sesi deveja e Profetit a.s mbeti pas. Duke dalluar hidhërimin dhe mërzinë në fytyrat e tyre, Profeti a.s u tha:”Nëse njerëzit duan t’a ngrenë dikë, e ul Zoti.”

Me këtë, sikur ai u thoshte:”Sado që një njeri të jetë i fuqishëm dhe me pozitë, duhet t’i mbështetet fuqisë së Zotit të madhëruar. Allahu i madhëruar është i Gjithëfuqishmi, Fisniku dhe i Gjithëpushtetshmi. Ai është burimi i forcës dhe fuqisë tonë. Kur u zgjodh Taluti të jetë komandanti i ushtrisë dhe mbreti i vendit, shumë nga paria e kundërshtuan këtë. Kjo, pasi ai nuk i përkiste shtresës së pasanikëve dhe të një niveli të lartë shoqëror.

Megjithatë, Zoti e përshkroi Talutin me cilësi të tilla:” dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore.” (Bekare, 247)

Zoti e kishte pajisur Talutin a.s me dije, njohuri dhe urtësi. Po ashtu, i kishte dhënë forcë fizike, me të cilën do u bënte ballë lodhjeve dhe mundimeve të qeverisjes. Ishin këto cilësi, që e bënë Talutin të aftë për mbret.

Rinia është simboli i fuqive dhe i energjive. Nëse do të pyesnim një të ri, cila është skuadra jote e preferuar, lojtari yt i pëlqyer dhe për cilën skuadër ndërkombëtare bën tifozllëk, padyshim që do të kishte një të tillë. Ai do t’i përmendte të gjithë emrat e skuadrës së zemrës një e nga një.

Nëse biem dakort që të rinjtë janë simbol i energjisë, fuqisë dhe sportit, atëherë si duhet t’i trajtojmë dhe si duhet të komunikojmë me ta?

65 % e popullsisë së botës islame përbëhet nga të rinj, të cilët janë të dhënë plotësisht pas sportit. Ne si prindër duhet t’i orientojmë siç duhet këta të rinj drejt sportit dhe stërvitjes. Vetë i dërguar i Zotit a.s dhe shokët e tij, i nxisnin fëmijët dhe të rinjtë e tyre që të merren me sport. A nuk thotë Profeti a.s:”U mësoni fëmijëve tuaj notin, gjuajtjen me shigjetë dhe kalërimin!”

Imam Shafiu, në çdo dhjetë gjuajtje me shigjetë, nëntë i gjuante në shenjë.

Muslimanët e parë, luanin me top të hypur mbi kuaj. Kështu, stërvisnin edhe veten por erdhe kuajtë për raste lufte.

Salahudin Ejubi u bë i famshëm dhe i njohur, pikërisht ngaqë stërvitej dhe këto aftësi fizike dhe mendore, i përdori për të mirën e umetit.

Prandaj, ne duhet t’i stimulojmë të rinjtë dhe fëmijët tanë që të stërviten dhe të merren me sport, por kjo të mos jetë në kurriz të obligimeve fetare dhe adhurimeve të përditshme. Ne nuk duhet të jepemi tërësisht pas sportit, duke neglizhuar kryerjen e namazit, agjërimit apo çdo lloj adhurimi tjetër.

A mund t’a përdorim sportin në përhapjen e islamit? A mund të shfrytëzohen sportet e ndryshme në përcjelljen e mesazhit islam në mbarë botën?

Pjesëmarrjen në kampionate ndërkombëtarë dhe olimpiada, duhet t’a shfrytëzojmë për mirë. Kjo, pasi atje na sheh dhe ndjek e gjithë bota.

Teksa pregatitesha për këtë emision, po kërkoja në jetëshkrimin e Profetit a.s, diçka që ka të bëjë me temën. Pyetja:”A e shfrytëzonte Profeti a.s sportin dhe stërvitjen, për të ftuar të tjerët në islam?” më vinte shpesh herë në mendje. Gjatë leximit të literaturës përkatëse, gjeta një ndodhi të çuditshme, ku Profeti a.s e kishte shfrytëzuar sportin për të bindur dikë për vërtetësinë e tij si profeti dhe i dërguar i Zotit.

