Sunetet e fitras

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

 

Sunetet e fitras

Termi “Sunetet e fitras” përfshin ato veprime, që njeriu nga vetë natyra e tij kërkon t`i kryejë dhe janë nga cilësitë e tij të natyrshme. Këto veprime i kanë kryer të gjithë të Dërguarit e Allahut (a.s). Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dhjetë gjëra janë nga fitra e njeriut: shkurtimi i mustaqeve, lëshimi i mjekrës, përdorimi i misvakut, pastrimi i hundës, shkurtimi i thonjve, larja e llumit në shpinën e dorës dhe gishtave, shkulja e qimeve të sqetullave, rruarja e qimeve të organeve intime dhe pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës”. Mus’abi (njëri nga përcjellësit) thotë: “E kam harruar të dhjetën, por mendoj se është larja e gojës gjatë marrjes së abdesit”[1]

Sunetet e Fitras janë:

1 – Rrethprerja apo synetllëku: Synetllëku është prerja e lafshës së organit mashkullor, në mënyrë që aty të mos mblidhet papastërtia apo urina. Synetllëku është nga traditat e të gjithë të Dërguarve të Allahut (a.s), duke filluar me Ibrahimin (a.s) e me të gjithë të Dërguarit që kanë ardhur pas tij. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Ibrahimi – miku i Mëshiruesit – është bërë synet, pasi ka mbushur 80 vjeç”[2]

Shumica e dijetarëve thonë, se synetllëku është obligim. Nuk ka kohë të caktuar për synetllëkun, mirëpo disa dijetarë preferojnë ditën e 7 pas lindjes. Është e pëlqyeshme, që personi të bëhet synet, para se të hyjë në moshën e pubertetit. Ebu Hanife dhe Sheukani thonë, se synetllëku nuk është obligim por Sunet.[3]Mendimi më i drejtë është, se rrethprerja është uaxhib për të vegjlit, ndërsa për ata që kanë pranuar Islamin në moshë madhore rrethprerja është sunet.

2/3 – Rruarja e qimeve të pjesëve të turpshme dhe shkulja e qimeve të sqetullave: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Pesë gjëra janë nga fitra (natyra) e njeriut: rruarja e pjesëve të turpshme, rrethprerja, shkurtimi i mustaqeve, shkulja e qimeve të sqetullave dhe shkurtimi i thonjve”[4]

4/5 – Shkurtimi i thonjve dhe mustaqeve: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush nuk i shkurton mustaqet, nuk është prej nesh”[5]

Preferohet që rruarja e qimeve, prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve të bëhet për çdo javë ose çdo dy javë. Enesi (r.a) thotë:“I Dërguari i Allahut (a.s) na caktoi, që për shkurtimin e mustaqeve, thonjve dhe për rruarjen e qimeve në vendet e turpshme të mos kalojnë 40 ditë”[6]

6 – Lëshimi i mjekrës: Mjekra është cilësi, me të cilën Allahu i Lartësuar ka dalluar burrat nga gratë. Prandaj i Dërguari i Allahut (a.s) ka nxitur për lëshimin e mjekrës. Me termin mjekër nënkuptojmë atë që njihet nga zakoni i një vendi si mjekër. Shumica e dijetarëve e konsiderojnë vaxhib mbajtjen e mjekrës. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dallohuni nga idhujtarët, lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet”[7] Me këtë nuk kuptohet lëshimi i saj aq sa t`i bëhet barrë njeriut, pasi në çdo çështje kërkohet balancim. Kur Ibn Omeri (r.a) bënte Haxhin apo Umren, e kapte mjekrën me dorë dhe çfarë ishte poshtë dorës, e shkurtonte.”[8]

7 – Mbajtja e flokëve dhe përkudesja për to: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush mban flokë, le të përkujdeset për to”[9]

