Para dërgimit të Muhamedit (a.s), shpalljet hyjnore, ligjet dhe profetësitë ishin të natyrës lokale dhe të përkohshme. Profeti dërgohej vetëm për popullin e tij ose për vendin e tij. Shpalljet pasonin njëra-tjetrën sa herë që njerëzit shmangeshin nga rruga e drejtë, apo kur realiteti zhvillohej dhe tejkalonte dispozitat e mëparshme.
Por kur njerëzimi arriti një stad pjekurie dhe kur Allahu i Lartësuar deshi të përmbyllë profetësinë dhe shpalljet, dërgoi mesazhin e Muhamedit (a.s) si shpalljen përfundimtare, universale dhe të përhershme, deri në Ditën e Gjykimit. Kjo shpallje universale krijoi një njeri me qasje universale, dhe formësoi një qytetërim njerëzor që u krijua nga ky umet: egsaktësisht qytetërimin islam. Mund të thuhet pa ekzagjerim se specifika e këtij qytetërimi është pikërisht burimi i universalitetit të tij. Kjo sepse ai u formësua sipas shpalljes hyjnore që synonte të shndërronte ligjet lokale në një ligj të përgjithshëm, fetë etnike në një fe njerëzore, dhe profetësitë e përkohshme në një profetësi të përjetshme. Me fjalë të tjera, ajo erdhi për të kaluar njerëzimin nga ngushtësia lokale në horizontin njerëzor, nga përçarja dhe fanatizmi fisnor apo kombëtar në unitetin njerëzor dhe universal.
Ky kuptim është shprehur qartë nga sahabiu i nderuar Rib’ij ibn Amir në përgjigjen e tij ndaj pyetjes së Rustemit – udhëheqësit të persëve – gjatë periudhës së çlirimit islam të Persisë. Kur Rustemi, me habi, e pyeti: “Çfarë ju solli juve këtu?”, Rib’iju, ky beduin i thjeshtë i shkolluar në shkollën profetike, u përgjigj: “Allahu na ka dërguar që të nxjerrim këdo që Ai dëshiron nga adhurimi i robërve në adhurimin e Allahut, nga ngushtësia e kësaj bote në gjerësinë e saj, dhe nga padrejtësia e feve në drejtësinë e Islamit.”
Ky është një mesazh universal, që nxjerr njerëzit nga ngushtësia e botëkuptimeve lokale dhe fisnore drejt horizontit të gjerë të njerëzimit dhe universalizmit – dhe kjo nuk bëhet me detyrim. Sa domethënëse është shprehja e Rib’ijut: “të nxjerrim këdo që Ai dëshiron…”
Ky mesazh i është ngarkuar për ta bartur një umet – një popull që Allahu e ka caktuar për të mbajtur amanetin – dhe jo një individ, klasë apo kastë. Nuk ka asnjë rol gjaku apo pasurie në përkatësinë ndaj kësaj umeti që bart këtë mesazh për mbarë njerëzimin. Allahu i Madhëruar ka thënë të vërtetën, kur ka thënë:“Ata që ndjekin të Dërguarin, Profetin analfabet, të cilin e gjejnë të përshkruar te Teurati dhe Inxhili që kanë pranë vetes. Ai i urdhëron për të mirën dhe i ndalon nga e keqja, u lejon atyre gjërat e mira dhe u ndalon atyre të këqijat, dhe u largon barrën e rëndë dhe prangat që kanë pasur më parë.”[1]
Pikërisht ky dimension njerëzor i saj e bën atë një mesazh emancipimi për të gjithë botët.
Autor: Muhamed Amare
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure A’raf: 157.