Një ndër gjërat më të bukura që muslimanët kanë përcjellur brez pas brezi është dashuria që kanë për kryerjen e riteve fetare, sikur është kryerja e Umra-s në Ramazan. Prandaj në këtë muaj të begatë, ti arrin të dallosh qartë se si muslimanët nga Lindja deri në Perëndim nxitojnë për të kyrer Umran dhe shkojnë për të vizituar Qaben e Madhnueshme. Madje ka dhe prej atyre muslimanëve të varfër, të cilët marrin para borxh vetëm e vetëm për të përfituar nga bereqeti i muajit dhe bereqeti i vendit të shenjtë. Jam habitur nga veprimi i sa e sa muslimanëve të cilët kanë hipur në anije dhe kanë fjetur në kuvertën e saj – nga pamundësia për të paguar – vetëm e vetëm që të kryejnë këtë rit madhështor në muajin e Ramazanit. Ata i kanë bërë ballë të gjitha llojeve të ndryshme të vështirësive, sepse zemrat e tyre janë të mbushura me besim dhe kanë shumë mall për Qaben e Madhnueshme, sakaq ti shikon njerëz të pasur apo të cilët banojnë pranë Qabes, të cilët janë dhënë pas dynjasë dhe nuk kanë këtë mall për Qaben e Madhnueshme.
Megjithëse kryerja e Umra-s është një rit i cili mund të kryhet në çdo kohë të vitit, Profeti (a.s) e ka këshilluar umetin e tij që ta kryejë atë në muajin e Ramazanit, sepse shpërblimi i tij është ekuivalent me shpërblimin e kryerjes së haxhit së bashku me Profetin (a.s). Në një hadith Profeti (a.s) ka thënë: “Umra në Ramazan është e barazvlefshme me haxhin e kryer së bashku me mua.”[1] Shkaku se përse Profeti (a.s) e ka thënë këtë fjalë është se kur ai (a.s) është kthyer nga haxhi, e ka pyetur Ummu Sinan Ensarijen: Ç’të pengoi ta kryeje haxhin? Ajo tha: Babai i filanit (d.m.th. i shoqi) kishte dy deve dhe bëri haxhin me njërën prej tyre, ndërsa tjetrën e shfrytëzoi për të ujitur tokën tonë. Profeti (a.s) i tha: “Kryej Umran në Ramazan, pasi ajo është si të bësh haxh me mua.”[2]Imam Ibn Haxheri (r.h) ka thënë: [Profeti (a.s) e njoftoi atë se Umra, e cila kryhet në Ramazan është e barazvlefshme në shpërblim me kryerjen e haxhit. Por kjo asesi nuk do të thotë se Umra e kryer në Ramazan zë vendin e Haxhit, sepse kryerja e Haxhit ëshë obligim njëherë në jetë për atë që ka mundësi.][3]
Me të drejtë dikush mund të pyesë dhe të thotë: Përse gjithë ky shpërblimi për kryerjen e Umra-s në Ramazan? Ibn Batal (r.h) ka thënë: [Përcaktimi i vlerës së punëve të mira nuk është me logjikë, por ajo është mirësi prej Allahut që ia jep kujt të dojë.][4] Kurse imam Ibn Haxheri (r.h) ka thënë: [Transmetohet se Is’hak ibn Rahauejhi ka thënë: Ky hadith është i ngjashëm me hadithin, në të cilin Profeti (a.s) ka thënë se “Kul huua llahu ehad është sa një e treta e Kuranit (në shpërblim).” Imam Haxheri (r.h) thotë: Ajo që mund të themi është se shpërblimi i veprave të mira në Ramazan shumëfishohet, ndryshe nga muajt e tjerë. Kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë. Allahu është Dhurues i të mirave.][5]
Dobitë e kryerjes së Umra-s në Ramazan:
1 – Kryerja e Umra-s në Ramazan është mundësi e shkëlqyer për t’u afruar sa më shumë Allahut pranë Qabes së Madhnueshme në një mjedis besimi.
2 – Kryerja e Umra-s në Ramazan është një mundësi e shkëlqyer për shumëfishimin e veprave të mira, si dhikri, lutja, leximi i Kuranit, namazi i teravisë, namazi i natës (tehexhudi), etj. Shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet në Ramazan dhe në Qaben e Madhnueshme.
3 – Kryerja e Umra-s në Ramazan është një ripërtëritje e besëlidhjes me Allahun e Madhëruar, mundësi e artë për muslimanin që të pendohet sinqerisht tek Ai, autokritikë për veprat që muslimani ka bërë në të shkuarën dhe kërkim ndihme prej Allahut që muslimani të vazhdojë në rrugë të drejtë.
4 – Kryerja e Umra-s në Ramazan është shenjë e vëllazërisë së të gjithë muslimanëve pa dallim ngjyre, race e etnie.
5 – Një nga gjërat e bukura që ndodh gjatë kryerjes së Umra-s në Ramazan është se muslimanët – pavarësisht se kanë gjuhë të ndryshme – ata përshëndeten me njëri-tjetrin me selam dhe buzëqeshje.
6 – Vetë qëndrimi në Qaben e Madhnueshme, veçanërisht në Ramazan, i dhuron muslimanit një kënaqësi shpirtërore të papërshkruar.
Këshilla dhe porosi:
1 – Përgatituni për udhëtim në formën më të mirë duke u interesuar rreth agjensive, të cilat e marrin përsipër organizimin e Umra-s në Ramazan!
2 – Tregohuni të sjellshëm dhe me edukatë islame! Mos e ngrini zërin, mos shani, mos ofendoni, mos mallkoni dhe mos u grindni! Bëni durim e sabër!
3 – Shfrytëzojeni kohën në maksimum për të kryer sa më shumë vepra të mira! Mos u jepni pas dëfrimeve, pazareve e çështjeve të dynjasë!
4 – Meditoni dhe reflektoni rreth shenjave të Allahut! Meditoni rreth Qabes së Madhnueshme! Meditoni rreth vëllazërisë së muslimanëve! Meditoni..
5 – Kujdesuni për higjenën personale dhe hani e pini shëndetshëm në syfyr dhe iftar me qëllim që të jeni më të disponueshëm në kryerjen e ibadeteve!
6 – Shmangni sa të keni mundësi shikimet e ndaluara!
7 – Sigurohuni që ta ulni zërin dhe mos të shqetësoni të tjerët si gjatë kryerjes së ibadeteve, apo kur jeni në rrugë, në hotel, etj.
8 – Ndiqni udhëzimet dhe mos shkelni procedurat administrative dhe organizative, prej të cilave përfitojnë të gjithë!
Autor: Mes’sud Sabri
Përshtati: Elton Harxhi
[1] – Buhariu (1863) dhe Muslimi (1256).
[2] – Buhariu (1863).
[3] -“Fet’hul Bari” fq: 3/604 – 605.
[4] -“Sherh Sahihul Buhari” fq: 4/438.
[5] -“Fet’hul Bari” fq: 3/604