Suneti është metodologji e ekuilibruar

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Suneti dallohet me ekuilibrin e tij, sepse ai bën ekuilibrin midis shpirtit dhe trupit, mendjes dhe zemrës, Dynjasë dhe Ahiretit, ideales dhe reales, teorisë dhe praktikës, të padukshmes dhe të dukshmes, lirisë dhe përgjegjësisë, individualizmit dhe kolektivizimit, imitimit dhe novacionit.

Suneti është metodologjia  e Umetit të ekuilibruar, që nuk e kalon cakun por as nuk lë gjë mangut. Allahu i Lartësuar thotë: “Që të mos kaloni kufirin në drejtësi. Edhe ju mbani peshojën me drejtësi, e mos lini gjë mangut në peshojë.”[1]

Kur Profeti (a.s) vërente tek disa prej shokëve të tij ndonjë veprim të tepruar apo  neglizhencë, me autoritetin që kishte, i orientonte për tek qëndrimi mesatar dhe i paralajmëronte nga pasojat e teprimit apo të neglizhencës.

Profeti (a.s) i kritikoi tre personat, të cilët kur pyetën për mënyrën se si ai (a.s)  e adhuronte Allahun, ju duk si e paktë adhurimi i Profetit (a.s) duke qenë se ata kishin dëshirë të madhe për të kryer sa më shumë adhurim. Njëri prej tyre vendosi të agjëronte çdo ditë. Personi i  dytë vendosi të falej gjithë natën dhe të mos flinte kurrë, kurse personi i tretë vendosi t’i braktiste gratë dhe të mos martohej kurrë. Kur Profetit (a.s) i ranë në vesh fjalët e tyre tha: “Unë jam më i  devotshëm dhe më i përkushtuar se ju në adhurim ndaj Allahut, unë disa ditë i agjëroj dhe të tjera jo, falem gjatë natës por edhe fle dhe gjithashtu martohem. Kushdo që i kthen shpinën Sunetit tim, ai nuk është prej meje.”[2]

Gjithashtu kur ai (a.s) pa se Abdullah ibn Amri agjëronte, falte namaz dhe lexonte Kuran në mënyrë të tepruar e të ekzagjiruar e ktheu atë në rrugën mesatare duke i thënë: “Me të vërtetë, ti ke detyrime ndaj trupit tënd për të pushuar, ke detyrime ndaj syrit se duhet të flesh, ke detyrime ndaj familjes dhe ke detyrime ndaj miqve, prandaj jepi gjithçkaje të drejtën që i takon.”[3]

Profeti (a.s) ka qenë shembulli më i mirë i ekuilibrimit në të gjitha aspektet e jetës, ashtu siç ka dëshmuar Suneti dhe Jetëshkrimi i tij. Ai (a.s) ka qenë i ekuilibruar  në raportet me Zotin, me vetveten, me familjen, me shokët dhe me të gjithë njerëzit.[4]

Duaja që më së shumti lutej ishte lutja kuranore: “Zoti ynë na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit të Xhehenemit”[5]

Gjithashtu ai (a.s) i drejtohej Allahut me këtë lutje: “Zoti im! Përmirësoje fenë time që është mburoja ime, përmirësoje Dynjanë time në të cilën jetoj, përmirësoje Ahiretin tim ku do të jetë kthimi im. Bëje jetën shtim për çdo të mirë dhe vdekjen shpëtim nga çdo e keqe.”[6]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxi

[1] – Sure Rahman: 8 – 9.

[2] – Buhari (5063) dhe Muslimi (1401).

[3] – Buhariu (1975) dhe Muslimi (1159).

[4] – Për më tepër, shih librin tonë “Hajatur Rabbanijetu uel Ilmu”, fq: 53 – 65.

[5] – Sure Bekare: 201.

[6] – Muslimi (2720) prej Ebu Hurejres.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.