Udhëzimi dhe praktika e tij (a.s) në çështjen e ushqimit ishte kjo: nuk refuzonte atë që gjendej, dhe nuk e sforconte veten për të kërkuar diçka të veçantë.
Çfarëdo ushqimi të mirë që i sillnin, ai (a.s) e hante; nuk e shante ushqimin dhe as nuk e lavdëronte. Kurrë nuk e ka qortuar një ushqim. Ka njerëz që, kur ftohen në një tryezë, tregojnë dhjetë vërejtje: kjo është shumë e kripur, kjo nuk është zgjedhur mirë… Ndërsa ndyshe ishte Pejgamberi (a.s).
Ai (a.s), pra, nuk e përçmonte kurrë ushqimin. Çfarëdo prej të mirave që i ofrohej, e hante; përveç nëse natyra e tij e refuzonte, atëherë e linte pa e ngrënë, por duke mos e konsideruar atë të ndaluar. Sepse çështja e haramit është çështje e madhe. Të shumtë janë ata njerëz që një ushqim, nxitojnë ta shpallin hallall e haram; ndërsa hallalli dhe harami janë vetëm aty ku ka tekst. Nëse nuk ka tekst, parimi themelor në gjërat është lejueshmëria, ndërsa parimi në adhurime është ndalesa: nuk ligjësohet një adhurim pa tekst dhe nuk ndalohet një gjë pa tekst. Përderisa nuk ka ndalesë, atëherë në parim mbetet lejueshmëria. Prandaj ai (a.s) e linte ushqimin vetëm sepse nuk i pëlqente natyrës së tij dhe jo se ishte i ndaluar.
Ai (a.s) kurrë nuk e ka qortuar ushqimin: nëse e dëshironte, e hante; përndryshe e linte, ashtu siç e la mishin e hardhucës pasi më parë ai nuk kishte ngrënë atë. Megjithatë nuk ia ndaloi umetit, madje të pranishmit e hëngrën atë para tij në sofër, ndërsa ai po shikonte.
Njëherë Halidi (r.a) hëngri mishin e hardhucës para tij. Komenti i Pejgamberit (a.s) ishte i çuditshëm – në dukje – pa lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen. Ai (a.s) tha: “Halidi është një shpatë prej shpatave të Allahut.” Halidi (a.s) ishte nga banorët e Mekës së Nderuar, një nga qytetet më të njohura të Gadishullit Arabik, që do të thotë se kishte shije të holla. Kur ai e hëngri mishin e hardhucës para Pejgamberit (a.s), ai (a.s)e kuptoi se Halidi po e përgatiste veten për xhihad. Kjo kafshë rritet në shkretëtirë; duke e ngrënë, ai po i mësonte edhe njerëzit që do të luftonin me të të ushqeheshin me të. Kështu, Pejgamberi (a.s) e kuptoi se ngrënia e mishit të hardhucës nga ana e Halidit (r.a) ishte shenjë se ai po e përgatiste veten për të marrë pjesë në xhihad.
Pejgamberi (a.s) nuk refuzonte ushqimin e mirë dhe as nuk e sforconte veten për ta kërkuar atë:
Ai (a.s) hante ëmbëlsira dhe mjaltë – dhe i pëlqenin ato – hante mish deveje, mish deleje, mish pule, mish gomari të egër, lepur, hante ushqime deti, hante mish të pjekur në zgarrë, hante hurma të freskëta dhe hurma të thata, pinte qumësht të pastër dhe qumësht të përzier me ujë, pinte mjaltë të përzier me ujë – i pëlqente pija e mjaltit, dhe mjalti i holluar me ujë është më i dobishëm – pinte lëng hurmash të njomura, hante khezire – që është një supë e përgatitur nga qumështi dhe mielli – hante kastravec me hurma të freskëta, hante ikṭ (qumësht i tharë), hante hurma me bukë, hante bukë me uthull, hante therid – që është bukë me mish – hante bukë me yndyrë të shkrirë (dhjam i shkrirë), hante mëlçi të pjekur, hante kaded (mish i tharë), hante kungull të gatuar dhe e pëlqente atë, hante ushqim të zier, hante therid me gjalpë, hante djathë, hante bukë me vaj, hante shalqi me hurma të freskëta, dhe hante hurma me gjalpë dhe i pëlqente.
