Tregime të kohës së fundit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me përshkallëzimin e sfidave që përball realitetin islam bashkëkohor, vihet re një lidhje gjithnjë e më e thellë me hadithet që flasin për Mehdiun dhe betejën e madhe (Melhame el-Kubra), si një formë kërkimi për një “shpresë të jashtëzakonshme” apo një shpëtim të paracaktuar. Kjo shpresë shërben si mjet për kompensim psikologjik dhe arratisje nga barra e realitetit. Ky model mendimi njihet në psikologji si “shpëtimi me ndërmjetësim”, ku shpresa vendoset tek ardhja e një shpëtimtari që pritet t’i japë fund menjëherë pafuqisë dhe dobësimit kolektiv. Sprovat e gjata, shpeshherë, janë ato që gjenerojnë dhe ushqejnë këtë lloj diskursi.

Jehona e kësaj pafuqie dëgjohet në shumë zëra: “Jemi në fundin e kohës”, “Është afruar ora”, “Janë shfaqur shenjat e fundit”, apo “Në filan vit problemi do të zgjidhet në mënyrë të paracaktuar” – dhe kështu riprodhohen rrëfimet historike dhe projektohen mbi të tashmen. Në këtë kontekst, logjika, arsyeja dhe shkenca nuk kanë më vend, por gjithçka reduktohet në një shkarkim emocional dhe asgjë më tepër.

Në kushtet e mungesës së mendimit shkencor dhe arsyetimit kritik, feja shndërrohet në një formë astrologjie fetare apo në një kinematografi të së ardhmes që e mban njeriun në një gjendje pritjeje të përhershme, në vend që të jetë një projekt praktik i hapur ndaj së ardhmes. Në këtë mënyrë, feja reduktohet në rrëfime për fundin, ndërkohë që në thelb është një projekt themelor për ringjallje dhe veprim. Mjafton një vështrim i vetëm në Librin e Allahut për të kuptuar se feja është një projekt, hallkat e të cilit nuk janë përfunduar ende, dhe se mesazhi nuk është një fund, por një fillim që kërkon përpjekje të gjatë dhe grumbullim të vazhdueshëm për të vendosur drejtësinë dhe përhapur mëshirën në tokë.

Interpretimi i haditheve të fundit të kohës në një mënyrë që forcon pafuqinë dhe çon në pasivitet në vend të përpjekjes, është një sëmundje e rrezikshme. Në një kohë kur popujt luftojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe përballen me caktimet e Allahut përmes caktimeve të Tij, ne e gjejmë veten të rreshtuar në radhët e pritjes, robër të iluzionit të një shpëtimi të vonuar.

Por feja është e pafajshme ndaj kësaj pafuqie, përkundrazi, ajo është thirrje për veprim dhe nismë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe thuaju: Punoni! Se Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i Dërguari i Tij, edhe besimtarët. E pastaj do të ktheheni te Ai që di të fshehtën dhe të dukshmen, e Ai do t’ju tregojë çfarë keni punuar.”[1] Po ashtu edhe Profeti (a.s) është lutur me fjalët: “O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga pafuqia dhe përtacia.”

Konkluzion: Nëse ndjen që je i pafuqishëm dhe i patakatshëm për të ndërvepruar me realiten, mos ia atribuo këtë fesë, por ngacmimeve të shejtanit. Largoju fallxhorëve, edhe nëse veshin petkun e fesë, sepse ata nuk janë gjë tjetër veçse tregtarë iluzionesh.

Autor: Xhasim Sulltan

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Teube: 105.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *