Tefsiri i ajetit “Dhe ka nga njerëzit të cilët e adhurojnë Allahun në dyshim (pa bindje të plotë)…”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Sa herë e kemi lexuar fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe ka nga njerëzit që adhurojnë Allahun në dyshim (pa bindje të plotë). Nëse i vjen ndonjë e mirë, qetësohet me të, e nëse e godet ndonjë sprovë, kthehet në të kundërtën (nga besimi i tij); ai ka humbur këtë botë dhe botën tjetër. Kjo është humbja e qartë.”[1]

Kjo është çështja e atyre me besim të dobët. Ata lidhen me zbukurimet e kësaj bote, si pasuria, mirëqenia dhe siguria shoqërore e familjare. Këto gjëra janë kandari me të cilin ata peshojnë kënaqësinë. Nëse përfitojnë një pjesë të madhe prej tyre, ndihen të kënaqur; por nëse përballen me sprova për shkak të përkatësisë së tyre ndaj këtij besimi, ata shqetësohen, ankohen dhe fillojnë të rishikojnë qëndrimin e tyre ndaj rrugës së Zotit. Të tillët mendojnë: “A nuk është më mirë të heq dorë nga ajo që më identifikon si musliman dhe të jetoj në paqe me normat dhe traditat e shoqërisë? A nuk është kjo më e mirë sesa të ekspozoj veten dhe familjen ndaj sprovave që mund t’i shmang?”

Shkaku i zbritjes së ajetit

Imam Buhariu transmeton nga Ibn Abasi (r.a) se një burrë shkoi në Medinë,  i cili tha (me vete) Nëse gruaja e tij do të lindte djalë dhe kuajt e tij do të pillnin, ai thoshte: “Ky është një besim i mirë.” Por, nëse gruaja e tij nuk do të lindte dhe kuajt nuk do të pillnin, ai thoshte: “Ky është një besim i keq.”

Në ajetin kuranor të lartpërmendur na shfaqen dy peshore të ndryshme:

Peshorja e atij që e ka mbushur zemrën me besim, që e di se kjo jetë është një vend prove dhe se bota tjetër është vendi i përhershëm. Ai qëndron i qëndrueshëm në fenë e tij, duron sprovat dhe lufton për hatër të Zotit. Dhe peshorja e dytë është peshorja e atij që e harron botën tjetër, zgjedh këtë botë dhe bëhet skllav i dëshirave të saj.

Shembuj nga Kurani për këto qëndrime

Faraoni – i mashtruar nga pasuria dhe pushteti – tha: “A nuk është për mua mbretëria e Egjiptit dhe këto lumenj që rrjedhin nën pushtetin tim? A nuk po shihni? A jam unë më i mirë se ky (Musai) që është i përbuzur dhe mezi flet qartë?”[2]

Ky qëndrim na kujton disa tiranë bashkëkohorë, të cilët përbuzin njerëzit dhe krekosen me pushtetin e tyre.

Edhe Ebu Xhehli dhe shokët e tij thoshin, siç tregon Allahu: “E kur u lexohen atyre ajetet tona të qarta, ata që mohojnë u thonë atyre që besojnë: ‘Cila nga të dy grupet është në pozitë më të mirë dhe ka më shumë të mira?”[3]

Në peshoren e xhahilijes, Ebu Xhehli dhe të tjerë të ngjashëm si ai gëzonin status dhe pasuri, në shoqëri,  kurse Bilali, Ammari, Sumeja dhe të dobëtit e tjerë ishin përbuzur. Por në peshoren e Allahut, mosbesimtarët nuk vlejnë as sa krahët e një mushkonje.

Humbja e dy botëve

Ajeti thotë se ata që adhurojnë Allahun duke qenë dyshues humbasin si këtë botë, ashtu edhe botën tjetër. Se çfarë humbasin në botën tjetër është mëse e qartë. Por çfarë humbin ata në këtë botë? Padyshim që ata humbin shumë, por ajo që është më kryesorja ata humbasin dinjitetin e tyre njerëzor dhe jetojnë si kafshët, ashtu sikur thotë Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik:  “Ata që nuk besojnë shijojnë dhe hanë siç hanë kafshët.”[4] E kush jeton si kafshët, ka humbur këtë botë para se të humbë botën tjetër.

Shembulli i profetëve dhe ndjekësve të tyre

Ndërsa profetët dhe ata që i ndoqën zgjodhën të qëndrojnë në të vërtetën, duke pranuar atë që është te Allahu, sepse është më e mirë dhe më e qëndrueshme. Ata duruan sprovat, jetuan një jetë të mirë me praninë e Zotit dhe fituan kënaqësinë dhe Xhenetin e Tij.

Prandja gjithësekush prej nesh le të zgjedhë:

Që të jetojë për Allahun, i kënaqur me caktimin e Tij, i sigurt në mëshirën dhe dhuntitë e Tij, dhe të shpëtojë në Ditën e Gjykimit.

Ose të mbetet në errësirë, pa rrugëdalje prej saj, e të humbë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Haxh: 11.

[2] – Sure Zuhruf: 51 – 52.

[3] – Sure Merjem: 73.

[4] – Sure Muhamed: 12.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.