Ai (a.s) nuk e refuzonte ushqimin e mirë dhe nuk e sforconte veten për ta siguruar; përkundrazi, udhëzimi i tij ishte të hante atë që i vinte lehtë e në dispozicion. Nëse nuk gjente gjë, bënte durim. Siç transmetohet në një hadith, Ai (a.s) pyeti “A keni diçka (për të ngrënë)?” I thanë: “Jo.” Ai (a.s) tha: “Atëherë unë jam agjërues.”
Pejgamberi fisnik (a.s) nuk e sforconte veten për atë që synonte dhe nuk e tepronte me atë që kishte; e përmendte emrin e Allahut dhe e falënderonte Atë:
Ai (a.s) nuk e sforconte veten për të kërkuar ushqim të veçantë, as nuk e tepronte me atë që i gjendej, dhe kalonin hëna pas hëne e në shtëpinë e tij nuk ndizej zjarri për të gatuar, bënte një jetesë të thjeshtë dhe jetonte me gjëra elementare. Shumicën e ushqimit e vendoste në sofër në tokë, e cila ishte tryeza e tij; hante në tokë. Ai (a.s) hante me tre gishta dhe, pasi përfundonte, i lëpinte ata. I lante duart para ushqimit, që kur t’i lëpinte në fund të ishin të pastra; dhe i lëpinte pas përfundimit. Të hash me tre gishta është më e hijshme; me pesë gishta tregon pangopësi, me një gisht tregon mendjemadhësi; me tre është Sunet. Është thënë: mendjemadhi ha me një gisht, ndërsa i pangopuri dhe lakmitari ha me pesë gishta dhe shtyn me pëllëmbë.
Ai (a.s) nuk hante i mbështetur. Të mbështeturi është e tre lloje:
1 – mbështetja në anë,
2 – ulja këmbëkryq,
3 – mbështetja në njërën dorë duke ngrënë me tjetrën.
Ai (a.s) e përmendte emrin e Allahut në fillim të ushqimit dhe e falënderonte Atë në fund. Kur përfundonte, thoshte:
“Elhamdu lil-lahi kethīran ṭajjiban mubārakan fīh, ghajre mukaffā, ue lā muuedda‘, ue lā mustaghnā ‘anhu Rabbunā.”
(Falënderimi i takon Allahut, falënderim i shumtë, i mirë dhe i bekuar; që nuk është i mjaftuar (pa nevojë për shtesë), as i lënë pas dore, dhe nga i Cili nuk mund të jemi të pavarur, Zoti ynë.)[1]
Dhe nganjëherë thoshte:
“Elhamdu lil-lahi’l-ledhī yuṭ‘imu ue lā yuṭ‘am, menna ‘alejnā fe-hedānā, ue aṭ‘amenā fe-seqānā, ue kul-lu belā’in ḥasanin eblānā. Elhamdu lil-lahi’l-ledhī aṭ‘ama mina’ṭ-ṭa‘ām, ue seqā mina’sh-sherāb, ue kesā mina’l-‘urj, ue hedā mina’ḍ-ḍalāleh, ue beṣṣara mina’l-‘amā, ue feḍḍala ‘alā kethīrin mim-men khalaqa tefḍīlā. Elhamdu lil-lāhi Rabbi’l-‘ālemīn.”
(Falënderimi i takon Allahut që ushqen dhe nuk ushqehet; na dhuroi mirësi dhe na udhëzoi, na ushqeu e na dha të pimë, dhe çdo sprovë e kaloi për ne me të mirë. Falënderimi i takon Allahut që na ushqeu me ushqim, na dha të pimë nga pija, na veshi pas lakuriqësisë, na udhëzoi pas humbjes, na dha shikim pas verbërisë, dhe na bëri më të dalluar mbi shumë prej krijesave të Tij. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.)
Prej Sunetit është që njeriu të lutet para ushqimit dhe pas tij. Kam parë në vende shumë të largëta se lutja para ushqimit ekziston tek të gjithë popujt, dhe kjo është e trashëguar nga fetë e lashta; madje edhe jo-muslimanët luten para dhe pas ushqimit. Kjo lutje buron nga thelbi i feve: ushqimi është krijim i Allahut të Lartësuar, dhe tryeza mbi të cilën hamë është tryeza me të cilën Allahut i Lartësuar na ka furnizuar. Çmimi i ushqimit në të vërtetë është çmimi i shërbimit të tij; njeriu nëse do të donte të prodhonte vetë këto perime dhe fruta, nuk do të mundej. Por çmimi i këtyre perimeve dhe frutave është çmimi i shërbimit të tyre; ndërsa ai që i krijoi, i mbolli, i nxori dhe u dha ushqim dhe forcë është Allahu i Lartësuar.