Rukane, ishte një bari delesh dhe njihej si mundësi më i mirë. Trupi i tij ishte i fuqishëm dhe gjithë muskuj. Profeti a.s u takua me të një ditë në shkretëtirë dhe ai e pyeti:”A bëjmë mundje?”

Profeti a.s i tha:”Çfarë përfitoj nëse të mund?”

Rukane iu përgjigj:”Nëse më mund, do të të jap një dash.”

Profeti a.s i tha:”Atëherë le të fillojmë, me ndihmën e Zotit.”

Me t’u kapur, Profeti a.s e rrëzoi dhe e mundi. Rukane e mbajti fjalën dhe menjëherë mori një dash dhe ia dorëzoi Profetit a.s.

Pas pak i tha:”A bëjmë mundje sërish?”

Profeti a.s iu përgjigj:”Çfarë përfitoj po të munda?”

Rukane i tha:”Një dele.”

Profeti a.s pranoi dhe kështu filluan mundjen. Edhe këtë herë Profeti a.s e vuri poshtë dhe fitoi një dele.

Edhe një herë, Rukane i kërkoi të bënin mundje, duke i premtuar një dele, por edhe këtë herë Profeti a.s e mundi. Pasi i dha delen, Rukane tha:”Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Zotit.”

Pasi pranoi islamin, Profeti a.s ia ktheu delet që i fitoi. Kështu, shohim që Profeti a.s e shfrytëzonte forcën e tij fizike dhe sportin, për të ftuar të tjerët në islam.

Disa banorë të shkretëtirës, iu ankuan Profetit a.s se ecnin shumë në këmbë dhe lodheshin. Profeti a.s i këshilloi që të nxitojnë në të ecur. Kur e respektuan këtë porosi të Profetit a.s, nuk e ndjenin më rrugën e gjatë dhe lodhjen që ndjenin më parë.

Sipas ekspertëve sportivë dhe doktorëve, ecja e shpejtë e ul tensionin e punës. Madje ata e këshillojnë ecjen e shpejtë në mbrëmje, pasi njeriu të jetë kthyer nga puna e rëndë. Nëse kërkon të çlodhet, le të përshkojë një distancë duke ecur shpejt, gjë e cila ia lehtëson tensionin e ditës.

Sporti dhe stërvitja është një mënyrë relaksimi, është mënyrë kurimi, mënyrë e thirrjes dhe ftesës për në islam. Me anë të stërvitjes dhe sportit ne zhvillojmë trupin dhe muskujt tanë.

Shpesh herë, dikush që ka trup të bukur ose ka thyer rekorde në një lloj sporti, ndodh që të hiqet mendjemadh dhe arrogant. Pikërisht për këtë cilësi, Zoti ka ndëshkuar një popull të tërë, popullin e Adit, pasi ishin arrogantë dhe mendjemëdhenj.

Sporti dhe stërvitja, ashtu siç zhvillojnë dhe shtojnë energjinë fizike dhe muskujt, zhvillojnë edhe moralet, personalitetin dhe sjelljen e një njeriu. Siç e pamë më lart, vetë i dërguari i Zotit a.s e pëlqente sportin dhe i stimulonte muslimanët të merren me sport.

Stërvitja dhe sporti janë të rëndësishme, sidomos për të rinjtë. Atë duhet t’a shfrytëzojmë në dobi të fesë së Zotit dhe në shërbim të njerëzimit. Duke u marrë me sport, të rinjtë ruhen nga devijimi, fanatizmi dhe ekstremizmi. Duke u stërvitur, njeriu din të jetë më i ekuilibruar.

Shëndeti dhe sporti, hyjnë në objektivat e Sheriatit islam, për këtë duhet t’u kushtohet vëmendja e duhur.

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.