Nuk është e thënë që njeriu të arrijë çdo gjë që dëshiron… madje as i Dërguari i Allahut (a.s). Të rinjtë duan që çdo gjë të ndodhë menjëherë dhe në mënyrë të përsosur, por kjo nuk është praktike. Ndonjëherë, sheriati disa çështje edhe sikur të jenë madhore për hir të një interesi më të përgjithshëm urdhëron që ato mos të veprohen, ose për shkak se dëmi që shkaktohet mund të jetë më i madh se përfitimi. Ky është një standard matës i hollësishëm që kërkon dijetarë të mëdhenj, të cilët dinë të bëjnë vlerësimin e duhur.
Kur Profeti (a.s) çliroi Mekën në vitin 8 hixhri dhe pati kontroll të plotë mbi qytetin si udhëheqës i padiskutueshëm, ai nuk arriti të realizonte tre dëshira të tij lidhur me Qaben:
1 – Ta ndërtonte Qaben mbi themelet e Ibrahimit (a.s).
2 – Ta vendoste derën e saj në nivel me tokën.
3 – Të ndërtonte dy dyer, një në lindje dhe një në perëndim.
Në sahihun e Buhariut, transmetohet nga Aishja (a.s) se i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “A nuk e di ti se populli yt e ndërtoi Qaben duke u larguar nga themelet e Ibrahimit?” Aishja e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, pse nuk e rikthen mbi themelet e Ibrahimit?” Ai u përgjigj: “Po të mos ishte për faktin se populli yt sapo ka dalë nga mosbesimi, do ta bëja këtë.” (Ata mund të mendonin se ai po e bënte këtë për të fituar lavdi personale ose se do të shqetësoheshin nga shkatërrimi i saj.)
Po ashtu, në një tjetër transmetim të Buhariut, Aishja (r.a) e pyeti Profetin (a.s) nëse muri gjysmë-rrethor (Hixhri Ismailit) ishte pjesë e Qabes, dhe ai u përgjigj: “Po.” Kur ajo e pyeti se pse nuk ishte përfshirë në ndërtim, ai u përgjigj: “Populli yt nuk kishte fonde të mjaftueshme për ta ndërtuar plotësisht.” Kur e pyeti pse dera e Qabes ishte vendosur e ngritur, ai tha: “E bënë këtë që të fusnin brenda atë që donin dhe të ndalonin atë që nuk donin. Sikur të mos kishte qenë fakti se populli yt është i ri në Islam, do ta përfshija Hixhrin brenda Qabes dhe do ta vendosja derën në nivel me tokën.”
Në një tjetër hadith të Buhariut, Profeti (a.s) tha: “Oj Aishe, po të mos ishte se populli yt sapo ka lënë mosbesimin, do ta shembja Qaben dhe do t’i vendosja dy dyer: një për të hyrë njerëzit dhe një për të dalë.”
Nga ky qëndrim i Profetit (a.s) mund të nxjerrim disa mësime:
1 – Dijetari Ibn Mulkin ka thënë: Në këtë rast, shohim se ndonjëherë duhet të lihet një e mirë për të shmangur një fitne (trazirë) më të madhe, dhe se ndonjëherë duhet të hiqet dorë nga një interes për të shmangur një dëm më të madh.
Kjo ilustrohet edhe me fjalët e kalifit Omer bin Abdulaziz ndaj të birit, kur ai e pyeti: “Pse nuk e zbaton të vërtetën menjëherë? Nuk më intereson nëse vuajmë të dy për hir të vërtetës!” Omeri iu përgjigj: “Mos u ngut, biri im. Allahu e qortoi alkoolin në Kuran dy herë para se ta ndalonte në të tretën. Unë kam frikë se nëse i imponohet popullit e vërteta e plotë menjëherë, ata do ta refuzojnë atë dhe do të krijohet një trazirë.”
Muslimani shpërblehet më shumë dhe në mënyrë më madhështore kur ndjek ligjin e Allahut në një çështje, edhe pse ndonjëherë ajo që dëshiron mund të jetë më e vështirë dhe të kërkojë më shumë sakrificë. Megjithatë, synimi i sheriatit është arritja e një vizioni të përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës, i cili zakonisht gjendet në mendimin më të lehtë dhe jo në atë më të vështirë. Në çdo rast, çështja kërkon përpjekje dhe ixhtihad nga dijetarë të mëdhenj.
2 – Ndjekja e urtësisë së adhurimeve është e legjitimuar nga sheriati, por pa devijuar nga udhëzimi i Profetit (a.s), e dimë apo nuk e dimë urtësinë e adhurimeve.
Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut (a.s) të ketë lënë pa prekur dy këndet që janë pranë Hixhrit, përveçse për faktin se shtëpia (Qabeja) nuk ishte ndërtuar plotësisht mbi themelet e Ibrahimit.”
Omeri (r.a) para se të puthte gurin e zi, tha: “Pasha Allahun, unë e di që je vetëm një gur, që nuk dëmton dhe nuk sjell dobi. Po të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke të puthur, nuk do ta bëja këtë.”
Nga kjo mësojmë se vendimet fetare dhe ligjore duhet të bazohen tek urtësia dhe objektivat e përgjithshme të sheriatit dhe se ndonjëherë është më e drejtë të zgjedhësh rrugën më të lehtë për të ruajtur harmoninë dhe shmangur trazirat.
Autor: Ragib Serxhani
Përktheu: Elton Harxhi