Këtë të vërtetë e shpreh Pejgamberi (a.s) me një lutje fisnike, që e thoshte pasi hynte në tualet:
“Elhamdu lil-lahi ledhī edhakenī lidhatahu, ue ebqā fī quuaatihi, ue edhhabe ‘annī edhāh.”
(Falënderimi i takon Allahut që më mundësoi ta shijoj kënaqësinë e Tij, ka mbajtur forcën time dhe ka larguar dëmin nga unë.)
Ndalimi i të pirit në këmbë dhe leja për këtë vetëm për arsyen që pengon uljen:
Prej Sunetit është që një pije të pihet dhe njeriu të jetë i ulur, përveç gjatë Haxhit për shkak të vështirësive. Kur ai (a.s) përfundonte ushqimin, i lëpinte gishta, dhe më shumë pinte duke qëndruar i ulur. Madje e ka ndaluar që njeriu të pijë duke qenë në këmbë, dhe një gjë e tillë mund të shpjegohet nga mjekët (Allahu e di më mirë) që pirja ulur është më e shëndetshme për trupin. Por në raste të veçanta: si në Haxh e ka lejuar që të pihet në këmbë për shkak të rrëmujës dhe turmës së madhe të njerëzve; nëse gjatë kësaj kohe do të pihej vetëm ulur, njerëzit do të mund të lëndoheshin nga grumbullimi.
Kur dëshironte të pinte dhe rreth tij kishte njerëz të tjerë që edhe ata dëshironin të pinin, ia jepte kupën me pije atij që kishte në të djathtë, edhe nëse në të majtën e tij gjendej një person i madh në moshë apo pozitë. Kjo tregon se dhënia e gjërave nga e djathta zgjidh çdo problem: kur njeriu dëshiron të nderojë dikë, fillon nga e djathta, dhe kështu shmanget çdo ndërlikim ose ndjeshmëri. Madje njëherë një djalë ishte nga e djathta e tij dhe Ebu Bekri (r.a) nga e majta; Pejgamberi (a.s) pyeti djalin: “A më lejon?” Djali tha: “Nuk do të lë pas të drejtën time në pije pas teje”; kështu që ai ia dha enën djalit që ishte në të djathtë të Profetit (a.s)
Pija e ujit në sasi të vogël
Prej Sunetit është pirja e ujit me gllënjka. Unë kam dëgjuar se ekziston një nerv midis stomakut dhe zemrës, i quajtur nervi vagus ose nervi i hutuar, dhe sipas disa studimeve mjekësore, ka raste të shumta vdekjesh të papritura për shkak të pirjes së ujit njëherësh në sasi të mëdha. Profeti (a.s) ka thënë: “Pini ujin duke e thithur, mos e gëlltisni menjëherë, sepse mëlçitë nuk durojnë sasinë e madhe.”[2] Kur njeriu pi ujë të ftohtë njëherësh, temperatura e trupit mund ta stimulojë fuqishëm këtë nerv, dhe kjo mund të shkaktojë rrezik për jetën
Prej sunetit gjithashtu është ajo që ai (a.s) ka thënë: “Mbaj larg enën nga goja jote!”[3] Një veprim i tillë parandalon transmetimin e infeksioneve përmes frymëmarrjes.
Mirësjellja në sjelljen ndaj ushqimit dhe pijeve është udhëzim profetik
Profeti (a.s) nuk pinte nga ena e thyer, sepse në të kishte bakterie. Ai (a.s) i ka pasë mbuluar enët e ushqimit dhe pijeve gjatë natës, që të mos hynte asgjë në to. Ai (a.s) ka pasë ngrënë me dorën e djathtë dhe hante ushqimin që kishte para vetes. Përsa i përket frutave, ai (a.s) zgjidhte më të mirat. Kjo do të thotë se ti mund të zgjedhësh prej frutava atë që të pëlqen, ndërsa në lidhje me ushqimin e nis nga ajo që është pranë teje, një veprim i tillë është prej Sunetit.
Autor: Ratib Nabulsi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Buhariu.
[2] – Ebu Daudi në Merasil.
[3] – Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.



















