Suneti është metodologji realiste

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Suneti është metodologji aktuale dhe realiste, sepse ai nuk i trajton njerëzit sikur të jenë engjëj me krahë, por i trajton si njerëz të cilët hanë e pinë, lëvizin nëpër treg, kanë instikte, dëshira, e kërkesat e tyre të domosdoshme dhe të nevojshme. Ata kanë dëshirat e tyre supreme shpirtërore, ndjesi për t’u ngjitur me adhurime tek Zoti. Ata janë krijuar nga balta e zezë me erë të keqe, ashtu sikurse kanë aromë nga mëshira hyjnore.

Prandaj nuk është çudi që njeriu të ngjitet lart apo të bjerë poshtë, të çohet apo të rrëzohet, të udhëzohet apo të humbë, të drejtohet apo të devijojë, të mëkatojë apo të pendohet.

Kur njëri prej sahabëve, mendoi se kishte bërë hipokrizi, sepse ndryshe ishte në shtëpi dhe ndryshe kur ishte në prezencë të Profetit (a.s), ai rendi me të katra për tek Profeti (a.s) duke i thënë: “Handhala[1]ka bërë hipokrizi, Handhala ka bërë hipokrizi.” Më pas ai i tregoi Profetit (a.s) se përse e quante veten hipokrit. Ai tregoi se kur ishte në prani të tij, zemra i zbutej, sytë i lotonin, e përmendte Zotin dhe e sillte ndërmend botën tjetër sikur ta shikonte atë me sy. Mirëpo kur ai kthehej në shtëpi, i përkëdhelte fëmijët dhe dëfrehej me bashkëshorten duke harruar gjëndjen e mëparshme. Në lidhje me këtë situatë, Profeti  i nderuar (a.s) i tha: “O Handhale! Nëse ju do të vazhdoni të jeni në të njëjtën gjëndje sikurse jeni tek unë, atëherë engjëjt do t’ju përshëndesnin në rrugë duke ju shtrënguar duart. Por – O Handhele –  një orë duhet të përmendni Zotin dhe një orë tjetër duhet të rrini me familjen.”[2]

Kështu pra, Profeti (a.s) e thotë hapur se njeriu ashtu siç mund të jetë i përmalluar për Allahun po ashtu mund të jetë i shkujdesur dhe i pavëmendshëm. Megjithatë kjo gjë nuk përbën problem për të, nëse ai e përpjeston kohën, duke lënë një pjesë të kohës për veten e tij dhe një pjesë tjetër për Zotin, ose një pjesë të kohës për Dynjanë dhe tjetrën për Ahiretin, ashtu sikurse thuhet në një proverb: Një orë për zemrën dhe një orë për Zotin.

Për këtë arsye, sheriati e ka marrë në konsideratë dobësinë e njeriut duke e zgjeruar sferën e gjërave të lejuara dhe duke e ngushtuar sferën e gjërave të ndaluara. Në një hadith lexojmë sa më poshtë: “Atë gjë që Allahu e ka bërë hallall në Librin e Tij, ajo është hallall. Atë që e ka bërë haram, ajo është haram dhe për atë gjë për të cilën ka heshtur është amnisti, prandaj pranojeni amnistinë hyjnore, sepse Allahu nuk harron asgjë. Pastaj ai (a.s) recitoi ajetin kuranor: (E Zoti yt nuk është që harron)[3][4]

Suneti i Profetit (a.s) e ka marrë në konsideratë dobësinë e njeriut duke i lejuar atij gjërat e ndaluara në rastet e domosdoshmërisë, dhe jo vetëm kaq, por i ka marrë në konsideratë edhe nevojat që ka njeriu duke ia lejuar disa gjëra të ndaluara, ashtu siç veproi Profeti (a.s) kur i lejoi dy sahabë që të vishnin mëndafsh, pasi ata iu ankuan atij se kishin zgjebe.

Suneti i Profetit e ka marrë në konsideratë gjëndjen reale dhe dobësinë e njeriut kur mëkaton. Ai nuk ia ka mbyllur atij portën e pendesës, përkundrazi i ka hapur atij portën e pendesës që të trokasë në të duke i kërkuar Zotit falje, ashtu siç ka thënë Profeti (a.s): “Me të vërtetë,  Allahu i Lartësuar e shtrin dorën e Tij natën, që të pendohet mëkatari i ditës. Po ashtu Ai e shtrin dorën e Tij ditën, që të pendohet mëkatari i natës. Kjo ndodh vazhdimisht, derisa dielli të lindë nga perëndimi”[5].

Gjithashtu ai (a.s) ka thënë: “Betohem në emër të Atij të Cilit shpirti im është në dorën e Tij, nëse ju nuk do të mëkatonit e pastaj të pendoheshit, Allahu do t’ju largonte nga kjo Dynja dhe do të sillte njerëz të tjerë të cilët do të mëkatonin, do të pendoheshin dhe Ai do t’ia pranonte pendesën.”[6]

Suneti i Profetit (a.s) e ka marrë në konsideratë gjendjen e ndryshme të njerëzve, dallimet midis tyre, qofshin ato dhunti apo të përvetsuara prej tyre. Prandaj Profeti (a.s) për të njëjtën pyetje të drejtuar nga persona të ndryshëm jepte përgjigje të ndryshme, duke marrë në konsideratë situatat dhe rrethanat e tyre. Të moshuarin e trajtonte ndryshe nga i riu, dhe njeriun në nevojë e trajtonte ndryshe kur ai ishte në rehati dhe komoditet.

Po ashtu, Profeti (a.s) i ka marrë në konsideratë zakonet dhe doket e ndryshme të njerëzve. Nisur nga kjo konsideratë, ai (a.s) i lejoi Ahbashët të luanin me shtiza në xhami në ditën e festës së Bajramit, dhe po ashtu e lejoi Aishen (r.a)  t’i shikonte ata pas supit të tij,. Ai (a.s) i ftonte disa vajza të luanin me Aishen (r.a) duke marrë në konsideratë moshën e saj të re.

Gjithashtu ai (a.s) e ka bërë legjitime dëfrimin në raste festash, apo kur dikush kthehej nga udhëtimi e në shumë raste të tjera, duke marrë në konsideratë nevojën që ka njeriu për t’u dërfryer dhe argëtuar. [7]

Raste të aktualitetit dhe shembuj të tillë ka plot. Të gjitha ato, ndërtohen mbi bazë të aktualitetit të kësaj metodologjie hyjnnore profetike.

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sahabiju që shkoi tek Profeti (a.s) quhej Handhala. Sh.p.k.

[2] – Muslimi (2750).

[3] – Sure Merjem: 64.

[4] – Hakimi (2/375) në Sahihun e tij dhe Dhehebiu kanë dhënë pëlqimin e tij me këtë hadith. Hejthemiu në “Mexhmu’uz Zeuaidi” (1/171) ka thënë: Këtë hadith e kanë transmetuar Bezari dhe Tabarani në Kebir. Zinxhiri i transmetimit është Hasen dhe të gjithë transmetuesit janë të besueshëm.

[5]– Muslimi (2759) dhe Ahmedi prej Ebu Musës.

[6] – Muslimi (2749).

[7] – Për më tepër shih librin e autorit: “Melamihul Muxhtemeil Muslimi” në kapitullin e Argëtimit dhe Arteve. Gjtihashtu shih librin tjetër të autorit: “El Islamu uel ffennu”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.