Ata’ Ibn Jasir (r.a) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) me mjekër dhe flokë të shpupurisura. I Dërguari i Allahut (a.s) bëri me shenjë që t`i rregullojë. Ai u largua, i rregulloi dhe u kthye. I Dërguari i Allahut (a.s) tha:“A nuk është më mirë kështu? Mos i mbani flokët si shejtan”[10]

Lejohet rruarja e plotë e kokës, ashtu siç lejohet edhe zgjatja e flokëve, me kusht që personi të përkujdeset për to. Ibn Omeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Rruani kokat komplet, ose lërini flokët komplet!”[11]

Ibn Omeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar që të rruhet një pjesë e kokës, kurse pjesa tjetër të jetë me flokë.”[12] Është e papëlqyeshme, që koka të mbahet gjithmonë e rruar, sepse kjo është cilësi dalluese e Havarixhëve.

8 – Lënia (mos shkulja) e thinjave: Është sunet që thinjat të mos shkulen. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos i shkulni thinjat, sepse ato janë dritë e besimtarit. Çdo muslimani që është thinjur në Islam, Allahu i shkruan një të mirë, e ngre një gradë dhe i lan një mëkat (për çdo thinjë që ka)”[13]

9 – Lyerja e flokëve: Lejohet lyerja e flokëve me këna (të kuqe, të verdhë). I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Çifutët dhe të krishterët nuk i lyejnë flokët, prandaj dallohuni prej tyre (lyejini)”[14]

“Tregohet se disa sahabë i kanë lyer flokët me të verdhë, disa me të kuqe e disa të tjerë me të zezë.” Mirëpo nëse personi është në moshë të vjetër dhe ka thinja të bardha, urrehet që ato të lyhen me të zezë. Xhabiri (r.a) tregon: “Ditën e çlirimit të Mekes, Ebu Bekri (r.a) solli babain e tij që të pranojë Islamin. Ai ishte i vjetër në moshë, saqë koka i dukej shumë e bardhë. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Merreni dhe lyejani flokët me ndonjë ngjyrë, por largojani nga e zeza!”[15]

10 – Parfumosja: Është sunet që muslimani të parfumoset. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Nga kjo botë dua gratë dhe parfumin, kurse drita e syve të mi është në namaz.”[16]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush ju ofron parfum, mos e refuzoni, ai është i lehtë në mbajtje dhe ka erë të këndshme”[17] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë për miskun:“Ai është parfumi më i mirë”[18]

Lejohet që gratë të parfumosen, por parfumi i tyre nuk duhet të ketë erë të fortë.

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Parfumi më i mirë i meshkujve është ai që ka erë dhe nuk ka ngjyrë, ndërsa parfumi më i mirë për femra, është ai që i duket ngjyra por nuk i ndihet era[19]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Muslimi (261).

[2] – Buhariu (3356) dhe Muslimi (2370).

[3] – Nejlul Eutar (1/167).

[4] – Buhariu (5889) dhe Muslimi (257).

[5] – Tirmidhiu (2761), Nesai (13) dhe Ahmedi (4/366). Hadithi është Sahih.

[6] – Muslimi (258).

[7] – Buhariu (5892) dhe Muslimi (259).

[8] – Buhariu (5892).

[9] – Ebu Daudi (4160). Hadith Sahih.

[10] – Maliku (764). Hadithi është Mursel.

[11] – Muslimi (2120).

[12] – Buhariu (5920) dhe Muslimi (2120).

[13] – Ebu Daudi (4202), Tirmidhiu (2821) dhe të tjerë. Hadithi është Hasen ligajrihi.

[14] – Buhariu (3462) dhe Muslimi (2103).

[15] – Muslimi (2102).

[16] – Nesaiu (3949). Hadithi është Sahih.

[17] – Muslimi (2253).

[18] – Tirmidhiu (991). Hadithi është Sahih.

[19] – Ebu Daudi (2174), Tirmidhiu (2787), Nesaiu (5132) dhe Ahmedi (2/447). Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *